Mytevelinjtë – bejlerët që hodhën themelet e Korçës

(Dhëndri shqiptar i Sulltan Bajazitit, ishte korçari i cili nën komandën e Portës së Lartë, zhvilloi qytetin e njohur juglindor)

Duke u nisur nga ndjenja e qytetarisë, e atdhetarisë, si edhe për t’u lënë brezave të ardhshëm elemente historike me vlera kombëtare, por edhe si e lindur dhe e rritur në një nga lagjet e dëgjuara të myslimanëve të qytetit tim mondan dhe të bukur, Korçës, kam ëndërruar dhe kam pasur dëshirë për të hedhur disa fakte historike me vlera kombëtare, me shkrim, për pinjollët e parë të familjes së Mytevelinjëve, familje 600 vjeçare.
Pinjolli i fundit i kësaj dere, i cili rron edhe sot e kësaj dite e është në moshën 74-vjeçare, djali i Hysen beut, Rustem Hysen Myteveliu (junior), me profesion ekspert në Zyrën e Urbanistikës së qytetit të Korçës. Duke qenë gjithmonë e mirëpritur në këtë derë bejlerësh, e që në fëmijërinë time njoh zotin Rustem Myteveliu (i riu), pasi ishte shok fëminije dhe shkolle i nënës sime, interesimit tim për të më treguar rreth derës së Mytevelinjve iu përgjigj me një ndjenjë qytetarie, repsekti dhe mirënjohjeje të veçantë.

Historia e fisit së Myteveliut, ku stërnipër janë vëllezërit Frashëri

Tregimin e tij, zoti Rustem Myteveliu (i riu), e fillon me të parin e kësaj dere, rreth 600 vjet më parë, duke u bazuar edhe në pemën gjeneologjike të familjes, ai e fillon me Iljaz bej Mirahorin (Myteveliu). Rustemi është brezi i 16-të dhe fëmijët e tij janë brezi i 17-të i këtij fisi të dëgjuar. Iljaz bej Mirahori lindi aty rreth vitit 1408 në Panarit të Korçës. Ai ishte biri i priftit të Panaritit. Kishte trup të bëshëm, ishte 2 metër i gjatë dhe jetoi 104 vjet. Mësimet e para i mori në trevat e Panaritit. Gjatë kësaj periudhe Shqipëria ka qenë nën sundimin e dinastisë otomane turke dhe Iljazi merret peng, nizam, si jeniçer, nga Porta e Lartë. Në Stamboll ai mori mësimet e para në gjuhën osmanishte turke dhe më pas, vazhdon edhe shkollën. Shkallë mbas shkalle, ai ngrihet në poste të rëndësishme, ku edhe emri nga Ilia, i kthehet në Iljaz bej. Në vitin 1457 ai ishte pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Stambollit; më pas si komandant në luftën e Konstandinopojës dhe gradë pas grade mori titullin “Mirahor”, që do të thotë gjeneral i gjeneralëve, kryegjeneral. Rreth Iljaz bej Mirahorit ka shkruar edhe Sami Frashëri si stërnip i tij, nga dera e nënës së Frashërllinjve, Emineja.
Iljazi, shqiptari që i shërbeu Sulltan Bajazitit të Dytë Iljaz bej Mirahori i ka shërbyer Sulltan Bajazitit të Dytë, i cili i dha gradën “LALE” dhe titullin e “Profesorit të dinastisë turke” të asaj kohe. Iljazi u martua me të bijën e Sulltan Bajazitit të Dytë dhe nga kjo martesë pati edhe tre djem: Muhamet bej, Mehmet bej dhe Sefer bej. Mehmet bej, djali i dytë i Iljaz bej Mirahorit, i quajtur ndryshe edhe Ine beu, u vra në luftën për marrjen e Bagdadit, betejë në të cilën ishte komandant i ushtrisë turke dhe u shqua për trimëri.
Më pas, Iljaz bej Mirahori u zhvendos në Shqipëri, në trevën e Korçës, ku me nënshkrimin e 4 fermaneve nga ana e Sulltan Bajazitit të Dytë, i falin disa fshatra si: Panaritin, Treskën, Trebickën, Katundin, Drenovën, Boboshticën dhe Vithkuqin. Duke bërë martesë me vajzën e Sulltanit, ky i fundit bën shkëmbimin e Panaritit me Leshnjën, dhe Vithkuqit me Korçën, që në atë kohë quhej Peshkëpi. Ai jetoi gati 70 vjetët e jetës së tij në Korçë. Iljaz bej Mirahori ndërtoi xhaminë e Korçës, aty rreth vitit 1496. Më pas ai ndërtoi medresenë, shkollën afër saj, hanet dhe hodhi hapat e para të tregut, d.m.th., ndërtoi Pazarin e Korçës. Në vitin 1504 ai krijoi Imaretin, që do të thotë Vakëf ose në shqipen e sotme, Mision Bamirësie. Dy-tri herë në javë, të varfërit shkonin dhe hanin falas në Imaret. Gjithashtu, gjithë tregtarët që shkonin e vinin për tregti nga Janina e Follorina, nëpërmjet Bilishtit, qëndronin dhe hanin në këtë Imaret, falas.

Një lagje e Stambollit mban emrin e Iliaz Mirahorit, themeluesit të Korçës

Iljaz bej Mirahori, duke ardhur nga Stambolli, ku mori një kulturë të gjerë në të gjitha fushat nga njohja e mirë e qytetit të Stambollit, qytet model i periudhës mesjetare (ku edhe sot një lagje e tërë mban emrin e Iljaz bej Mirahorit, vetë ky i fundit diti me mjeshtëri të shfrytëzojë territorin për zhvillimin e qytetit të Korçës, si nga ana gjeografike, ekonomike, tregtare dhe për lëvizjen e lirë të tregtarëve dhe tregtisë, veçanërisht me Janinën. Ai krijoi bazën social-kulturore të Korçës dhe hodhi themelet e këtij qyteti. Në shpirtin e karakterin e Iljaz bej Mirahorit kishte shumë bamirësi, aq sa këto nuk njihnin kufij. Për këtë arsye, atij i jepet edhe titulli “Myteveli”, që në greqisht do të thotë Epitropos e në shqip Kujdestar, ndërsa, përshtatur me shqipen e sotme, përkthehet Bamirës. Edhe sot dera dhe pasardhësit e Mirahorit të madh njihen me mbiemrin Myteveliu. Këtë titull e trashëgonte djali dhe në rast se nuk kishte trashëgimtar për ta trashëguar, për të drejtuar administratën e Imaretit, e merrte Sulltani, dhe kjo pronë nuk shitej, por mbetej, Vakëf. Martesa e tij me vajzën e Sulltan Bajazitit të Dytë ndikoi shumë në zhvillimin e rajonit të Korçës, duke e përjashtuar këtë rajon nga taksat e dinastisë turke deri edhe në përjashtimin e të rinjve nga detyrimi ushtarak, por edhe për vakëfet, nuk donte taksë.

Filantropia e Korçës, e para në Evropë

Pjesën më të madhe të pasurisë Iljaz bej Mirahor Myteveliu e bëri Imarete, Vakëfe. Në dokumente që kanë mbërritur deri në ditët tona, del qartë ideja e tij, për të qenë njeriu një filantrop i madh. Madje, në testamentin e tij, testament që ekziston edhe sot, dhe ruhet me shumë fanatizëm nga Rustem Myteveliu (i riu), ai është shprehur: “Pjesën më të madhe të pasurisë sime e bëra Imaret, se është pjesa me jetëgjatë dhe ndikon në zhvillimin e rajonit. Ky Imaret, Vakëf, vazhdoi për 500 vjet dhe drejtohej brez pas brezi nga dera e Mytevelinjve, pasardhësit e Mirahorit të Madh. Deri në vitin 1933, kur drejtohej nga Rustem Myteveliu (i vjetër), d.m.th., gjyshi i Rustem Hysen bej Myteveliut (i riu), nga i cili ka marrë edhe emrin. Format dhe rrugët për të ndihmuar të varfërit kanë ekzistuar në shekuj në Shqipëri dhe ato e kanë zanafillën e tyre që me Iljaz bej Mirahor Myteveliun, që tregon fare mirë se për bamirësi jemi të parët, jo vetëm në Evropë, por edhe në botë.
Iljaz bej Mirahor Myteveliu vdiq më 1512. Varri i tij, i gruas dhe djalit të vogël, Sefer beut, ndodhen në tyrben ngjitur me xhaminë e ndërtuar prej tij në vitin 1496. Pinjollët e ardhshëm të derës se Mirahorit të Madh, nipër, mbesa, stërnipër dhe stërmbesa, do të vazhdonin rrugën e bamirësisë të nisur nga Iljaz bej Mirahor Myteveliu. Ata do të shkëlqenin si atdhetarë dhe patriotë, por edhe si bejlerët e Korçës. Babai i Rustem Myteveliut (junior), Hysen beu, si një atdhetar dhe patriot i ndershëm, mori pjesë në jetën social-kulturore të qytetit të Korçës, si anëtar i grupit “Lira”. Gjyshja e Rustem Myteveliut (i riu) vjen nga dera e Frashërllinjve, rilindasve tanë të shquar, Sami, Abdyl dhe Naimi. Ajo është kushërirë e parë me nënën e Frashërllinjve, Eminenë. Gjylistania, duke ardhur nga kjo derë rilindasish, ndikoi shumë në edukimin dhe formimin e tyre patriotik. Gjatë viteve të pushtimit fashist dhe nazist, kjo derë e bejlerëve të Korçës, pra, Mytevelinjtë, u vunë në shërbim të Luftës Nacional-Çlirimtare, për të cilën shkrinë, po ashtu, edhe pasurinë e tyre. Ata i kanë dhënë luftës pesë partizanë, ku midis tyre, edhe dëshmoren e Atdheut, Floresha Myteveliu, bija e Ruzhdi bej Myteveliut. Dy rrugë, shumë ngjitur me njëra-tjetrën, rrotull xhamisë së ndërtuar nga Mirahori i Madh, mbajnë emrin Iljaz bej Mirahori dhe Floresha Myteveliu. Por gjatë regjimit komunist, dera e Mytevelinjve u godit në heshtje, ku në një mënyrë apo në një tjetër, u konfiskohet pasuria, duke filluar me shtetëzimin e malit të Rungajës, prishjen e disa shtëpive, Imaretin, furrat e pjekjes së bukës dhe gatimit. Varrezat e pinjollëve të Mytevelinjve, pasardhësit e Mirahorit të Madh, ndodhen prapa tylbes, ngjitur me xhaminë 600-vjeçare. Aty ndodhet edhe varri i Rustem bej Myteveliut (i vjetri). Por shumica e varreve të Mytevelinjve do të sheshoheshin nga regjimi komunist dhe mbi eshtrat e tyre do të ngriheshin vendstrehimet në rast lufte, pra, bombardimit të aviacionit armik. Sheshimi i këtyre varreve, jo vetëm ishte shkatërrimi i elementit historik me vlera kombëtare, por do të lëndonte edhe ndjenjat shpirtërore, shqiptare dhe kombëtare të Mytevelinjve.
Rustem Hysen Myteveliu (i riu), me profesion ekspert në urbanistikën e qytetit të Korçës, si një nga stërnipat e Mirahorit të Madh, duke atribuar nga i pari i fisit të tij anët me të mira, shprehet kështu për qytetin e Korçës, të themeluar nga Iljaz bej Mirahor Myteveliu: “Korca ka një truall me një pjerrësi të favorshme dhe të përshtatshme, për zhvillimin dhe ndërtimin e infrasrtukturës së rrjetit rrugor, të lagjeve të banimit, shpërndarjen e zonave ekonomike, industriale apo për çlodhje dhe të gjitha këto, janë të lidhura në mënyrë organike, që i japin qytetit një komoditet, të mjaftueshëm dhe në përshtatje me klimën. Kodrat e qytetit formojnë një kurorë të larmishme ku mbi to ngrihet mali i Moravës, që mbron qytetin nga përmbytjet dhe erërat e forta. Duke shfrytëzuar këto elemente të pozitës gjeografike, Iljaz bej Mirahor Myteveliu i famshëm, hodhi themelet e Korçës sonë”. Duke u ndarë nga Rustem bej Myteveliu (i riu) me këtë histori me shumë vlera kombëtare për popullin tonë, për derën e bejlerëve Mytevelinj, si hedhës të themeleve të qytetit tim, Korçës, në shpirtin tim vlonte krenaria kombëtare, mirënjohja, respekti, nderimi dhe përjetësimi për këtë derë bejlerësh patriotë dhe për Mirahorin e Madh. Duke ecur nëpër rrugët me kalldrëm të lagjes sime, të lagjes së Mirahorit të Madh, në mendjen time ishin të ngulitura 600 vitet e themelimit të qytetit të Korçës, m’u kujtuan vargjet e Mihal Gramenos: “Lumja ti moj Korçë, o lule/që le pas shoqet e tua/si trimi në ballë u sule/ta paçim përjetë hua”. Nuk do rresht së shkruari për historikun e qytetit tim, Korçës, të bukur, mondan, modern, historik, antik, të tolerancës fetare, të dijes e të kulturës, të arsimimit, të ëndërrave të mia, të serenatave, të dashurive të pastra. Përkulem dhe puth me respekt varrin e Mirahorit të Madh për këtë qytet që themeloi dhe na la pas.

Historia e qytetit të Korçës

Zona e Korçës ka qenë e banuar qysh në kohët e hershme. Rrënojat neolike të gjetura në këtë qytet tregojnë vazhdueshëm pushtimin e tij brenda këtyre 6000 vjetëve. Është një numër i madh qendrash arkeologjike të pazbuluara në këtë qytet, shumica e të cilave besohet të janë të së njëjtës kohë me civilizimin mycenian në Greqi. Kjo zonë luajti rol të rëndësishëm në shpërndarjen e kristianitetit bizantin në Shqipëri; një kishë u themelua më 898. Qyteti modern e ka filluar ekzistencën e tij në shek. e 15-të, kur Iljaz bej Mirahori, nën komandën e Sulltan Mehmetit II, zhvilloj Korçën. Për një kohë të gjatë qyteti rivalizohej nga Voskopoja, por me shkatërrimin e saj në shek e 18-të, Korça mori një pozitë në këtë zonë që kurrë nuk e humbi. Ajo ishte një pikë qëndrimi për rrugët e karvaneve dhe, në një kohë nuk kishte më pak se 16 hane në qytet. Ky qytet u bë në mënyrë të veçantë edhe qendër e rritjes së ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Në mars 1878 u ngrit shkolla e parë që mësonte shqip në Shqipëri dhe më 1891 shkolla e parë shqipe për vajza. Zona ishte në trazira gjatë luftërave ballkanike dhe pati dëme të mëdha në popullsi dhe ndërtesa, nën shtypjen e lëvizjeve iridentiste greke në atë kohë. Korça u pushtua nga forcat greke më 6 dhjetor 1912. Së shpejti u tërhoqën nga vendimet e Komisionit të Kufijve, por u mor përsëri nga ta më 10 korrik 1914. Gjatë Luftës së Parë Botërore qyteti u pushtua nga Austro-Hungaria, përsëri nga grekët dhe më vonë nga trupat franceze në vitin 1916, që shpallën Republikën Autonome të Korçës, njohur kjo edhe nga Greqia, si Korica. U vendos, por u rrëzua për shkak se Greqia u hodh në luftë në anën e aleatëve; Themistokli Germenji u qëlluan nga një skuadër pushkatimi në Selanik. Pushtimi francez mbaroi në vitin 1920, por influenca kulturore vazhdoi me Liceun Francez të Korçës. Në vitin 1929 banorët e Korçës ishin aktivë në agjitacionin për kthimin e Vidit si monark i Shqipërisë. Gjatë viteve ‘30-të lëvizjet punëtore, u rrit shumë shtresa e grupit komunist të Korçës; u bë bërthama e PKSH-së. Në vitin 1936, një demonstratë e të papunëve u shyp brutalisht nga xhandarët e Zogut dhe gazeta liberale e Korçës, “Bota e Re”, u ndalua nga qeveria. Në Luftën e Dytë Botërore qyteti ishte një pikë qëndrese e lëvizjeve partizane dhe pikë e luftës antifashiste. Një demonstratë kundër pushtuesve u ndalua nga trupat gjermane në vitin 1943.

Personazhe të famshëm të historisë – Elita shqiptare e Turqisë

Jahja bej Dukagjini

Është një nga djemtë e familjes së Lekë Dukagjinit, që mund të jetë strehuar ose marrë peng dhe është rritur në oborrin e Sulltanit, dalluar si ushtarak i zoti. Ka marrë pjesë në luftimet që komandonte Sulltan Sulejman Kanuni në Tameshvar (Hungari).

Osman bej Dukagjini

Nipi i vezirit hero, Ahmet Pashë Dukagjinit, dhe biri i Mehmet Pashë Dukagjinit. Ai ishte dijetar i urtë e punoi si kadi në Stamboll. Hartoi veprën biografike “Kaditë e Stambollit”.

Arkitekt Kasem Agai

Ka lindur në fshatin Grëmsh, të krahinës së Tomoricës. Rininë e parë e kaloi në Berat. Pastaj i ati e dërgoi në Stamboll për studime profesionale. U bë asistent pranë Koxha Mimar Sinanit (të madh) dhe Sedefqar Mehmet Elbasanit. Duke u dalluar në punime arkitekturale, më 1595 u afirmua arkitekt i pallatit. Më 1622 u bë kryearkitekt. Ka ndërtuar JENI XHAMI (Xhaminë e re) të Stambollit dhe ka edhe shumë vepra të tjera.

Kryemjeshtër Mehmet Isa

Është arkitekt me origjinë shqiptare, një nga kryemjeshtërit e Tyrbes së famshme TAXH-MAHAL në INDI. Mehmet Isai kishte lindur në Opar.

Arkitekt Sinan Atik Agai

Ky arkitekt quhet edhe Sinan Isuf. Megjithëse nuk dihet plotësisht jeta e tij, shumë shkrimtarë thonë se Sinan Atiku ka qenë shqiptar, edukuar në pallatin osman. Ishte arkitekti që kishte ndërtuar XHAMINE FATIH të Stambollit.

Arkitekt Mehmet Sedefqar

Është marrë nga Elbasani më 1562 dhe u bë nxenësi dhe asistenti i Koxha Mimar Sinanit. Bëri studime në Rumeli dhe Lindje të Mesme. Në vitet 1597–1598 ai ishte drejtor i përgjithshëm i krojeve të Stambollit, ku shërbeu 8 vjet. Më 1606 u bë kryearkitekt, ndërtoi dhe zbukuroi mjaft faltore dhe pallate. Kryevepra e tij është Xhamia e Sulltan Ahmetit (Xhamia Blu).

Dedë Ismail Efendi

Ka lindur në Stamboll, por rrjedh nga një familje shqiptare. Babai i tij, Sulejman Agai, ishte shpërngulur nga Elbasani për në Stamboll. Kishte blerë një hamam dhe nga ky mbante mbiemrin Kosturi, që e shndëroi në Hamamizade (bir hamamxhiu). Këngët e tij u pëlqyen edhe nga Oborri i Sulltanit. Më pas atë e emëruan kryemuzikant në Pallat. Këngët ishin me karakter popullor dhe hartuar me një turqishte të thejshtë. Kënga e titulluar “Fati im i zi, varet te flokët e tua”, u pëlqye shumë prej Sulltan Selimit. Dede Ismail Efendiu kishte kompozuar më tepër se 200 vepra muzikore. Sot kanë mbetur të paharruara dhe dëgjohen me kënaqësi, 160 këngë klasike turke. Dijetarë të shquar turq, me origjinë shqiptare.

Halil Pasha Bushati

Poet dhe dijetar.

Husein Qamil Bej Tepelena

Nipi i Ali Pashë Tepelenës, poet, ka vepra të botuara dhe rreth 15 dorëshkrime.

Selim Sirri Pasha

Nipi Ali Pashë Tepelenës, poet lirik i dalluar.

Mustafa Reshit Salih Pasha

Lindi në Janinë, biri i Vezir Mehmet Aqif Pashës. Kishte hartuar poema filozofike.

Hasan Haki Pasha

Ka lindur në Shkodër dhe padishahut i qe paraqitur me petka shqiptare. Shërbeu si zëvendësvali.

Numan Menemenxhioglu

Diplomat i dalluar, shërbeu si ambasador në Paris në fillim të Luftës II Botërore. Deputet gjatë viteve 1955-1956 dhe 1957-´58.

Turhan Pasha

I lindur në Janinë, diplomat dhe burrë shteti. Në kohën osmane shërbeu si ambasador në Vjenë, Moskë, Madrid etj. Pas Luftës I Botërore mori pjesë në qeverinë shqiptare. Në Konferencën e Paqes, mbajtur në Paris më 25 shkurt 1919, mbrojti të drejtat shqiptare, duke bashkëpunuar me shumë delegacione të diasporës shqiptare.


Raimonda Moisiu
Dituria Islame 191


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë