A janë viruset dhe fatkeqësitë ndëshkim prej Zotit?

• Pyetja: A janë viruset dhe fatkeqësitë ndëshkim nga Allahu për njerëzit?

• Përgjigjja: Sprovat dhe fatkeqësitë që u ndodhin njerëzve janë prej ligjeve të jetës. Njerëzit, si individë dhe si grupe, pa marrë parasysh nivelin dhe rangun e tyre, nuk janë të kursyer nga sprovat e jetës. Sprovat mund të jenë më të mira dhe me të këqija. Allahu i Madhërishëm ka thën: "Çdo krijesë do ta shijojë vdekjen, e Ne, në shenjë sprove ju sprovojmë me vështirësi e kënaqësi, dhe ju ktheheni te Ne". (El-Enbija: 35).
Ibn Kethiri e komenton këtë ajet duke thënë: “D.m.th., ju sprovojmë herë duke ju goditur me gjëra të padëshirueshme për ju, e herë duke ju falur begati, që të shohim se kush është falënderues e kush është mohues i të mirave, kush është durimtar e kush është pesimist."
Një nga parimet fundamentale të Islamit është besimi në caktimin e Allahut-Kader, gjegjësisht çdo gjë që ndodh, qoftë e mirë apo e keqe, nuk është jashtë vullnetit dhe dijes së Allahut, pa marrë parasysh a e kuptojmë urtësinë e Allahut të Madhërishëm në atë që ndodh, apo jo. Mirëpo, ky besim i patundur në caktimin e Allahut, nuk e ndalon myslimanin nga analiza dhe marrja e mësimeve. Bile, fatkeqësitë të cilat i godasin të gjithë njerëzit, qofshin të mirë apo të devijuar, mund të jenë përkujtim dhe mësim për njerëzimin se sado që të kenë arritur në aspektin teknologjik dhe shkencor, nuk duhet t'i neglizhojnë aspektet shpirtërore dhe morale, të ndërtojnë lidhje më të forta me Krijuesin e Madhërishëm, t'u përmbahen vlerave fundamentale si drejtësia shoqërore, koekzistenca paqësore, respektimi i dinjitetit njerëzor dhe bashkëpunimi mes të gjithëve për gjëra të mira.
Nisur nga kjo, sprova e perceptuar në këtë këndvështrim, nuk është ndëshkim për njerëzit, ngase Allahu i Madhërishëm është i butë dhe i mëshirshëm ndaj robërve të Vet: "S'ka dyshim se Allahu është shumë i butë dhe mëshirues ndaj njerëzve" (El-Bekare: 143), por sprova bie mbi krijesat për disa urtësi, fjala vjen, si:
- T'ua rikujtojë njerëzve mirësitë me të cilat i ka begatuar Allahu i Madhërishëm. Kjo, ngase njeriu e kupton vlerën e shëndetit si duhet vetëm kur sëmuret, si dhe e vlerëson sigurinë, vetëm kur krijohet pasiguri dhe i kaplon paniku. Në përgjithësi, njerëzit shumë i neglizhojnë mirësitë me të cilat i ka begatuar Allahu i Madhërishëm. Allahu i Madhërishëm ka thënë: A nuk e dini ju se Allahu nënshtroi për të mirën tuaj ç'ka në qiej e ç'ka në tokë dhe plotësoi ndaj jush të mirat e Tij të dukshme e të fshehta, e megjithatë prej njerëzve ka që polemizojnë çështjen e Allahut duke mos pasur as dituri, duke mos qenë i udhëzuar dhe duke mos pasur libër të ndritshëm" (Llukman: 20).
Njeriu, sa më tepër t'i kujtojë të mirat e Allahut të Madhërishëm, aq më tepër e falënderon, gjë që gjeneron tek ai bindje për të mirat që ia ka falur Allahu.
- T'ia tërheqë vërejtjen njeriut se duhet të jetë konsekuent në mbështetjen e tij në Allahun e Madhërishëm dhe në vazhdimësi të kërkojë mbrojtje dhe ndihmë prej Allahut. Kjo, ngase njeriu për nga natyra është i tillë që në raste fatkeqësish dhe vështirësish kërkon dikë që do t'i ndihmojë dhe di ta mbështesë. Kështu, vetëdija e njeriut se Allahu i Madhërishëm i ndihmon dhe e përkrah njeriun në këto rrethana të vështira, gjeneron siguri dhe qetësi në qenien e tij, me çka ai në mënyrë më efektive i përballon sprovat dhe e liron nga varshmëria prej dikujt tjetër pos Allahut të Madhërishëm: "O ju njerëz, ju keni nevojë për Allahun e Allahu nuk ka nevojë për ju; Ai është i falënderuari!" (Fatir: 15).
Njeriu, kur e godet ndonjë fatkeqësi apo kur gjendet në ndonjë vështirësi, i drejtohet Allahut të Madhërishëm dhe e lut për ndihmë. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “E kur i mbulon ata ndonjë valë si reja, i drejtohen Allahut sinqerisht me besim vetëm ndaj Tij, e kur i shpëton ata e dalin në tokë, ka disa prej tyre që i mbesin besnik besimit të drejtë, e faktet Tona nuk i refuzon kush pos të pabesit dhe përbuzësit" (Llukman: 32); “E pse të mos përuleshin kur ju erdhi atyre dënimi jonë?" (El- Enamë: 43).
-Fatkeqësitë dhe sprovat mund të jenë vërejtje për njerëzit për devijimin dhe rënien në mëkate, ashtu që Allahu i Madhërishëm nga mëshira e Tij ndaj njerëzve, ua tërheq vërejtjen dhe i paralajmëron, me qëllim që të distancohen nga shkeljet që i bëjnë kundër vetes. Kjo, ngase dëmi i mëkateve i kthehet vetë njeriut dhe shoqërisë, e jo Allahut. Allahu nuk dëmtohet asgjë nga mëkatet e njerëzve. Kjo vërejtje vlen për të gjithë njerëzit, si për ata që besojnë, ashtu edhe për ata që nuk besojnë. Pra, sprova nuk është hakmarrje, por është vërejtje dhe paralajmërim për të këqijat që i bën njeriu, me tendencë që të zmbrapset nga ajo rrugë e gabuar. Allahu i Madhë-rishëm ka thënë: "Çfarëdo e keqe që mund t'ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija), e për shumë të tjera Ai u falë" (Esh-Shura: 30).
Me këtë rast duhet nënvizuar se Allahu i Madhërishëm, për shkak se veçoi Muhamedin, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, duke e bërë vulë të pejgamberëve si mirësi nga ana e Tij për njerëzit, i amnistoi mëkatarët nga ndëshkimi me shkatërrim të përgjithshëm që do t'i godasë ata në këtë botë, gjë që ndodhi me disa popuj të mëparshëm, por, llogarinë e tyre e caktoi që të jetë në botën tjetër - Ahiret, me çka atyre iu la hapësirë për pendim dhe korrigjim në këtë botë - Dunja. Nisur nga kjo, i Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, nuk është lutur që të kaplohen nga të këqijat ata që nuk e kanë pranuar atë.
Është transmetuar prej Ebu Hurejres, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: "I thanë të Dërguarit të Allahut që ta luste Allahun kundër idhujtarëve, por i Dërguari i Allahut ua ktheu: 'Unë nuk jam dërguar mallkues, por jam dërguar mëshirë" (Hadithin e transmeton Muslimi).
Imam Taberiju, duke komentuar fjalët e të Lartmadhërishmit: "E mrekullitë (ose fenomenet natyrore që shkatërrojnë), Ne nuk i dërgojmë për tjetër vetëm për frikësim" (El-Israë: 59), e përmend thënien e Katades: "Allahu i frikëson njerëzit me çfarë do fenomeni që të dojë, me qëllim që ata të marrin mësim, të rikujtojnë apo të kthehen nga rruga e gabuar. Na është përmendur se Kufeja është dridhur - d.m.th., ka çuar tërmet - në kohën e Ibn Mes'udit, dhe ai ka thënë: “O njerëz, Zoti juaj do që ju të ktheheni në kënaqësinë e Tij, për atë, kthehuni”.
Është transmetuar prej el-Hasenit, i cili në lidhje me fjalët e të Lartmadhërishmit: "E mrekullitë (ose fenomenet natyrore që shkatërrojnë), Ne nuk i dërgojmë për tjetër vetëmpër frikësim" (El- Israë: 59), ka thënë: "Do të ketë vdekje të shumta.”
Sprova i përfshin si ata që besojnë, ashtu edhe ata që nuk besojnë, bile besimtari u ekspozohet sprovave më tepër se sa tjerët. Kjo, ngase besimi e bën durimtar në sprova. I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut çofshin mbi të, në hadith autentik qëndron: "Njerëzit që më së tepërmi u ekspozohen sprovave janë të dërguarit e Allahut, pasohen nga njerëzit e mirë, e pastaj renditen tjerët, varësisht sa të mirë janë". Duhet të pohojmë se: sprova e cila vjen si vërejtje për mëkatet, e përfshin çdo veprim me të cilin njeriu devijon nga rruga e drejtë në raportin e tij me Zotin, apo në raportin e tij me njeriun a m natyrën që e rrethon. Sot është krejt e qartë se sa gabime bën njeriu në të gjitha rrafshet e përmendura. Sot, pas përhapjes së pandemisë Covid-19, filluan të ngrihen zërat e njerëzve të mençur në të gjithë botën, të cilët i ërkojnë që të rishikohen shumë sjellje të gabuara të cilat dominuan jetën e njerëzve në të gjitha aspektet e saj. Këta njerëz të mençur thonë se në historinë bashkëkohore të njerëzimit do të ketë vijë ndarëse ndërmjet: kohës para Koronës dhe pas Koronës. Devijimi moral dhe antivlerat, mosfunksionimi i drejtësisë njëjtë për të gjithë njerëzit, mosndarja e drejtë e të mirave materiale mes njerëzve, abuzimi me natyrën dhe ambientin, mosmbrojtja e natyrës nga ndotja dhe shkatërrimi, ndezja e luftërave dhe konflikteve të ndryshme, janë mëkate prej të cilave duhet të pendohen njerëzit, ndërkaq sprovat vinë që t’ua tërheqin vërejtjen për pasojat e vazhdimit në rrugën e padrejtësisë dhe armiqësisë.



Shkëputur nga libri “Implikimet legjislative islame të zhvillimeve të reja nga paraqitja e virusit Covid 19.”

Komunikatë përmbyllëse e sesionit të 30-të të jashtëzakonshme të Këshillit Evropian për Fetva dhe Gjurmime i mbajtur përmes teknikës së komunikimive (zoom)
1-4 Shaban 1441h/25/28 Mars 2020



Përktheu: Bashkim Aliu


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë