Këshillim, jo paragjykim!

Këshillimi në vepra të mira dhe ndalimi nga e keqja është obligim për thirrësit në Islam.

I Lartësuari Allah thotë në Kuran: "Ti (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit". (El Nahl, 125).
Në përmbushje të urdhrit hyjnor, dijetarët, thirrësit dhe studiuesit islamë u drejtohen audiencës dhe individëve me këshilla sipas rastit dhe nevojës. Megjithatë, sot vihet re një tendencë nervozizmi ndaj këshillës dhe mospranim i fjalës së mirë. Shpesh është e vështirë për dijetarët dhe profesionistët të japin këshilla në ditët e sotme.
Kur mundohesh të këshillosh dikë, shumica e njerëzve thonë: “Mos më gjyko!"
Nëse i thua dikujt: "Ti nuk duhet të shkosh në klubet e natës dhe duhet të largohesh nga pija dhe imoraliteti!" Ai përgjigjet: "Hej mjaft! Kush je ti që më gjykon mua?"
Nëse i drejtohesh një motre me këshillën: "E nderuar motër, duhet që të mbulosh flokët dhe të vishesh në mënyrë të pëlqyer në Islam", ose "Vëlla i nderuar, nuk duhet të ecësh rrugëve me gjysmën e fundkurrizit të ekspozuar jashtë!" Përgjigjja për këto këshilla të thjeshta është: "Mjaft më paragjykove! Kush je ti? Çka të duket vetja të më mësosh mua?"
Në fakt kjo kategori njerëzish nuk duan të kuptojnë se ky nuk është gjykim, por këshillim. Mos përdorni termin: "Mos më gjyko!"
për t'iu shmangur këshillimit. Këto përgjigje i dëgjojmë sa herë që përpiqemi të këshillojmë dikë në të mirë. Për hir të së vërtetës, askush nuk ju gjykon për veprimet tuaja, pasi gjykuesi i vetëm për këdo dhe për çfarëdo lloj veprimi është vetëm Allahu, Krijuesi i gjithësisë.

I nderuar vëlla! E nderuara motër!
Këshillimi nuk është paragjykim për sjelljen apo veprimet tuaja, por udhëzim në të mirë, në rrugën që ka urdhëruar Allahu. Në fakt nuk janë thirrësit në fe që ju gjykojnë, por është fundi i kurrizit tuaj i ekspozuar nga pantallonat e ulura poshtë, dekolteja e hapur në gjoksin tuaj, sjelljet dhe veprimet jo të denja shoqërore dhe morale etj., ato që ju gjykojnë ju.
Nëse dikush ju këshillon në punë të mira kjo nuk do të thotë se ai ka ligësi në zemër dhe është qëllimkeq ndaj teje, përkundrazi. Profesionistët ju flasin për të mirën tuaj. Më kujtohet intervista e një prej sportistëve më të mirë në botë, të cilit emrin nuk ia di por, fjalët e tij më kanë mbetur në memorie. I pyetur se cilët janë shokët e tu më të mirë, ai u përgjigj:
"Shokët e mi më të mirë janë dijetarët, pasi ata më përkujtojnë detyrat dhe përgjegjësitë e mia ndaj Zotit dhe njerëzve. Ata më përkujtojnë çfarë është e lejuar dhe e ndaluar (hallall dhe haram) si dhe faktin se kur trupi im të futet në varr, nuk do të jenë me mua as shokët, as arritjet e mia në fushat e sportit. Asgjë prej sukseseve të mia të dunjasë nuk do të më shërbejë në varr, përveç punëve të regjistruara në librin e veprave të mia".
Ka njerëz, si ky sportist, që i vlerësojnë dijetarët dhe profesionistët për faktin se u kujtojnë se çfarë është e mirë dhe çfarë jo, si dhe faktin se gjithkush do të jetë vetëm dhe pa ndihmën e familjes dhe shoqërisë kur të gjykohet para Zotit.
A mendon dikush: "Kush jam unë? Çfarë kam për të ofruar në varr kur të mbetem vetëm dhe të pyetem për veprat e mia?"
Për të arritur t'i bëjmë vetes pyetje të këtilla nevojitet një nivel i lartë besimi, që kërkon pastërtinë e shpirtit dhe të zemrës, të cilat i kërkojmë nga Allahu dhe vetëm nga Ai. Koha sot është e vështirë, sepse njerëzit nuk e kuptojnë se kur profesionistët i këshillojnë të pastrojnë zemrën dhe të ndryshojnë sjellje ata nuk i gjykojnë, përkundrazi i ndihmojnë me fjalë të mira dhe kurajoze për t'u përmirësuar në të mirë të vetes dhe shoqërisë.
Prandaj njerëzit nuk duhet të reagojnë në mënyrë negative. "Mos më gjyko!" është një shprehje që përdoret shumë për të mbuluar gabimet e vogla dhe të mëdha, për të shpëtuar nga dënimi kur kryen një vrasje, kur bën një mëkat, me qëllim që gabimtarilmëkatari të jetë i lirë të vazhdojë të kryejë të njëjtat mëkate.
Zoti thotë në Kuran: "Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në humbje të sigurtë. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t'i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm". (El Asr, 1-3)

Vëllezër e Motra!
Kur thirrësit në Islam ju këshillojnë nuk do të thotë se ata nuk ju duan. Vërtet ata nuk i aprovojnë sjelljet tuaja të pahijshme të cilat bien në kundërshtim me urdhrat e Allahut, por ata ju duan dhe kjo është arsyeja që ju këshillojnë të ndaloni punët e papëlqyera, që të fitoni dashurinë dhe mëshirën e Zotit dhe të jeni prej të fituare në Ditën e Gjykimit.
Pranojeni fjalën e tyre me zemër të hapur dhe dëshirën për ndryshim në të mirë, sepse ajo është këshillim dhe jo paragjykim!


Artikulli i kaluar
Hixhabi është mbulim i trupit
Artikulli radhës
Llojet e shembujve në Kuran

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë