Marrëdhënia kohë-adhurime në jetën fetare islame!


Koha në gjuhën Arabe quhet “vakt”,dhe rrjedh nga fjala “vekate-jekitu”, që do të thotë vendosje e kohës, caktimi i kohës. Fjala “vakt” si një emër do të thotë koha, afat etj. dhe shumësi i kësaj fjale është evkat.
Koha është prej begative më të çmueshme të dhuruara nga Allahu (xh. sh) dhe Islami kërkon nga ne që ta vlerësojmë atë në mënyrë të mirë, sepse jeta e njeriut vetëm një herë do të përdoret. Për rëndësinë e kohës pohon edhe fakti se te shumë ajete Kuranore, Allahu xh.sh. betohet në gjërat të cilat lidhen me kohën, me qëllim që të na tërheqë vërejtjen në lidhje me këto gjëra dhe të na tregojë se këto janë shume të rëndësishme për njeriun.
Allahu xh.sh. thotë: “Pasha kohën! nuk ka dyshim se njeriu është në humbje të plotë. Përveç atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që i përmbahen të vërtetës, dhe që këshilluan njëri-tjetrin për durim.” (Asr, 1-3)
Po ashtu, në Kuranin famëlartë Ai thotë: Pasha agimin! Pasha dhjetë netët! (dhjetë ditët e para të Dhulhixhes). (Fexhr, 1-2)
Edhe I Dërguari i Allahut, Muhammed (a.s), në disa hadithe ka treguar vlerën e kohës, duke na porositur që ta shfrytëzojmë atë veçanërisht në moshën e re, sepse kjo moshë është mosha e fuqisë.
Muhammedi (a.s) tregon për vlerën e dhjetë ditëve të para të Dhulhixhes: “Asnjë nga veprat e mira të kryera në ditët e tjera nuk janë aq të larta sa ato të kryera në këto ditë. Pastaj disa shokë të Pejgamberit a.s thanë: As edhe Xhihadi? Ai u përgjigj,” As edhe xhihadi, përveç, atij i cili e bën atë duke vënë në rrezik vetveten dhe pasurinë, e që nuk kthehet më me asnjërën prej atyre dy gjërave. (Buhari, 969)
Allahu (xh. sh.) thotë: “(Betohem) për paraditen (koha pas lindjes se diellit). Për natën kur qëndron ( në errësirën e saj)”! Për vlerën e kohës se duhas, tregon Ebu Hurejre (r.a) se miku im (Pejgamberi a.s) me këshilloi të ndjek tri gjera:
1. Të agjëroj tri ditë në muaj.
2. Të fal dy rekate namaz duha (Paradite).
3. Të fal namazin e vitrit para gjumit. (Buhari 1981)
I Dërguari i Allahut thotë: Dy janë dhuntitë të cilat shumica e njerëzve i ka të humbura; Shëndeti dhe koha e lirë. (Buhari, Rikak 1; Tirmidhi, Zuhd, 1; Ibn Maxhe, Zuhd 15)
Po ashtu, në një hadith tjetër transmetohet se ka thënë: Nuk do të lëvizim ditën e kiametit para Allahut, pa u pyetur për këta pesë gjëra: ku dhe si ke kaluar jetën, në ç’ka e ke harxhuar rininë, si e ke fituar pasurinë, dhe çfarë ke vepruar me atë që e ke mësuar” (Tirmidhi, Kijamet, 1)
Njeriu është i fituar aq sa shfrytëzon kohën e lirë. Ndërsa në të kundërtën, ai është i humbur tërësisht. Sepse çdo sekondë që kalon nuk mund të kthehet më. Sepse Allahu (xh. sh.) nuk na e dha moshën e rinisë, aftësinë e fuqinë, për të mos pasur kurrfarë dobie, për të mos lënë kurrfarë gjurme në shoqëri. Koha është sikur shpata, nëse nuk kujdesemi për të, ajo na pret. Nëse kohën e lirë e përdorim mirë, atëherë ajo do t’i mundësojë robit një jetë të lumtur.
Po ashtu, koha është shkak për caktimin e disa ibadeteve farz; në këtë mënyrë, pa hyrjen e kohës nuk realizohet caktimi i farzit. Psh: hyrja në muajin Ramazan është shkak për agjërimin e muajit të Ramazanit. Në një nga hadithet e tij, Pejgamberi thotë: “Kur e shihni hënën e re të Muajit të Ramazanit agjëroni, dhe kur e shihni hënën e re të Muajit Sheval mos agjëroni më.” ( Buhari, Savm, II; Muslim, Sijam, 4, 18) Ndërsa në Kuranin famëlartë thuhet: “Kush nga ju e mbërrin muajin e Ramazanit, le të agjërojë”. (Bekare,185)
Po ashtu, edhe në zbatimin e ibadetit të Haxhit, pas disa kushteve të tjera është kusht edhe hyrja në muajin Dhilhixhe e qëndrimi në Arafat me ihram. Për këtë arsye, ata që kanë shkuar në Hixhaz dhe kanë vdekur para ditëve të haxhit, atij nuk është bërë farz Haxhi.
Allahu xh. sh. thotë: “Të pyesin ty për daljen e hënës së re. Thuaj këto janë shenja për të treguar kohë të përcaktuara për njerëzimin dhe për Haxhin”. (Bekare, 189)
Edhe në dhënien e zekatit në bazë të disa kushteve, për të qenë Zekat pasuria e një myslimani duhet të kalojë si kohë një vit të plotë, dhe nëse vjen vdekja ose varfërohesh pa u realizuar viti, zekati nuk bëhet farz për atë person.
Po ashtu, koha është një prej kushteve për të qenë namazi farz .Për namazet farz, namazin e vitrit, teravisë, dhe për namazin e Bajramit janë të caktuar kohët e veçanta .Namazet e falur para kohës së namazit nuk do të pranohet, po ashtu pas kalimit të kohës ai namaz është kaza, sepse në Kuranin famëlartë thuhet: “Namazi është obligim( për kohë )i caktuar për besimtarët”
E ka mësuar Xhebraili a.s. Pejgamberin Muhamed (a.s.) për fillimin dhe përfundimin e faljes se pesë kohëve të namazit. Hadithi i transmetuar nga Xhabiri (r.a) është kështu: Xhebraili ka ardhur tek Pejgamberi dhe ka thënë: “Ngrihu dhe falu namaz” dhe Pejgamberi (a.s) kur dielli u drejtua nga zeniti për në perëndim, ka falur namazin e drekës. Pastaj Xhebraili ka ardhur në kohën e iqindisë dhe ka kërkuar të falë namazin, dhe resulullahu (a.s) është ngritur dhe ka falur namazin e Iqindisë. Pastaj ka ardhur në kohën e namazit të Akshamit dhe ka kërkuar prej Tij të falte namazin e Akshamit, dhe Pejgamberi pas perëndimit të diellit ka falur namazin e Akshamit. Pastaj Xhebraili a.s ka ardhur përsëri në kohën e namazit të Jacisë dhe i ka thënë të falë namazin e jacisë, kështu që kur është bërë terr namazin e jacisë. Pastaj ka ardhur në kohën e namazit të sabahut dhe ka thënë të fal namazin. Kështu, menjëherë pas hyrjes se kohës se namazit (menjëherë pas imsakut), Pejgamberi ka falur namazit e sabahut. Pastaj Xhebraili ditën tjetër ka ardhur dhe i ka kërkuar të falë namazin e drekës, dhe Pejgamberi pas kalimit të hijes një fish të çdo sendit, ka falur namazin e drekës. Pastaj Xhebraili ka ardhur dhe ka kërkuar që ai të falë namazin e iqindisë, dhe pas kalimin e hijes dy fish të çdo sendit ka falur namazin e Iqindisë. Pastaj Ai ka ardhur dhe ka kërkuar të falë namazin e akshamit dhe ka falur në kohën e ditës se kaluar. Pastaj ka ardhur në kohën e jacisë duke kaluar gjysma e natës ose një e treta e natës, dhe pejgamberi ka falur namazin. Pastaj, kur vendet nisen të ndriçohen, ka falur namazin e sabahut. Pastaj Xhebraili më tha kështu: Brenda këtyre dy kohëve është koha e namazit të sabahut. Buhariu thotë se ky është hadithi më i saktë për caktimin e kohërave të namazit. Po ashtu, na tregon se jashtë namazit të akshamit, çdo namaz ka dy kohë ose thënë ndryshe namazi mund të falet ndërmjet këtyre dy kohëve.



Gençer Dervari