Shofere autobusi me shami: 37 vjeçarja nga Kavaja thyen pengesat dogmatike në Itali


Bukurie Voka është 37-vjeçarja shqiptare nga Kavaja e cila edhe pse është me shami punon si shofere e një autobusi në Itali.

Ajo që e bëri atë të bëhet një simbol i integrimit të femrës, sidoqoftë, është shamia që mban, duke dëshmuar besimin e saj, por, mbi të gjitha, se dikush mund dhe duhet të besojë në një të nesërme në të cilën distancat midis kulturave nuk janë ato anësore, por mund të lidhen në disa “ndalesa” në rrugën e tolerancës, të mundësive konkrete të barabarta, të respektit të thellë të diversitetit.

Gruaja shqiptare ka kapërcyer pengesat dogmatike dhe klishetë arkaike. E divorcuar dhe me një vajzë, ajo shkoi në Itali 13 vjet më parë, duke ndaluar në Bolonjë përpara se të vendosej përgjithmonë në Merano.

Në ditën e dytë të vitit, Corriere della Sera i ka kushtuar një shkrim të gjatë, ku theksi vihet dhe te shamia që ajo mban dhe te puna që bën. Kjo punë e bëri një simbol të emancipimit dhe integrimit të femrës.
Në një botë ideale, historia e Bukurie Voka, një 37-vjeçare shqiptare nga qyteti i vogël i Kavajës që ndodhet disa kilometra nga Durrësi, do të ishte thjesht ajo e një gruaje që ka gjetur vendin e saj në botë si shofere autobusi, shkruan Corriere della Sera.

“Ajo që bëj për mua është shumë më tepër sesa thjesht një punë sepse çdo ditë kam sigurinë të jem e dobishme për njerëzit”, shprehet Bukurie.

Nga gushti i vitit 2019, ishte pika e kthesës për të ku vendosi të punësohej si shofere.

“Para se të merrja autobusët, në fakt, unë punoja në një depo frutash në Gargazzone”.

Intervista:

- Si myslimane, si ndiheni që jeni bërë simbol i emancipimit dhe integrimit femëror?

Jam e lumtur nëse njerëzit më shohin si një simbol pozitiv. Sidomos nëse historia ime mund t’u japë shumë grave që përpiqen të arrijnë qëllimet e tyre pa u kushtëzuar aspak. Duke thënë këtë, duhet të them se gjatë shumë viteve që kam jetuar këtu, unë kurrë nuk jam ndjerë e përjashtuar ose viktimë e racizmit. Në Sasa, pra, kam një marrëdhënie të mirë me të gjithë.

- Si lindi kjo zgjedhje për t’u bërë shofere autobusi?

Ishin dy momente vendimtare. E para ka ndodhur kur isha duke punuar në Gargazzone. Atje, shpesh mbaroja vonë dhe nëse nuk mund ta kapja autobusin në kohë, për mua do të thoshte të prisja një orë në të ftohtë ose në errësirë. Një ditë rastësisht u vonova, por shoferi, duke më parë duke vrapuar, ishte aq i mirë sa më priti. Një gjest që disa mund ta konsiderojnë banal, por që nuk e kam harruar kurrë. Arsyeja e dytë është takimi me shoqen time Maria, e cila ishte shofere. Ajo vazhdonte të më thoshte provoje … provoje … derisa u binda vërtet ta bëja.

- Dhe si e priti familja juaj në Shqipëri?

Prindërit e mi ishin mjaft të befasuar, sepse në fillim nuk u tregova. Unë u përmbajta paksa duke mos ditur se si ata do të prisnin lajmin. Pastaj, duke e parë veten entuziaste për punën dhe të sigurt për atë që po bëja, vendosa t’i tregoja atyre për këtë. Ata më kuptuan dhe më mbështetën, gjithashtu sepse ndiheshin të lumtur dhe të qetë.

- A keni dëgjuar ndonjëherë ndonjë reagim me shije të keqe nga ndonjë koleg në lidhje me faktin se jeni një shofere femër dhe për më tepër me shami?

Jo, përkundrazi … një miqësi është krijuar gjithashtu me shumë prej tyre. Unë do të thoja që ata janë të lumtur që më kanë në punë. Pastaj, të gjitha gratë, pavarësisht nga përkatësitë e tyre fetare, kanë të drejtë të bëjnë atë që duan të përmbushin veten si njerëz. Për shembull, unë me të vërtetë i admiroj gratë police.

- Nga udhëtarët?

Jo drejtpërdrejt. Në përgjithësi, udhëtarët janë shumë të mirë dhe të respektueshëm ndaj meje.

- Çfarë atmosfere ka në kompani dhe çfarë vlerësoni më shumë për këtë mjedis multikulturor?

Ekziston një humanizëm i madh. Tek ne nuk është e rëndësishme nga vini por si dukeni dhe si silleni.

- Si mendoni se do të shihej një grua me shami duke drejtuar një autobus në Shqipëri?

Sinqerisht nuk e di. Ndoshta do të dukej e çuditshme, por do të doja që ajo të trajtohej me respekt, pikërisht siç ndodh këtu.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Fjalimi i drejtorit të Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri ef. Bajgora me rastin e përurimit të këtij Instituti