Agjërimi si fenomen-institucion ka ekzistuar edhe te besimet e hershme, por edhe te feja islame e shpallur, e cila iu shpall njeriut dhe pejgamberit të parë Ademit a.s., për të vazhduar te pejgamberët e tjerë, deri te pejgamberi i fundit, Muhamedi a.s..
Ndonëse mënyra e të agjëruarit, nga një popull te tjetri edhe ka pasur ndryshime, megjithatë ky fenomen tregon bindshëm se dëshira për të adhuruar Allahun gjithmonë ka qenë prezente. Duke qenë se agjërimi është njëri prej pesë kushteve të fesë islame, kjo më së miri tregon për vlerën dhe rëndësinë që ka ky lloj adhurimi/ibadeti. Me një hadith kudsij, i Madhi Zot na ka mësuar shumë kohë më parë duke thënë:
“Çdo vepër e njeriut është e vetë atij, përveç agjërimit, sepse ai është Imi dhe Unë do e shpërblej për atë. Për agjëruesin ka dy momente të gëzuara: njëri kur gëzohet me iftarin e tij dhe tjetri kur e takon Zotin e tij gëzohet me agjërimin e tij. Aroma e gojës së agjëruesit është më e këndshme tek Allahu se sa aroma e miskut.”
Përmes këtij lloj ibadeti, njeriu sikur e braktis përkohësisht aspektin trupor dhe i përkushtohet më shumë atij shpirtëror. Ai i lë ushqimin, pijen, dëshirën epshore dhe kështu sikur lirohet nga lidhjet materiale të kësaj bote dhe synon t’i afrohet sa më shumë Allahut xh.sh.. Në këtë mënyrë, ai synon të arrijë gradë të lartë të devotshmërisë dhe të përkushtimit ndaj të Gjithëmëshirshmit. Më pastaj, duhet thënë edhe një fakt tjetër se agjërimi e cilëson në masë të madhe besnikërinë e njeriut ndaj Allahut të Lartësuar, ngase kur besimtari ia jep besën Allahut se do agjërojë, ai do ta bëjë këtë edhe pa e vërejtur njeri. Durimi është cilësi e besimtarit të sinqertë, e agjërimi nuk mund të bëhet pa durim të bollshëm. Prandaj, kur njeriu vendos të agjërojë, ai brumoset me durim dhe me sukses e përballon agjërimin, kurse sevapet e pakrahasueshme i vijnë nga Ai për të Cilin ka agjëruar - pra nga Allahu i Gjithëmëshirshëm. Sahabiu Ebu Umame r.a. ka thënë: “Me një rast i kërkova Pejgamberit a.s. që të më thoshte për ta bërë një punë të domosdoshme, me të cilën do të kisha shpërblime. Më tha: “Agjëro, sepse ai nuk krahasohet me asgjë”. Unë e pyeta së dyti dhe Pejgamberi a.s. më dha të njëjtën përgjigje. Unë insistoja edhe për të tretën herë, e Pejgamberi a.s. prapë ma dha po atë përgjigje: “Agjëro, sepse agjërimi nuk krahasohet me asgjë!”
Me një rast tjetër, përsëri për agjërimin, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Tek Allahu nuk ka adhurim tjetër që të ketë shpërblim sa agjërimi.” Madje, Pejgamberi a.s. kishte shtuar se “Në Xhenet është një portë nga hyjnë vetëm ata që agjërojnë”. Ajo quhet “babu rejjan” e dedikuar nga i Gjithëmëshirshmi, ekskluzivisht vetëm për ata që agjërojnë.
Allahu i Madhërishëm me një hadithi kudsij ka thënë: “Kush agjëron një ditë për Mua, shpërblimin e tij do e jap unë!” Kjo do të thotë se ky shpërblim i Zotit nuk llogaritet me njësi matëse apo peshore, por jepet drejtpërdrejt nga Ai, në masën që e di vetëm Ai.
Me një rast tjetër, i Dashuri i Allahut kishte thënë: “Për sa kohë që ymeti im do ta mbajnë gjallë muajin e Ramazanit me adhurim, kurrë nuk do të turpërohet.”

Dobitë e agjërimit

Nuk ka dyshim se agjërimi i muajit të Ramazanit ka dobi të shumëfishta dhe nga shumë aspekte, e mbi të gjitha në atë shpirtëror dhe trupor. Për më tepër, ai është një institucion edukativo-moral, i cili synon edukimin shpirtëror dhe fizik të njeriut, që e përgatit atë përballë sprovave me të cilat ballafaqohet në jetën e përditshme.
Aspekti shpirtëror i njeriut ia kujton atij qëllimin e krijimit, kështu që ai e shtyn njeriun të bëjë gjëra të mëshirshme, të përshpirtshme, ta luftojë të keqen, duke u larguar gjithmonë nga ajo. As edhe një herë nuk ka qenë qëllimi i besimtarit vetëm si të hajë e të pijë dhe asgjë më shumë. Ai që e njeh Krijuesin e tij, ai që i bën ibadet Atij, ai që e di se pse është krijuar dhe pse ka ardhur në këtë botë, rëndësi meritore i kushton edhe kënaqësisë shpirtërore e jo epshit dhe egos së tij të sëmurë. Mbi të gjitha, agjërimi ia kujton njeriut takimin me Allahun e Gjithëmëshirshëm.
E pra, agjëruesi gjatë tërë kohës së agjërimit i kujton të mirat dhe dhuntitë e agjërimit dhe sidomos kënaqësinë më të madhe-takimin me Zotin-Krijuesin e gjithësisë. Në të vërtetë, kjo e bën njeriun që duke e paramenduar dhe duke shpresuar në takimin me Zotin, të harrojë vështirësitë e urisë dhe etjes. Kjo mbase edhe njeriun e ngre në shkallë engjëllore.
Qarqet mjekësore tashmë kanë vërtetuar se sistemi i tretjes, i cili fillon të funksionojë sapo foshnja të vijë në këtë botë, ka nevojë që herë pas here të pushojë, kështu që një muaj në vit këtë do ta mundësojë agjërimi. Nxënësit, pas mësimit disamujor, shkojnë në pushim meritor. Edhe punëtorët që kanë punuar në mënyrë permanente, a nuk e meritojnë një pushim vjetor?! Po, gjithsesi! Ndryshe, nuk do të mundnin gjatë që të mbanin ritmin e punës ose të mësimit.
Sot në botë janë një kategori e njerëzve që kërkojnë andej-këtej shpëtim nga obeziteti, sa kohë që mjekësia e ka pranuar se obeziteti bëhet pengesë për qarkullimin e gjakut dhe funksi-onimin e ngadalshëm të trupit. Kurse, tashmë dihet se agjërimi është edhe shpëtim për këto sëmundje, si dhe është pretekst i rëndësishëm për të fituar mirësi e shpërblim. Pastaj, gjatë agjërimit ushqimet e depozituara në organizëm harxhohen, më pas zëvendësohen me të reja dhe në këtë mënyrë në tërë trupin ndodh një rinovim, gjë që vërteton se agjërimi është i dobishëm për trupin.
Gjithashtu, duhet theksuar se gjatë agjërimit sistemi nervor është në një qetësi absolute. Kënaqësia që na jep kryerja e një adhurimi, i shuan të gjitha tensionet dhe pakënaqësitë tona. Në këtë mënyrë shmangen streset, të cilat janë problemet më të mëdha të ditëve të sotme. Agjërimi është rruga më e efektshme për të siguruar sundimin e shpirtit mbi trupin, me qëllim që njeriu të mos bëhet robi i prirjeve materiale, që të bëjë një jetë ku t’i ketë në duar frerët e nefsit. Nuk duhet harruar se agjërimi e rrit rezistencën e trupit ndaj sëmundjeve. Këtë të vërtetë mjekësore të rëndësishme, Islami e ka zbatuar duke e bërë agjërimin të detyrueshëm, kurse mjekësia e sotme moderne e përdor agjërimin si mbrojtës dhe ilaç kundër sëmundjeve.
Megjithatë, ndonëse dobitë e agjërimit janë të shumta dhe nga shumë aspekte, e edhe për shëndetin e njeriut, ne nuk duhet të agjërojmë me qëllim të përfitimeve shëndetësore, por për të zbatuar urdhrin e Allahut, për të arritur kënaqësinë e Tij dhe për të arritur shkallë sa më të lartë të devotshmërisë.
Agjërimi, krahas dobive të përmendura më sipër, ai në veçanti e mbron njeriun nga mëkatet, sepse njeriu është i disponuar për të bërë edhe mëkate. Gjithsesi, njeriut i duhet një vullnet i fortë për ta mbrojtur nga mëkatet. Prandaj, përballë këtij rreziku të përhershëm, agjërimi e ka vlerën e një garantuesi dhe vepron si mburojë që e mbron të zotin për të mos bërë mëkat. I Dërguari i Zotit ka thënë:
“O djelmosha! Kush nga ju të ketë mundësinë për t’u martuar, le të martohet, sepse kjo (martesa) është mbrojtëse për sytë (nga shikimi i gjërave të ndaluara, është ruajtës i vetes nga prishja e nderit). E kush të mos jetë në gjendje për t’u martuar, le të agjërojë, sepse agjërimi është për të një mburojë.”
Besimtari gjatë kohës sa agjëron, përveç tjerash, fiton përvojë për t’iu kundërvënë dëshirave negative trupore. Kështu që duke arritur që t’i braktisë këto dëshira duke agjëruar, atë më lehtë do ta bëjë edhe kur nuk agjëron, sepse agjërim nuk do të thotë vetëm ta lësh stomakun e uritur, përkundrazi do të thotë që edhe pjesët e tjera të trupit, si: sytë, veshët, zemrën, dorën, këmbën, imagjinatën, mendjen etj., t’i pengosh nga gjërat e ndaluara e mëkatare dhe secilën prej tyre ta shtysh drejt përjetësisë sipas veçorive të secilës. Prandaj, personi që agjëron në këtë mënyrë, bën një jetë me veprime të lejuara-hallall e të bekuara. Pejgamberi a.s. me një rast ka thënë: “Kush më jep garanci se do ta ruajë gojën dhe nderin, edhe unë do t’ia garantoj Xhenetin!”
Agjërimi është rruga më e efektshme për ta mbajtur veten nën kontroll, detyrimet fetare i kryen me kënaqësi e sinqeritet dhe nga ana tjetër e ndalon nefsin nga fjalët dhe veprimet e këqija. Prandaj, Pejgamberi a.s. ka rekomanduar: “Në ditët kur dikush nga ju është duke agjëruar, të mos i thotë fjalë të shëmtuara tjetrit, të mos çirret e të mos bërtasë. Po qe se dikush e shan ose e godet me dorë, le t’i thotë, “unë jam duke agjëruar!” Muaji Ramazan është një muaj vetedukimi për fuqizimin e ndjenjave tona njerëzore. Duke agjëruar për të fituar devotshmëri dhe kënaqësinë e Allahut, detyrimisht duhet hequr dorë prej gjërave të ndaluara, si gënjeshtra, shpifja, thashethemet, përfolja etj.. Nuk ia vlen ta humbësh gjithë këtë mirësi e sevap me këto ndyrësira. Pejgamberi a.s. na ka porositur:
“Kush nuk heq dorë nga thënia e gënjeshtrave dhe veprimet e këqija duke qenë agjërueshëm, le ta dijë se Allahu nuk ka nevojë që ai ta lë ngrënien dhe pirjen!”
Agjërimi është manifestim i njeriut për besën e dhënë, madje ai është adhurimi më i bukur tek i cili shfaqet ndjenja e besnikërisë, sepse ai është besëlidhje ndërmjet Allahut dhe robit të Tij. Njeriu, duke hequr dorë në kohë të caktuar nga gjëra të caktuara, më së miri e tregon se i rri besnik fjalës së dhënë, se e respekton premtimin e dhënë. Kështu, përmes agjërimit, besnikëria bëhet pjesë e pandarë e karakterit të njeriut, përkatësisht agjëruesit.
Dobi tjetër e agjërimit, gjithashtu është edhe skalitja që ia bënë njeriut për të duruar. Me anë të këtij ibadeti, njeriu merr mësime durimi, sepse po të jetë i uritur, nuk ha, po të jetë i etur, nuk pi ujë, e përballë të këqijave që mund t’i bëhen, duron. Agjërimi ia mëson njeriut se si është ndjenja e skamnorit dhe të varfrit, që nuk kanë me se të ushqehen, me se të ushqejnë familjet e tyre, fëmijët dhe prindërit e tyre. Kështu që, kur njeriu agjëron, kur stomaku i tij i uritur, i zbrazët, kërkon të ushqehet, më së miri e ndien se sa vështirë e ka ai që në vazhdimësi e ka stomakun e uritur. Përmes agjërimit, njeriu mbase e bën edhe një lloj solidariteti me ta.
Mbi të gjitha, devotshmëria është qëllimi i vërtetë i agjërimit dhe nëse e kuptojmë dhe e pranojmë si qëllim kryesor, atëherë më pas do të gjejmë të gjitha frytet dhe dobitë e tij. Objektivi final i agjërimit është mirëqenia e njeriut dhe lumturia e tij në të dyja botët. Një besimtar që mund ta përmbajë veten nga gjërat thelbësore të jetës për një kohë të caktuar dhe kur këtë e bën për hir të dashurisë për Allahun, meriton një shpërblim nga vetë Krijuesi. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ka shumë njerëz që agjërojnë, e nga kjo nuk kanë asgjë, përveç urisë dhe etjes. Ka shumë njerëz që luten natën, e nga kjo lutje nuk ka asgjë, përveç pagjumësisë, i këtillë është çdo njeri, i cili nuk e kryen këtë veprim me besnikëri dhe sinqeritet të plotë.”
Nuk duhet harruar se i dashuri i ynë, siç transmeton Ebu Hurejre, me një rast ka thënë: “Duaja (lutja) që bën agjëruesi deri në iftar nuk kthehet mbrapsht!”

Kushtet e detyrimit të agjërimit

Sikurse tek adhurimet e tjera, për ta pasur agjërimin të detyrueshëm natyrisht që lypsen plotësuar disa kushte:
1. Islami - Që dikush ta ketë farz-detyrim agjërimin, duhet që paraprakisht ta ketë pranuar fenë islame, pra të jetë mysliman, sepse agjërimi nuk është i detyrueshëm për jomyslimanin.
2. Duhet ta dijë se ç‘bën, ta ndiejë përgjegjësinë për adhurimin që bën, duhet ta dijë se, si mysliman që është, e ka për detyrë agjërimin.
3. Të jetë moshërritur - në pubertet. Ç‘është e vërteta, për shumicën e ibadeteve kushtëzohet plotësimi i moshës madhore, kështu që ai që nuk e ka arritur këtë moshë, nëse agjëron, ka sevape dhe shpërblehet, e në qoftë se nuk agjëron, nuk dënohet.
4. Të jetë fizikisht i aftë, gjegjësisht të mos jetë njëkohësisht shurdhmemec dhe i verbër sa që nuk e kupton të folurit, se të tillët nuk janë të obliguar me ibadete dhe as edhe me agjërim. Gjithashtu, edhe gjendja psikike e personit merret parasysh, sepse agjërimi është detyrim për të mençurin e jo edhe për të çmendurin.
5. Kusht është edhe që ta dijë se agjërimin e ka të detyrueshëm. Kjo vlen për personin i cili jeton i izoluar në shkretëtirë, ose në pyll të pashkelur ose që e ka pranuar fenë islame duke jetuar edhe më tej në shtet jo islam dhe pa e ditur se agjërimi është detyrim. Kjo e fundit mund të ilustrohet edhe me shembullin e personit që e pranon fenë islame në një shtet ku nuk ka myslimanë dhe fillon muaji i Ramazanit e ai nuk e di se të agjëruarit është detyrim-nëse plotësohen kushtet e parapara sipas Sheriatit.
Duhet pasur kujdes se agjërimi e kërkon shëndetin e mirë, kështu që të sëmurit i lejohet të mos agjërojë gjatë Ramazanit, pikërisht për shkak të sëmundjes së tij, por se aq ditë sa nuk ka agjëruar, ai do t’i kompensojë pasi të jetë shëruar.
Gjithashtu, nga agjërimi i Ramazanit lirohet edhe personi që është udhëtar, sepse udhëtimi paraqet vështirësi në vete, prandaj mëshira e Allahut ka dashur që personin i cili është duke udhëtuar ta lehtësojë, ndërsa ditët e pa agjëruara të Ramazanit do t’i kompensojë kur të ketë mundësi pasi të kthehet nga udhëtimi.
Ndërkaq, kusht i vlefshmërisë së kryerjes së këtij detyrimi është nijeti nga ana e personit të aftë, si dhe pastërtia e femrës nga hajzi dhe nifasi, d.m.th. nga fillimi i agjërimit nga imsaku (agimi).


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit (video)