Kur’ani i madhërishëm mrekulli unike


“Ne do t’u tregojmë atyre shenjat (ajetet) Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. Vallë, a nuk të mjafton ty që, Zoti yt është Dëshmues i çdo gjëje?!” (Fussilet: 53)

Kurani si i tërë, germë për germë dhe fjalë për fjalë, i është shpallur Muhammedit a.s. nga Allahu, pa asnjë dyshim. Ai është udhërrëfyes për gjithë njerëzimin, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues i të mirës nga e keqja (El Bekare: 185).Prandaj, të qenët e tij fjalë dhe libër i pandryshuar i Zotit është jashtë çdo diskutimi. Ai do të vazhdojë të jetë i tillë sa të ketë jetë mbi tokë, sepse është shpallja e fundit e Zotit drejtuar mbarë njerëzimit, për të gjitha kohët dhe të gjitha vendet. Kur’ani jo vetëm që i ofron njeriut udhëzimin për këtë botë, por njëkohësisht në vazhdimësi e fton atë drejt Zotit, Filluesit të çdo gjëje.
Historia dëshmon se njerëzimi nuk ka parë në të shkuarën një libër sikurse ai dhe, gjithashtu, njerëzimi nuk do të shohë as në të ardhmen një të ngjashëm me të. Bukuria e Kur’anit qëndron në stilin e tij të mrekullueshëm, në gjuhën e tij, fuqinë e tij shprehëse dhe madhështinë e formës së tij. Me përkryeshmërinë e tij, ai ka ardhur përmes gjuhës së Pejgamberit të Tij, pa u ndryshuar qoftë edhe një shkronjë e vetme.
Zoti e ruajti librin e Tij të shenjtë nga çfarëdo shtrembërimi apo mashtrimi. Tek muslimanët, sikurse shkruan dr. Ali Xhumua, që nga fillimi i shpalljes së parë gjejmë përkushtimin dhe kulturën e ruajtjes së plotë të Kur'anit: të shkronjave, fjalëve, vokaleve, radhës së ajeteve/vargjeve dhe sureve/kapitujve të tij. Muslimanët gjithmonë kanë ndier se gëzojnë mbështetjen nga Zoti i gjithëfuqishëm në ruajtjen e Librit të Tij: “Sigurisht, Ne e kemi zbritur Kur’anin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.” (El Hixhr: 9).
Ky është një premtim i dhënë nga Krijuesi i gjithësisë, i Cili e ka zbritur Kur’anin. Realiteti në të cilën jetojmë konfirmon se premtimi është realizuar. Kur’ani nuk është ruajtur në sirtarë, larg nga njerëzit, ai nuk është ruajtur nga familje të caktuara ose nga kategori të veçanta. Atë e ka ruajtur i gjithë ummeti musliman. E kanë mësuar dhe e mësojnë përmendësh me qindra mijëra njerëz të rritur e fëmijë të vegjël, madje edhe ata që nuk dinë as edhe një fjalë nga gjuha arabe.[1] Armiqtë kanë bërë përpjekje për ta shtrembëruar Kur’anin e Shenjtë por nuk kanë pasur sukses, janë përpjekur për ta përkthyer gabimisht, atë por nuk ia kanë dalë. U munduan ta shtypin në mënyrë të shtrembëruar, por ai mbeti ashtu siç është zbritur.
Shekujt nuk mundën të hidhnin as cipën më të hollë të pluhurit të harresës mbi Kur’anin, që ruajti gjatë gjithë kohës po atë njomësi e freski sikurse kur u shpall. Kur’ani do të ekzistojë gjithmonë në gjendjen e tij origjinale. Me masat që mori Pejgamberi a.s., fillimisht me vigjilencën e shokëve të tij dhe më pas të muslimanëve të çdo epoke, Kur’ani ka mbetur i pandryshuar.[2] Kjo që ka ndodhur paraqet veçanti në historinë e Shpalljes. Ai nuk është ruajtur vetëm në rreshta por është ruajtur edhe në gjokse. Ai, që nga dita e parë, nuk është shkruar vetëm në objekte, por është qëndisur dhe shkruar edhe në memorien dhe zemrat e muslimanëve.

Kur’ani sfidon
“Qoftë e lavdëruar nata e bekuar, në të cilën, Pejgamberit të Zotit, iu shpall, nga lart, Kur’ani, me përkryeshmërinë e tij.“ Johan Volfgang von Goethe (Gëte)[3]
Muhammedi a.s solli një libër me karakter mbinatyror dhe metahistorik e tejepokal. Arsyeja e shëndoshë thotë se njeriu që s’di shkrim e lexim jo vetëm që s’mund të shkruajë një libër të një niveli të paarritshëm, por nuk mund të shkruajë madje as edhe një libër të thjeshtë. Prandaj, sikur të ishte e mundur që Kur’anin ta shkruante Muhammedi a.s., ashtu siç pretendonin jobesimtarët, atëherë edhe ata do të mund të bënin një të tillë. Kur’ani, duke i sfiduar të gjithë ata që pretendojnë se ai nuk ishte një libër hyjnor, kërkoi prej tyre të bëjnë një të ngjashëm me të.[4]
Fakti që provokimi kur’anor (tehad-di) nuk ka marrë kurrë përgjigje meritore, as gjatë kohës së Muhammedit a.s. kur Musejleme Kedhabi/Gënjeshtari provoi të shkruajë diçka të ngjashme me Kur’anin fisnik dhe as gjatë këtyre një mijë e 400 vjetësh, bëri që fenomeni i manifestimit të pamundësisë njerëzore që ta imitojë Kur’anin apo një pjesë të tij në përmbajtje apo formë të emërohet me termin ixh’az.[5] Njerëzimi as që do të mund t’i përgjigjet kësaj sfide ndonjëherë. Kjo sfidë e këtij llojit është mrekulli dhe këtë mrekulli nuk mund ta mposhtë askush, sepse garantues i kësaj është vetë Krijuesi i të gjithë botëve.
Kur’ani i sfidon të gjithë, pa marrë parasysh se cilit popull i përkasin, nga cili vend vijnë, apo në cilën kohë jetojnë. Ai i fton të gjithë njerëzit, studiues, filozofë, poetë, shkrimtarë, njerëz të urtë e të ditur, që nëse dyshojnë në vërtetësinë hyjnore të këtyre vargjeve dhe mendojnë se ato janë fryt i mendjes njerëzore, atëherë le të shkruajnë një libër sikurse Kur’ani, ose dhjetë kaptina, apo madje vetëm një kaptinë/sure të ngjashme me një kaptinë të tij:
- një libër sikurse Kur’ani:
“Thuaj: ‘Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhindet për të hartuar një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund të hartonin një të ngjashëm me të, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri-tjetrin’.” (El Isra: 88).
- ose dhjetë kaptina sikurse kaptinat e Kur’anit:
“Nëse ata thonë: ‘Ai e ka trilluar atë! Thuaju (o Muhammed!): ‘Sillni dhjetë sure të ngjashme (në bukuri dhe elokuencë) të trilluara dhe thirrni në ndihmë kë të mundni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën!” (Hud: 13)
“E, nëse nuk ju përgjigjen, atëherë ta dini se ai (Kur’ani), ka zbritur me dijen e Allahut dhe se s’ka zot tjetër (të denjë për adhurim) përveç Tij. Andaj, a jeni ju (o mohues) muslimanë?” (Hud:14).
- apo vetëm një sure të ngjashme me një sure të tij:
“Nëse ju dyshoni në atë që ia kemi zbritur robit tonë (Muhammedit a.s.), atëherë hartoni një sure të ngjashme me atë që ia kemi shpallur atij! Thirrni në ndihmë edhe dëshmitarët tuaj (që i adhuroni) në vend të Allahut, nëse jeni të sinqertë.” (El Bekare: 23);
“Nëse nuk mundeni, dhe kurrsesi nuk do të mundeni, atëherë ruajuni zjarrit…” (El Bekare: 24). Kjo thirrje mbetet e hapur në çdo kohë dhe konsiderohet një nga argumentet më të forta se Kur’ani është libër i Zotit dhe jo vepër njerëzore.[6]
El Xhahidhi shkruan: Ajo që dëshmon se Kur’ani është shpallje autentike është kompozimi i tij i jashtëzakonshëm, të cilin nuk mund ta bëjë njeriu. Kurse El Bakilani thotë: Kur’ani mbetet i paimitueshëm sepse kompozimi i tij ndryshon nga çdo trajtë tek arabët. Kur’ani i fton ata që nga materiali i njëjtë (gjuhësor) të ndërtojnë një arkitekturë të tillë madhështore. Sfidimi nuk mund t’i bëhet fjalës së amshueshme që është e jashtëzakonshme dhe e pa konkurrencë.
Filozofi En Nadham mendon se mbinatyraliteti i Kur’anit qëndron në të zbuluarit e të panjohurës nga ana e tij (p.sh. sikurse është rasti me luftën e Bizantit). Kur’ani duke sfiduar mbarë njerëzimin, e jo vetëm arabët, që të përpilojnë së bashku diç të tillë, tregon qartë se ai i tejkalon kufijtë e gjuhës. Retorika e përsosur dhe stilistika e përkryer dëshmojnë karakterin mbinatyror dhe metahistorik të tij.[7]
Kur’ani ka retorikë të përsosur dhe stilistikë të përkryer dhe është i shkruar me një stil elokuent të mrekullueshëm që është i pashembullt, i paimitueshëm, madje i paarritshëm edhe nga poetët më të mëdhenj. Arabët që ishin mjeshtër në prozë dhe poezi, qenë të detyruar të gjunjëzohen para stilit sipëror e të pastër të tij. All-llahu i Lartëmadhëruar e sfidoi njerëzimin me ajetet kur’anore, për t’i treguar atyre se karshi Tij janë shumë të dobët, madje, forca e tyre as që mund të krahasohet me Forcën e Tij.

Pafuqia për ta sfiduar Kur’anin
Përparimi dhe suksesi i Islamit nuk mund të kapërdihej nga idhujtarët e Mekës, sepse atyre jo vetëm që u rrezikohej feja, por edhe vetë ekzistenca. Prandaj gjithë arabët ishin ngritur në këmbë. Ata ftuan poetët dhe dijetarët e tyre për të mposhtur Kur’anin e shenjtë. Prej njerëzve që ishin ftuar për të sfiduar Kur’anin e shenjtë ishte edhe Velid ibn El Mugireh nga Beni Mahzum, që shquhej në mesin e arabëve për aftësi letrare. Velidi kërkoi nga Pejgamberi a.s. që të lexonte nga Kur’ani i shenjtë. Ai u trondit aq shumë nga leximi i Kur’anit sa që, pa qëndruar gjatë, u ngrit nga vendi dhe tha: “Unë betohem në Allahun se kam dëgjuar nga Muhammedi fjalë, të cilat as nuk më duken si fjalë njerëzore dhe as fjalë prej magjie. Këto fjalë kanë një tingëllim të veçantë dhe një bukuri të posaçme. Ato janë si një degë peme, që mban shumë fruta, janë fjalë që triumfojnë mbi gjithçka, dhe asgjë nuk triumfon mbi to”. Kur kurejshët filluan të pëshpëritnin mes tyre se Velidi u gjunjëzua para Muhammedit a.s., ai tha: A mos mendoni se ai është gënjeshtarë? A s’është ai që ju e njihni si njeri të ndershëm? A nuk e keni quajtur ju njeri të sinqertë dhe besnik? Kur disa thanë atëherë pse duhet të merremi me të, Velidi u mendua dhe tha: “Ai është një magjistar.” Pas kësaj kurejshët përhapën fjalët duke thënë se Muhammedi është një magjistar dhe se vargjet e Kur’anit janë vargje magjike.[8]
Kur’ani ka një tërheqje të jashtëzakonshme dhe asnjë libër në botë nuk mund të krahasohet me Kur’anin nga aspekti i tërheqjes, ëmbëlsisë dhe tingëllimit të melodisë. Arabët oratorë të zotë u magjepsën nga Kur’ani famëlartë. Idhujtarët e Mekës kërkonin prej njerëzve që të mos e dëgjonin Kur’anin, sepse kishin frikë se ai i bënte për vete. Megjithatë, njerëzit e sinqertë dhe me zemra të pastra që digjeshin për të vërtetën, kur e dëgjonin Kur’anin, edhe pse kishin qenë kundërshtarë të rreptë të Islamit, ndryshonin drejtimin dhe nga kundërshtarë të tij bëheshin mbrojtësit e tij më të flaktë. Kjo ndodhi edhe me Omerin r.a., i cili ishte nisur që ta vriste Pejgamberin e Zotit.

Kur’ani mrekulli
“Kur’ani është simfoni unike, tingujt e së cilës i kanë shtyrë njerëzit deri në lotderdhje dhe ekstazë.” Muhamed Marmadjuk Pitkal[9]
E bija e poetit të famshëm, Imrul Kajsit, kur kishte dëgjuar një pjesë të Kur’anit e tronditur kishte thënë: “Këto nuk mund të jenë fjalë të një njeriu! Nëse në botë ekziston një gjë e tillë, poezia e babait tim menjëherë duhet të hiqet nga muret e Qabesë! Shkoni hiqeni atë dhe në vend të saj vendosni këtë!”
Është e ditur se në kohën e shpalljes së Kur’anit, arabët ishin të pamposhtur në retorikë dhe shquheshin për oratori të lartë. Gjuha arabe kishte arritur kulmin e saj, prandaj në atë kohë ishte bërë zakon që të bëhej tubimi i poetëve më të mirë arab, ku çdo vit paraqitnin poemat më të njohura në qendrën tregtare-letrare në pazarin Ukadh. Ajo që vlerësohej më e mirë shkruhej me ar në muret e Qabesë. Shtatë nga këto poema kanë ekzistuar në kohën e Pejgamberit a.s. dhe quheshin “mualakat“.[10]
Mirëpo, kur mes tyre u shfaq Muhammedi a.s., si i dërguari i Zotit me Kur’anin fisnik, ata duke dëgjuar ajetet kur’anore mbeten të hutuar e të shtangur. Të gjithë u habitën se si ishte e mundur një të folur të tillë të bukur dhe të pashembullt të vinte nga një njeri. Dhe ja, pikërisht atëherë, kur ata konsideronin se nuk ka kush që do të mund të garantonte me të folurit e tyre për nga bukuria dhe finesat e gjuhës arabe, Muhammedi a.s., si një njeri i thjeshtë në mesin e tyre, filloi të flasë me një të folur shumë e shumë më të bukur si nga forma ashtu edhe kuptimi. Kurani i mahniti zotëruesit e gjuhës dhe letërsisë arabe dhe tregoi se ata ishin të paaftë të shkruanin diçka, qoftë madje edhe të përafërt me kaptinën më të shkurtër të tij.[11]
Kjo sepse stili i Kuranit është stil i Krijuesit të madhërishëm, prandaj, asnjë ajet kur’anor nuk mund te krahasohet me vargun e rimuar nga poezia e xhahiljetit. Ajetet si margaritarë të imët me natyrshmërinë e porosisë se tyre dhe rrëfimin gjuhësor me të cilin janë komunikuar, me intonacion muzikal dhe intimitetin spiritual- zgjojnë zemrën dhe mendjen, që t’ia hapin shtigjet jehonës së fjalës së Allahut, sikurse që hapet kraharori para goditjes penetruese të shigjetës.[12]
Disa sure fillojnë me shkronja të ndara (huruf el-mukatta’a). Ka ajete që kanë vetëm një bashkëtingëllore: Sad. Ose kanë dy bashkëtingëllore Ha-Mim. Ose kanë tre bashkëtingëllore: Ta-Sin-Mim. Ose kanë katër bashkëtingëllore:Elif-Lam-Mim-Ra. Ose kanë pesë bashkëtingëllore: Kaf-Ha-Ja-Ajn-Sad. Rreth këtyre simboleve dhe asaj se çfarë tregojnë ato, çka kuptohet dhe cili është qëllimi i vërtetë i tyre, dijetarët muslimanë kanë dhënë mendime të ndryshme.
Ebu Bekri r.a. ka thënë: Në çdo libër ka sekrete dhe sekretet e Kur’anit janë fillimet e sureve. Aliu r.a. ka thënë: Çdo libër ka ajkën e tij, e ajka e Librit të Allahut janë këto shkronja të ndara. Shabiu, kur është pyetur për to, ka thënë: Ato janë sekrete hyjnore dhe mos hyni në kërkimin e tyre. Sigurisht, njerëzimi me dijen e tij të mangët nuk mund të arrijë të vërtetën e plotë të asaj që synojnë fjalët e Zotit të gjithëdijshëm.[13] Në instancë të fundit, të gjithë kanë deklaruar: Vetëm Zotit e di më mirë se çfarë ka synuar me to.
Prej të gjitha librave të religjionit, shkencës dhe filozofisë, i vetmi Kur’ani fisnik është ai që i emërton të gjitha sendet, fenomenet e natyrës dhe objektet e gjithësisë si “shenja” (ajat) shprehje me të cilën i emëron edhe vargjet e tij.[14] Në qoftë se Kur’ani është Libër i Zotit, që shfaq “shenjat” e Tij, atëherë Libër i Zotit është edhe universi, sepse shpall dëshmitë e Tij.[15] Pra, çdo ajet i tij është një shenjë. Prandaj, Zoti e thërret njeriun që t’i kërkojë shenjat e Tij dhe t’i lexojë emrat e bukur të Tij në librin e hapur të natyrës, edhe t’i shfrytëzoje fuqitë e tij rezonuese, që të mendojë për mësimet e Kur’anit.[16]
Kur’ani është sikurse universi. Në univers ekziston harmoni e përkryer, s’ka papërputhshmëri as joharmoni (Kur’ani, 67: 3-4). Njëjtë është edhe me Kur’anin. S’ka papërputhshmëri as joharmoni.[17]
Sejid Nasri thotë se “Gjurmët e shenjave (ajeteve) të Zotit ne i shohim jo vetëm në faqet e natyrës ose makrokozmosit si libri i botës, por edhe në faqet e librave të historisë si një mikrokozmos apo libër i shpalljes.” Osman Nuri Topbash shkruan: “Kur’ani është një gjithësi e mbështjellë me fjalë, ku janë përmendur emrat e bukur të Allahut. Kurse gjithësia është një Kur’an pa fjalë, një libër të fshehtash dhe kaderesh përplot me ajete dhe shenja tërheqëse ku manifestohen dhe shfaqen emrat hyjnorë.”[18]
Muslimanët e konsiderojnë Kur’anin si mrekullia (muxhize) më e madhe. Kur’ani është shkruar në nivelin më të lartë stilistik. Ai dallon plotësisht nga proza dhe poezia, të cilat atëherë ishin të njohura te arabët. Kur’ani është mrekulli gjuhësore dhe letrare në tërësi, që s’ka të ngjashëm me librat e shkuar.[19]
Ai është fjala më e bukur, e cila është lart dhe e tejkalon shumë edhe të shprehurit më të mirë poetik të njeriut.Pashëmbëllimi i Kur’anit dhe mahnitja nga Kur’ani hetohen njëkohësisht në koncizitetin dhe harmoninë e ajeteve shumëkuptimore. Kur'ani, me gjuhën e tij të përsosur qiellore dhe me të shprehurit e tij me fjalë, qëndron shumë sipër më të mirës që ka arritur njerëzimi ndonjëherë.

Muhammedi a.s. nuk ishte autor i Kur’anit
Se Muhammedi nuk ishte ai që e kishte shkruar Kur’anin, këtë e vërteton Autori Hyjnor: “Para këtij, ti (Muhammed) nuk kishe lexuar kurrfarë libri e as që kishe shkruar gjë me dorën tënde, përndryshe, ndjekësit e së pavërtetës do të dyshonin“. (El Ankebut: 48).
Sjellja e Kur’anit përmes një njeriut që s’dinte shkrim e lexim është fakt se ai nuk është vepër e tij, por i është i shpallur nga i Gjithëdijshmi. Historiani i njohur anglez Thomas Carlyle thotë “nuk guxojmë të harrojmë në asnjë rrethanë, se Muhammedi a.s. nuk ka vijuar asnjë shkollë dhe atë që ne e quajmë shkollim, nuk e ka bërë kurrë“.
Vetë Libri mban dëshminë e vet se është nga Zoti: “A nuk përsiatin ata për Kur’anin? Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.” (En Nisa: 82).
Në Kur’an nuk ka kundërthënie, jologjikë, pasaktësi apo mangësi. Kundërshtarët e Kur’anit do të “ngriheshin në këmbë” dhe kurrë s’do të uleshin sikur të ekzistonte madje edhe një pasaktësi sado e vogël në të.
Asnjë shkrimtar nuk mund t’i qëndrojë konsekuent studimeve të veta për njëzet e tre vjet. Ai, patjetër, kohë pas kohe do të ishte kontradiktor, krejt ndryshe nga Kur’ani që është plotësisht i harmonizuar, prej fillimit deri në fund. Ai është libër i sigurt që parashtron në mënyrë emfatike që në hapje: “Ky është libri në të cilin nuk ka dyshim.” (El Bekare: 2). Prandaj, shkencëtarët, njerëzit me aftësi letrare, që janë të sinqertë ndaj vetes e kanë pranuar dhe përqafuar Kur’anin si mrekulli e vërtetë e pa të meta, si mrekulli e mrekullive.[20]
Kur e studiojmë çdo vepër letrare, hulumtojmë mangësi në të. Ndërkaq Kur’ani, edhe pse është libër, nuk ka mangësitë që përmban cilado vepër letrare. Stili i shprehur kur’anor nuk është identik me shprehjen njerëzore, sepse ai ka autenticitet metahistorik dhe të mbinatyrshëm. Ajetet e tij, sikurse margaritarët shkëlqyes, ndriçojnë me nurin e urtësisë së Allahut. Ai nuk është vepër letrare dhe sajim njerëzor, por është shpallje e Allahut, fjalë hyjnore e shprehjes unike dhe e stilit të papërsëritshëm[21] Muhammedi a.s. nuk kishte pohuar asnjëherë se Kur’ani ishte fjalë e tij, sepse ai nuk ishte poet, orator e as filozof. Ai ishte i dërguar i Zotit, kurse Kur’ani fjalë e Allahut.
Edhe të vërtetat shkencore themelore të shkruara në enciklopedi nga shkencëtarët më të shquar korrigjohen në botimet e reja. Ndërkaq, ka katërmbëdhjetë shekuj që Kur’ani vazhdon të gjejë mbështetje të vazhdueshme për sa u përket të vërtetave shkencore, pa pësuar asnjë lloj ndryshimi, pa pasur nevojë korrigjimi.[22] Ai aludon në të vërteta shkencore dhe s’ka mundësi që një njeri, që ka jetuar në një mjedis beduin, t’i ketë ditur ato.
Maurice Bucaile thotë: “Nuk mund të paramendohet se shumë ajete kur’anore që kanë të bëjnë me të vërteta shkencore të jenë vepër e një njeriu për shkak të shkallës të diturisë në kohën e Muhammedit a.s.”[23] Kur’ani fisnik përmban fakte grandioze dhe të pashtershme, që në vijimësi i zbulojnë dijetarët, që nga zbritja e tij, para më shumë se 1400 vjetësh.
Kur’ani ka ardhur që t’i plotësojë librat e mëparshëm hyjnorë dhe t’i përmirësojë devijimet që kanë pësuar ato. Për këtë arsye ka ngjashmëri në një masë të konsiderueshme mes Kur’anit dhe Dhiatës se Vjetër dhe Dhiatës së Re, por Kur’ani ia kalon atyre dhe është superior.
Si rezultat i pësimit të shumë shtrembërimeve, Tevrati dhe Ungjilli e humbën vlerën, prandaj Allahu i Lartësuar i dërgoi njerëzimit “një botim të ri” të Librit të Vet dhe ky “botim i ri” është Kur’ani i Shenjtë.[24]
Fjala e Zotit është dëshmitare se Kur’ani është shpresa e vetme në historinë njerëzore që është ruajtur në versionin e tij të plotë dhe origjinal. Zoti e bëri Kur’anin të paimitueshëm. Ai e tejkalon imagjinatën njerëzore dhe fuqinë e tij për të krijuar diçka të ngjashme me të.[25]
Kur’ani padyshim është libër të fshehtat e të cilit do të zbulohen deri në Ditën e fundit, gjë që vërteton mbinatyrshmërinë dhe të qenit e tij hyjnor. Kur’ani është një univers i pafund dhe një burim frymëzimi e fisnikërimi i pashtershëm për mendjen dhe shpirtin e njeriut. I Lartësuari thotë: “Thuaj: ‘Sikur deti të ishte bojë për të shkruar fjalët e Zotit tim, sigurisht që ai do të shterej, para se të soseshin fjalët e Zotit tim, edhe sikur Ne të sillnim si ndihmë edhe një tjetër si ai.” (El Kehf: 109);
“Sikur të gjithë drurët, që gjenden në Tokë, të ishin pena e deti bojë shkrimi e t’i shtohen atij edhe shtatë dete të tjera, nuk do të shtereshin fjalët e Allahut. Padyshim, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Lukman: 27).

Përhapja e mësimeve të Kur’anit
Kur’ani në stilin e tij, strukturën dhe mënyrën e të shprehurit të qartë, ndryshon nga Bibla. Në të nuk ka të folur klasik, kundërthënie dhe kontradikta sikurse gjenden në Bibël, s’ka kronologji ngjarjesh, por ka mesazh tevhidi që e përshkon atë nga fillimi deri në fund. Kur e lexojmë Kur’anin fisnik përfitojmë një ndjenjë të pashterësisë dhe të pafundësisë, sepse kudo që ta hapim Kur'anin ne gjejmë gjithmonë mesazh të njëjtë që s’ka fillim as fund. Kjo ka bërë që mësimet e Kur’anit të përhapen anekënd botës sepse ai është një libër që arrin njëkohësisht në zemër dhe mendje dhe i bën për vete njerëzit me shpirtra të pastër e fisnikë. Arthur J. Arberry, thotë: “Sa herë që dëgjoj leximin e Kur’anit më duket sikur dëgjoj muzikë, melodia e së cilës përcillet me të rrahura të përhershme të lodrave, dhe kjo (më krijon emocione të fuqishme) sikur më pëlcet zemra ime.“[26]
Në vend të shfarosjes së muslimanëve, që deshën të realizonin idhujtarët e Mekës në kohën e zbritjes së Kur’anit, pastaj persët dhe romakët, më pas kryqtarët dhe tartarët, dhe më vonë kolonializmi dhe fanatikët në Lindje dhe Perëndim, në vend të zhdukjes së muslimanëve dhe fesë së tyre, Islami u përhap pandërprerë dhe ai sot konsiderohet si feja me rritje më të madhe dhe me përhapje më të shpejtë në botë.
Kjo ngase: “Ata dëshirojnë të fikin dritën e Allahut me gojët e tyre, por Allahu e përsos dritën e Vet, edhe nëse (këtë gjë) e urrejnë jobesimtarët.” (En Nur: 8).


________________________________________
[1] Dr. Ali Xhumua, El Kur’anul Adhim, mu’xhizetun ferideh fis sijaneti vel hifdh, shih: http://www.ahram.org.eg/302/2010/09/27/4/40779.aspx
[2] Beheshti & Bahonar, Filozofia Islame, pa vit dhe vend botimi, f. 350.
[3] Ajni Sinani, Të tjerët për Islamin, Kur’anin dhe Muhammedin alejhis-selam, Prishtinë, Zëri Ynë, 2005/1426, f. 61.
[4] Prof. Dr. Bekir Topaloglu, Prof. Dr. Shef Yusuf Sevki Yavus, Doc. Dr. Ilyaz Celebi, Bazat e besimit në Islam, Prishtinë, 2002, f. 152-153.
[5] Nexhat S. Ibrahimi, Dimensione kur’anore, Shkup, Prishtinë, Tiranë, Logos-A, 2004, F. 19.
[6] Më gjerësisht për këtë shih: Vehidudin Han, El Islamu jetehad-da, botoi El Muhtar El Islam, Kajro, pa vit botimi.
[7] Malik Ibn Nebih, Fenomeni Kur’anor, Prishtinë, 1419/1990, f. 6.
[8] Prof. Makarim Shirazi, Parimet e Ideologjisë Islame, Tiranë, 1993, f. 43-44.
[9] Ajni Sinani, po aty, f. 65.
[10] Prof. Makarim Shirazi, po aty, f. 47.
[11] Hamudeh Abdul Ati, Islami në fokus, Shkup, 1413/1992, f. 4.
[12] Ebul Ala El Mewdudi, Muhammedi alehji selam dhe Kur’ani i shenjtë, Prizren, 1409/1989 f. 84.
[13] Mahmud iben Sherif, Muslimani sa Zapada, Takvim 1976, Sarajevë, f. 67-68.
[14] Hasan Cengiq, Temat Islame, Shkup, Logos-A, 1420/1999, f. 28.
[15] William C. Chittick, Në kërkim të zemrës së humbur, Tiranë, 2007, f. 15.
[16] Hamudeh Abdul Ati, po aty, f. 21.
[17] Hasan Cengiq, po aty, f. 18.
[18] Osman Nuri Topbash, Fryma e fundit, botoi Progresi, pa vit botimi, f. 11.
[19] Shih: Nexhat S. Ibrahimi, po aty, f. 12 e tutje.
[20] Ahmed Deedat, Kur’ani mrekullia më e përsosur, Shkup, 1986, f. 14.
[21] Ebul Ala El Mewdudi, po aty, f. 75.
[22] Kadir Misirogllu, Botëkuptimi Islam, Stamboll, gusht-tetor, 2008, f. 56.
[23] Dr. Maurice Bucaile, Bibla, Kur’ani dhe Shkenca, Gjakovë, pa vit botimi, f. 139.
[24] Kadir Misirogllu, po aty, f. 64.
[25] Hamudeh Abdul Ati, po aty, f. 29.
[26] Ajni Sinani, po aty, f. 82.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Program fetar dedikuar ardhjes së Muhamedit a.s. si mëshirë për botën