Fat apo fatkeqësi?! Kush e di ?


Një histori e vjetër kineze tregon për një plak që nuk donte ta shiste kalin e tij edhe pse ishte shumë i varfër dhe nuk kishte asgjë për të jetuar.
Një mëngjes zbuloi se kali i kishte ikur. Së shpejti banorët e fshatit u mblodhën dhe i thanë: “Ti plak i paarsyeshëm! Do të ishte më mirë sikur ta shisje atë. Çfarë fatkeqësie!”
Plaku u përgjigj: "Fat apo fatkeqësi, kush e di?"
Njerëzit qeshën me plakun dhe thanë se ai ishte paksa i çmendur. Një natë, kali i plakut u kthye bashkë me një tufë kuajsh të egër. Njerëzit u mblodhën përsëri dhe thanë: “O plak, kishe të drejtë. Kjo nuk ishte fatkeqësi por fat”.
Plaku u përgjigj: "Fat apo fatkeqësi - kush e di?"
Djali i vetëm i plakut, filloi t’i stërviste kuajt e egër. Vetëm shtatë ditë më vonë, ai ra nga një prej tyre dhe theu të dy këmbët. Njerëzit u mblodhën përsëri dhe thanë: “Çfarë fatkeqësie është kjo. Djali ytë i vetëm nuk mund të ngritet në këmbët e veta, dhe në moshën tënde ai ishte mbështetja jote e vetme. Tani je më i varfër se kurrë ”.
"Fat apo fatkeqësi, kush e di?" - tha përsëri plaku
Dhe vërtet, disa ditë më vonë vendi hyri në luftë dhe të gjithë të rinjtë nga ai vend u mobilizuan përveç djalit të plakut. Fshatarët vajtuan sepse e dinin që shumica e të rinjve nuk do të ktheheshin më. Ata erdhën te plaku dhe i thanë: “Kishe të drejtë, plak! Doli se ishte fat”.
Plaku u përgjigj: "A është fat apo fatkeqësi ajo çka na ndodh - vetëm Zoti i dashur e di!"