Islami dhe bashkëjetesa paqësore me të tjerët


Nuk ka dyshim se feja islame është fe që në tërësi përputhet me natyrën e njeriut, prandaj edhe me të drejtë ajo quhet fe e njerëzimit.

Nuk i takon të quhet e tillë për hir të dëshirës apo vullnetit të dikujt, por për hir të legjislaturës që përmban. Këtë ligj natyrshëm e pranon mendja e njeriut, ngase ndriçon zemrat, dhe besimin e skalit në thellësinë e shpirtit. Ky ligj vlen dhe i përshtatet çdo kohe dhe çdo vendi, pasi rregullon çështjet e bashkësisë njerëzore, duke u siguruar barazi dhe raporte të ngushta mes vete. Ligji islam jep mundësinë e besimit në botën tjetër, në të cilën do të gëzohet shpërblimi në bazë të veprave të kësaj bote. Këto dhe shumë të tjera bëjnë që Islami të jetë në përshtatshmëri të plotë me natyrën e njeriut, të jetë fe që njeriu e përqafon dhe e konsideron si fanar udhëzues në jetën e tij. Madje, në këtë mënyrë njeriu arrin të ballafaqohet me plot sukses ndaj çfarëdo dyshimi apo sfide të kësaj bote. Allahu xh.sh. nuk është Zot vetëm për muslimanët, por për të gjithë njerëzit, dhe Islami nuk është fe që është paraqitur me Muhamedin a.s., por është vazhdimësi e shpalljeve hyjnore të mëparshme, të cilat u devijuan nga pabesimtarët. Lidhur me këtë Allahu xh.sh. e urdhëron Muhamedin a.s., të thotë: “Thuaj: Unë nuk jam risimtar prej të dërguarve, e nuk e di se çka do të bëhet me mua e as me ju, unë nuk ndjek tjetër vetëm atë që më shpallet, unë nuk jam tjetër pos i dërguar që ju tërheq vërejtjen qartas!” (El-Ahkaf, 9).
Se Islami është fe hyjnore për të gjithë njerëzit, pa dallim race, nacionaliteti, vendi a kohe, dhe se vetëm forcon raportet ndërnjerëzore, posedojmë shumë argumente nga Kurani, thënie dhe vepra të Muhamedit a.s., si dhe sqarime të dijetarëve. Ndër to veçojmë:

Nderi

Islami rëndësi thelbësore i ka dhënë qenies së njeriut, si krijesa më e përsosur dhe më e nderuar ndër krijesat tjera mbi tokë. Prandaj, Zoti xh.sh. thotë: "Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam." (El lsra, 70).
Dijetari Muhamed Gazaliu thotë: "Njeriu në Islam është ngritur shumë lart, deri në atë përmasë saqë është shpallur zotëri i tokës dhe qiellit, dhe kjo duke pasur parasysh se në njeriun ngërthehen dy gjëra nga vetë Krijuesi i Madhërishëm, e ato janë: Shpirti nga shpirti i Tij, dhe shkëndija drite nga drita e Tij e shenjtë. Prandaj ky nder i lartë nga Allahu xh.sh. njeriun e ngriti aq lart saqë e bëri edhe mëkëmbës të Zotit në tokë. Mbase kjo engjëjt i bëri që të pranojnë se njeriu është i veçantë dhe superior mbi të gjitha krijesat.”(1)
Meqë njerëzit janë të nderuar nga Zoti i tyre deri në këtë nivel, atëherë është e natyrshme që ata doemos të jetojnë në harmoni mes vete. Për këtë arsye Islami parimin e bashkëjetesës me të tjerët e bëri fondament bazë, pasi sipas Kuranit njerëzit janë shoqëri që jeton në familje të vetme njerëzore.
Në Islam njeriu përpos që nderohet dhe respektohet për së gjalli, ai nderohet edhe pas vdekjes së tij. Pejgamberi i mbarë njerëzisë na dha shembull në rastin kur pranë tij kaloi një funeral nga hebrenjtë, e Muhamedi a.s., në shenjë respekti, u ngrit në këmbë. Me atë rast dikush nga shokët e tij iu drejtua me fjalët: "O i Dërguar i Zotit, ky funeral është i hebrenjve!" Ndërsa ai u përgjigj: "A nuk është edhe ai njeri?!" (Muslimi).
Ashtu siç urdhëroi Islami për inkurajim të njeriut në çështje pozitive e veprime të mira, ai në të njëjtën kohë urdhëroi në metodë të mirë kur ndalojmë nga e keqja, dhe ndaloi poshtërimin e njeriut. Me një rast Ebu Dherri i kishte thënë djalit tij: "O djalë i të keqes!" Ndërsa, Muhamedi a.s., u hidhërua kur e dëgjoi këtë shprehje, dhe e qortoi atë, prandaj edhe i tha: "Te ti, o njeri, paskan mbetur elemente të injorancës (xhahiletit). (Buhariu)

Mëshira

Nga parimet bazë të Islamit është mëshira për mbarë botën, e mbase ajo konsiderohet natyrshëm dhe në formë të mishëruar edhe si fundament i fesë hyjnore.
Allahu i Madhëruar thotë: "E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat." (El Enbija, 107).
Mbështetur në këtë parim, mëshira është e drejtë absolute për të gjithë, prandaj praktikimi i saj nuk vjen vetëm nga aspekti i mirësisë, por në të njëjtën kohë është edhe obligim. Sipas Islamit, të gjitha shtresat e shoqërisë pa dallim kanë pjesë të barabartë në institucionin e mëshirës. Por, për fat të keq, në shoqëri të ndryshme njerëzore e drejta e të dobëtit dhe nevojtarit kundrejt shtresës së lartë nuk respektohet. Mëshira parimore e garantuar nga ligji islam është siguria e vetme për një bashkëjetesë paqësore në mes të njerëzve

Drejtësia

Drejtësia është një parim tjetër, prej bazave fundamentale të Islamit, prandaj Allahu xh.sh. thotë: "Ne i dërguam të dërguarit Tanë me argumente të qarta, dhe Ne zbritëm me ata librin dhe drejtësinë që t'i përmbahen njerëzit e së drejtës...” (El Hadid, 25),




Drejtësia në Islam është gjithëpërfshirëse ndaj vetvetes, familjes dhe shoqërisë. Drejtësia është e domosdoshme në të gjitha gjendjet, pavarësisht rrethanave, qofshin ato të paqes apo luftës eventuale. Lidhur me këtë Allahu xh.sh. thotë: ”...dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t'i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë se ajo është më afër devotshmërisë! Kini dro Allahun, se Allahu di hollësisht për atë që veproni!” (El Maide, 8).

Barazia

Para drejtësisë ligjore janë të barabartë të gjitha shtresat e shoqërisë, dhe pa asnjë dallim. Pavarësisht aktit të gjykimit, sipas Islamit të gjithë janë të njëjtë.
Largimi nga barazia çon drejt dëmtimit dhe shkatërrimit të shoqërisë, prandaj Muhamedi a.s. ka thënë: "O ju njerëz, kanë humbur dhe kanë devijuar popujt para jush, sepse kur kryente vjedhje ndonjëri i shtresës së lartë nuk e ndëshkonin atë, e kur kryente vjedhje ndonjëri i shtresës se ulët e ndëshkonin atë. Për Zotin, po edhe sikur të kryente vjedhje Fatimeja (bija e Muhamedit), do t'ia kisha prerë dorën e saj." (Transmeton Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi).
Barazia në Islam nuk bie ndesh me drejtësinë, pasi Islami ka caktuar detyrat dhe përgjegjësitë në bazë të natyrshmërisë krijuese nga Allahu xh.sh., në të gjitha aspektet psikofizike. Kjo përfshin të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë me drejtësi të plotë për të gjithë pjesëtarët e shoqërisë(2)

Toleranca

Me tolerancë nënkuptojmë fleksibilitetin e plotë karshi besimeve tjera, duke përfshirë këtu bindjet, ritualet fetare, etj. Islami urdhëron që të respektohen të drejtat e të tjerëve në mënyrë të plotë, duke mos i armiqësuar dhe nuk lejon përdorimin e asnjë metode të dhunës për t'i larguar ata nga besimi i tyre, çfarëdo qoftë ai. Por, kjo nuk nënkupton nënshtrim ndaj ideve dhe bindjeve tyre, mirëpo diskutim paqësor e të argumentuar mbi të vërtetën. Allahu xh.sh. thotë: "Ju mos ua shani ata (zota) që u luten (idhujtarët), pos Allahut, e (si hakmarrje) të fyejnë Allahun nga armiqësia, duke mos ditur (për madhërinë e Tij). Kështu Ne ia kemi zbukuruar çdo populli veprimin e vet, mandej e ardhmja e tyre është te Zoti i tyre, e Ai i shpërblen për atë që vepruan." (El En'am, 108). Pastaj: “Dhe kur e dëgjojnë ndonjë llomotitje marrëzie, i kthejnë shpinën dhe thonë: "Ne kemi veprat tona e ju tuajat, qofshit larg nesh, ne nuk na duhen injorantët!" (El Kisas, 55). Toleranca islame njerëzimit ia jep mundësinë madhështore për bashkëpunim dhe bashkëjetesë, në të gjitha aspektet dhe në të gjitha çështjet e jetës. Në anën tjetër, qasja argumentuese me të tjerët në mënyrë prosperuese sjell në pah të vërtetën islame dhe kumtimin e saj tek ata.

Ndihma dhe bashkëpunimi i ndërsjellë

Nga vetë natyrshmëria e tij njeriu është krijesë shoqërore, prandaj ai në parim nuk mund të jetojë vetëm dhe pa bashkëpunim me të tjerët. Ai kështu përfiton në të gjitha aspektet e jetës, e mbase kjo maksimë në Islam konsiderohet bazë e domosdoshme e bashkëpunimit ndërnjerëzor. Njeriu gjithnjë ka nevojë për Krijuesin, dhe është i varur prej Tij, madje edhe nëse nuk pranon ekzistencën e Tij. Për këtë arsye Islami premtoi se ndihma e Zotit xh.sh. është me atë njeri që ndihmon njerëzit tjerë. Lidhur me këtë, Muhamedi a.s., thotë: "Zoti është në ndihmën e besimtarit, përderisa ai është në ndihmën e vëllait të tij.” (Transmeton Muslimi, Ahmedi dhe Ebu Davudi).
Në anën tjetër, dallimet në mes popujve për shkak të racës, gjuhës apo nacionalitetit Islami i konsideron motivacion shtesë për t'u njohur dhe bashkëpunuar në mes vete, prandaj Allahu xh.sh. thotë: "O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise, që të njiheni ndërmjet vete, e s'ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur." (El Huxhurat, 13).
Muhamedi a.s., është shëmbëlltyra praktike e shtrirjes së këtij bashkëpunimi në mes të njerëzve. Ai me shpërnguljen e tij në Medinë bëri marrëveshje me Ithtarët e Librit, e më pas edhe me idhujtarët. Bazë e këtyre marrëveshjeve ishte paqja, drejtësia, bashkëpunimi dhe ndihma e ndërsjellë në mes të komuniteteve përkatëse. Prandaj, me plot të drejtë, në kohën bashkëkohore, marrëveshjet e tilla i quajmë ”memorandum paqeje".

Aplikimi i marrëveshjeve

Aplikimi i marrëveshjeve nënkupton zbatimin e plotë të të gjitha pikave të saj, me plot besnikëri dhe sinqeritet. Përmbushja e marrëveshjeve vlerësohet lart, mbase kontribuon në rritje të bashkëpunimit mes njerëzve, ndërsa e kundërta e saj dëmton seriozisht atë. Për këtë arsye Islami vlerësoi lart dhe urdhëroi prerazi zbatimin e marrëveshjeve, ngase premtimi duhet mbajtur gjithsesi. Në Islam thyerja e marrëveshjes konsiderohet cilësi e hipokrizisë, ndërsa zbatimi i saj shenjë e devotshmërisë së lartë. Muslimanët, nëse vërtetojnë qartazi se pala tjetër nuk po i përmbahet marrëveshjes përkatëse, dhe po e shkelin atë, kanë të drejtë të mos e respektojnë atë dhe ta shpallin të pavlefshme. Kjo ngase shkelja e premtimit konsiderohet tradhti e madhe në Islam. Prandaj Allahu xh.sh. thotë: "Nëse ti e heton tradhtinë e një populli (ndaj marrëveshjes, atëherë edhe ti ua hidh atyre (marrëveshjen) në mënyrë të njëjtë, sepse Allahu nuk i do ata që tradhtojnë (fshehurazi)”. (El-Enfal, 58).
Nga e tërë kjo rezulton se Islami ka vendosur bazat e bashkëpunimit ndërnjerëzor , në të gjitha aspektet e jetës, në mënyrë që njerëzit të jetojnë në tolerancë, paqe dhe harmoni në mes vete.(3)


___________________
(1) Hukukul lnsan bejne tealijmul islam dhe iwlan el umemul mutehide, Muhamed Gazali,f.11, botimi i tretë, viti 1984, Kajro.
[2] Et-teajush es-silmi bejne muslimijne ve gajrihim, përgatiti surhaman hadajat, f. 27, 28, botimi i parë, viti 2001, Daru-selam, Kajro, Egjipt.
(3) Shiko: Et-tajush es-silmi bejne muslimijne ve gajrihim, përgaditi/surhaman hadajat. f. 33, 34, botimi i parë, viti 2001, Daru-selam, Kajro, Egjipt.



Mr. Ekrem Simnica