Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, nëpërmjet një fjalimi në seancë të Kuvendit ka kërkuar të ndryshohet udhëzimi administrativ i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit që ndalon bartjen e shamisë në hapësira shkollore.
Deputetja Balje, e cila vjen nga radhët e komunitetit boshnjak në Kosovë, në fjalën e saj tha se udhëzimi administrativ i ministrisë, në fuqi që nga viti 2014, është kundër të gjitha rregullave dhe se është “e kundërta se si duhet të funksionojë shoqëria dhe shteti”.
Sipas deputetes, detyrimi për të mbajtur shami, si dhe ndalimi i mbajtjes së shamisë “i privon gratë muslimane nga e drejta për të vendosur vetë”.
Ajo tha se është e ndaluar të urdhërohet mbulimi i kokës, por gjithashtu nuk mundet të urdhërohet një vajzë ose një grua të mos mbulojë kokën.
“Nuk ekziston ligj në Kosovë që kufizon lirinë e vajzave dhe grave muslimane për të shprehur besimin e tyre përmes veshjes modeste, mbajtjes së shamisë. Shteti, pra, mund të zbatojë kufizimin e të drejtave dhe lirive vetëm me ligj, me kusht që ekziston një qëllim legjitim për kufizimin në fjalë dhe që masat kufizuese të jenë proporcionale”, tha Balje.
Balje, e cila po ashtu është kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, tha se problemi kryesor këtu qëndron se kufizimi i lirisë së vajzave për të mbajtur shaminë në shkollat ??publike bazohet në akt nënligjor (Udhëzim Administrativ) dhe jo në ligj. Kjo, sipas saj, pa diskutim dëshmon për një kufizim arbitrar, të paligjshëm dhe antikushtetues.
Rrjedhimisht, ajo konstatoi në fjalën e saj se udhëzimi i ministrisë i miratuar në qershor të vitit 2014 është i paligjshëm, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Është për të ardhur keq dhe kundër të gjitha rregullave t’u kërkohet vajzave të bëjnë një zgjedhje midis fesë së tyre dhe rolit të tyre në shoqëri apo institucion arsimor. Kjo është pikërisht e kundërta se si duhet të funksionojë shoqëria dhe shteti. Shteti nuk e shkel detyrimin e tij të neutralitetit fetar, nëse lejon mbajtjen e shamisë”, shtoi Balje.
Për udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, i cili nuk ua lejon vajzave të mbuluara të vijojnë mësimin në institucione publike shkollore, ka pasur disa herë ankesa nga deputetë të tjerë, avokatë e institucione fetare.