Me rastin e fillimit të muajit Ramazan


Të nderuar vëllezër besimtarë!
Nesër fillon muaji i bekuar i Ramazanit, muaj ky që Allahu e përzgjodhi për shpalljet e Veta, e veçmas për shpalljen e fundit, Kur’anin Fisnik. Është më madhështor se që mund ta përshkruajë dikush, me mirësi e begati më të shumta se që dikush mund t’i numërojë. Është muaji i natës më të famshme, natës më të mirë, natës më të bekuar, Natës së Kadrit, natës që vlen më shumë se një jetë e tërë. Përkujtimi i këtyre karakteristikave dhe mirësive të Ramazanit tani kur jemi në prag të tij, përveç rëndësisë së motivimit që ka, është edhe traditë profetike. Po, ka qenë Pejgamberi a.s., ai që me rastin e ardhjes së muajit të Ramazanit iu merrte myzhde besimtarëve dhe i uronte për të duke iu thënë:

“Iu erdhi Ramazani, muaj i bekuar, agjërimin e të cilit Allahu i Madhëruar ua obligoi. Në të hapen dyert e qiellit (Xhenetit), mbyllen ato të Xhehenemit ndërsa djajtë e tërbuar prangosen. Në këtë muaj Zoti ka një natë më të mirë se njëmijë muaj, ai që privohet prej (mirësisë) së saj, ai vërtetë është i privuar!”(1)
Në këtë hadith shohim se si Pejgamberi a.s., krahas përshkrimit të normës së agjërimit, që është farz, dhe mirësive të tij, që janë shumë, ndër të cilat edhe Nata e Kadrit, ka përmbyllur urimin duke provokuar xhelozinë e besimtarit. Të kesh para vetes kaq shumë mundësi dhe të mos përfitosh prej tyre që të të falen mëkatet nuk ka si të mos quhesh i privuar.
Pra, Ramazani është një mundësi që nuk lëshohet, një shans që nuk humbet, por për të përfituar prej tij, duhet vepruar sipas mësimeve dhe udhëzimeve të tij.

Xhematlinj të nderuar!
Ramazani dallohet më së shumti për agjërimin, një adhurim që formalisht manifestohet duke abstenuar nga ushqimi dhe pija dhe thelbësisht duke u larguar nga çdo gjë që Allahu i madhëruar nuk e do dhe nuk e pëlqen. Kështu na prezantohet agjërimi në Kur’an:
“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (Kur’ani: Bekare: 183]
Nëse agjërimi zhvishet nga kjo objektivë që ka, devotshmëria pra, atëherë fakti se kemi abstenuar nga ushqimi dhe pija nuk nënkupton se kemi agjëruar prej së vërteti. Kjo për arsye se largimi nga ushqimi dhe pija është mjet, jo qëllim. Qëllimi është devotshmëria, arritja e kënaqësisë së Allahut nëpërmjet zbatimit të urdhëresave të Tij dhe largimi nga ndalesat e Tij.
Këtu mbase qëndron edhe arsyeja pse agjërimi, si adhurim, përshkruhet në shkallë superiore dhe pse ka shpërblim të madh. Në hadith kudsij qëndron se Allahu i madhëruar ka thënë:
“Çdo vepër e njeriut është për të, përveç agjërimit, i cili është për Mua dhe Unë shpërblej për të…”(2)
Ndërsa sa i përket shpërblimit, agjërimi që ka këtë nivel të lartë sinqeriteti, nuk ka si të mos jetë një nga veprat absolutisht me shpërblimin më të madh. Kështu na mëson Allahu i madhëruar në Kur’an:
“... ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!” (Kur’ani: Zumer: 10)
Ibën Rexhebi, një nga dijetarët mysliman, duke folur përkitazi me këtë shpjegon se si agjërimi ka këtë shpërblim ngase në të durimi manifestohet tërësisht. Tekstualisht thotë: “Agjërimi është pjesë e durimit, i cili ndahet në tri lloje, dhe që të tri llojet bashkohen në agjërim. Në agjërim ka durim për adhurim, durim ndaj epsheve dhe durim ndaj urisë dhe etjes dhe dobësisë së trupit...”

Besimtarë të respektuar!
Synim tjetër i agjërimit është edhe përsosja morale e etike. Nga perspektiva jonë fetare, morali është reflektimi i besimit. Një besimtar i devotshëm duhet të dallohet dhe për moral të lartë. kjo është ajo që synon agjërimi, pra jo vetëm moralin por vlerat më të larta të tij. Pejgamberi ynë, Muhammedi a.s., ka thënë:
“…agjërimi është mburojë e kur të agjërojë ndonjëri prej jush le të mos flet fjalë të ndyta, le të mos bërtet, e nëse e shan dikush apo e provokon fizikisht, le të thotë: unë jam agjërueshëm…”(3)
Agjërimi pa këtë element etik zhvishet nga synimet dhe vlerat e mirëfillta andaj edhe nuk shpërblehet. Për këtë shkak, porositemi që të agjërojmë fizikisht e moralisht. Xhabiri r.a., një shok i Pejgamberit tonë, Muhammedi a.s., na ka porositur: “Kur të agjërosh, le të agjërojnë me ty veshi, syri dhe gjuha jote nga gënjeshtra dhe mëkatet...”

Vëllezër të dashur!
Ka një qëllim madhështor që fshihet në abstenimin nga ushqimi dhe pija gjatë agjërimit. Muhammed Reshid Rida duke shpalosur këtë urtësi të agjërimit ka thënë: “Kur agjëruesi të ndiejë uri, atëherë ai përkujton ata që gjithnjë janë të uritur kështu që kjo ia ngjall ndjenjat e butësisë dhe mëshirës, pasojë e të cilave janë dhënia dhe lëmosha...”
Pra, agjërimi ngrit nivelin e solidaritet material në pikat më të larta. Për këtë shkak, lëmosha në Ramazan, siç na ka mësuar Pejgamberi ynë, është lëmosha më e mirë.

Të nderuar vëllezër besimtarë!
Në ndarje të këtij takimi tonë sot në këtë ditë të madhe nuk gjej fjalë më të bukura për tua uruar këtë muaj të bekuar se fjalët me të cilat e hapëm këtë hytbe, fjalët e të dashurit tonë, Muhammedit a.s.: “Iu erdhi Ramazani, muaj i bekuar, agjërimin e të cilit Allahu i Madhëruar ua obligoi. Në të hapen dyert e qiellit (Xhenetit), mbyllen ato të Xhehenemit ndërsa djajtë e tërbuar prangosen. Në këtë muaj Zoti ka një natë më të mirë se njëmijë muaj, ai që privohet prej (mirësisë) së saj, ai vërtetë është i privuar!”(4)
Në emër të Myftiut Naim ef. Tërnava dhe në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës - Urime muaji i Ramazanit!
Agjërim të lehtë dhe të pranuar!



1. Hadith i saktë. Shih: Sahihu en-Nesai, nr. 2105.
2. Hadithin e shënojnë Buhariu, nr. 1904, dhe Muslimi, nr. 1151.
3. Hadithin e shënojnë Buhariu, nr. 1904, dhe Muslimi, nr. 1151. Teksti është i Muslimit.
4. Hadith i saktë. Shih: Sahihu en-Nesai, nr. 2105.



Visar ef. Koshi
Kryeimam në KBI Gjakovë


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi