A ishte Muhammedi a.s. vërtet i dërguar i Zotit?!

Ka shkrime të shumta nga jomuslimanë që thonë se Muhammedi a.s. ishte një njeri i urtë e i mençur, që pohoi në mënyrë të rremë se është i Dërguari i Zotit! Dhe një numër jo i vogël njerëzish sot në botë janë bërë pré e këtyre shkrimeve tendencioze.

Për të kuptuar pavërtetësinë e këtij pretendimi le të zgjedhim njeriun më të mençur në botë dhe të bëjmë një marrëveshje me të duke kërkuar që të marrë rolin e këtij “pejgamberi të rremë”. Të shohim se a do të mund ta aktronte këtë rol, larg karakterit të tij të vërtetë prej një njeriu hipokrit, që shtiret për diçka që nuk është. Madje të mos heqë dorë nga aktrimi dhe shtirja deri në vdekje.
Le të kthehemi në kohë dhe hapësirë, te Kurejshët në Mekë në shekullin 7-të, kur jetoi Muhammedi a.s. Ta vendosim këtë njeri tek ata njerëz që kishin arritur majat në retorikë dhe oratori, dhe të cilët organizonin gara në poezi çdo vit në pazarin Ukadh. Ai të mos ketë një mësues që do t’ia mësonte ngjarjet historike të mëhershme. Një person që s’di shkrim e lexim, sikurse Muhammedi a.s. Që nuk shquhet as për oratori dhe as që ka dell prej poeti.
Një person që do të rritej jetim. Në rininë e hershme do të kujdesej për delet. Të jetojë dyzet vjet në mesin e banorëve të Mekës dhe të njihet nga ata për besnikëri dhe ndershmëri. Të respektojë të afërmit, të flasë të vërtetën, të përkujdeset për të mjerët dhe të varfrit, t’i ndihmojë të dobëtit dhe të përkrahë të drejtën. Të mos adhurojë asnjëherë idhujt që i adhuronte populli i Mekës.
Pastaj, befas në moshën dyzetvjeçare të dalë dhe të deklarojë rrejshëm se është i “dërguari i Zotit" dhe me të folurit e tij t’i sfidojë dhe të ngadhënjejë mbi të gjithë ata poetë. Të sjellë një libër, sikurse Kur’ani fisnik, që do të ishte i pakrahasueshëm dhe do t’i kalonte të gjithë librat e botës. Dhe jo vetëm kaq, por ai duhet të rrezikoj duke i sfiduar arabët dhe gjithë njerëzimin dhe xhinët duke kërkuar prej tyre që të sjellin diçka të ngjashme, qoftë edhe sa një kaptinë e shkurtër e Kur’anit.
Që populli ta besojë këtë person për të dërguar të Zotit, atij do t’i duhet t’i sfidojë ata me mrekulli të jashtëzakonshme (muxh’ize) që s’mund t’i bëjë njeriu! A thua me çfarë do ta sfidonte ky pejgamber mashtrues popullin e Mekës të asaj kohe?!
A do t’i sfidonte ata në një fushë të cilën nuk e njihnin, si për shembull, astronomi, mjekësi; apo ky mashtrues do ta zgjidhte gjënë më të fuqishme të cilën e kishte arritur ai popull dhe me të cilën ata shquheshin e krenoheshin më së shumti?!
Pastaj, pse do të duhej që ky njeri gënjeshtar t’i sfidonte kurejshët dhe gjithë arabët në oratori dhe gjuhën arabe në fushën e tyre më të fortë?! A do të ishte i mundshëm një veprim i tillë dhe sa do të kishte sukses?!
Ky njeri gënjeshtar jo vetëm që do t’i sfidonte gjithë arabët dhe gjithë njerëzimin me të shprehurit e tij, por do të duhej të fliste në dy nivele. Një nivel i të folurit të tij duhet të jetë si "Kurani i Shenjtë", me të cilin nuk krahasohet asnjë libër dhe niveli tjetër të jetë si “Hadithi”, me të cilin gjithashtu nuk mund të krahasohet asnjë të folur njerëzor dhe të cilin e tejkalon vetëm Kurani fisnik.
Ky mashtrues të jetojë 23 vjet mes arabëve duke folur me këto dy mënyra. Që të dy mënyrat më të përsosura dhe më të përkryera se cilado fjalë tjetër njerëzore. Të folurit e tij të jetë konform ndodhive dhe situatave, duke i këshilluar shokët e tij apo duke ua tërhequr vërejtën atyre. Të flasë me të folur elokuent për çdo rast e ndodhi, të thotë fjalë që s’ka në të folurit e njerëzve. Me të folurit e tij të sfidojë gjithë oratorët, poetët dhe mjeshtrit e gjuhës arabe të çdo epoke.
Ky gënjeshtar për asnjë çast nuk duhet të jetë spontan dhe as i sinqertë me veten. Të tregohet i durueshëm kur i thonë “i çmendur’, “i marrë”, "poet", apo "magjistar". Të jetë i durueshëm edhe atëherë kur populli i tij ngrihet kundër tij dhe familjes së tij. Të jetë i durueshëm kur ata përpiqen për ta vrarë. A mund t’i durojë gjithë këto një person gënjeshtar?!
Kur populli i tij të kërkojë kompromis duke i thënë: “të adhurojmë një vit Zotin tënd dhe një vit zotat tanë” ai të refuzojë. Kur atij t’i thonë “ju ofrojmë çfarëdo pushteti, madje ju bëjmë mbret dhe udhëheqës, me kusht që të lini thirrjen tuaj dhe të mos flisni kundër fesë sonë" ai të refuzojë. Kur t’i thonë "do të heshtim ndaj teje nëse ti hesht ndaj zotave tanë” ai të refuzojë. Nëse i thonë “ne të ofrojmë çfarë të duash nga pasuria dhe gjithçka nga gjërat e kësaj bote” ai të refuzojë. Nëse i thonë se “do ju bëjmë njeriun më të pasur dhe të parin mes nesh” ai të refuzojë, sikurse veproi Muhammedi a.s. me parinë e Mekës. A mund t’i refuzoj gjithë këto oferta një njeri gënjeshtar?!
Çdo gënjeshtar bën gafa. Por ai duhet të jetë i kujdesshëm. Duhet të mos harrojë fjalët që i ka thënë më herët, në mënyrë që fjalët e mëvonshme të mos vijnë në kundërshtim me ato të mëhershme, me qëllim që gënjeshtra e tij të mos dalë në shesh. Ai duhet të mos harrojë gjatë gjithë jetës së tij.
Fjalët e tij të mos kundërshtohen dhe të kuptuarit e tij të mos jetë kontradiktor. Ai të flasë me mijëra vargje (të ngjashme me ajetet kur’anore) dhe me mijëra e mijëra thënie, sikurse thëniet e hadithit, e ato të mos jenë kundërthënëse, që të mos kuptohet mashtrimi nga ana e tij. Madje, të jetë i kujdesshëm me shokët dhe me kundërshtarët!!!
Ky njeri duhet të hiqet dhe të shtiret duke u paraqitur në nivelin më të lartë të vlerave morale dhe etike, t’ia mësojë njerëzve dispozitat fetare të ligjit islam dhe të mbetet një model i pashoq në të gjitha çështjet e moralit, besimit dhe mënyrës së jetës.
Ky gënjeshtar të kërkojë nga besimtarët që të pastrohen para namazit dhe pesë herë në ditë t’i luten Zotit. Ai të jetë i tillë jo vetëm duke u shtirë para të tjerëve por edhe në shtëpinë e tij, duke u zgjuar nga gjumi çdo natë, duke iu lutur Zotit pas mesnate, me orë të tëra aq sa t’i ënjteshin këmbët. Kur t’i thotë bashkëshortja e tij pse lutesh kaq shumë kur je i falur nga Zoti, ai të thotë ‘a nuk duhet të jem rob mirënjohës ndaj Krijuesit?’ Të jetë i sjellshëm në çdo veprim, deri në atë masë sa që gruaja e tij të thotë se ai ishte “Kur’ani i gjallë që ka ecur mes njerëzve”.
Kur t’i jepet mundësia për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve të tij, t’i amnistojë duke ua falur të gjithë mëritë dhe t’u thotë ‘shkoni, jeni të lirë’. Kur të hyjë në Mekë hipur mbi deve, gjatë çlirimit të saj, të jetë modest dhe i përulur, sikurse kur bie në sexhde, duke falënderuar Zotin për atë fitore. Vallë a mund ta bëjë këtë një gënjeshtar?!
Ai, ndonëse gënjeshtar, të jetë i ndershëm dhe besnik me veten dhe njerëzit. Kur ai të flasë për tokën, diellin, hënën, planetët dhe yjet, të deklarojë se ato i ka krijuar Zoti. Kur të flasë për detet, lumenjtë, pemët dhe kafshët, të flasë për to në mënyrë të saktë, që nuk do të mund të hidhej poshtë as pas mijëra vjetësh nga ana shkencore.
Të flasë për popujt e mëhershëm dhe për rrëfimet e tyre në mënyrë të saktë, nga aspekti shkencor dhe me ndershmëri, ndonëse ai në esencë është një gënjeshtar!!!
Pastaj të heqë dorë nga gënjeshtra edhe atëherë kur rrethanat do të ishin të volitshme për gënjeshtër dhe të flasë, ndonëse heshtja do të ishte më e nevojshme për një gënjeshtar.
Qëllon që në vdekjen e fëmijës së tij të zihet dielli dhe njerëzit të thonë se dielli është zënë për shkak të vdekjes së djalit të Pejgamberit, kurse ai të mos heshtë por të thotë se dielli nuk zihet për vdekjen e askujt, por se zënia e diellit është prej shenjave të Zotit. A mund të veprojë kështu një mashtrues sharlatan?!
Kur të pyetet nga njerëzit për kohën e shkatërrimit të botës, të thotë: “Unë nuk di, dija për të i takon Zotit". I duhet të rrezikojë duke treguar për momentin e humbjes së persianëve nga ana e romakëve “në pak vite” sikurse u para tregua nga Kur’ani fisnik. Sikur të mos ngadhënjenin romakët pas pak vitesh dhe të ndodhte e kundërta, një parashikim i tillë jo i saktë do të nxirrte në shesh gënjeshtrën e tij dhe do të rezultonte me humbjen e besimit nga shokët dhe ithtarët e tij.
Të durojë kur ta sulmojnë armiqtë për ta vrarë! Kur armiqtë të jenë jashtë shpellës në kërkim për ta vrarë ta ngushëlloj mikun e tij më të ngushtë duke i thënë: “Mos u mërzit, Allahu është me ne”. A është e thjeshtë kjo?! Po sikur ta vrisnin!
Ky mashtrues duhet ta bindë veten e tij rrejshëm dhe kur miqtë e tij vijnë për ta mbrojtur, ai t’u thotë atyre: shkoni sepse unë s’kam nevojë për mbrojtjen dhe ruajtjen tuaj. Zoti më ka zbritur mua këto fjalë “Allahu do të mbrojë nga njerëzit"!
Ai të qëndrojë i vetëm në betejë kundër një ushtrie të madhe duke thënë "Unë jam i Dërguari i Zotit, nuk ka gënjeshtër!", sikurse qëndroi Muhammedi a.s. në betejën e Tebukut. Cili gënjeshtar do të mund të shtirej dhe të qetësonte veten e tij në situata të tilla fatale për jetë?!
Si do të mund ta ngushëllonte veten e tij përballë ofendimeve të armikut duke thënë në mënyrë të rremë se Zoti i ka shpallur: "Vërtet Ju kemi dhënë Keutherin- shumë të mira!"
Pastaj të kërkojmë prej këtij mashtruesi të sillet si dijetar gjenial dhe të sjellë atë që s’do të mund ta sillnin gjenitë e botës për qindra e qindra vjet pas tij. Të flasë për embrionin në shekullin e 7-të. T’i përshkruajë fazat e zhvillimit të embrionit në mënyrë të saktë e precize, faza të cilat do të vërtetohen pas 1400 vjetësh nga zbulimet shkencore! Të flasë për shumë dukuri të ndryshme natyrore, çuditërisht në mënyrë të saktë e precize. T’i kundërshtojë mendimet e atyre që janë rreth tij dhe të mos e çajë kokën për kundërshtimet e tyre!
Mund ta bëjë këtë një njeri gënjeshtar?! A është kjo brenda të mundshmes?! Vallë a nuk është ky një absurditet dhe një gjë e paarritshme për cilindo gjeni të botës?!


Pyetjet që na nxisin të reflektojmë:

Si mundet që një njeri të jetë i ndershëm për dyzet vjet në popullin e tij, e më pas të gënjejë dhe kur të gënjejë të gënjejë ndaj Zotit?!
Si mundet ai që nuk di shkrim e lexim të sjellë një libër, diçka të ngjashme me të cilin s’mund të sjellin edhe njerëzit më të ditur dhe eruditët e gjenitë më të mëdhenj të njerëzimit?!
Si mundet që një njeri gënjeshtar të sfidojë gjithë njerëzit dhe xhinët duke kërkuar prej tyre të sjellin diç të ngjashme me një kaptinë të shkurtër kur’anore, qoftë edhe duke bashkëpunuar mes tyre?! Dhe njerëzit të tregohen të paaftë për ta sfiduar atë edhe pas 1400 vjetësh!
Si mund të jetë i durueshëm një gënjeshtar që nga fillimi i thirrjes së tij, me gjithë këtë durim?!
Si mundet që një gënjeshtar ta sfidojë popullin e tij në atë që ata janë më të fortë: në lëmin e gjuhës dhe retorikës?! Pastaj pse duhet t’i sfidojë pikërisht në këtë sferë?! Si mund që ai të sjellë fjalët më të përsosura?!
Si mundet që një njeri, qoftë gënjeshtar apo jo gënjeshtar, të flasë në dy mënyra, ku secila prej tyre të jetë më e përsosur se cilido fjalim tjetër veç tyre!?
Si mundet që një gënjeshtar t’iu bëjë ballë tundimeve dhe ofertave në këmbim të thirrjes së tij?!
Si të jetë që një gënjeshtar, përkundër numrit të madh të fjalëve, të mos bie në kundërshtim, apo të mos gabojë qoftë edhe një herë gjatë një periudhe prej 23 vjetëve?!
Pse një gënjeshtar të mos shfrytëzojë një mundësi të artë për të promovuar gënjeshtrën e tij, sikurse me rastin e zënies së Diellit?!
Si të kërkojë një gënjeshtar largimin e shokëve të tij, kur ata deshën ta ruanin, duke iu thënë se Zoti e ruan?
Si mundte që një gënjeshtar ta thotë të drejtën dhe të vërtetën, ndonëse ajo është në kundërshtim me qëndrimin e popullit të tij?!
Si ta qetësojë një gënjeshtar vetveten me gënjeshtër edhe në momentet kritike për jetë?!
Si mund të ndodhë që një njeri, qoftë gënjeshtar apo jo gënjeshtar, të flasë për embrionin dhe fazat e tij dhe shumë e shumë dukuri të tjera natyrore dhe kjo të mos bie ndesh me zbulimet shkencore, pa pasur mjete të mjaftueshme për këtë?! Madje të mbahen simpoziume shkencore pas qindra e qindra vjetësh që studiojnë fenomenin shkencor në Kur’anin fisnik dhe në Hadith- fjalët e Pejgamberit a.s.?!
Pas gjithë këtyre pyetjeve dhe pas një studimi objektiv, një meditimi të thellë dhe serioz, nuk na mbetet tjetër veçse të themi se Muhammedi a.s. nuk ishte veçse i Dërguar i Zotit dhe ai nuk fliste veçse me inspirim hyjnor: “Ai nuk flet sipas dëshirës së vet, por ajo (që thotë) është Shpallje që i shpallet.” (Kur’ani, En Nexhm: 3-4).


Artikulli i kaluar
Dashuria e Zotit për njeriun
Artikulli radhës
Dita e Ashures