Lulja e ndershmërisë

Një herë e një kohë jetonte një princ i cili ende nuk ishte martuar.
I ati i tij, mbreti, i shqetësuar i thotë: ”Biri im, unë tashmë jam plakur dhe më është afruar vdekja. Ti do të më trashëgosh, por vetëm me një kusht, nëse martohesh.”
Princi e dëgjoi këshillën e babait dhe vendosi t’i mbledh të gjitha vajzat e mbretërisë. “Ajo më e denja do të jetë gruaja ime“, mendoi me vete princi.
Vajzat më të bukura dhe më të pasura mbërritën në pallat. Bashkë me to erdhi edhe Sara, vajza e një prej shërbëtorëve të mbretit, e cila nuk ishte as e bukur e as e pasur.
”Mos shko kot bija ime! Ti nuk mund të krahasohesh me vajzat tjera”. E këshilloi e ëma.
“Dua të shkoj nënë! E di që nuk do jam zgjedhja e princit, por të paktën do të kem kënaqësinë ta shoh nga afër”, iu përgjigj e vendosur Sara.
Princi doli para vajzave dhe u tha: “Mirë se vini. Secila nga ju do të merr nga një farë luleje dhe ajo e cila pas gjashtë muajsh do më sjellë lulen më të bukur do të bëhet gruaja ime.“
Si gjithë vajzat tjera, Sara mori farën e saj dhe me të mbërritur në shtëpi e mbolli në një vazo të madhe balte. Çdo ditë kujdesej për të, e ujiste, e ruante nga rrezet e forta të diellit nga të ftohtët dhe nga lagështia. E ëma kur e shihte kujdesin e saj aq të madh i thoshte: ”Princi duhet të martohet me ty, vetëm për gjithë këtë dashuri dhe përkushtim që i dhuron”.
Ditët kaluan, por në vazo nuk doli as edhe një filiz. Sara filloi t’i pyeste kopshtarët e vjetër, vepronte ashtu siç i thoshin ata, por prapë se prapë asgjë nuk mbiu.
Kaluan 6 muaj dhe erdhi dita e takimit. Por, fara nuk çeli as edhe një gjethëze,
”Mos shko bija ime! Çfarë do të thotë princi kur ta shohë vazon bosh?” e këshilloi e ëma.
Por, Sara gjithsesi kishte vendosur të shkonte te princi dhe t’ia çonte vazon në shenjë të dashurisë dhe përkujdesjes.
Pasi mbërritën në pallat Sara iu bashkua vajzave tjera, por ndryshe nga ajo, secila prej tyre mbante nga një lule të bukur me aromë dehëse.
Princi i shikoi të gjitha vajzat të cilat kaluan para tij, krenare për lulet e tyre te bukura. Në fund para tij u shfaq një vajzë e ndrojtur e cila në dorën e saj mbante një vazo prej balte. Princi u afrua, gërmoi me kujdes dhe pasi vërejti se në të nuk kishte asgjë, u largua dhe tha:
“Gruaja ime do të jetë vajza e cila në dorën e saj mban vazon prej balte ku nuk ka mbirë asnjë lule”.
Si mund të ndodhë.... kjo nuk është aspak e drejtë ... çfarë vendimi është ky?” thoshin vajzat.
“Kjo vajzë është e vetmja që ka ditur të rrisë lulen e ndershmërisë”, tha princi. “Prandaj ajo është e denjë të bëhet gruaja ime dhe njëherit mbretëreshë e kësaj mbretërie. Farat që ju dhashë ishin pa jetë, dhe sikur t’i mbanit dhe të kujdeseshit për to një jetë të tërë, nuk do kishte çelur kurrë asgjë prej tyre”.

Urtësia:
Dashuria dhe ndershmëria gjithmonë shpërblehen