Martesa ne të drejtën e Sheriatit (1)


Martesa është hapi i parë apo hapi fillestar për ndërtimin e një familje. Kjo familje nuk mund të jetë e fuqishme nëse themelet nuk i ka të bazuara në një lidhje të fortë, për këtë arsye, e drejta e Sheriatit i ka dhënë një rëndësi të veçantë martesës duke e quajtur atë “lidhje e fortë”
Zoti i Madhëruar e krijoi njeriun në dy gjini (mashkullore dhe femërore) dhe porositi martesën në mes dy gjinive që të gjejnë prehje, dashuri dhe mëshirë ndërmjet tyre. Padyshim, martesa është një argument prej argumenteve të Zotit të Madhëruar dhe një begati prej begative të tij të mëdha. Zoti i Lartësuar në Kuran thotë: “Dhe nga faktet (e madhërisë) së Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), kështu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë. Në këtë ka argument për njerëzit që mendojnë.” (Er-Rum, 21).
Martesa është hapi i parë apo hapi fillestar për ndërtimin e një familje. Kjo familje nuk mund të jetë e fuqishme nëse themelet nuk i ka të bazuara në një lidhje të fortë, për këtë arsye, e drejta e Sheriatit i ka dhënë një rëndësi të veçantë martesës duke e quajtur atë “lidhje e fortë” dhe ka vendosur themelet të cilat sigurojnë qëndrueshmërinë dhe vazhdue- shmërinë e saj. Çështjen e martesës e ka lënë në lirinë e zgjedhjes së dy bashkëshortëve pa ndonjë imponim, sepse ajo është një lidhje me dëshirë dhe nuk mund të lidhet pa dëshirën e dy bashkëshortëve.

Kuptimi i martesës

Sipas juristëve të së drejtës së Sheriatit, martesa në kuptimin gjuhësor, vjen me kuptimin e bashkimit, ndërsa në aspektin terminologjik të legjislacionit islam, vjen me kuptimin e një lidhje apo kontrate ndërmjet dy bashkëshortëve.(1) Fjala “nikah” që në Kuran dhe në traditën e pejgamberit Muhamed (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të), nënkupton martesën ndërmjet burrit dhe gruas, me qëllim për të gjetur kënaqësi ndërmjet njëri-tjetrit, si dhe formimin e një familje dhe shoqërie të shëndoshë.(2) Në të drejtën e Sheriatit, martesa është përcaktuar në mënyrë specifike “si një marrëveshje e fortë”.(3) Kjo do të thotë se martesa është një kontratë shoqërore, një kontratë fisnike dhe e shenjtë.
Kjo është një lidhje e fortë me vetë jetën, me shoqërinë dhe me ekzistimin e suksesshëm të racës njerëzore të përmbushur me dinjitet.(4) Martesa është akti kontraktual që bëhet ndërmjet një mashkulli dhe një femre që nuk e kanë të ndaluar ligjërisht (fetarisht) për tu martuar dhe që krijon lidhjen e duhur për bashkëjetesë dhe vazhdim të brezit.

Martesa nga aspekti itë drejtës së sheriatit

Martesa urdhërohet në burimin kryesor të së drejtës së sheriatit, në Kuran në kaptinën e katërt, Nisa (gratë) në ajetin e tretë: “...martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tri apo me katër: e nëse frikësoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj të gjithave njësoj, atëherë mjaftohuni me një grua...”(5)
Juristët e të drejtës së Sheriatit e kanë interpretuar Kuranin dhe kanë thënë se martesa është një obligim fetar, një ruajtës i moralit dhe një zotim shoqëror. Si obligim fetar, ai mund të plotësohet, por si edhe të gjitha obligimet e tjera fetare, këtë mund ta gëzojnë vetëm ata që janë të aftë të ballafaqohen me përgjegjësit që dalin nga vetë martesa.(6)
Kurani dhe porosia profetike e paraqesin martesën në forma të ndryshme, si argument për ekzistimin e Zotit, si traditë e të gjithë profetëve, pastaj martesa konsiderohet si qetësi familjare dhe mënyrë legjitime për të lënë pasardhës.
Zoti i Lartësuar thotë: “Dhe nga faktet (e madhërisë) së Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë)...”(7)
Martesa në Islam është rregull dhe princip i kësaj feje, e njëherësh është edhe pjesë e Sheriatit të saj. Në këtë kontest, ai që abstenon nga martesa, ai veç është larguar nga një princip i sheriatit Islam.(8)
Martesa është themeli i familjes. Pa martesë nuk ka familje, ndërsa pa familje nuk ka as bashkësi njerëzore. Kjo është praktikë e përbashkët e njerëzve të zakonshëm, udhëheqësve shpirtëror e madje edhe e profetëve. Lidhur me këtë, ekzistojnë shumë ajete në Kuran dhe hadithe të Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi tël), të cilat shkojnë aq larg, duke thënë se kur një mysliman martohet, atëherë ai e përmbush gjysmën e fesë së vet.(9) Në këtë lidhje gjejnë një plotësim dhe vetë kuptim reciprok, dashuri dhe paqe, mëshirë dhe urtësi, mirëqenie dhe shpresë.
E gjithë kjo është kështu për arsye se martesa në të drejtën e Sheriatit fillimisht dhe në radhë të parë merret si një veprim i drejtë, si një veprim i devocionit të përgjegjshëm.(10) Vetëm me martesë sigurohet zhvillimi normal i bashkësisë njerëzore, për këtë Zoti i Madhëruar, institucionin e martesës e ka bërë të obliguar me qëllim që lloji njerëzor të vazhdoj normalisht rrugëtimin e tij.(11) Martesa është një nga ligjet e Zotit të Lartësuar për krijesat e tij dhe gjithësinë, ajo është e përgjithshme dhe e përhershme, në mënyrë të tillë që prej saj nuk devijon bota e njeriut.(12)
Zoti i Madhëruar thotë: “Dhe Ne krijuam prej çdo sendi dy lloje (mashkullin dhe femrën), që ju të kujtoni (madhështinë e Zotit).”(13)
Rregullat e Sheriatit kërkojnë që dëfrimi të bëhet në bashkëshortësi, sepse kështu të dy bashkëshortët marrin përgjegjësi të njëjtë për një dominim të qëndrueshëm në shoqëri. Kjo duhet të jetë forma elementare e lidhjes martesore dhe stabilitetit të jetës familjare. Marrëdhëniet e ndërsjella nuk janë diç e përkohshme dhe kalimtare, përkundrazi, ato janë dhe duhet të jenë të përhershme, sepse nga marrëdhëniet e përkohshme rrjedhin pasoja të dëmshme për shoqërinë, ndërsa martesa është diç tejet serioze dhe e pranuar prej të dy palëve, që kërkon tolerancë dhe përpjekje që të jetohet në bashkësi dhe ti kontribuohet shoqërisë.(14)

Statusi i martesës në jurisprudencën islame

Statusi juridik i martesës te juristët e të drejtës së Sheriatit dallon në bazë të ndryshimit të gjendjes dhe situatës së njeriut. Martesa, për dikë është e obligueshme (farz), për dikë e dëshirueshme (mustehab), për dikë jo e pëlqyer (mekruh), e për dikë e ndaluar (haram).
Martesa është e obligueshme (farz) për burrin që ka kushte të mira materiale dhe që nuk është në gjendje të mbrohet prej jetës amorale.(15)
Martesa është e pëlqyer (mustehab) për burrin që ka nevojë për martesë, që mund të mbajë materialisht familjen, dhe që është i sigurt për vetën se mund të ruhet nga amoraliteti.
Martesa është jo e pëlqyer (mekruh) për të gjithë ata persona të cilët nuk kanë mundësi materiale për t'i siguruar gruas dhe familjes as gjërat më të nevojshme për një jetë normale, si ushqimin, veshmbathjen dhe të neglizhojnë detyrimet martesore, por që mund të përmbahet nga amoraliteti.(9)
Martesa është e ndaluar (haram) për burrat që nuk janë në gjendje t'i kryejnë detyrimet materiale ndaj bashkëshorteve, që vuajnë nga sëmundjet e rënda e të pa shërueshme ose që nuk mund të kenë marrëdhënie intime. Kur dikush e di se ai nuk është i aftë ti përballoj shpenzimet e martesës apo të plotësoj detyrimet e tij ndaj bashkëshortes, atij nuk i lejohet martesa pa ia sqaruar këtë bashkëshortes, ose pa u siguruar për aftësitë e tij për përmbushjen e të drejtave të saj.(17)
Nga sa u tha më sipër, mund të përfundojmë se e drejta e Sheriatit i rekomandon martesën secilit person që ka mundësi të mbajë familjen e të bëjë jetë normale bashkëshortore. Duke u martuar, njerëzit ruajnë më së miri moralin, shëndetin, familjen dhe shoqërinë.

Martesa, praktikë e të gjithë profetëve

Martesa është prej traditës së të gjithë profetëve. Zoti i Lartësuar thotë: “Ne dërguam edhe para teje (Muhamed) profet dhe atyre u mundësuam të kenë gra e fëmijë...”(18)
I Dërguari i Zotit Muhamedi (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të), gjithashtu në shumë porosi të tij na ka nxitur në bashkimin e personave të gjinisë së kundërt për lidhje martesore. Madje na tërheq vërejtjen se mos praktikimi i martesës është një lloj i mos praktikimit të traditës së tij dhe largim nga ajo, nga drejtimi i tij.
Pegamberi a.s. ka thënë: “Martesa është pjesë e praktikës sime jetësore dhe, kushdo që i largohet praktikës sime jetësore nuk është nga ne!”(19)
Nuk i lejohet myslimanit të aftë për martesë ta refuzojë aktin e tillë me pretekst se i përqendrohet vetëm Zotit, adhurimit të Tij dhe murgërisë, e largimit nga kjo botë. Muhamedi a.s. ua ka potencuar disa shokëve të tij të cilët anonin nga murgëria, se kjo mënyrë trajtohet si devijim nga rruga e Islamit dhe si refuzim i traditës së pejgamberit a.s.
Për shkak të tyre u shpall ajeti: “O ju që besuati Mos i ndaloni (mos i bëni haram) të mirat që për ju i lejoi Zoti (i bëri hallall), dhe mos e teproni se Zoti nuk i do ata që e teprojnë (i kalojnë kufijtë e dispozitave të Zotit).”(20)
I Dërguari i Zotit e ka nxitur dhe e ka lavdëruar martesën. Duke iu drejtuar rinisë, të cilët e kanë arritur moshën e pjekurisë, ai thotë: “O ju të rinji Cili prej jush ka mundësi për martesë, le të martohet, ngase ajo ju ruan më së miri nga e ndaluara...”(21)
Gjithashtu, ai ka thënë: “Kush martohet, e ka përmbushur gjysmën e besimit...”(22)
Islami marrëdhënien e burrit me gruan dhe kënaqjen e epshit me të e ka konsideruar ibadet, për të cilin ata do të kenë shpërblim.
Nga këto porosi, disa dijetarë e obligojnë martesën për çdo mysliman që ka mundësi për të, kurse disa të tjerë e kushtëzojnë për atë që s’mund të qëndrojë e ta mbrojë veten. Nuk i takon myslimanit të mos martohet nga frika prej pasurisë së paktë apo prej përgjegjësisë, por obligohet të përpiqet, të punojë dhe të presë begatinë nga Zoti, të cilën Ai ua ka premtuar të martuarve që dëshirojnë të jenë të pastër e të dëlirë.

1. http://burimijetes.info/bjnevv/index.php/tema/587-disa-ceshtje-rreth-marteses.
2. Muhamed ibën Salih el-Uthejmin, Martesa (Nikahu), Medine 2010, fq. 1.
3. En-Nisa, ajeti 21. Të gjitha ajetet kuranore janë marrë nga Kurani (Përkthim me komentim), të përkthyera e të komentuara nga H. Sherif Ahmeti, botuar në Prishtinë më 1988.
4. Muhamed Kutub, Dilemat rreth Islamit, Prishtinë, 2001, fq. 30.
5. En-Nisa, ajeti 3. 6. Hamude Abdulati, Islami në fokus, Shkup, 2000, fq. 229.
7. Err-Rrum, ajeti 21.
8. Irfan Abazi, Faredin Ebibi, Taxhedin Bislimi, Jusuf Zimeri, E drejta familjare në Islam, Shkup, 2004, fq. 56.
9. Hamude Abdulati, Struktura familjare në Islam, Shkup, 1995, fq. 53.
10. Hamude Abdulati, vep. e cit., fq. 229.
11. Shefik Kurdiq, Martesa dhe marrëdhëniet intime në Islam, Zenic, 2003, fq. 11.
12. Sejid Sabik, Legjislacioni i traditës së Profetit a.s., Tiranë, 2007, fq. 83.
13. Edh-Dharijat, ajeti 49.
14. Ahmed Hurshid, Jeta familjare në Islam, Shkup, 1999, fq. 21.
15. Kryesia e Bashkësisë Islame e Republikës Kosovës, Takvimi 2011, Prishtinë, fq. 102.
16. http:/www.mediaelir.net/lajm/1038 martesa-sipas- drejtes-islame.
17. Sejid Sabik, vep. e cit.,.fq, 92.
18. Kur'an, Kaptina Err-Rrad, ajeti 38.
19. Hadithin e transmetojnë Ibën Maxhe, Sunnen, Kitabu nikah, hadithi nr.1864.
20. Kuran, Kaptina El-Maide, ajeti 87.
21 Hadithin e transmetojnë Buharihu Sahih, Kitabu Nikah, hadithi nr. 5066.
22. Hadithin e transmetojnë Taberaniu dhe Hakimi, Sahih el-Xhami, hadithi nr. 6148.



LL.M. Argjent Xheladini
Dituria Islame 365


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme