Hafiz Sabit ef. Zajmi (1893 – 1975)

Abstrakt

Sabit Zajmi thërriste për emancipimin e femrës shqiptare, për të drejta të barabarta për shkollimin e saj krahas me mashkullin, drejt një shoqërie të emancipuar. Përveç në tubime familjare dhe fetare, këto predikime i artikulonte edhe në shkrimet e veta. Në shërbim të atdhetarizmit, si pjesë e inteligjencës islame të kohës, Sabit Zajmi propagandoi para dashamirëve dhe para xhematit që pjesëtarët e popullit, shumicë shqiptare, të mos i lënë vendbanimet e tyre për t’u shpërngulur për në Turqi.
Ai i ka tubuar gjithmonë myslimanet për t’i këshilluar. Përveç gjuhës arabe ka njohur edhe gjuhën perse e turke dhe letërsinë, ndërkohë që edhe vetë shkruante. Njëkohësisht ka qenë njohës i shkëlqyeshëm i feraizit (të drejtës trashëgimore të sheriatit). Çdo pëllëmbë e vendit tonë ka qenë e kënaqur me të. Sa personalitet i gjithanshëm ka qenë tregon ajo se ka qenë myderriz bashkëkohor.

I njohur në popull me epitetet: Haxhi Sabiti, Hafuz Sabiti, Mulla Sabiti, Haxhi Baba – Hafiz Sabit ef. Zajmi (në vijim: Sabit Zajmi)[1], lindi më 5 korrik 1893 (1311 sipas kalendarit hënor hixhri)[2]. Rrjedh nga një familje me tradita fetare, arsimdashëse e atdhetare.
Babai i tij Murat Jahja Zajmi ishte transferuar nga Peja[3] në Vushtrri që të punojë mësues dhe drejtor i një shkolle laike. Ndërsa e ëma Xhyle[4] Qallpani (më vonë Shala) ishte e ardhur në Vushtrri nga viset shqiptare të Malit të Zi.[5]
“Ndër 11 fëmijët e lindur në familjen e Murat Zajmit jetuan vetëm 4”[6]: Sabiti, Avniu, Hamdiu dhe motra e tyre Nafija, e ëma e Abdullah Zajmit.[7]
Sabit Zajmi kreu tetë vite të medresesë në Vushtrri[8] dhe katër vite të Medresesë së Lartë në Stamboll. Posedonte Ixhazetnamen (Diplomën) për kryerjen e Medresesë së lartë.[9]
Si medresist, ishte brumosur me edukatë të shëndoshë dhe kulturë të gjerë islame, veçanërisht nga myderrizi Haxhi ef. Selim Jashari (më vonë: Drejta) alias Haxhi Selim Sami efendi (në vijim Selim Drejta)[10], duke qenë nxënës i tij.
Me rastin e vdekjes së Selim Drejtës, këtij dervishi, shkrimtari, poeti, mendimtari dhe shehu të teqes Kadiri të degës Rezaki në Vuçitërnë,[11] Sabit Zajmi boton shkrimin me titull: “Një humbje e dhëmshme në botën islame”[12], nga i cili kemi shkëputur këto fragmente:

“Haxhi Selim efendiu, Myderriz dhe sheh në kasabanë e Vushtrrisë, udhërrëfyes i diturisë pandërprerë 40 vjet, ishte fëmija i mësuesit Hasan Tahsin efendiut. Gjyshi i tij ishte Jashar efendiu, njëri prej njerëzve të vyeshëm të qytetit, ku 20 vjet ishte udhëheqësi i Vakëfit e këtë e kreu pa kurrfarë kompensimi material. Babai i Jashar Efendiut ishte Haxhi Mahmud Efendiu, njeri i respektuar dhe mikpritës në qytetin tonë. Vdiq në Meke-i Mukerrem. Kështu, Haxhi sheh Selim Sami efendiu ishte nga brezi i njerëzve të çmuar, secili më i mirë se tjetri.
Hoxhë kishte Dagistanli Haxhi Abdyl-Kadir efendiun. Merhum Haxhi sheh Selim Sami efendiu, duke iu referuar pasardhësve të vet, i ka transmetuar dituri popullsisë islame me va’zë dhe udhëzime. Kështu që në vendin tonë nuk mund të mendohet jeta islame pa të në 40 vitet e fundit. Ai vetë ka marrë ixhazet-in e myderrizit dhe një herë ka dhënë ixhazet.
Ai i ka tubuar gjithmonë myslimanet për t’i këshilluar. Përveç gjuhës arabe ka njohur edhe gjuhën perse e turke dhe letërsinë, ndërkohë që edhe vetë shkruante. Njëkohësisht ka qenë njohës i shkëlqyeshëm i feraizit (të drejtës trashëgimore të sheriatit). Çdo pëllëmbë e vendit tonë ka qenë e kënaqur me të. Sa personalitet i gjithanshëm ka qenë tregon ajo se ka qenë myderriz bashkëkohor. Kur kishte qenë në Meke njerëzit të cilët kishin biseduar me të thoshin se “Kishte ardhë një dijetar nga Kosova”. Këtë e vërtetojnë edhe shtyllat e gazetave. Shoqëruesi i tij Sabiti njofton se Myderrizi Sheh Samiu, ndërroi jetë më 2.11.1951”.[13]
Gjatë shkollimit në medrese, përmes suksesit të treguar, Sabit Zajmi kishte dëshmuar të ketë qenë dijedashës. I pushtuar kështu nga dashuria e flaktë për dije, përkatësisht për thellimin e diturive dhe kulturës në përgjithësi, e të asaj islame në veçanti, ish-medresisti u cyt për arsimim të mëtejshëm. Mirëpo, për t’u arsimuar tutje, paraprakisht arsimdashësi duhej të përballej me një pengesë serioze: të kryente shërbimin ushtarak ose të lirohej nga ky obligim ligjor. U përcaktua për opsionin e dytë, pra të lirohej nga shërbimi ushtarak. Pikërisht për këtë arsye u detyrua që t’i nënshtrohet provimit të veçantë. Këtë pengesë e tejkaloi me sukses para komisionit kompetent. Kështu, u lirua nga shërbimi i detyruar ushtarak.[14]
S’do mend se tejkalimi i kësaj sfide ishte shprehje konkrete e njohurive të Sabit Zajmit të fituara gjatë shkollimit në medrese. Kështu pasoi regjistrimi i tij në Medresenë e lartë në Stamboll.
Pas përfundimit të studimeve katër vjeçare në Stamboll mori diplomën (ixhazetname).[15]
Në shërbim të fesë islame Sabit Zajmi ishte nga 11 korriku 1924[16] dhe kishte funksione nga më të ndryshmet: ishte mësues feje (mual-lim) në shkollën fillore (sibjan mektebi), anëtar (lexo: gjyqtar) në Gjykatën e Rrethit të Sheriatit, vaiz dhe ndihmës myderriz.[17]
Sabit Zajmi ka shërbyer nga 11 korriku 1924 deri më 31 janar 1944 në Vushtrri. Nga kjo datë e deri në çlirim ka punuar në Mitrovicë dhe Vushtrri.[18]
Për caktimin në këto pozita dhe ushtrimin e këtyre funksioneve u autorizua me akte formalo-juridike (vendime e dekrete) të autoriteteve përkatëse të kohës: Ministrisë së Arsimit[19], Ulema mexhlis (organ i lartë i udhëhequr nga Reis-ul-ulema në Sarajevë)[20], Ministrisë së Drejtësisë[21] dhe Këshillit të Bashkësisë Islame[22].
Punën e tij prej mësuesi të fesë (mual-lim) e kujton me respekt Ferhat Gërguri.[23]
Sipas tij, Sabit Zajmi ka qenë imam dhe vaiz në xhaminë e Çarshisë në Vushtrri nga viti 1956 deri në pension,[24] ku këshillonte xhematin sidomos ditëve të xhuma dhe festave të Bajramit.
Sabit Zajmi ishte i pari që filloi me mësim-besimin islam në Vushtrri në vitin 1957 në përputhje me ligjet e kohës[25] në xhaminë “Karamanli” e nganjëherë edhe në ambientet e shtëpisë së vet, për disa të interesuar.
Në vitin 1953 zgjidhet anëtar i Këshillit Suprem të Bashkësisë Islame me seli në Sarajevë. Ndërsa, në vitin 1954 shkon në haxh.
“Përveç këtyre detyrave, h. Sabit ef. Zaimi ka qenë edhe kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Vushtrrisë dy herë me mandat 4 vjeçar, në vitin 1949 dhe 1960.”[26]
Njohja e disa gjuhëve orientale (arabe, turke e perse) i mundësuan Sabit Zajmit që t’i qaset studimit të literaturës islame, përkatësisht orientale.[27] Për rrjedhojë, u bë burim serioz i të dhënave, lajmeve dhe njoftimeve të rëndësishme e të dobishme që hidhnin dritë në ndriçimin e rrethanave të caktuara të jetës e veprimtarisë së kolosëve (p.sh. Hasan Prishtina, Selim Drejta) dhe ngjarjeve me rëndësi të veçantë (shpërnguljet nga Kosova në Turqi). Kësisoj, ka tërhequr vizitorë të shumtë, me profile nga më të ndryshmet, siç kanë qenë: Prof. Dr. Hasan Kaleshi, Dr. Abdylatif Arnauti dhe Fejzullah Haxhibajriq (që të tre orientalistë), prof. Dr. Jashar Rexhepagiqi (pedagog), etj., të cilëve iu ka ofruar të dhëna të dobishme gjatë veprimtarisë së tyre prej studiuesi empirik në terren.
Veçojmë kontributin konkret të Sabit Zajmit dhënë Jashar Rexhepagajt (Jashar Rexhepagiqi) për pasurimin e shkrimit të tij profesional “Zhvillimi i shkollave shqipe ne kohën e Luftës së Parë Botnore”.[28] Duke iu referuar narratorit, në këtë punim artikullshkruesi Rexhepagiqi, paraprakisht[29] ka theksuar se “u sigurua kuadri për shkollat… shkolla fillore katërvjeçare në Vuçitërnë, e cila punoi dy vjet, e ku ndër mësuesit dallohen Emin Efendiu prej Prizreni…”[30]. Më pas, duke zbërthyer edhe detaje të tjera interesante lidhur me shkollat dhe arsimin në Vushtrri i referohet memories së Sabit Zajmit, Jashar Rexhepagiqi shkruan:
“Sabit Efendi Zajmi, 70 vjeç ende i mban në mend mësimdhënësit në Vuçitërnë, ndërtesën e shkollës, nxënësit. Ai thotë se shkolla kishte banka e libra, që vijshin prej Austrije e Shqipnije. Simbas mendimit të tij, shkollën e Vuçitërnës e ka hapë Hasan Prishtina, i lindur në Vuçitërnë. Biseda u zhvillue më 25 korrik të vjetit 1962.”[31] Në vijim do të sjellim një tjetër kontribut të Sabit Zajmit dhënë po ashtu Jashar Rexhepagiqit në kuadër të grumbullimit të informacioneve për personalitetin e Selim Samiut.
“Nga dokumenti i udhëtimit me nr. 4355/1932 të cilin ma ka treguar më 24 korrik 1962 Hafiz Sabit efendi Zajmi… shihet se sheh Samiu atë vit (1932) kishte vizituar shumë shtete dhe kishte mbërri në Meke”.[32] Thuhej se “ka ardhur një njeri shumë i arsimuar nga Kosova”, kishte treguar Sabit Zajmi.[33]
Se çfarë dëshmish ka poseduar Sabit Zajmi për jetën dhe punën e Selim Drejtës dhe çfarë gatishmërie ka manifestuar për t’iu përgjigjur pyetjeve të Jashar Rexhepagiqit, ky shprehet: “Dokumentet dhe dorëshkrimet m’i ka treguar dhe shumëçka më ka kumtuar më 24.VII.1972 Hafiz Sabit ef. Zajmi në Vuçitërnë”.[34]
Tutje, duke bërë fjalë përkitazi me dervishët, teqetë dhe tarikatet, Jashar Rexhepagiqi pohon se “të dhëna tepër të rëndësishme kam marrë nga veprimtarët kulturorë dhe njohësit e historisë së kësaj fushe, të cilët nuk janë më në jetë… hafiz Sabit efendi Zajmi…”[35]. Por jo vetëm kaq. Sabit Zajmi veçohej edhe si njohës i veprimtarisë patriotike të Hamdi Gashit, bashkëkohës i Hasan Prishtinës.[36] Sabit Zajmi, (bashkë me dy vëllezërit e tij, Avniun dhe Hamdiun) ishte mbështetës i ideve të Ballit Kombëtar.[37]
Në dokumentet arkivore dhe literaturën historike Sabit Zajmi konsiderohet të ketë qenë njëri ndër bashkëpunëtorët e Ferhat Bej Dragës, kryetar i “Xhemijetit” (Bashkimit), 1921[38], “Organizatë për mbrojtjen e të drejtave të myslimanëve”. Prandaj, Sabit Zajmi ngjalli kureshtjen e regjimit të kohës për çka “qeveria jugosllave e kishte në listën e armiqve të Jugosllavisë”[39], ngase përkrahte dhe punonte për përhapjen e arsimit në përgjithësi, me “qëndrim patriotik ndaj shkollës shqipe” [40], ndërkaq në veçanti ishte “i përkushtuar për arsimimin dhe edukimin islam të popullit”.[41]
Sabit Zajmi thërriste për emancipimin e femrës shqiptare, për të drejta të barabarta për shkollimin e saj krahas me mashkullin, drejt një shoqërie të emancipuar. Përveç në tubime familjare dhe fetare, këto predikime i artikulonte edhe në shkrimet e veta. Në shërbim të atdhetarizmit, si pjesë e inteligjencës islame të kohës, Sabit Zajmi propagandoi para dashamirëve dhe para xhematit që pjesëtarët e popullit, shumicë shqiptare, të mos i lënë vendbanimet e tyre për t’u shpërngulur për në Turqi. Me sjellje të këtilla rreth emancipimit të femrës dhe shpërnguljeve për në Turqi, Sabit Zajmi ngriti dyshime në regjimin serb dhe për pasojë, thirrej në “biseda informative”, ose zyrtarët i shkonin në shtëpi për “vizitë”.
Në fushën e krijimtarisë letrare, veçojmë poezinë e Sabit Zajmit me karakter fetar (ilahi) titulluar “Jemi çunat e kaderisë” [42] e cila këndohej nëpër tubime familjare e fetare. Duke iu atribuuar përmbajtjes së saj, kjo ilahi rezulton të jetë frymëzuar nga rendi i dervishëve, përkatësisht tarikati Kadiri. Është mjaft emocionale, sepse flitet me emocione të fuqishme, të thella. Kjo ilahi për motiv ka dashurinë ndaj Allahut dhe Profetit Muhamed (a.s.).
Në kuadër të krijimtarisë letrare, mbase duhet përmendur edhe udhëpërshkrimi i tij për në haxh botuar në revistën “Glasnik” të Kryesisë Supreme të Bashkësisë Islame të RPFJ në Sarajevë. Këtu, Sabit Zajmi mëton të ofrojë informata interesante, duke përshkruar përjetimet e veta përgjatë rrugëtimit të gjatë e të mundimshëm për në haxhillëk, bukuritë e vendeve dhe të ambienteve të vizituara, monumentet historike e të kulturës islame në Arabinë Saudite, mënyrën e jetesës së popullsisë arabe, ngjarjet kryesore, mbresat që i kanë lënë këto vizita dhe mendimet, që i kanë lindur gjatë këtij haxhi.
Po ashtu në “Glasnik” Sabit Zajmi shkroi artikuj me tematikë nga arti, shkroi për trashëgiminë kulturore, veprat e vjetra me vlera artistike e historike të Vushtrrisë: Kalanë, Urën e Gurit, Hamamin, xhamitë, etj.
Sabit Zajmi shquhet si njëri ndër bashkëpunëtorët me të afërm të Selim Drejtës, i cili kishte jetuar në teqenë KadIri, dega Rezaki në Mitrovicë.[43] Pastaj, “ka njohur shkëlqyeshëm gjuhën turke, arabe dhe perse”. [44] Po ashtu, “çmohet si krijues i rëndësishëm”[45] i poezive e “me merita të veçanta për letërsinë e popullit mysliman”. [46]
Ish-nxënësi i tij, Abdylkader Galica, duke përshkruar aspektin edukativ, etik të hoxhës së tij, thekson se Haxhi Hafiz Sabiti ishte “shembull me ahlak (moral) të mirë njerëzor dhe si pedagog” i cili “në vend të ndëshkimit fizik shprehej me fjalë të gjuhës së tij të ëmbël, mëshiruese dhe shëruese, që na bënin të turpërohemi nga vetvetja”. Për kontributin në arsimin fetar, tregon se prej tij “kanë dalë dhjetëra gjenerata, qindra nxënës… hoxhë dhe hafizë”, duke shtuar, nga ky hoxhë “unë mësova leximin e Kur’anit”. Ndërkaq, duke bërë fjalë për virtytet e tij prej mësuesi fetar, thekson se “gjatë ligjërimit kur interpretonte ngjarje të pakëndshme ndjente dhembshëri dhe kërkonte mëshirën e Zotit për mëkatarin… butësia dhe mirësjellja ishin cilësi të karakterit dhe shpirtit të tij”. Njerëzit i “shikonte me dashuri dhe buzëqeshje” dhe “i pari i përshëndeste”. Nuk ishte “krenar e mendjemadh” por “modest” i cili “nefsin (egon) e kishte edukuar në gradën e përkryer (Nefsi Kamile). Kësisoj, ishte “i brumosur me virtyte të larta të moralit Muhamedan. Udhërrëfyes i kishte: Kur’anin dhe Tesavvufin”.[47]
Sabit Zajmi doli në pension në vitin 1965, kur ishte në pozitën e Kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame dhe imam i xhamisë së Çarshisë në Vushtrri.
Pas një sëmundjeje disa vjeçare, ai kaloi në Ahiret në moshën 82 vjeçare, më 10 mars 1975 në Vushtrri.
Aspektet e shpalosura në këtë jetëshkrim rreshtojnë Sabit Zajmin ndër personalitetet e shquara fetare të komunës së Vushtrrisë, sepse, siç u pa, shërbimet e tij ishin në interes të kombit, fesë dhe arsimit. Por, kujtojmë se ekzistojnë edhe një mori aspektesh të tjera të rëndësishme, që nuk u zunë në gojë më sipër e që objektivisht meritojnë të hulumtohen dhe studiohen. Ç’është e vërteta, vetëm një shestim i gjithanshëm e i argumentuar i burimeve të ndryshme; njohjet personale, dokumente arkivore, letra, tregime të farefisit të tij, anekdotat, kujtimet, etj., do të nxirrte rezultate të besueshme për të dhënë një tablo besnike të jetës dhe veprimtarisë së Sabit Zajmit, përfshirë këtu edhe idealet që ka ushqyer për së gjalli.



___________________________________
[1]. Në dokumente zyrtare dhe në publicistikë, pos mbiemrit Zajmi, është përdorur edhe mbiemri Zaimi. Gjatë hartimit të këtij artikulli vlerësuam përfundimisht se mbiemri Zajmi është i drejtë dhe i saktë. Prandaj këtë mbiemër do ta përdorim në vijim. Duke u mjaftuar me këtë sqarim leksik tani për tani, sqarimi plotësues mund të bëhet në një rast tjetër më të përshtatshëm.
[2]. Këtë e konfirmon Certifikata e vdekjes lëshuar nga MPB, Agjencia e Regjistrimit Civil, Vushtrri, datë 31 maj 2019 me nr. ref. 27/1975SRV/27001, nr. ren. 23 dhe nr. ser. V 10266956. Pretendojmë se duhet marrë si datë e saktë të datëlindjes data 5 korrik 1893 në raport me datën 8 korrik 1893 e cila figuron në Pyetësorin e Këshillit të Vakëfit në Vushtrri, datë 18.9.1951 në Vushtrri.
[3]. Sipas disa burimeve, në Pejë janë vendosur disa nga paraardhësit e Murat Zajmit pasi janë shpërngulur nga fsh. Kuqishte e Rugovës prej nga ka pasur prejardhjen familja Zajmi.
[4]. Ky është emri i nënës së Sabit Zajmit sipas Certfikatës së vdekjes lëshuar në emër të Sabit Zajmit nga MPB Agjencia e Regjistrimit Civil në Vushtrri (Gjylshe) me 31 maj 2019 nr. ser. V 10266956, nr. refer. 27/1975RV/27001, nr. rend. 23. Ndërkaq, sipas dorëshkrimit të Abdullah Zajmit: “Autobiografi dhe kujtime” , Prishtinë, 1998, f. 2, emri i nënës së Sabit Zajmit ishte Gjylshe. “… familja e Gjylshes ka ardhur…” Genc A. Zajmi, në monografinë “Avni Zajmi – Kronikë e një jete shekullore”, Tiranë 2010, f. 14 përmend emrin Gjylistan. “…Atje martohet me Gjylistanin, edhe…”
[5]. Shih: dorëshkrimin e Abdullah Zajmit “Autobiografi…”, f. 2.
[6]. Genc A. Zajmi: Avni Zajmi, Kronikë e një jete shekullore, Kujtime e shënime rreth jetës dhe veprimtarisë së “Mësuesit të popullit” Avni Zajmi, Tiranë, 2010, f. 17. Sabiti, Avniu, Hamdiu, derisa vajza Nafija, vdiq e re dhe la pas vetes tre fëmijë të vegjël.
[7]. Që të tre këta ishin dajallarët e Abdullah Zajmit, përkatësisht vëllezërit e nënës së Abdullah Zajmit, një personalitet i shquar i arsimit tonë kombëtar. Këta të tre brenda mundësive që kishin kontribuuan për shkollimin e nipit të tyre. Madje, Avni Zajmi edhe e adoptoi pranë autoriteteve shqiptare, duke i dhënë mbiemrin Zajmi. Shih Dr. Abdullah Vokrri: Mësues në Kosovë e në Shqipëri – Personalitete të shquara të arsimit tonë kombëtar, Prishtinë, 2008, f. 13.
[8]. Shih studimin e Jashar Rexhepagiqit Dervishët, rendet dhe teqet, 1999, Pejë, f. 133. Duke iu referuar kronistit turk Evlia Çelebiu, autori thekson se në qytezën e Vushtrrisë kishte ekzistuar medreseja qysh në gjysmën e dytë të shek. XVII.
[9]. Pyetësori për zyrtarin fetar Sabit Zaimi, lëshuar nga Këshilli i Vakëfit në Vushtrri, datë 18 shtator 1951.
[10]. Në veprën e vet “Dervishët…” në f. 237 Jashar Rexhepagiqi e cilëson Myderrizin Selim Drejta nga Vushtrria (1884-1951), si “mendimtar i madh”. Madje, sipas tij, “përkah kuantiteti e deri diku edhe përkah përmbajtja ai i është afruar veprimtarit, mendimtarit e njeriut të madh të kulturës e njëkohësisht edhe intelektualit shumë përparimtar – shehut të teqes së rendit Melami nga Prizreni, Haxhi Ymer Lutfi Paqarizi”.
[11]. Shih Studimin e Jashar Rexhepagitit: “ Dervishet, …”, f. 169..
[12]. “Glasnik” Vrhovno islamsko stasresinstvo FNRJ në Sarajevë, nr. 11-12, të vitit 1951.
[13]. Në fakt, këto fragmente janë marrë nga fq. 5 e parathënies së autorit Fejzullah Haxhibajriq, njëherit edhe përkthyes i veprës së Selim Drejtës “Tuhfa” (“Dhuratë”) nga gjuha turke në atë boshnjake, më 1996 në Malmo të Suedisë. Shqipërimi i fragmenteve nga boshnjakishtja është i autorit të këtij shkrimi.
[14]. Fjalë rasti nga Teufik Shala, lexuar gjatë ceremonisë së varrimit të Sabit Zajmit te varrezat e qytetit në Vushtrri (Muzahirim ve mansurum esselamu elejkum ehi fil-lahim).
[15]. Pyetësori i Këshillit të Vakëfit…
[16]. Po aty.
[17]. Po aty.
[18]. Po aty.
[19]. Po aty, nr. 17087, datë 11 gusht 1924.
[20]. Po aty, nr. 3285, datë 29 shtator 1933. Këshilli i Bashkësisë Islame, Po aty, nr. 972, datë 31 maj 1943.
[21]. Po aty, nr. 3719, datë 31 janar 1944.
[22]. Po aty, nr. 366, datë 1 shtator 1950.
[23]. Përkujtim në prag të 30 vjetorit të vdekjes së H. Sabit ef. Zaimit 1893-1975, botuar në Revistën mujore, fetare, kulturore e shkencore Dituria islame, 2004 nr. 166 f. 62. Po ky autor, ia kishte kushtuar edhe një shkrim, tjetër Sabit Zajmit me titullin “Haxhi hafiz Sabit Zaimi – efendija (merhum)”, i cili u botua në “Glasnik” të Sarajevës më 1976, f. 702.
[24]. Shih: Ferhat Gërguri në shkrimin e tij “Perkujtim…” f. 62 . Tutje, nga shënimet e mbajtura gjatë bisedës që kam pasur me Ferhat Gërgurin, ky më ka kumtuar se duke qenë në pozitën e Sekretarit të Këshillit të Xhematit në Vushtrri kishte bashkëpunuar gjashtë vjet me Sabit Zajmin derisa ishte Kryetar i Këshillit të xhematit.
[25]. Shih: Dr. Feti Mehdiu, Hafizët tanë gjatë historisë, Leksikon (shek. XVIII-2010), Prishtinë 2010, f. 297.
[26]. Shih për këtë artikullin: “Përkujtim …”, f. 62.
[27]. Gjatë vizitës që i bëri vëllait të vet Sabit Zajmit në vitin 1972, Avni Zajmi, i fali një pjesë teë librave të vëllait të vet Bibliotekës se Qytetit të Vushtrrisë.
[28]. Shih: Revista kulturore dhe shkencore “Përparimi” në Prishtinë, nr. 5-6, 1963, f. 339-352.
[29]. Po aty, f. 348-349.
[30]. Po aty, f. 349.
[31]. Jashar Rexhepagiqi, studim, “Dervishët…”, f. 172.
[32]. Shih: Jashar Rexhepagiqi, studim,” Dervishët…”, f. 172.
[33]. Po aty, f. 172.
[34]. Po aty, f. 173, fusnota 47. Këtu po përmendim një të dhënë shumë personale të Sabit Zajmit të cilën ia ka kumtuar autorit të këtij shkrimi e ëma e ndjerë Hadixha, përndryshe vajza e Sabit Zajmit. Sipas saj, duke qenë i vetëdijshëm për vlerën e madhe kombëtare, shpirtërore, kulturore, letrare, historike dhe shkencore të fondit librar dhe fondit dokumentar (dorëshkrime islame) që kishte lënë trashëgim Haxhi Selim Sami efendiu, Sabit Zajmi pati ngel me merak që nuk arriti ta blejë këtë fond kaq të çmuar e të pasur bibliotekar të trashëgimlënësit islam për shkak të pamundësisë financiare prandaj këtë çështje e ka përsërit e ripërsërit brendapërbrenda familjes. Familja trashëgimtare këtë fond bibliotekar ia kishte shitur blerësit nga Gjakova, një personaliteti të mirënjohur fetar të kohës.
[35]. Shih Studimin e Jashar Rexhepagiqit Dervishët, f. 8.
[36]. Shih: Tafil Morina, “Mustafë Venhari – mësues qëndrese”, monografi Prishtinë, 1998, f. 12-17. Hamdi Gashi ka lindur në Vushtrri më 1882. Me çlirimin e Shkupit nga patriotët shqiptarë, më 1912, “kryen detyrën e oficerit të lartë të policisë. Në vitin 1941 Hamdiu kthehet në vendlindje në Vushtrri”. Gjatë përpjekjeve të xhandarmërisë serbe për ta arrestuar, arratiset për në Shqipëri dhe vendoset në Fier. Pas një kohe dërgohet në Romë ku kryen studimet në Akademinë ushtarake, duke marrë gradën major. Me t’u kthyer në Fier emërohet komandant i xhandarmerisë policore. Në vitin 1942 kthehet në Vushtrri ku emërohet nënprefekt i Nënprefekturës së Shqipërisë, ndërsa në vitin 1943 emërohet nënprefekt i Nënprefekturës së Skenderajt, deri në vitin 1945 kur vendoset në Prishtinë. Këtu arrestohet dhe dënohet me burg të përjetshëm. Mirëpo, ky dënim i zëvendësohet më vonë me dënim me vdekje. Ekzekutimi i aktgjykimit realizohet më 23 qershor 1945 në Mitrovicë.
[37]. Shih: Hilmi Saraqi, Haxhi efendi Selim Drejta – fetar, atdhetar e mendimtar i shquar, gazeta “Bota sot”, datë 28 gusht 2001, fq. 19.
[38]. Shih: Jusuf Osmani – Asllan Murati, Ferhat Bej Draga, Shembull atdhetarie – dokumente, Kolegji AAB, Prishtinë, 2018, f. 470, pika 206 titulluar “Bashkëpunëtorët e Ferhat Bej Dragës. Bashkautorët e librit Osmani dhe Murati, duke iu referuar dokumentit arkivor të Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Serbisë, koleksioni i dosjeve 70 9 B0027, f. 182-185 konfirmojnë faktin se Sabit Zajmi kishte qenë bashkëpunëtor i Ferhat bej Dragës. Bashkautorëve si burim iu kishte shërbyer libri titulluar Surova vremena na Kosovu i Metohiju, Beograd, 1991, f. 14-15 i bashkautorëve Branisllav Bozhovic e Milorad Vavic.
[39]. Shih: Dr. Feti Mehdiu: “Hafizët…”, f. 297.
[40]. Po aty, f. 297.
[41]. Shih: Dr. Feti Mehdiu: “Hafizët…”, f. 297.
[42]. Nexhmedin Tunuzliu, dorëshkrim, përmbledhje ilahishë, “Ilahi mexhmuasi”, 6.4.1989:, f. 53: Sipas tij” kjo ilahi u shënua nga H. Hafiz Sabit efendiu më 15.01.1964, i cili është edhe autor origjinal i ilahisë së lartshënuar”.
[43]. Shih Studimin e Jashar Rexhepagiqit: “Dervishët…”, f. 171.
[44]. Po aty, f. 173.
[45]. Po aty, f. 205
[46]. Po aty, f. 268
[47]. Nga dorëshkrimi i Abdylkader Galicës, datë 9 korrik 2019.



Nga: Feti TUNUZLIU, Mitrovicë, Kosovë
/zaninalte.al/


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?