Kampionati Botëror “Qatar 2022”, spektakël sportiv apo mundësi e njohjes me Islamin


Si u caktua Katari nikoqir i Kampionatit Botëror dhe cilat janë specifikat?

Në kongresin e FIFA-së, të mbajtur në Francë, në vitin 2010, u hodh shorti për nikoqirin e Kampionatit Botëror 2022, ku me shumicën e votave, shteti i Katarit fitoi të drejtën, andaj kompeticioni më i madh botëror i futbollit, është duke u zhvilluar në shtetin e gadishullit arabik, në Katar.
Sipas shumë ekspertëve të sportit, njëkohësisht zyrtarëve të shtëpisë më të madhe të futbollit - FIFA-së dhe shumë mediave botërore, temperaturat e larta janë një nga problemet më të mëdha për zhvillimin e Kampionatin Botëror në këtë shtet.
Mirëpo, investimi marramendës i shtetit të Katarit, për të realizuar një kompeticion siç është Kampionati Botëror, me anë të instalimeve të ventilatorëve apo klimatikëve të ndryshëm, do të arrijë edhe në zvogëlimin e vapës së madhe.
Përveç kësaj, kryeministri i atëhershëm i Katarit, sheikh Hamad bin Jassim al- Thani, premtoi se do të ndërtojnë 7 stadiume të reja, pasi që një stadium, i cili i plotësonte kriteret e FIFA-s, e posedonin edhe më herët.
Njëri nga 8 stadiumet e ndërtuara, (stadiumi 974) është i ndërtuar i tëri nga kontejnerët, njëkohësisht është përfolur që do t'i dhurohet në formë dhurate shtetit të Kosovës, e që ka nevojë të madhe për një stadium me standarde të atij llojit.

Si mund të shërbejë një kampionat sportiv, si rast njohje me islamin?

Duke pasur parasysh që Katari është një shtet islam, atëherë që nga ceremonia e hapjes së këtij kampionati, mbizotëronte një aromë fetare, ku edhe filloi me citimin e ajetit të 13-të, të sures Huxhurat: "O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s'ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur, e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë."
Pjesë e ceremonisë hapëse, ishte edhe aktori i njohur, Morgan Freeman, ku gjatë fjalimit të tij, përçoi mesazhe për unitet dhe bashkim.
"Ne mblidhemi këtu si një fis i madh dhe Toka është tenda në të cilën jetojmë të gjithë" - ishin disa nga fjalët e aktorit të njohur amerikan.
Ghanim al- Muftah, ambasadori i Kampionatit Botëror, një djalosh me aftësi të kufizuar, ishte gjithashtu pjesë e ceremonisë hapëse, i cili, nën hijen e ajetit, bënte thirrje për pikat e përbashkëta e universale ndërmjet njerëzve dhe detyrimin e njohjes ndërmjet tyre.
Para se të fillonte ky kompeticion, zyrtarët e lartë të Katarit, kanë paralajmëruar shtëpinë e madhe të futbollit - FIFA-n, se disa veprime do të ndalohen, ndër to: prija e alkoolit, veprimet e shthurura e perversiteti amoral, provokimet e ndryshme, sharja apo fjalët ofenduese, mosrespektimi i vendeve të adhurimit, muzika shurdhuese dhe fotografimi i njerëzve pa lejen e tyre. Këto ndalesa të vendosura nga Katari, janë të aprovuara edhe nga shtëpia e madhe e futbollit - FIFA. Vendimet e tilla natyrisht se nuk është që iu kanë pëlqyer një pjese të madhe të ithtarëve të këtij sporti, meqë ata nuk janë mësuar me respektimin e një disipline të tillë.
Megjithatë, presidenti i tanishëm i FIFA-s, Gianni Infatino, ka mbajtur një konferencë për media, një ditë para se të fillonte kompeticioni, duke u arsyetuar dhe duke thënë se duhen respektuar këto rregulla.
Infatino e filloi konferencën duke thënë: "Përpara se të fillojmë t'u japim mësime morale njerëzve, unë mendoj se për atë që ne evropianët kemi bërë 3000 e fundit, duhet të kërkojmë falje për 3000 vjetët e ardhshme"
Ai ka arsyetuar vendimin e ndalimit të pirjes së alkoolit në ambientet e stadiumit, duke thënë: "Nëse nuk mund të pish birrë për tri orë, mendoj se mund të mbijetosh. Ka shumë vende që ndalojnë alkoolin në stadium e, siç është Franca, por duke qenë se Katari është një vend mysliman, ky është hjë problem."
Në shtetin e Katarit, ekziston ligji për tolerancën fetare, i cili dënon ofendimin e Islamit, Krishterimit dhe Jehudizmit.
Qarkullimi i teksteve që provokojnë mosmarrëveshje fetare ose përmbajnë materiale që shpifin njërën nga këto tri fe, është një vepër e dënueshme. Qeveria e Katarit monitoron dhe censuron faqet e internetit, gazetat, revistat dhe librat nëse ato veçse shfaqin përmbajtje që konsiderohen nënçmuese të këtyre feve.
Gjatë Kampionatit Botëror, vërejmë se ka një rend, i cili në thelb ka promovimin e vlerave të Islamit, ngaqë në dhomat e hoteleve të ndryshme në Katar, gjithandej ekziston nga një barkod (QR Code), nëpërmes të cilit shpërfaqen disa mësime të shkurta fetare, hadithe profetike dhe një përmbledhje e shkurtër rreth fesë islame.
Zyrtarët shtetëror kanë urdhëruar që në çdo xhami afër stadiumeve të thërritet ezani nga zërat më të bukur të myezinëve të shtetit të tyre, në mënyrë që zëri i tyre të jetë një arsye që tifozët e huaj të mahnitën nga zëri i bukur dhe të shprehin interesim për fenë islame. Përveç kësaj, janë vendosur zmadhues të zërit në çdo cep të 8 stadiumeve ku zhvillohen ndeshjet e Kampionatit Botëror.
Gjithashtu, një ekip i madh i të punësuarve do të jenë pritës të mysafirëve në qendrën e tifozëve (Qatar Guest Center), të cilët janë të përgatitur për të prezantuar Islamin, në mënyrë që popujt e ndryshëm ta njohin më mirë fenë islame dhe t'i largojnë paragjykimet dhe perceptimet e gabuara ndaj kësaj feje dhe myslimanëve në përgjithësi, njëkohësisht janë ftuar edhe shumë dijetarë, të cilët do të organizojnë tribuna e tryeza të ndryshme me tematika islame.
Përveç kësaj, nën patronatin e Ministrisë së Vakëfit në Katar, është organizuar një ekspozitë për prezantimin e historisë dhe qytetërimit islam, e cila është e përkthyer në disa gjuhë të ndryshme.
Rezultatet e këtij organizimi, janë duke reflektuar pozitivisht që nga dita e parë.
Shkëmbimet e kulturave janë përhapur apo zgjeruar me metoda të ndryshme, duke mbuluar botën me kulturë, shkencë, emigrim dhe metoda të ndryshme bashkëkohore. Pas kësaj, mund të themi se një nga metodat e shkëmbimeve apo njohjeve të kulturave të ndryshme, mund të jenë edhe organizimet sportive, siç është edhe formati i Kampionatit Botëror. Nëse jo të tjerët para tij, ky kampionat nuk konsiderohet vetëm ngjarje e thjesht sportive, për më tepër është organizim ndërkulturor e civilizues, që në një botë të rrëmbyer nga stuhia e mosdurimit të tjetrit, duket se formati i tillë do të jetë tejet i bukur.



Dituria Islame 384