Një herë e një kohë, thuhet se ka qenë një plep i madh njëqind vjeçar e njëqind metra i gjatë, me trung që nuk e mbërthenin dot dy burra.
Një ditë të ngrohtë pranvere, pranë plepit mbin një fare kungulli e cila çdo dite rritej nga pak, duke lëshuar dhe lastarët e parë. Duke mos pasur ku të kacavirrej, kungulli i tha plepit:"O plep! A më lejon të kacavirrem për trungut tënd?" dhe plepi e lejoi.
Kungulli i cili po rritej me shpejtësi duke u ndikuar edhe nga shiu dhe dielli, arriti lartësinë e plepit. Kur koka i arriti majën e plepit me një shpejtësi aq të madhe, një ditë nuk duroi dot dhe e pyeti plepin: “Për sa vite je bërë kaq i gjatë?”
“Për njëqind vite e kusur, o kungull”, iu përgjigj Plepi.
Kungulli qeshi duke i lëkundur lulet dhe i tha: “Për njëqind vite!? Unë për dy muaj pothuajse kam arritur të njëjtën gjatësi me ty.”
Plepi ia ktheu: “E vërtetë... Shumë e vërtetë.”
Ditët pasuan njëra-tjetrën. Kur filluan të frynin erërat e vjeshtës, kungulli së pari kishte të ftohtë, pastaj gjethet filluan t’i binin një nga një. Sa më shumë që shtohej i ftohti, aq më shumë filloi të ulej poshtë.
Kungulli e pyeti plepin me një shqetësim dhe pikëllim të madh: “Çfarë po më ndodh kështu?”
Plepi iu përgjigj: “Po vdes.”
Kungulli rënkoi dhe e pyeti përsëri: “Përse?”
Përgjigja që mori ishte shumë domethënëse: “Për shkak se u përpoqe të arrije për dy muaj në vendin që unë kam arritur për njëqind vite.”