Sunetet e ushqimit dhe pijes në Islam dhe rregullat etike të tyre

Pikëpamja e myslimanit për gjërat nuk është e njëjtë me pikëpamjen e të tjerëve. Ai gjithmonë i lidh veprimet e tij me Zotin e Madhëruar. Andaj, ai nuk e bën ushqimin dhe pirjen e tij një çështje rutine, por ai e bën nijetin e tij në këtë ushqim dhe pije për Zotin dhe synon që më të ta forcojë trupin në bindje ndaj Tij.
Dr. Ilmije KUQI

Zoti i Plotfuqishëm ligjësoi mësimet e Islamit, rregullat dhe etiken e tij, për të organizuar të gjitha çështjet e jetës së njeriut dhe për të ngritur sjelljen e individit dhe shoqërisë, në adhurim, ushqim, pije, veshje, martesë dhe aspekte të tjera të jetës. Ai ka sjell një sistem edukativo-moral që kontrollon sjelljen e myslimanit me një shkallë të ndjeshme në të gjitha aspektet e jetës së tij. Në mesin e këtij sistemi edukativo-moral është edhe çështja e ushqimit dhe pijes. Edhe ngrënia, edhe pirja kanë rregulla etike islame, që duhet t’i ndjekë myslimani. Ne e dimë se vendet dallohen nga etika e mirësjelljes dhe ato mund të ndryshojnë sipas ndryshimit të kohërave. Por, ajo që e dallon atë etikë që e ka vendosur Islami, është se ajo është një etikë e përgjithshme, e qëndrueshme, në të gjitha vendet dhe në të gjitha kohërat. Prandaj, shtrohet pyetja: Cila është etika që solli Islami për të kontrolluar sjelljen e myslimanëve në tavolinat e ushqimit dhe pijeve? Apo më fjalë të tjera, cilat janë sjelljet e një mysliman kur ha dhe pi?
Para përmendjes së tyre, është e domosdoshme të theksohet se sunetet dhe rregullat etike që Islami nxit në tryezën e ngrënies janë të shumta. Disa prej tyre janë para ngrënies, disa prej tyre gjatë ngrënies dhe disa pas ngrënies. Në vijim do të mundohem që t’i paraqesim ato që përsëriten çdo ditë.

Sunetet dhe rregullat etike para ngrënies dhe pirjes

Ndër sunetet e ngrënies është që me ngrënie dhe pirje të synohet forcimi i trupit për adhurim dhe jo të bëhet me qëllim kënaqje me të.(1) Kjo në mënyrë që për këtë personi të shpërblehet, ngase e lejuara me nijet të mirë shndërrohet në ibadet, për të cilën njeriu shpërblehet, duke u bazuar në hadithin, të cilin e transmeton Umeri r.a., se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Me të vërtetë, veprat shpërblehen sipas qëllimit.”(2) Prandaj, pikëpamja e myslimanit për gjërat nuk është e njëjtë me pikëpamjen e të tjerëve, por ai gjithmonë i lidh veprimet e tij me Zotin e Madhëruar. Andaj, ai nuk e bën ushqimin dhe pirjen e tij një çështje rutine, por ai e bën nijetin e tij në këtë ushqim dhe pije për Zotin dhe synon që më të ta forcojë trupin në bindje ndaj Tij.
Në mënyrë që Zoti të lëshojë bereqet në ushqim, myslimani përpiqet të jetë në një vijë me sunetin, ku synon që gjatë ngrënies të jetë me të ndonjë person tjetër apo edhe më shumë se një person, e kjo e fundit do të ishte më e mirë. Kjo, ngase në ushqimin në të cilin gjinden shumë persona, Allahu lëshon bereqet, e këtë e dëshmojmë me hadithin, të cilin e transmeton Vahshiu r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Tubohuni rreth ushqimit tuaj dhe përmendeni emrin e Allahut, do ju bekoj.” Në një transmetim tjetër: “do t’ju japë bereqet në të.”(3)
Ushqimin dhe pijen, të cilat janë begati të Zotit, myslimani nuk duhet t’i nënçmojë, por duhet të jetë i kënaqur me atë që ka në dispozicion. Kështu që, nëse i pëlqen, le të hajë, e nëse nuk i pëlqen, le ta lërë atë pa lënduar ndjenjat e atyre që ia kanë ofruar. Kështu vepronte i Dërguari ynë a.s., siç thuhet në hadithin e Ebu Hurejres r.a.: “Kurrë nuk e ka nënçmuar i Dërguari i Allahut a.s. ndonjë ushqim. Nëse i ka pëlqyer, ka ngrënë, e nëse jo, e ka lënë.”(4)
Para ngrënies dhe pirjes është sunet(5) që myslimani të kujdeset për higjienën e duarve, sepse feja e tij është fe e pastërtisë. Larja e duarve para ngrënies njëkohësisht është edhe pritje e dhuntisë me mirësjellje, si dhe falënderim i kësaj begatie të Zotit. Për shkak se ushqimi me nijet të forcimit është adhurim, e meriton që t’i paraprihet me pastërti, ashtu siç i paraprihet namazit me pastërti. Transmeton Selmani r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Bereqeti i ushqimit është abdesi para tij dhe abdesi pas tij.”(6) Me fjalën “abdes” në hadith, për qëllim është pastrimi, jo marrja e abdesit. Duhet pasur parasysh se, sipas sunetit, duhet të lahen të dy duart, ndërsa larja e njërës dorë, apo vetëm e gishtërinjve të duarve, para ngrënies, nuk është e mjaftueshme.
Në rast të ngrënies me persona të tjerë, myslimani duhet të ketë kujdes të mos fillojë me ngrënie derisa të fillojë më i vjetri në atë mes, përveç nëse është prej atyre që ndiqet. Këtë duke e argumentuar me hadithin, që transmetohet nga Hudhejfe r.a., i cili thotë: “Kur prezantonim me Pejgamberin a.s. në ushqim, ne nuk i vendosëm duart tona derisa i Dërguari i Zotit a.s., të fillonte të vërë dorën e tij.”(7)

Sunetet dhe rregullat etike gjatë ngrënies dhe pirjes

Ndër sunetet e njohura të ngrënies është fillimi me emër të Allahut, sepse robi kujton Zotin e Plotfuqishëm në të gjitha çështjet e tij, e në mesin e tyre edhe kur ha dhe pi. Ai gjatë thënies së besmeles e ngrit zërin, në mënyrë që t’ua rikujtoj të tjerëve. Mirëpo, ndonjëherë personi mund ta harroj besmelen në fillim të ushqimit për ndonjë arsye. Kështu që, në rast të tillë, në momentin që i kujtohet, ai thotë: “Në emër të Zotit nga fillimi deri në fund.” Kjo duke u mbështetur në fjalët e të Dërguarit të Allahut a.s.: “Kur dikush nga ju ha ushqim, le të thotë: “Bismilahi”. Por, nëse harron në fillim të tij, le të thotë: Bismilahi, në fillim e deri në mbarim.”(8)
Gjithashtu, është sunet bërja lutje për mirësi dhe bekim në ushqim, duke u mbështetur në hadithin e Pejgamberit a.s. që thotë: “Atë që e ushqen Zoti me ushqim, le të thotë: “O Zot! Na beko në Të dhe na ushqe më me të mirë se kjo!” Ndërsa atij që Zoti i jep të pijë qumësht, le të thotë: “O Zot! Na beko në Të dhe na shto prej tij.” I Dërguari i Zotit a.s. tha: “Asgjë nuk vjen në vend të ushqimit dhe pijes(9) përveç qumështit.”(10)
Po ashtu është sunet që ngrënia dhe pirja të bëhet me dorën e djathtë,(11) po si çdo çështje tjetër pozitive që preferohet të bëhet me dorë të djathtë, përveç në rast të ekzistimit të ndonjë justifikimi, ndërsa në ndihmesën me dorën e majtë nuk ka asgjë të keqe. Këtë e dëshmon hadithi, të cilin e transmeton Ibën Umeri r.a., se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Kur dikush nga ju ha, le të hajë me dorën e djathtë, e kur të pi, le të pijë me dorën e djathtë, sepse shejtani ha me dorën e majtë dhe pi me të majtën.”(12)
Ato ushqime të cilat merren me dorë është sunet të hahen me tre gishtat e dorës së djathtë, me gishtin e madh, gishtin tregues dhe gishtin e mesëm. Kjo duke u mbështetur në hadithin, të cilin e transmeton Ka’bi r.a., i cili thotë: “I Dërguari i Allahut a.s., hante me tre gishta.”(13) Në një transmetim tjetër thuhet: “E kam parë të Dërguarin e Allahut r.a., duke ngrënë me tre gishtat e tij: gishtin e madh, atë që e pason dhe të mesmin.”(14)
Gjithashtu, sunet është të hahet para vetes dhe mos të hahet nga mesi i pjatës në fillim të ushqimit, sepse bereqeti zbret në mesin e saj, siç theksohet në hadithin, të cilin e transmeton Ibën Abasi r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Bekimi zbret në mes të ushqimit, prandaj hani nga skajet e tij dhe mos hani nga mesi i tij.”(15)
Nga personi kërkohet të hajë prej një vendi, sepse ai është një ushqim, si dhe të hajë para vetes dhe jo nga ana që është para të tjerëve, sepse të ngrënit nga pjesa që është para të tjerëve është mungesë edukate. Nga Umer ibën Ebi Seleme r.a. transmetohet të ketë thënë: “Isha i vogël, nën përkujdesjen e të Dërguarit të Allahut a.s. dhe dora ime endej në pjatë (gjatë ngrënies), andaj i Dërguari i Allahut a.s. më tha: “O vogëlush, përmende Allahun (thuaj: Bismilah), ha me të djathtën dhe ha nga ajo që ke pranë.”(16)
Por, në rast se në enë ka lloje pemësh, në këtë rast për dallim nga ushqimi, personi ha prej cilësdo prej tyre, sepse ato janë lloje të ndryshme. Këtë e dëshmon hadithi, të cilin e transmeton Ikrash ibën Dhuajbit r.a., i cili thotë: “Ia sollën Pejgamberit a.s. një enë të madhe me bukë të thërrmuar me lëng mishi dhe mish të yndyrshëm pa eshtra. Ne u ofruam të hamë prej tij, kështu që unë e futsha dorën time në skajet e tij. I Dërguari i Zotit a.s. më tha: “O Ikrash, ha prej një vendi, sepse ai është një ushqim.” Mandej, sollëm një pjatë me lloje të hurmave të njoma, kështu që fillova të haja para vetes. Dora e të Dërguarit të Allahut a.s. sillej në pjatë, pastaj tha: “O Ikrash, ha çfarë të duash, ngase ato nuk janë të një lloji.”(17) Nga ky hadith, kuptohet se nëse llojet e ushqimeve janë të larmishme, nuk është e qortueshme ngrënia nga skajet e tjera, po ashtu si frutat.(18)
Sunet është nderimi i bukës aq sa është e mundur. Ndërsa prej nderimit të bukës është edhe marrja e bukës së rënë në tokë, sado e vogël që të jetë dhe ngrënia e saj, për respekt ndaj dhuntisë së Zotit të Madhëruar, ku në të kundërtën në lënien e kafshatës së rënë ka kuptim të mohimit të dhuntisë. Këtë e mbështet hadithi, të cilin e transmeton Enesi r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nëse ndonjërit prej jush i bie ndonjë kafshatë, le ta largojë dëmin prej saj dhe mos t’ia lërë shejtanit.”(19)
Sa i përket pirjes së ujit, është sunet që ai të pihet me tri frymë, duke mos marrë frymë në gotë. Prandaj, kur personi dëshiron të marrë frymë, ai e largon gojën nga gota dhe merr frymë dhe pastaj pinë përsëri. Kjo duke u mbështetur në hadithin, që e transmeton Ebu Katade r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush pi, mos e nxjerr frymëmarrjen në enë.”(20) Kjo ndalueshmëri në hadith është ndalueshmëri disiplinimi për shkak të kujdesit ndaj pastërtisë dhe higjienës, ngase gjatë frymëmarrjes mund të dalin avuj të ndyrë dhe mund të dalë një erë e keqe. Ibën Meleku, në lidhje me hadithin, ka thënë: “Kjo është nga frika e rënies së diçkaje nga pështyma në ujë dhe ngase mund të ketë ndryshime në gojë dhe kështu era ngjitet për uji.”(21)
Ndërsa argument se pirja bëhet me tri frymë, kemi hadithin që transmeton Enesi r.a., i cili thotë: “I Dërguari i Allahut a.s. merrte frymë në enë tri herë dhe thoshte: “Ai është më i këndshëm, më i pranueshëm dhe më i shëndetshëm.”(22)
Kuptimi i hadithit është personi të pi tri herë. Në secilën herë duke e larguar gojën nga gota, pastaj rikthehet përsëri në të. El-Bejdavi, në lidhje më këtë hadith, ka thënë: “Pirja me tre gllënjka shuan më shumë etjen, është më e fortë në tretje dhe ka më pak efekt në ftohjen e stomakut dhe dobësimin e nervave.”(23)

Sunetet dhe rregullat etike pas ngrënies dhe pirjes

Ndër sunetet e njohura të ngrënies dhe pirjes është që pas përfundimit të tyre të thuhet: “elhamdulilah”, duke u mbështetur në hadithin që transmetohet nga Ebu Seid el-Hudri r.a., i cili thotë: “I Dërguari i Allahut a.s. kur hante ushqim, thoshte: Falënderimi i takon Zotit që na ushqeu, na dha të pimë dhe na bëri myslimanë.”(24)
Kjo për shkak, se në thënien “elhamdulilah” pas ngrënies dhe pirjes, ka shprehje falënderimi ndaj Dhuruesit të kësaj begatie, si dhe kërkesë për shtimin e saj,(25) duke u mbështetur në fjalën e të Lartmadhërishmit: “Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat.”(26)
Përveç thënies së mësipërme, mund të shtojmë edhe: “Elhamdulil-lahil-ledhi etameni hadha ve razekanihi min gajri havlin minni ve la kuvetin.” Kjo, duke u mbështetur në fjalën e Pejgamberit a.s.: “Kush ka ngrënë ushqim dhe thotë: Falënderoj Allahun që më ushqeu me këtë dhe ma bëri atë risk (furnizim), pa kurrfarë force apo fuqie nga unë, i falën mëkatet e kaluara.”(27)
Krejt në fund, është sunet larja e duarve(28) dhe fshirja e tyre me peshqir,(29) duke u mbështetur në hadithin që e transmeton Selmani r.a., se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Bereqeti i ushqimit është abdesi para tij dhe abdesi pas tij.”(30) Me fjalën abdes për qëllim është pastrimi jo marrja e abdesit siç e kemi përmendur.


_______________________
1. Redu el-Muhtar ala ed-Durr, 6/339; ed-Durrer el-Mubaha, fq.25.
2. El-Buhari, nr: 1, 1/6.
3. Ahmedi, nr: 16078, 25/485; Ibën Maxheh, nr: 3286; Ebu Davud, nr: 3764, 3/346; Ibën Hibani, nr: 5224, 12/27-28, Shejh Shuajbi thotë: “Është i mirë me rrugë tjera”. El-Iraki, në Tahrixhu ehadith el-Ihja, fq.435, dhe El-Menavi, në Et-Tejsir bisherhi el-Xhami es-Sagir, 1/34, thonë: “Senedi është i mirë”.
4. El-Buhari, nr: 5409, 7/74.
5. Në El-Fetava et-Tatarhanijeh, 135/18, El-Muhit, 351/5, dhe El-Bahr err-
Rraik, 208/8, thuhet: «Është mustehab larja e duarve para ushqimit.”
6. Ahmedi, nr: 23732, 39/136; Ebu Davudi, nr: 3761, 3/345; Et-Tirmidhi, nr: 1846, 3/345-346, dhe thotë: “Ne nuk e njohim këtë hadith përveçse nga hadithi i Kais ibën er-Rabi`, ndërsa Kajs ibën er-Rabi` është i dobët në hadith”. El-Mundhiri, në Et-Tergib ve et-Terhib, 3/109, thotë: “Kajs ibën er-Rabi është saduk, në lidhje me të ka fjalë për shkak të kujtesës së tij të dobët, por hadithi nuk del jashtë kufirit të hadithit të mirë.”
7. Ahmedi, nr: 23249, 38/285, Shejh Shuajbi thotë: “Senedi i tij është sipas
kritereve të Muslimit”.
8. Ahmedi, nr: 25733, 42/479, Shejh Shuajbi thotë: “Senedi i tij është sipas kritereve të dy shejhave”; Ibën Maxheh, nr: 3264, 2/1086; Ebu Davudi, nr: 3767, 3/347; Et-Tirmidhi, nr: 1858, 3/352, dhe thotë: “Ky hadith është i mirë sahih”.
9. Asgjë nuk mjafton në mënjanimin e urisë dhe etjes përveç qumështit.
10. Ebu Davud, nr: 3730, 3/339; Et-Tirmidhi, nr: 3455, 5/384, dhe thotë: “Ky hadith është i mirë”.
11. Dr. Salah Ebu el-Haxh, në El-Bejan fi el-Ejman ven-Nudhur, fq.169, thotë se kjo është mustehab, sepse sipas tij, vazhdimësia e diçkaje nga ana e Pejgamberit a.s. nuk konsiderohet sunet, përveç nëse bëhet për adhurim, e nëse është për zakon, atëherë kjo konsiderohet mustehab jo sunet, po siç është veshja e rrobës, ngase vazhdueshmëria e Pejgamberit a.s. me ngrënien me dorë të djathtë ishte zakon.
12. Muslimi, nr: 2020, 3/1598.
13. Muslimi, nr: 2032, 3/1605.
14. El-Mu’xhem el-Evsat, nr: 1649, 2/180. El-Hejthemi, në Mexhma ez-Zevaid, 5/28, thotë: “E transmeton Taberaniu në El-Evsat dhe në të gjendet El-Husejn ibën Ibrahim el-Edhenij dhe Muhamed ibën Ka’bi ibën Uxhreti, të cilët nuk i njoh, ndërsa transmetuesit e tjerë janë të besueshëm”.
15. Et-Tirmidhi, nr: 1805, 3/317, dhe thotë: “Ky hadith është i mirë sahih”;
El-Mustedrek, nr: 7118, 4/129, El-Hakimi thotë: “Senedi i këtij hadithi është sahih”. Këtë e miraton edhe Dhehebiu.
16. El-Buhari, nr: 5376, 7/68; Muslimi, nr: 2022, 3/1599.
17. Ibën Maxheh, nr: 3274, 2/1089; Et-Tirmidhi, nr: 1848, 3/347-348, dhe thotë: “Ky hadith është i vetmuar”; El-Mu’xhem el-Evsat, nr: 6126, 6/180; El-Mu’xhem el-Kebir, nr: 154, 18/82. Ez-Zerkani, në Sherhu ez-Zerkani ala el-Muvetta, 4/498, thotë: “Në senedin e tij ka dobësi, por ai ka rrugë të tjera që e forcojnë”.
18. Mirkatu el-Mefatih, 7/2726.
19. Muslimi, nr: 2034, 3/1607.
20. El-Buhari, nr: 153, 1/42.
21. Mirkatu el-Mefatih, 7/2752.
22. Ahmedi, nr: 12923, 20/262, Shejh Shuajbi thotë: “Hadithi është sahih, ndërsa senedi është i mirë, për shkak të Ebu Asimit”. Në Sahihu Muslimi, nr: 2028, 3/1602, përmendet: “I Dërguari i Allahut a.s. merrte frymë në enë tri herë.”
23. Mirkatu el-Mefatih, 1/377.
24. Ahmedi, nr: 11276, 17/375, Shejh Shuajbi thotë: “Senedi i tij është i dobët”;
Ibën Maxheh, nr: 3283, 2/1092; Et-Tirmidhi, nr: 3457, 5/385, dhe thotë: “Ky hadith është i mirë”.
25. Mirkatu el-Mefatih, 7/2712.
26. Ibrahim, 7.
27. Ibën Maxheh, nr: 3285, 2/1093; Et-Tirmidhi, nr: 3458, 5/385, dhe thotë:
“Ky hadith është i mirë”.
28. Në El-Bahr, 208/8, thuhet larja e duarve para ngrënies është mustehab. 29. Shih: El-Hedijetu el-Alaijeh, fq.255; Mefatihu el-Xhinan sherh Shirati el-
Islam, fq.290.
30. Ahmedi, nr: 23732, 39/136; Ebu Davudi, nr: 3761, 3/345; Et-Tirmidhi, nr: 1846, 3/345-346, dhe thotë: “Ne nuk e njohim këtë hadith përveçse nga hadithi i Kais ibën er-Rabi`, ndërsa Kajs ibën er-Rabi` është i dobët në hadith”. El-Mundhiri, në Et-Tergib ve et-Terhib, 3/109, thotë: “Kajs ibën er-Rabi është saduk, në lidhje me të ka fjalë për shkak të kujtesës së tij të dobët, por hadithi nuk del jashtë kufirit të hadithit të mirë.”


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme