Agjërimi ndërmjet shpirtërores dhe fizikës


Hyrje

Krahas namazit, agjërimi është nyja kryesore e besimit në Zotin dhe bën pjesë ndër faktorët kryesor në formimin e personalitetit të njeriut dhe orientimin e aktivitetit të tij konstruktivë, në procesin e humanizimit të njeriut, në perceptimin e virtyteve njerëzore dhe fisnikërimin e shpirtit të tij.


Njeriu ndërmjet kundërshtive


Formimi i personalitetit të fuqishëm dhe të shëndoshë njerëzor duhet ta ketë parasysh faktin se njeriu gjendet në luftë të përhershme ndërmjet hamendjeve dhe kundërshtive. Në të gjithnjë zhvillohen beteja të pafundme dhe të vështira ndërmjet forcave destruktive (shejtanore) dhe pozitive (engjëllore). Njeriu, si qenie dualiste, i përbërë prej shpirtit dhe materies, është fushëbetejë e kundërshtive mes frymës dhe materies, sepse në të konfliktuohen interesat e frymës dhe materies. Kjo luftë mes frymës, që synon të ngjitet në 'lartësi', drejt burimit të saj, Allahut, dhe materies, e cila bie drejt fundit, e tërheq njeriun drejt burimit të saj, elementit shtazarak. Filozofi perëndimor, Henry Bergson, e përshkruan këtë konflikt si luftë mes frymës që ngjitet drejt burimit të tij Zotit dhe materies, e cila shkon poshtë e më poshtë dhe e tërheq me vete njeriun. Madje, disa e shohin thelbin e qenies njerëzore në braktisjen e tij, në makthin e tmerrin që e përcjellin njeriun, në ikjen drejt boshllëkut dhe hiçit, në vdekje.

Dhe vërtetë pozita e njeriut në botën fenomenale, e shikuar nga aspekti material duket absurde, pikërisht sikurse thotë Albert Kamy se thelbi i pozitës së njeriut në botë është absurd. (1) Dhe njëmend, po qese pozita e njeriut në natyrë do të zinte fill vetëm në bazën materiale, ai do të ishte më se absurd, tragjikë dhe i pakuptimtë. Allahu thotë: "Pa dyshim, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe punojnë vepra të mira, dhe të cilët i rekomandojnë njëri-tjetrit të vërtetën dhe të cilët i rekomandojnë njëri-tjetrit durimin", (El-Asr, 2-3).

Por, për dallim nga ekzistencializmi dhe ...izma të tjerë evropianë, të cilët e njeriun në këtë botë e shohin të pakuptimtë e absurd, duke ia mbyllur të gjitha rrugët, Kur'ani e përshkruan këtë gjendje të vështirë të njeriut ("Pa dyshim, njeriu është në humbje ...") por edhe i gjen rrugëdalje nga qorrsokaku dhe absurdi ekzistues, duke thënë se ata të cilët dinë dhe besojnë se njeriu krahas dimensionit material ka edhe dimensionin shpirtëror, krahas trupit ka edhe shpirtin, krahas qenies fizike ka edhe qenien shpirtërore, krahas vlerave materiale beson edhe në vlerat shpirtërore morale etike ("Përveç atyre që besojnë dhe punojnë vepra të mira, dhe të cilët i rekomandojnë njëri-tjetrit të vërtetën dhe të cilët i rekomandojnë njëri-tjetrit durimin"). (2)

Njëmend, feja i dha njeriut edhe dimensionin e dytë, i cili ndihmon në zgjidhjen e kundërthënieve, kurse ndjenjën e braktisjes, vuajtjes, dhembjes, kotësisë së njeriut e humanizon, e bënë jetën e tij me plotë forcë e energji, optimizëm e kurajë për jetë. Ai, njeriu, nuk është krijesë absurdi, rastësie, aksidenti, por qenie me mision të caktuar, të lartë, si e quan Kur'ani "zëvendës i Zotit në tokë" (halifet'ull-llah fi'l-erdi - El-Bekare, 30), që ai në emër të Krijuesit të qeverisë me tërë mirësitë e botës dhe kozmosit. (3)


Agjërimi si mjet efikas kundër skllavërimit material


Ofensiva e fuqishme materialiste në botën aktuale po shtrihet dhe po skllavëron çdo pore të jetës. Ky skllavërim dhe shkretim dita ditës është më i theksuar, e sidomos është më i theksuar me zhvillimin e hovshëm të të arriturave tekniko-teknologjike. Në disa etapa historike dhe sidomos te disa popuj, njeriu është shndërruar në lodër pasive, me ç'gjë ai ka humbur nga vlera e tij. Edhe pse ia ka lehtësuar jetën, kompjuteri dhe makinat e llojllojshme digjitale e ka varfëruar në masë të madhe dimensionin e tij intelektual dhe shpirtëror. I shtrënguar nga të gjitha anët, në shumë raste njeriu i është nënshtruar epsheve animale, e si pasojë kemi alkoolizmin, narkomaninë, perversitetin, hipererotizmin, stresin, depresionin, etj..

Agjërimi në Islam paraqet mjet jashtëzakonisht të fuqishëm dhe efikas në luftë kundër materializmit vulgar dhe presionit të tij skllavërues. Ky kundërshtim nuk e refuzon apo injoron epshin dhe materien me çdo kusht dhe tërësisht. Agjërimi nuk e ka synimin që te njeriu ta zhvillojë asketizmin, raportin pasiv ndaj materializmit dhe ndrydhjen e epsheve. Përkundrazi, agjërimi tenton të vendos baraspeshë ndërmjet frymës dhe materies, trupit dhe frymës, zemrës dhe arsyes, dashjes dhe dijes. Agjërimi nuk provon që njeriun ta shndërrojë në engjëll, e aq më pak në zot, siç kemi rastin në fetë e tjera. Agjërimi synon që njeriu të mbetet njeri, sepse cilido proces tjetër sjell tëhuajësim.

Ja një porosi e Kur'anit, në të cilën qartë shihet se agjërimi është mjet kundër mëkatit: "O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ka qenë urdhëruar atyre para juve, për t'iu shmangur mëkateve, (agjërimi) zgjat disa ditë. Ndonjëri prej jush që gjendet i sëmur ose gjendet në udhëtim e sipër, ai i agjëron aq ditë sa i ka prishur - në ditët e tjera. Dhe ata (njerëz) që kanë vështirësi për të agjëruar (si për shembull, plaku i mbetur), duhet të japë aq sa mund të ngopet një i varfër me ushqim gjatë ditës (për një ditë agjërimi - një ditë ushqimi). E kushdo që të bëjë ndonjë të mirë më tepër, për të është më mirë. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini (do ta agjëronit)", (El-Bekare, 183-184).

Agjërimi e lufton shfrenimin dhe dominimin e epshit. Ai e lufton instinktin e pangopur për forma të reja të shfrytëzimit, që aktualisht po zë vend gjithnjë e më të madh në mjedisin tonë. Kjo formë e materializmit po e rrezikon nga brenda dhe nga jashtë njeriun dhe njerëzinë. Me të drejtë Imam Gazaliu vëren se njerëzit më tepër i kushtojnë vëmendje sëmundjeve fizike, por pak apo fare pak sëmundjeve shpirtërore. Si pasojë e kësaj gjendjeje, njeriu e humb lumturinë dhe fiton iluzione të rrejshme e kalimtare. Islami nuk e privon njeriun nga kënaqësitë objektive, por tenton të vendosi ekuilibër mes shpirtit dhe trupit. Këtu edhe konsiston urtësia e agjërimit islam, që njeriu të posedojë të mirat por që mos të posedohet nga jashtë. Me fjalë të tjera, shpirtërorja në Islam është që njeriu të mos bëhet vegël e epsheve, por të administrojë me të mirat e tokës dhe qiejve sipas udhëzimit hyjnor. Nëse njeriu do të agjëronte por nuk do të ndalej nga të këqijat, gjendja e tij do të jetë në frymën e hadithit të Muhammedit a.s. se njeriu pas këtij ibadeti është vetëm i uritur dhe etshëm: "... we rubbe sâimin hadhdhuhu min sijâmihi el-xh?'u we'l-atashu - ... Shumë prej njerëzve që agjërojnë, nga agjërimi i tyre nuk kanë gjë pos urisë dhe etjes", (Taberaniu nga Ibni Umeri). (4)

Siç mund të rezonojmë dhe përfundojmë, agjërimi nuk është ikje nga materia, nuk është qëndrim indiferent e pasiv kundrejt saj, por qëndrim aktiv e pozitiv, duke i dhënë materies status mjeti e jo status synimi. Kjo pajtohet edhe me hadithin e njohur të Muhammedit a.s. se lufta kundër vetvetes është më e rëndë se sa lufta kundër armikut: "Efdalu'-xhihadi en juxhahid'err-rrexhulu nefsehu dhe hewahu - Xhihadi më i mirë është që njeriu të luftojë kundër dëshirave të tyre dhe pasioneve të tyre", (Nga Ebi Dherri). (5)

Agjërimi e ringjallë dhe e forcon hyjnoren te njeriu, e forcon vullnetin e tij dhe e orienton drejt të mirës, duke e liruar njeriun nga presioni i materies. Agjërimi e ndihmon hyjnoren te njeriu që ta kërkojë lumturinë e kësaj bote, nëpërmjet realizimit të vlerave njerëzore dhe morale. Kjo, sfida, edhe e dallon dhe e bën ndryshe njeriun nga krijesat e tjera. (6)


Shumëdimensionaliteti i agjërimit


Agjërimi nuk është ibadet i njëkahshëm, por shumëdimensional. Ai nuk plotëson vetëm një segment të jetës sonë, atë të ibadetit, por edhe aspekte të tjera. Ndër aspektet e tjera është edhe ai shëndetësor. Deri sa Muhammedi a.s. në transmetim të Ebu Hurejres atë kohë tha "Sumu, tesihhu - Agjëroni, do të jeni të shëndetshëm", (7) mjekësia kohët e fundit po zbulon dobi të shumta nga agjërimi. Arsyeshmëria e agjërimit në asnjë pikëpamje nuk kontestohet.

Është fakt se kohëve të fundit, fal jetës gjithnjë e më pak me angazhime fizike të rënda, fal përdorimit të mjeteve teknike dhe mekanike, fal jetës urbane, po ashtu jetës së shthurur, kur hamë çdo gjë që na serviret në treg, njeriu disi i është dorëzuar këtij ritmi të jetës dhe kësaj mënyre të jetës. Shumica e sëmundjeve bashkëkohore në anën tjetër janë pasojë e kësaj mënyre jetese. Obeziteti, sëmundjet kardiake, të enëve të gjakut, diabetit janë vetëm disa simptoma të kësaj shthurje. Prandaj, agjërimi kurrë nuk ka qenë më i nevojshëm se sa aktualisht edhe si preventivë edhe si ilaç. Duke agjëruar, ne do ta ruajmë stabilitetin e ushqimit e pijes, gjumit, veshjes, jetës intime etj.. Krijimi i shprehive të mira na çon në formimin e një personaliteti stabil, të pathyeshëm dhe mbi të gjitha kreativ në shpirt dhe trup. Pikërisht këtë e synonte Muhammedi a.s. në transmetim të Ebu Hurejres kur tha: "Es-Sijamu xhunnetun min'en-nâr - Agjërimi është mbrojtës nga zjarri". (8)

Aspekti social është segment tjetër që duhet theksuar. Kjo ndjenjë nxit te njeriu drejtësinë sociale dhe altruizmin. Duke abstenuar nga ushqimi e pija njeriu ndien uri e etje dhe në këtë mënyrë shtohet ndjenja e kursimit dhe solidaritetit me të nevojshmit. Zotërimi me materien domethënë solidarizim me të tjerët dhe e kundërta, robërimi ndaj materies domethënë rrënim i dinjitetit njerëzor. Agjërimi i njeriut, abstenimi nga ushqimi e pija, por mosbraktisja e shprehive negative te njeriu domethënë se njeriu e kryen vetëm aspektin fizikë të ibadetit që nuk sjell efektin e synuar.

Pikëpamje tjetër sociale e agjërimit është edhe sadekat'ul-fitri, i cili është ngushtë i lidhur me agjërimin e ramazanit. Duke e ndarë vlerën e një ushqimi ditor për të nevojshmit, ne bëhemi bamirës të përhershëm. Ikja nga ky detyrim e sjell në pikëpyetje angazhimin tonë të ramazanit, e rrëgjon ibadetin tonë në formën fizike, pa shpirt e pa përkushtim, që do të reflektohet edhe në efektshmërinë e tij në jetën tonë të përditshme.


Në vend të përfundimit


Agjërimi i ramazanit, përkundër deformimeve që pëson gjatë kryerjes së tij, megjithatë lë gjurmë të thellë dhe me rëndësi si në rrafshin individual ashtu edhe atë shoqëror. Po ashtu, ai e freskon njeriun shpirtërisht, apo paraqet një infuzion të domosdoshëm për gjallërimin e njeriut.

Agjërimi posedon sharmin e tij, fuqinë psikologjike dhe edhe më tepër fuqinë mistike. Agjërimin e bën të madh edhe Beteja e Bedrit, çlirimi i Mekës e sidomos Nata e Kadrit, fillimi i shpalljes së Kur'anit, nata kur njeriu u urdhërua të lexojë e mësojë.

Si i tillë, agjërimi vepron si korrektor në fushën morale individuale por edhe morale shoqërore, në fushën ekonomike individuale dhe shoqërore. Sikur sadakat e ramazanit të tuboheshin dhe distribuoheshin drejt (në frymën e këmbënguljes së Ebu Bekrit), bota muslimane përgjithmonë do ta braktiste varfërinë dhe do të shndërrohej në bum industrial, ekonomikë, teknologjikë, arsimor. Në këtë mënyrë do të plotësoheshin shumë aspekte të agjërimit, kurse njeriu do të ndihej njeri në kuptimin e plotë.


_________________________

(1) - Husein Gjozo Islam u vremenu, botimi II, Novi Pazar, 2002, fq. 76. (Nga ky tekst janë marrë edhe ide të tjera).
(2) - Sejjid Husein Nasr, Ideale dhe realitete të Islamit, Tiranë, 2008.
(3) - Husein Gjozo, po aty.
(4) - Izbor poslanikovih hadisa (IPH), përzgjodhi dhe tuboi: Jakup Memic, Sarajevë, 1985, hadithi nr. 878.
(5) - IPH, hadithi nr. 111, po aty.
(6) - Jusuf El-Karadavi, Fikh'us-sijam, Bejrut, 1990.
(7) - IPH, hadithi nr. 989, po aty.
(8) - IPH, hadithi nr. 990, po aty.



Dituria Islame 264


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?