Objektivat e legjislacionit islam (1)

 


Objektivat e sheriatit ndryshe janë quajtur “kibla e Muxhtehidëve” dhe, nëse drejtohet muxhtehidi në atë anë, ia ka qëlluar së vërtetës. Kjo tregon vlerën dhe peshën që ka shkenca e Mekasidit në jetën e myslimanëve në përgjithësi dhe të thirrësve në veçanti.


Hyrja


Legjislacioni islam synon dobinë e përgjithshme të individit, familjes dhe të
shoqërisë në përgjithësi.
Sheriati përcakton lidhjen e individit me Zotin, me veten, me familjen, farefisin, fqinjët dhe gjithë anëtarët tjerë të shoqërisë, ashtu siç përcakton aktet e adhurimit dhe të ndërveprimit me të tjerët.
Objektiv kryesor i sheriatit është promovimi i mirëqenies së shoqërisë, që ngërthen në vete ruajtjen e fesë së tyre, jetës, intelektit, familjes, pasurisë dhe të gjitha masat që garantojnë sigurinë e këtyre pesë gjërave që i shërben interesit publik dhe është e dëshiruar.
Njeriu është bindur se në këtë botë nuk ka asgjë rastësi, mirëpo mbrapa saj fshihet një qëllim apo objektiv i ndonjërit, ndërsa myslimani përpos kësaj është i bindur edhe në atë se në çdo dispozitë të sheriatit ka një apo më shumë dobi.
Nëse dëshirojmë që në këtë botë të kemi një jetë normale, etike, të suksesshme dhe triumfuese, medoemos duhet të kuptojmë objektivat e sheriatit, të njohim sistemin e universit dhe ruajtjen e saj për të arritur dobitë dhe interesat, gjithashtu për të larguar të ligat dhe të dëmshmet.
Në saje të kësaj, ulemaja dhanë kontributin e tyre që nga koha e hershme duke konfirmuar objektivat e sheriatit nga tekstet sheriatike dhe duke ndarë interesat në ato të domosdoshme, të nevojshme dhe plotësuese.
Këto ndarje të thjeshta, por domethënëse përfshijnë tërë jetën e njeriut dhe lehtësojnë të kuptuarit e objektivave dhe praktikimin e tyre.
Pra, Islami është shpallje hyjnore që iu shpall Muhamedit a.s., është legjislacioni të cilin e ka përsosur Allahu xh.sh dhe e ka plotësuar, Allahu në Kuran thotë: "Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja jua.”(1)
Njohja e objektivave të sheriatit mbi të gjitha është obligim për besimtarin dhe si rrjedhojë i mundëson ngritje, integritet dhe edukim në formën më sublime, thënë ndryshe objektivat e sheriatit lidhen drejtpërdrejt me përditshmërinë e njeriut.
Kjo nga fakti se sheriati nuk është thjesht përgjigje e përmbushjes së nevojave të një grup njerëzish dhe kërkesave të tyre në veçanti, si në rastin e ligjeve të njerëzve, përkundrazi është sistem gjithëpërfshirës hyjnor për të gjithë njerëzit, i cili rregullon çdo gjë si në aspektin individual po ashtu edhe në atë kolektiv.
Objektivat e sheriatit ndryshe janë quajtur “kibla e Muxhtehidëve” dhe, nëse drejtohet muxhtehidi në atë anë, ia ka qëlluar së vërtetës(2). Kjo tregon vlerën dhe peshën që ka shkenca e Mekasidit në jetën e myslimanëve në përgjithësi dhe të thirrësve në veçanti.
Interesimi i madh i dijetarëve bashkëkohorë dhe kontributi i thukët i dijetarëve të mëhershëm, kanë bërë që kjo shkencë të dallohet e të jetë objekt studimi dhe hulumtimi sikurse edhe ekonomia islame, duke pasur parasysh nevojën e madhe për njohjen dhe perceptimin e tyre.


Të kuptuarit e objektivave të sheriatit


Definicioni


Për të arritur kuptimin e drejtë të definicionit “objektivat e legjislacionit islam”, patjetër duhet t'i referohemi gjuhës arabe.
Të kuptuarit e objektivave të sheriatit në kuptimin etimologjik.
Fjala e parë e kësaj përbërjeje është: Objektiva që është masdar i mimit që rrjedh nga fjala el-kasd, ndërsa kjo ka disa kuptime:
Synim, vendosje, orientim(3), shembull: ka vendosur këtë, është drejtua për në...
Rrugë e drejtë(4), thotë Allahu. xh.sh: “ Udhëzimi për në rrugë të drejtë i takon Allahut”(5)
Maturi, drejtësi, mesatar(6), thotë Allahu.xh.sh:
“ Të jesh i matur në ecjen tënde...”(7) “ E prej tyre ka që janë dëmtues të vetvetes, ka që janë mesatarë.”(8)
E Lehtë, e arsyeshme(9), thotë Allahu xh.sh.: “ Sikur të ishte fitim i afërt dhe udhëtim mesatar, ata (hipokritët) do të vinin pas teje, por për ta ishte largësi e madhe.”(10)
Pjesa e dytë e kësaj përbërjeje është legjislacioni islam, që ka këtë kuptim:
Fjala Esh-sheriatu rrjedh nga dhe ka disa kuptime si: "rruga e drejtë", "rruga e qartë", burimi i ujit", "ka filluar", "diç e njëjtë" etj… Ndërsa ajo që më shumë na shkon në mendje dhe është e njohur kur përmendim fjalën Sheriati është: Ligji hyjnor të cilin Allahu e ka zbritur përmes Muhamedit a.s. për të gjithë njerëzit, që përmban dispozita në bazë të të cilave rregullohen marrëdhëniet, obligimet dhe të drejtat e tyre.(11)
Fjala El-Islam domethënë: Nënshtrim, dorëzim Zotit dhe pranimi i çdo gjëje nga Ai duke u larguar sinqerisht nga të bërit shok Atij.(12)
Me togfjalëshin nënkuptojmë: Legjislacioni që Allahu zbriti për robërit e Tij përmes të Dërguarit të fundit, Muhamedit a.s. për të gjithë njerëzit, që përmban dispozita në bazë të të cilave rregullohen marrëdhëniet, obligimet dhe të drejtat e tyre.


Të kuptuarit e objektivave të legjislacionit islam në kuptimin terminologjik


Shkenca e mekasidit ka kaluar disa etapa derisa ka marrë këtë formë që ka sot, krahas kësaj edhe definicioni i tij ka kaluar në disa faza të cilat ndryshojnë në përbërjen e tij e jo në esencën e përmbajtjes së tij. Nga ky fakt vërejmë se definicioni i mekasidit te dijetarët e gjeneratave të para nuk ka ekzistuar, edhe pse fjalët e tyre kanë aluduar në definicionin e mekasidit, por jo në atë mënyrë sa të tregojnë se po vendosin një definicion për një shkencë që po merr formën e saj kohë pas kohe. Me këtë rast ne do të fillojmë me fjalët e disa nga dijetarët më të hershëm duke vazhduar deri në kohën tonë.(13)
Dijetari i njohur dhe njëherit pjesëtari i njërës prej gjeneratave të arta të myslimanëve Ibrahim En-Nehaiu duke mbrojtur shkollën e tij juridike, në bazë të së cilës themeloi edhe Imam Ebu Hanife medhhebin e tij, tha: “Vërtet dispozitat e Allahut kanë qëllime të cilat janë urtësi dhe dobi për të mirën tonë.(14)
Ndërsa imam Gazaliu thotë: Objektivat që caktoi Allahu në të vërtetë janë dobi, të cilat u kthehen robërve në këtë botë dhe tjetrën.(15)
Kurse dijetari i madh Shatibiu i njohur edhe si hoxha i Mekasidit nuk i ka dhënë definicion të prerë mekasidit, edhe pse ka kontribuar shumë në këtë shkencë, i ka sqaruar ndarjet e llojet dhe kështu ka lënë bazë të fortë për pasardhësit e tij në këtë shkencë.
Ndërsa dijetari dhe kontribuesi më i madh bashkëkohor për shkencën e mekasidit Ibni Ashuri, objektivat i ndan në të përgjithshme dhe në të veçanta dhe i definon ato me dallime të pakta. Por nuk e jep një definicion përmbledhës për tërë këtë shkencë.(16) Objektivat e përgjithshme Ibni Ashuri i definon duke thënë se ato janë: Kuptime dhe urtësi të shprehura nga ligjvënësi (Allahu) në të gjitha dispozitat ose në shumicën e tyre, duke mos u veçuar shprehja e saj në një lloj dispozite sheriatike.(17)
Dijetari i njohur bashkëkohorë Jusuf el-Kardavi thotë: “Objektivat e legjislacionit islam janë: Synimet që kanë për qëllim të arrihen përmes citateve qofshin ato urdhëresa, ndalesa apo lejesa, duke kontribuar çdo dispozitë në realizimin e atyre qëllimeve në jetën e të obliguarve qofshin ata individë, familje, grupacione apo ymet.”(18)
Ka edhe prej dijetarëve bashkëkohorë të tjerë që kanë kontribuar me definicione dhe libra për mekasidin(19), por për shkak të mos zgjerimit të tepërt ne kemi zgjedhur këtë definicion:
Objektivat janë kuptime dhe urtësi, të përgjithshme dhe të veçanta të cilat i ka paraparë Ligjvënësi [Allahu] në legjislacion, për të vendosur dobitë dhe interesat e njerëzve(20).


Sqarim i definicionit:


Kuptime: është për qellim çdo element sheriatik që dërgon në vendosjen e një dispozite, (apo siç njihet në shkencën e Usulit: el-il- letu.
Urtësi: është për qëllim çdo element sheriatik për të cilën vendoset dispozita. Ky element konsiderohet burim i arritjes së dobive dhe interesave njerëzore, (apo siç njihet në shkencën e Usulit, el-hikemtu.
Të përgjithshme dhe të veçanta: është për qëllim përfshirja e të gjitha llojeve të objektivave. Të atyre objektivave që i ka i tërë legjislacioni si tërësi, apo ato objektiva që mundet t’i ketë ose mund të veçohet vetëm një dispozitë sheriatike apo disa prej tyre. Dhe llojet e tjera të objektivave që do të sqarohen më vonë.
I ka paraparë Ligjvënësi - Allahu: është për qëllim se të gjitha ato elemente, kuptime, urtësi, dobi, interesa etj.. Allahu ka dashur që të vendosen dhe të arrihen përmes citateve kuranore, haditheve…. legjislacionit të Tij në përgjithësi.


Vendosja e dobive për njerëzit: kjo pjesë e definicionit nuk ka nevojë të sqarohet, sepse vetëm nga ajo që kemi thënë deri në këta rreshta, kuptohet se çdo dispozitë në legjislacionin islam përmban një apo më shumë dobi për njerëzit për këtë botë dhe për ahiretin. Për më gjerësisht kësaj pjese të definicionit i dedikohet thuajse e tërë kjo shkencë - Mekasidi.



_____________
1. Surja el maide 3.
2. Ahmed Rrejsuni,El Fiker el Mekasidi/Kavaiduhu ve Fevaiduhu,sh.b.Menshurat Xheridet Zeijn.Botimi I pare/1999,(f.91).
3. Muhamed bin Mukrim, Ibni Mendhur, Lisanul arab, sh.b. Dar Sadir-Bejrut, Botimi i I. (v. 3, f. 353); Muhamed bin Ebu Beker, Err-Rrazi, Muhtarus-Sihah, sh.b. Lubnan Nashirun- Bjerut 1995, (v. 1, f 224).
4. Lisanul Arab (v. 3, f 353).
5. Surja En Nahl ( 9).
6. Shiko Muhtarus-Sihah,(v. 1, f 224).
7. Surja Llukman (19).
8. Surja Fatir ( 32).
9. Lisanul Arab (v. 3, f 353); Muhtarus- Sihah (v. 1, f 224).
10. Surja Et-Tevbe (42).
11. Lisanul Arab (v. 8, f. 175); Muhtarus- Sihah (f. 141); Ibrahim Musatafa, Ahmed Ez-zijat, Hamid Abdulkadir, Muhamed Alij En-Nexhar, El-Muxhemu El-Vesit sh.b. Ed-Dave – Istanbul 1989 (v. 1, f. 479); Muhamed bin Jakub Fejruzabadi, El-Kamus el-Muhit, sh.b. Muesesetu Rrisaleh-Bjerut (v. 1, f 946); Kasim bin Abdullah El-Kunevi, Enisul Fukaha sh.b. Dar el-Vefa- Xhide 1406h. (f. 30); Muhamed Murteda EzZebidi, Taxh el-Urus sh.b. El-hidajetu ( v. 21, f. 259-270); Ekrem Murtezai, Fjalor i Terminologjisë Fetare, Dituria Islame-Prishtinë 2007, (f. 558-559).
12. Lisanul Arab ( v.12, f. 293); Taxh el-Urus (v. 32, f. 371-372, 385); El-Mu’xhemu el-Vesit (f. 446); Enisul Fukaha ( f. 96); Muhamed bin Alij El-Xhurxhani, Et-Tarifat , sh.b. Dar el-Kitab el-Arabi-Bejrut 1405h. (f. 39); Muhamed sad bin Ahmed El-Jubi, Mekasidu Esh-sheriati el-Is- lamijeti ve alakatuha bil edileti esh-sherijeti, (f. 31),sh.b. Dar el-Hixhreti lineshri ve tevzii’-Rijad 1998 (f. 31).
13. Ihsan Mejralij, El-Mekasidu el-A’meti lish-sheriati el-Islamijeti Bejnel Esaleti vel Muasereti, sh.b. Daru Thekafeti lil xhemii, Damaskë 2009 (f. 33); Mekasidu Esh-sheriati el-Islamijeti ve Alakatuha bil Ediletish-sherijeti, (f. 33).
14. El-Mekasidu el-A’meti lish-sheriati el-Islamijeti Bejnel Esaleti vel Muasereti, (f. 48).
15. El-Mekasidu el-A’meti lish-sheriati el-Islamijeti Bejnel Esaleti vel Muasereti, (f. 48).
16. Muhamed Tahir Ibni Ashur, Mekasidu Esh-Sheriati el-Islami- jeti, sh.b. Dar En-Nefais-Aman 2001, (f. 251,415) .
17. Mekasidu Esh-Sheriati el-Islamijeti (f. 251).
18. Jusuf El Kardavi, Dirasetu fi Fikhi Mekasidi Esh-Sheriati, Dar shuruk- Kajro 2008,( f. 20).
19. Ne i kemi zgjedhur vetëm këta që të mos zgjerohemi shumë, prej atyre që kanë kontribuar janë edhe: Ilal el-Fasi, Err-rrejsuni, Muhamed Zuhejli, Vehbe Zuhejli, Halife Babeker Husejn, Ihsan Mejralij etj.
20. Mekasidu Esh-sheriati el-Islamijeti ve Alakatuha bil Edileti esh-sherijeti, (f. 37).


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?