Falënderojmë Allahun xh,sh., i cili e ka bërë Kur’anin udhëzim për njeriun, shërim të zemrave, mëshirë për nevojtarët, kënaqësi të shpirtrave.
Përshëndetjet qofshin për të dashurin tonë, imamin e të dërguarve, i cili ka kryer emanetin, ua ka sqaruar njerëzve se çka u është shpallur dhe ua ka lënë kandilin, i cili në errësirën më të madhe të natës ndriçon si të ishte ditë.
Qoftë i kënaqur Allahu me shokët e tij të sinqertë, të cilët kanë dëgjuar fjalët e tij, të cilët kanë pasuar veprat e tij dhe kanë praktikuar këshillat e tij.
Qoftë i kënaqur Allahu edhe me tabiinët (gjeneratën e dytë), të cilët kanë vazhduar realizimin e planprogramit të tyre dhe janë udhëzuar prej udhëzimeve të tyre, si dhe për të gjithë ata të cilët pasojnë rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.
Jeta është dhuratë prej Allahut. Edhe pasuria është dhuratë prej Allahut. Allahu të dhuron (të falë) diçka, e pastaj Zoti i Lartëmadhëruar atë që e ka dhuruar falas e kërkon që ti jepet me kompensim. Për dhurimin e jetës për Allah, Zoti ta kompenson me xhenet dhe njëherit fiton kënaqësinë e Tij.
Zoti i Lartmadhëruar në Kur'anin fisnik ka thënë: "Allahu ka blerë nga besimtarët jetët dhe pasuritë e tyre në shkëmbim të xhenetit".(Et-Tevbe, 111).
Po ashtu, ka thënë: “Ka të tillë ndër njerëz që sakrifikojnë veten dhe pasurinë e tyre për të fituar kënaqësinë e Allahut .(El-Bekare, 207)
Njëriu nuk është i mirë kur i bën mirë vetëm vetes, por kur të tjerëve u bën mirë.
Maksima e thënë prej Muhamedit s.a.v.s është: "Më i miri i njerëzve është ai i cili u bën mirë njerëzve".
Nëse mëshirohen dhe u bëhet mirë krijesave në tokë, Krijuesi nga qielli mëshiron bamirësinë. Përhapja e bamirësisë në tokë sjell kënaqësi shpirtërore, paqe, lumturi dhe harmoni, ndërsa e kundërta, nëse përhapet shpirtligësia, atëherë paraqitet disharmonia, urrejtja dhe kriza ekonomike e psiko-morale.
Në gojën e popullit përcillet një ngjarje mësimdhënëse mes Sulejmanit a.s. dhe trumcakut:
Një ditë, Sulejmani kishte sharë trumcakun (apo zogun korrier). Atëherë, trumcaku e kishte kërcënuar:
“Shiko se ta shkatërroj mbretërimin!”
Dhe Sulejmani e kishte pyetur me nënvleftësim:
“E ku e ke atë forcë ti për ta shkatërruar mbretërimin tim?”
Dhe trumcaku i vogël i kishte dhënë këtë përgjigje:
“I lag krahët e mi dhe shkoj e i fërkoj pas një toke vakëf. Pastaj ngrihem e hip mbi çatinë e sarajeve të tua dhe e shkund aty atë dhé. Dhe ai dhe vakëfi mjafton për ta shembur pallatin dhe tërë mbretërimin tënd!”
Kjo ngjarje simbolike si pjesë e rrëfimit mbi Sulejmanin a.s., bart një rëndësi shumë të madhe për të kuptuar vlerën dhe paprekshmërinë e mallrave vakëf.
Kështu të parët tanë kanë porositur: Ruhuni prej vakëfeve!
Domethënia e kësaj porosie është që, pronësisë dhe trashëgimia e vakëfit, duhet t’u kushtojnë shumë kujdes drejtësisë ligjore dhe të drejtave të pronësisë duke mos harruar se pushteti i takon Zotit, kurse ato janë në dobi të shoqërisë…
Si përfundim mund themi se vakëfi është institucion shumë i rëndësishëm, si nga aspekti ekonomik po ashtu edhe nga aspekti shpirtëror e human, i cili derivon mirësi të shumta për shoqërinë njerëzore.
Duke analizuar natyrën dhe qëllimin madhor të vakëfit, jep te kuptohet pse është zhvilluar dhe përqafuar në mbarë botën islame.
Të dashur besimtarë!
Me ndihmën tuaj, Bashkësia Islame e Kosovës, do ta zhvillojë e fuqizojë institucionin e bamirësisë së rrjedhshme, që e quajmë Vakëf, dhe objekteve të tilla do t'ua rrisim vlerën e tyre ekzistuese.
Andaj ju ftojmë që t'na mbështetni në projektin e radhës, siç keni bërë gjithmonë, me aq sa keni mundësi.
Shumën totale prej 100 mijë euro, për një pronë me përreth 4 ari ngjitur me Xhaminë Qyl, e kemi ndarë në 400 hise prej 250€, por ju mund të ndihmoni aq sa keni mundësi.
Zoti ju shpërbleftë!
Lusim Zotin e Lartmadhëruar që të na bëjë prej atyre, të cilët falënderojnë për begatitë e Tij, shërbehemi me dhuntitë e Tij, dhurojmë dhe lëmë vakëfe në emër të Tij; fitojmë kënaqësitë e Tij dhe të shpërblehemi me xhenetet e Tij.
AMIN!
Visar ef. Koshi
Kryeimam në KBI Gjakovë