“Pse kaq shumë kujdesesh për prindërit?” e pyesnin shokët e tij. Ai me një buzëqeshje u përgjigjej: “Për hir të Allahut! Por edhe sepse prindërit tanë janë miqtë tanë më të mirë”.
Duke qenë se lexonte shumë Kur'an, Huzejfe e dinte se bamirësia ndaj prindërve shpërblehet me bollëk nga Allahu i Madhërishëm. Kjo është arsyeja pse ai u përgjigjej gjithmonë atyre. Dhe mbi të gjitha i pëlqente të dëgjonte kur prindërit i thoshin: “Jemi të kënaqur me ty, Huzejfe!” Kjo e gëzonte shumë, sepse i kujtonte fjalët e Pejgamberit, Muhamedit a.s.: "Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindërve, hidhërimi i Allahut është në hidhërimin e prindërve." Duke ditur se prindërit e tij ishin të kënaqur me të, Huzejfe ndihej i veçantë. Kjo do të thoshte se edhe Allahu ishte i kënaqur me të.
Ai kishte një dashuri të veçantë për nënën e tij. Ai e donte edhe babanë, por ishte nëna ajo që u kujdes për të edhe para se të lindte. Ajo e mbajti atë për nëntë muaj në bark dhe për shkak të kësaj vuajti shëndetin e saj. Ashtu siç e përshkruan Allahu i Madhëruar në Kuran: “Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjinin. (E porositëm) Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu, pse vetëm tek Unë është kthimi juaj.”
Me nënën e tij kishte marrëdhënie të veçantë. Shpesh flisnin për jetën, për bukuritë e krijimit të Allahut dhe për atë se çfarë duhet të jetë njeriu. Ajo i thoshte vazhdimisht se duhet të jetë model për të tjerët, se duhet të sillet mirë me të afërmit, fqinjët, miqtë dhe të gjithë të tjerët. Huzejfes i pëlqente të dëgjonte këshillat e saj. Ajo dinte të thoshte saktësisht atë që e prek në zemër.
Në një rast, nëna e tij i kërkoi të shkonte në dyqan për të blerë ushqim. Huzejfe u përgjigj menjëherë: “Po, nëna ime e dashur!” Kaluan disa orë dhe ai ende nuk u kthye. Nëna e tij e priste. Ajo ishte shumë e shqetësuar për të. "Çfarë ndodhi me të, Zoti im," bërtiti ajo, "pse u vonua kaq shumë?" Çdo minutë nënkuptonte gjithnjë e më shumë shqetësim për të.
Pas katër orësh erdhi Huzejfe i mbuluar me djersë. Para se nëna të thoshte diçka, Huzejfe tha: “Më fal, nënë, që më prite. Duhet të kesh qenë e shqetësuar për mua. Tani do të tregoj se çfarë ndodhi me mua." Huzejfe u ul në një karrige dhe filloi të fliste: "Rrugës për në dyqan, pashë fqinjën tonë të vegël të shtrirë në rrugë. U afrova dhe pashë se ajo kishte lënduar këmbën. Ajo po qante dhe nuk mund të lëvizte. E kuptova që ajo kishte nevojë për ndihmën e mjekut. Meqenëse prindërit e saj nuk ishin pranë, vendosa ta çoja në spitalin më të afërt. Por, para se të merrja këtë vendim, mendova për ty, nënë. Po mendoja çfarë të bëja: ta lë dhe të kërkoj dikë tjetër që mund ta ndihmojë, apo ta ndihmoj?! Vendosa ta ndihmoja, sepse e dija që po të ishe në vendin tim, do të bëje të njëjtën gjë. Prandaj e mora në krahë dhe e çova në spitalin aty pranë. U ula atje në dhomën e pritjes derisa mjekët e ndihmuan. Pas pak vogëlushja doli me këmbën në gips. Nuk doja ta lija ashtu, ndaj e përcolla në shtëpinë e saj. Dhe kjo është arsyeja pse jam shumë i djersitur.”
E ëma iu afrua dhe e përqafoi. Huzejfas iu mbushën sytë me lot. Ajo pastaj tha: “Vërtet Allahu më ka bekuar me një fëmijë të mirë”. Allahu të dhëntë, biri im, të jesh gjithmonë në shërbim të të tjerëve dhe të jesh shumë i respektuar në shoqëri. Dhe mbi të gjitha dua kënaqësinë e Allahut me ty!"
Vitet kaluan dhe Huzejfe u rrit në një djalë të ri e të mirë. Teksa një ditë po qëndronte në shtëpinë e nënës së tij dhe po flisnin për mëshirën e Allahut, i kujtoi ditët e kaluara, e sidomos ngjarjen me vogëlushen. Ai buzëqeshi dhe tha: "Tani, nënë, unë jam mjek, në shërbim të të tjerëve dhe shumë i respektuar në shoqëri. Allahu i Plotfuqishëm e pranoi lutjen tënde!” Dhe nëna iu përgjigj: “Ti ke të drejtë bir, por jam e sigurte se edhe bamirësia jote ndaj prindërve është arsyeja që Allahu e pranoi lutjen time."
Mësimi nga ky tregim
Në këtë tregim shohim se si Huzejfe u përpoq t'i kënaqte prindërit e tij me të gjitha veprimet e tij. Ai u drejtohej me respekt dhe nuk u bërtiste kurrë.
Prindërit sakrifikojnë gjithçka për fëmijët e tyre: pasurinë, shëndetin, madje edhe jetën e tyre. Kjo është arsyeja pse çdo fëmijë duhet të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të tij. Allahu xh.sh. thotë në Kuran: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as "of - oh", as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese).”
Prindërit tanë janë Xheneti ynë. I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka lënë të kuptohet në hadithe të shumta se Hyrja në Xhenet do të lidhet ngushtë me respektin, bindjen dhe bamirësinë tonë ndaj prindërve tanë. Transmetohet nga Ebu-d-Derda, Allahut qoftë i kënaqur me të, se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, të thotë: “Prindi është porta e mesme e xhenetit. Prandaj nëse dëshiron, lëre (çoje dëm) atë portë ose ruaje atë.” Prandaj duhet të përpiqemi që prej tyre të fitojmë sa më shumë vepra të mira, siç ka bërë Huzejfeja.
Huzejfe ishte i kujdesshëm ndaj prindërve të tij, por pak më shumë ndaj nënës së tij. Këtë e bëri me qëllim, sepse e dinte hadithin e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, në të cilin thotë: „Erdhi një njeri tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i tha: „O i Dërguari i Allahut, kush është më i merituari i njerëzve për shoqërimin tim të mirë?“ Tha: „Nëna jote“. Tha: „Pastaj kush?“ (Pejgamberi) Tha: „Nëna jote“, tha: „Pastaj kush?“ Tha: „Nëna jote“, tha: „Pastaj kush?“ Tha: „Babai yt“.
Çdo fëmijë duhet të lutet për prindërit e tij edhe pas vdekjes së tyre. Nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me te, është shënuar se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Kur vdes njeriu, ndërpriten veprat e tij, përveç në tre raste: sadaka e vazhdueshme, dituria të cilën e lë pas, që të tjerët të përfitojnë prej saj, dhe fëmija i edukuar mirë, i cili do të lutet për të.”
Nëse prindërit tanë janë të kënaqur me ne, atëherë mund të themi se Allahu është i kënaqur me ne. Një hadith i transmetuar nga Abdullah b. Amri, në të cilin i Dërguari i Zotit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thekson: "Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindërve, dhe zemërimi i Allahut është në zemërimin e prindërve!"
Në tregim gjithashtu shohim edhe fuqinë e lutjes së nënës, e cila sinqerisht uroi që djali i saj të bëhej një burrë i madh dhe me ndikim. Vërtetimin e këtyre fjalëve e gjejmë në hadithin i cili transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me te, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “ Tri lutje nuk kthehen mbrapa dhe për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi: lutja e atij që i është bërë padrejtësi, lutja e udhëtarit dhe lutja e prindit për fëmijën e tij.”