Abstrakt
Në prill të vitit 1941, shtetet e bllokut fashist sulmuan Jugosllavinë, duke e shpërbërë dhe copëtuar atë. Fatin e Jugosllavisë e përjetuan edhe trevat shqiptare, që ishin nën sundimin e saj. Ato u ndanë në tri zona pushtimi: gjermane, italiane dhe bullgare. Forcat pushtuese vendosën që qeverisja lokale në rajonet e populluara me shqiptarë duhej drejtuar nga shqiptarët, ku në kuadër të kësaj u realizua bashkimi i komuniteteve islame në një komunitetet të vetëm. Me ndryshimet e lartpërmendur u bë edhe ndarja e re administrative e Bashkësisë Islame në Kosovë, pra ajo nën okupimin italianë u lidh me kryeqendrën e re në Tiranë. Në pjesë italiane të Kosovës u formuan dy zona të kryemyftinive: në Prizren dhe në Prishtinë. Gjakova bënte pjesë në kryemyftininë e Prizrenit. Fjalët çelës: Lufta e Dytë Botërore, Komuniteti Mysliman Shqiptar, aktiviteti i nënmyftinisë në Gjakovë.
Në prill të vitit 1941, shtetet e Bllokut fashist sulmuan Jugosllavinë, duke e shpërbërë dhe copëtuar atë.(1) Fatin e saj e përjetuan edhe trevat shqiptare, që ishin nën sundimin jugosllav. Në kuadër të pushtimit nazifashist, viset shqiptare u ndanë në tri zona pushtimi: gjermane, italiane dhe bullgare. Pjesa më e madhe e Kosovës, së bashku me trevat veriperëndimore të Plavës, Gucisë, Rozhajës, Tutinit, Ulqinit, Tuzit; trevat lindore etnike shqiptare dhe pikërisht Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova e Struga, u përfshinë në zonën italiane të pushtimit.(2) Zonës okupuese gjermane iu bashkëngjitën Qarku i Mitrovicës, ku u përfshinë edhe rrethet e Podujevës, Vushtrrisë dhe Tregut të Ri, që hynë në kuadër të Serbisë së Nediqit. Bullgarisë fashiste veç rrethit të Shkupit e Kumanovës, i takoi një pjesë e rrethit të Gjilanit, Kaçanikut, Vitisë si dhe Presheva e Bujanoci.(3) Edhe pse bashkimi u bë nën kapelën fashiste, megjithatë për popullsinë shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore kishte rëndësi të madhe historike. Forcat pushtuese vendosën që qeverisja lokale në rajonet e populluara nga shqiptarë duhej drejtuar nga shqiptarë(4), dhe gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare bashkë me atë italiane. Për herë të parë u rihapën shkolla fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe, u legalizua përdorimi i simboleve kombëtare, u lejuan gazetat shqip, u lejua shënimi i festave shqiptare(5) dhe u realizua bashkimi i komuniteteve islame në një komunitet të vetëm.(6)
Me ndarjen e lartpërmendur u bë edhe ndarja e re administrative e Bashkësisë Islame në Kosovë. Pra ajo që u bashkua me Shqipërinë nën okupimin italian u lidh me kryeqendrën e re në Tiranë. Në zonën bullgare organizimi i Bashkësisë Islame mbeti i pa ndryshuar. Ulema Mexhlisi e Shkupit ishte një ndër qendrat e islamit, që përfshinte tërë viset shqiptare në jugosllavi e themeluar më 1921, për t’u reformuar dhe marrë nën kontroll nga shqiptarët pas vitit 1936.(7) Nën okupimin bullgar kjo bashkësi u lidh me qendrën e Myftinisë Supreme në Sofje. Ndërkaq, në zonën gjermane, përkatësisht nga viti 1942 u lidhën me kryeqendrën e formuar në Novi Sad, që lidhej me Beograd. Në zonën e administrimit italian në Kosovë u formuan dy qendra të kryemyftinive: Prizren dhe Prishtinë. Në qendrat e kësaj zone ekzistonin kryemyftinjtë dhe myftinjtë, ndërsa në vendbanimet më të vogla nënmyftinitë dhe xhematët e imamëve.(8) Gjakova bënte pjesë në kryemyftininë e Prizrenit, e cila përfshinte edhe vakëfet e: Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit,(9) ndërsa kryemyftinia e Prishtinës përfshinte: Gjilanin, Drenicën (Skenderaj) dhe Ferizajn.(10) Peja, për arsye se nuk ishte parashikuar në buxhet për kryemyftini, mbeti myftini dhe komunikonte drejtpërdrejt me Këshillin e Ulemave. Myftinia e Pejës përfshinte: Istogun, Plavën, Gucinë, Rozhajën dhe Tutinin. Në kuadër të kësaj ndarjeje administrative të vakëfeve, Gjakova kishte edhe 10 këshilla të xhematit, të lagjeve dhe fshatrave të cilat kishin qendra selie në: Cermjan, Raniq, Deçan, Skivjan, Junik, Ponoshec, Lagjja Qerim, Lagjja Hadum, Lagjja e Xhamisë së Mahmut Pashës, Lagjja e Xhamisë së Mulla Jusufit.(11)
Gjakova zinte një vend të rëndësishëm në ndarjen administrative në kuadër të ristrukturimit të Komunitetit Mysliman Shqiptar për shkak të rrethanave të reja që u krijuan në kulmin e Luftës së Dytë Botërore. Ajo si qendër kryesore në perëndim të Kosovës, por edhe viset përreth çmoheshin lartë në faqet e revistës “Kultura islame”, e cila ishte organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Në një artikull të kësaj reviste ndër të tjera shkruhej: “Përveç kësaj asht edhe pllaja e Priszrendit e Gjakovës dhe ajo e Pejës. Këto ndahen prej fushës së Madhe vetëm me anën e Malësisë së Drenicës dhe atë të Sërmollës, dhe kufizohen si në veri ashtu edhe në jugperëndim me Alpet e nalta të Shqipnis dhe me malsin e Gjakovës, të Lumës e të Gorës. Pra të gjitha qytetet e Kosovës mbarë gozhdohen me radhë në atë fushë të bekueme sikurse me qenë nji varg inxhish”.(12) Vlerësime të tilla për këto treva vinin për shkak se ishin të pasura me trashëgimi islame-orientale si me xhami,(13) teqe,(14) mektebe,(15) por në veçanti me Medresenë e Madhe (rreth viteve 1700) dhe Medresenë e Vogël (1815), të cilat ishin institucionet kryesore të arsimimit, nëpër të cilat përveç që mësoheshin gjuhët osmane, arabe dhe perse, shpjegimi i lëndëve mësimore bëhej edhe në gjuhën shqipe.(16) Kjo është edhe arsyeja se pushtimi serb midis dy luftërave botërore nuk arriti të shtrinte ndikimin dhe influencën e vet, pasi organet administrative fetare islame ishin të vetmet institucione, që mund të quhen organe institucionale legale për shqiptarët myslimanë të viseve të okupuara, ku ata mund të komunikonin jozyrtarisht në gjuhën amtare, shqipe.(17) Kështu, edhe Partia Komuniste Jugosllave (PKJ) në Gjakovë nuk ka qenë gjer në prill të viti 1941 parti masovike, kryesisht malazezë dhe disa serbë.(18)
Gjatë kësaj periudhe u bë edhe riemërimi i imamëve. Dekretet e emërtimit lëshoheshin nga kryeqendra përkatëse në Tiranë. Imamët ndaheshin në dy kategori: në shtetëror dhe privat. Meqë imamët shtetëror paguheshin me rroga të larta (imami shtetëror në zonën okupuese italiane merrte 600, vaizi 400, mësuesi i besimit 500, myezini 400 lekë, etj.), kurse imamët privat mbaheshin nga kontributet e besimtarëve. Kjo gjë nuk hetohet në veprimtarinë e tyre profesionale.(19) Në kuadër të këtij riorganizimi, Komunitetit Mysliman Shqiptar me qendër në Tiranë, me kërkesë të nënprefektit Sulejman Kryeziu, i kërkohej emërimi si myfti në Gjakovë i Fahri Iljazit Myderriz,(20) i cili kishte filluar detyrën më 9 maj 1941, por ama nënprefektura dëshironte dekretimin e tij zyrtar nga Kryesia e Komunitetit Mysliman, pasi e konsideronte atë: “Nji fetarë i zoti në çdo pikpamje e ma i nderit intelektual i këti qyteti”.(21) Përkushtimin e tij si fetar dhe intelektual gjatë Luftës së Dytë Botërore e dëshmon edhe angazhimi nga kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Behxhet Shapati, për të zhvilluar hetimet për parregullsitë e shfaqura në Myftininë e Gjilanit,(22) ku Shaip Rexhepi ishte shkarkuar nga pozita e myftiut për shkak të pazotësisë së tij për të interpretuar drejt disa fetva. Në vend të tij ishte emëruar Idriz Hajrullahu.(23)
Në vazhdën e organizimeve dhe të emërimeve në kuadër të Bashkësisë Islame, filloi të promovohej aktivisht pjesëmarrja e të rinjve në nivele të ndryshme lokale e regjionale. Kështu, Ismajl Agush Gashi, banues në Gjakovë, i drejtohet me një kërkesë Kryesisë së Komunitetit Mysliman Shqiptar, i cili pasi potencon kualifikimin e tij si i diplomuar në Medresenë të drejtuar prej myderrizit Fahri Iljazit, kërkonte që nëse shfaqet nevoja e emërimit të një nënmyftije në nënprefekturën e Rahovecit, ishte i gatshëm të shërbente, pasi me këtë vend ishte në kontakt prej shumë kohësh.(24)
Në këtë kuadër të riorganizimit, teqetë në qytetin e Gjakovës u lidhën me kryeqendrën e re në Tiranë. Sipas dokumenteve arkivore vërtetohet që kryetari i Sektit Halveti ishte Shejh Qerim Kavaja, ndërsa kryetar i organizatës “Drita Hynore” ishte Ferdi Vokopola. Lidhjet e vjetra të teqeve të Shqipërisë dhe të Kosovës u ripërtërinë, dhe bashkëpunimi midis tyre u intensifikua. Në vitin 1942 u bë organizimi i rendeve aleviane. Shejhlerët e teqeve nga Gjakova, që u përfshinë në Kryesinë e Sekteve Aleviane të Shqipërisë,(25) ishin: Shejh Ramadani, Shejh Ahmeti, Shejh Haliti, Shejh Osmani, Shejh Jakupi, Shejh Rexhep Marina, ndërsa anëtar në organizatën “Drita Hynore” nga Gjakova ishte shejhu i Teqesë Rifa’i, Shejh Danjoll Shehu.(26)
Po ashtu, përveç lidhjeve administrative u intensifikuan edhe lidhjet dhe kontaktet ndërmjet prijësve fetar dhe popullsisë myslimane. Për të krijuar një fizionomi më të plotë për vakëfet, xhamitë dhe pasuritë e tyre dhe për të fituar një ide të qartë mbi të gjitha problemet fetare, që do të rregullohen në të ardhmen, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Behxhet Shapati, i shoqëruar nga Muharrem Mullahi, Sulejman Bakalli, Hafiz Muhameti, Hasan Tahsini, Vexhëhi Buhara, etj., realizoi një vizitë zyrtare në Kosovë, duke u nisur nga Tirana për të përfunduar në Gjilan. Në vizitën e tyre në Gjakovë, më 20 nëntor 1941, kishin dalë për t’i pritur prijësit fetar, si edhe të gjithë autoritet qeveritare e ushtarake të vendit dhe një numër i madh i popullatës së Gjakovës. Fjalën përshëndetëse të mirëseardhjes e mbajti Myderrizi Fahri Efendi Ilijazi, i cili ndër të tjerash thekson: “Shkëlqesi, me arritjen e Personit t’Uaj fort të lartë e të dashur, kjo turmë qytetarësh të Gjakovës së bashku me ata të krahinave të sajë, më kanë ngarkuar t’Ju shpreh mirëseardhjen. Na që të gjithë ndiejmë në zemrat t’ona ngushëllimet më të mëdha kur shohim pranë nesh personin t’Uaj të lartë, i cili duke marrë parasysh udhëtimin e lodhshëm e të gjatë, denjoi të na vizitojë, pas sa vjet mundimesh, vuajtjesh dhe torturimesh të Kosovës së robëruar. E tërë kjo turmë që ka dale këtu për t’Ju pritë ndien në shpirtin e saj gëzim të madh për këtë vizitë që na bëtë. Tash që na u bashkuam me Mëmën Shqipëri, me të cilën na bashkon gjuha, gjaku, dhe feja, e ndiejmë vetveten më se të lumtur, e sidomos kur shohim pranë nesh Kryetarin e Fesë s’onë, që është një vëlla i ynë, i gjakut e i gjuhës s’onë. Prandaj, Ju shprehim Shkëlqesë dashurinë më të sinqertë, nderimet më të gjalla si edhe çmimet më të zgjedhura, si në emën të Klerit ashtu edhe të këtij grumbulli qytetarësh. Shkelqësi, zemrat t’ona kullojshin gjak për të parë një ditë të realizuar ëndrrën t’onë të madhe, Bashkimin me Mëmën Shqipëri në të gjitha fushat e sidomos në atë fetare e shpirtërore. Por sot që u realizua kjo nuk na mbetet veçse të duamë, të nderojmë dhe të çmojmë njeri-tjetrin. Të zhvillohemi në pikëpamje shpirtërore, intelektuale dhe patriotike”.(27) Me këtë rast, kryetari i Komunitetit Mysliman, Behxhet Shapati, shprehu konsideratat e tij për mikpritjen e parisë dhe e popullatës së Gjakovës, duke vlerësuar: ”Të nderçëm zotërinj, i prekur thellësisht për mikpritjen që patët nderin të më bëni, ju shpreh të gjithëvet me gjithë zemër e me gjithë shpirt falënderimet e mija më të zjarrta. Na ishim të ndarë prej njeri-tjetrit vetëm me trup ndërsa shpirtërisht ishim tërësisht të bashkuar”.(28) Pastaj delegacioni nga Tirana vizitoi Medresenë e Gjakovës, ku u prit nga një numër nxënësish të kësaj Medreseje. Kryemyftiu i zonës së Tiranës, Muharrem Mullahi foli me një gjuhë të mprehtë mbi vëllazërimin mysliman shqiptar. Këtij iu përgjigj menjëherë Myderriz Hasan Islami (Hasan ef. Nahi A.D.) duke përshkruar vuajtjet e popullit të Gjakovës gjatë kohës së pushtuesve serbë, ku ndër të tjera potencoi sesi malazezët kishin grabitur tokat shqiptare, e sidomos në Gjakovë. Kryetari i Komunitetit, Behxhet Shapati foli përsëri, duke këshilluar për të zënë udhën e mbarë se kështu do të qetësoheshin edhe shpirtrat e atyre që ranë dëshmorë për atdhe e për fe. Më tej Shapati ishte shprehur se duhet të përparojmë në mënyrë që të meritojmë të trashëgojmë vlerat morale e patriotike të atyre burrave që lanë eshtrat e tyre dhe që e lyen çdo pëllëmbë të këtij vendi me gjak për të na dhënë lirinë, që po e shfrytëzojmë sot. Në fund, ai porositi: “Le t’ia dimë vleftën asaj”.(29). Po atë ditë në mbrëmje, në Medrese, kryetari i Komunitetit bisedoi për çështjet fetare me një ndër hoxhallarët më në zë të Gjakovës, Asim ef. Luzha, mbi kurset fetare, mbi ligjet fetare në fuqi, mbi çështjet që kanë të bëjnë me imamët, e mbi problemet e 150 studentëve që kishin studiuar në Medresenë “Isa Begu” në Shkup. Shumë prej këtyre studentëve, pasi medreseja ishte mbyllur, kishin shkuar nëpër gjimnaze. Ata biseduan edhe për zgjerimin dhe reformimin e Medresesë së Përgjithshme në Tiranë, në të cilën do të gjenin strehë disa nga këta studentë. Populli gjithashtu kërkonte mësues t’u përshtaten shkollave fillore të atjeshme. Këta mësues duhet dhënë një hov të shpejtë gjeneratës së re, si nga pikëpamja kombëtare ashtu edhe nga ajo fetare.
Ditën e nesërme, më 21 nëntor 1941, delegacioni pak para se të falen në xhaminë kryesore të Gjakovës “Hadumit” apo siç e quanin ata “faltore madhështore të Gjakovës”, Myderrizi Fahri ef. Iliazi mbajti një predikim të bukur, ndërsa hytben e këndoi Asim ef. Luzha me një melodi të këndshme. Pas faljes së xhumasë, delegacioni u kthye në medrese, ku u shtrua një drekë, me ç’rast u njohën edhe me programin mësimor të medresesë, e që u bënë përshtypje disa mësime si në: filozofi, etikë, jurisprudecë islame etj., të cilat sipas tyre duhet të vihen edhe në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë. Delegacioni përfundoi vizitën në Gjakovë për të vazhduar në qytetin e Pejës.
Hoxhallarët e Gjakovës, të pasur me tradita fetare, atdhetare dhe kulturore, dekada me radhë ishin angazhuar për ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e këtyre traditave. Kjo shihet edhe nga pjesëmarrja e tyre në Kongresin e Klerit Mysliman të Kosovës, të mbajtur më 22 nëntor 1941 në Prizren. Si përfaqësues të Gjakovës, ishin: Hasan Islami (Hasan ef. Nahi A.D.) e Asim Luzha. Kongresi ngarkoi si kryetar të përkohshëm, Hafiz Abdulla Hizirin.(30) Kongresi kishte si qëllim Bashkimin Kombëtar, perfeksionimin e organizimit fetar për realizmin e parimeve islame. Përderisa të stabilizohej gjendja juridike e vendeve të çliruara, Kongresi e mendoi të nevojshme që administrimi fetar në këtë vend të dirigjohet prej një myftiu të përgjithshëm dhe i përbërë prej 4 anëtarëve të zgjedhur nga ky Kongres, me qendër në Prizren. Myftinia e përgjithshme mund të varen në Kryesinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, ndërsa Këshilli i Naltë i Sheriatit do të kishte kompetenca për organizimin fetar të këtyre vendeve, moralisht dhe materialisht. Këshilli i Naltë për rregullimin e mësim-besimit dhe të gjitha kompetencat e “Ulema Mexhlisit” të Shkupit, i vishen Këshillit të Naltë të Sheriatit në Prizren.(31) Kjo u bë për shkak se për momentin Shkupi mbeti jashtë Kosovës. Iniciatorët e kësaj lëvizjeje deshën të formojnë një “Ulema Mexhlis” për Kosovën. Përfaqësuesi i Gjakovës në këtë Kongres, Hasan Islami, më vonë u njoh me emrin Hasan efendi Nahi, dijetari i madh, myderriz, studiues, mendimtar(32) dhe përkthyes i Kuranit,(33) aftësitë e të cilit, kontributi familjar,(34) puna e aktivitetit i tij nëpër Kosovë bënë që në prill 1943, të emërohej drejtor i Medresesë “Mehmet Pasha” në Prizren (1943-1948).(35) Paralelisht me këtë emërohet edhe kryemyfti i Prizrenit dhe i Dukagjinit,(36) për t’u bërë pastaj ndër hoxhallarët kryesorë në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore, në një kohë shumë të vështirë për popullin shqiptar në aspektin fetar e kombëtar.
Gjatë viteve 1939-1945 në Shqipëri u botua revista “Kultura islame”, e përmuajshme fetare,(37) filozofike, letrare, morale e shoqërore,(38) pasardhëse e revistës së njohur “Zani i Naltë” (1923-1939),(39) që ishte organ zyrtar i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Revista kishte si qëllim edukimin fetar të tyre në përputhje me të gjitha normat e fesë islame. Autorë të këtyre shkrimeve ulema, hoxhallarë e fetarë të shquar, paraqisnin përpara besimtarëve rrënjët historike të islamit, shtrirjen e tij, pejgamberet myslimanë, festat e ritet fetare, detyrimet islame, etj.. Por, mbi të gjitha, vend të dukshëm zënë, në faqet e revistave, shkrimet që kultivojnë moralin dhe normat islame, që kanë si synim të edukojnë te njeriu virtytet më të mira, që mund të sintetizohen te një njeri i vlefshëm për shoqërinë dhe për atdheun.(40) Prandaj pas unifikimit të bashkësive fetare islame në trevat shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, kjo revistë pati jehonë dhe sukses në qytetin e Gjakovës në mbajtjen me rregull të revistës me shërbimin e saj, duke plotësuar misionin që i kishte besuar Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
Në korrik 1942, mëkëmbësi i Italisë fashiste në Shqipëri, Jakomoni, filloi një riorganizim të ri të Komunitetit Mysliman. Ishte si një nismë për t’i dhënë një vulë më shumë unitare Shqipërisë së bashkuar.(41) Italianët, të kujdesshëm ndaj ndryshimeve politiko-fetare të shkaktuara nga gjendja e re që ishte krijuar në qershor të 1942, e zëvendësuan Behxhet Shapatin me Hafiz Sherif Langun,(42) edhe pse ai, siç shkruante Jakomoni në raportin e tij për Romën: “Sado që i kryente detyrat duke më kënaqur, nuk gëzonte, megjithatë në këtë mjedis islam, për shkaqe personale, atë kredi që unë e mendoj të nevojshëm për një personalitet në funksion aq të lartë”.(43) Pushteti italian bëri një riorganizim të fesë islame në Shqipëri, duke zëvendësuar Këshillin e Përgjithshëm të Komunitetit me një organ kolegjial drejtues, i quajtur Këshilli i Ulemave,(44) pesë anëtarët e të cilit emëroheshin që të gjithë nga mëkëmbësi.(45) Kjo ishte një mënyrë për të shtuar kujdesin për institucionet e fesë islame në Shqipëri(46) dhe për të krijuar një hapësirë përfaqësimi të myslimanëve të territoreve tjera, që deri në ato kohë ndodheshin jashtë kufijve të Shqipërisë.(47) Prandaj, kryetari Hafiz Sherif Langu, për të krijuar një pasqyrë më të qartë, në kuadrin e administrimit të përbashkët të Komunitetit Mysliman Shqiptar në një njësi të vetme, kërkoi informacione të hollësishme mbi gjendjen e popullsisë myslimane, xhamitë dhe teqetë e tokave të liruara të Kosovës.(48) Në bazë të informacioneve të regjistruara, Gjakova rezulton të kishte shtëpi myslimane 4 848, meshkuj 18 307, femra 16 578, gjithsej 34 885 frymë;(49) kishte 14 teqe të tarikateve të ndryshme, 2 rifa’i, 3 kaderi, 1 bektashi, 3 halveti, 1 nakshibendi dhe 4 sadi;(50) kishte 39 xhamia.(51) Po ashtu, në qytetin e Gjakovës dhe rrethinës gjatë kësaj kohe personeli i shërbyesve të xhamive përkatëse ishin: Idriz Shaqiri, Xhamia e Mulla Jusufit; Hasan Dashi, Xhamia e Mahmut Pashës; Asim Luzha, Xhamia e Qerimit; Mustafa Canhasi, Xhamia e Hadumit; Bajram Agani, Xhamia e Irzniçit; Halil Sulejmani, Xhamia e Cermjanit; Sadik Jusufi, Xhamia e Junikut; Ismajl Abdurrahmo, Xhamia e Deçanit; Imer M. Guta, Xhamia e Ponoshecit dhe Xhamia e Skivjanit, Selim Abdurrahimi.(52) Siç shihet, Gjakova nëpërmjet objekteve të saj të proviniences islame dhe funksionarëve klerikalë, në rrethanat e zhvillimeve historiko-politike gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe rio ganizimit institucional të Komunitetit Mysliman Shqiptar, kishte rëndësi gjeostrategjike si qytet, ishte vend kryqëzim i lidhjeve qarkulluese të shumta të karakterit rajonal dhe ndër rajonal,(53) me tokë pjellore, fusha, male, si dhe bjeshkë që rrethojnë në jugperëndim.(54) Këto kushte nxitën dhe favorizuan zhvillimin dhe funksionimin ekonomik,(55) të cilat i dhanë mundësi ndërtimit të xhamive,(56) bibliotekave,(57) mejtepeve(58) e medreseve(59) e krahas tyre edhe të institucioneve të tjera me karakter ekonomik, social dhe shoqëror,(60) ku edhe gravitonte një numër i madh i besimtarëve dhe nxënësve nga trevat e ndryshme që dëshironin të arsimoheshin në medresetë e Gjakovës. Mirëpo Bashkësia Islame e Gjakovës dhe aktivitetet e saj fetare në përfundim të Luftës së Dytë Botërore filluan ta marrin tatëpjetën, sepse qendra e Luftës Nacionalçlirimtare e Kosovës ishte në qytetin e Gjakovës. Të rinjtë të brumosur me idetë komuniste në shkollat e Shqipërisë, në qytetet si: Tirana, Shkodra dhe Elbasani, u kthyen në vendlindje për zhvillime të vrullshme të Luftës Antifashiste, prandaj këto ide ishin shumë të ashpra ndaj Bashkësisë Islame në Gjakovë dhe veprimtarinë e tyre e kishte cilësuar si primitive dhe të prapambetur, gjë që më vonë solli edhe mbylljen e Medresesë së Vogël më 1947, me myderrizin e fundit, Jahja efendi Bakalli.(61)
Periudha në fund të Luftës së Dytë Botërore ishte e vështirë edhe për popullatën gjakovare. Lufta për çlirimin e vendit nga pushtuesit fashistë nuk solli ndryshime në statusin e shqiptarëve të Kosovës dhe të tokave të tjera në përbërje të Jugosllavisë, por solli ripushtimin e saj. Madje ndaj tyre u shtua më shumë shtypja nga shteti policor i Serbisë. Atyre iu mohuan të drejtat nacionale dhe shoqërore, mirëpo në rrethana të tilla, dijetarët myslimanë nuk mbetën duarkryq, por shfrytëzuan potencialet e tyre si intelektuale ashtu edhe ato njerëzore, për t’i dalë krah popullatës së pambrojtur shqiptare. Njerëz me influencë si: hoxha Mustafa Canhasi e Shejh Danjolli u zgjodhën këshilltarë të Këshillit Popullor Krahinor, për rrethin e Gjakovës.(62) Ky ishte preludi i një periudhe shumë të vështirë për fenë islame jo vetëm në Gjakovë, por edhe në tërë Kosovën, ku për më tepër se gjysmë shekulli në viset shqiptare u sfidua nga ideologjia komuniste. Sistemi shtetëror i cili u instalua, pengoi zhvillimin, ruajtjen dhe përhapjen e fesë ndër gjeneratat e reja. Por megjithatë, populli, të devotshmit, i ruajtën dhe i kultivuan vlerat e saj deri në ditët e sotme.(63) Kështu e përshkruan gjendjen në Gjakovë e rrethinë disa nga intelektualët e kohës, gjë që mendoj se përshkrimi i tyre i përgjigjet të vërtetës objektive shkencore historike.
____________________________________
1. Xhelal Gjeçovi, “Çështja Kombëtare Shqiptare në vitet e Luftës së Dytë Botërore” , Studime historike, 3-4, (2005), 147; Muharrem Dezhgiu, ”Kombi shqiptar në planet strategjike të fuqive ndërluftuese gjatë Luftës II Botërore”, Studime historike, 3-4, (2005), 160; Lefter Nasi, “Kosova dhe problemi kombëtar në vitet 1941-1943”, Kosova, 28, (2006), 213.
2. Arkivi Qendror Shqiptare (më tej: AQSH), Fondi (F). 266, Ministria e Tokave te Lirume, f.1-25; Kuadri i Personelit të Nënprefekturave: Dragash, Rahovec, Suharekë, Gjakovë, Istog, Drenicë, Plavë, Cucinjë, Rozhajë, Gjilan, Ferizoviq, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë, Rekë, Carisver (Prespë e madhe); AQSH, F. 266, Ministria e Tokave të Lirume, V. 1943, Nr. 32, f.2: Koncept Mbretnija e Shqiptare Komisariati i Naltë Civil për Kosovë, Dibër e Strugë. Prizren 29 gen 1943; Muhamet Shatri, Kosova në Luftën e Dytë Botërore, (Prishtinë: Instituti i Historisë-Prishtinë, 1997), 19; Muharrem Dezhgiu, ”Përpjekjet e forcave politike shqiptare për bashkëpunim gjatë Luftës së Dytë Botërore”, Studime historike, 1-2,(2000), 189.
3. Fehmi Rexhepi, “Lufta e shqiptarëve për vetëvendosje e bashkim kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore”, Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore (Përmbledhje studimesh), (Prishtinë: Instituti i Historisë” Ali Hadri”-Prishtinë, Instituti i Historisë-Tiranë, 2014), 136-137.
4. Stefan Karastojanov, Kosova (Një analize gjeopolitike), (Shkup: Serembe, 2007), 152.
5. Kastriot Dervishi, Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005, (Tiranë: 55, 2006), 450; Valentina Duka, Histori e Shqipërisë 1912-2000, (Tiranë: Kristalina-KH, 2007), 213.
6. AQSH, F. 482, V. 1941, D. 12, f. 115: Letër e Ministrisë së Drejtësisë, Kryesisë së Komunitetit Mysliman, Tiranë, 27. XII. 1941; Alexandre Popovic, Islamizmi ballkanik; Myslimanët e Evropës juglindore gjatë periudhës pasosmane, (Tiranë: Dituria, 2006), 53.
7. Qerim Lita, “Shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi 1937-1941 dhe roli i Bashkësisë Fetare Islame në pengimin e saj”, Zani i Naltë, 7(160), (2014), 39-43.
8. Jusuf Osmani, “Burimet arkivore për veprimtarinë e institucioneve myslimane në Kosovë”, Dituria islame, 63, (1994), 40.
9. AQSH, F. 482, V. 1943, D. 23, f. 3: Lista që tregon emrat e komunave të qarkut të prefekturës së Prizrenit.
10. Haki Kasumi, “Qëndrimi i Bashkësisë Fetare Islame ndaj Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Kosovë (1941-1945)” , Kosova, 12, (1983), 47.
11. AQSH, F. 482, V. 1944, D. 80, f. 26: Përkthim; Rradhuer i Keshillevet të Xhemaateve në
rrethveprimin e Keshillit t’Ylemave në Shkup me numrin e shtëpive i perbamë në bazë të rrapotave të marruna nga zyrat e rrethveprimit për vitin 1935. Përkthyesi Zav. Inspektori, Tiranë, 23. VI. 1944.
12. Avni Zaimi, “Kosova asht hambari arbënuer i frithnavet”, Kultura islame, 1(49),(1943), 16.
13. Dragan ?uki?, Kosova monumentet dhe bukuritë, (Nish: Lidhja Turistike e Kosovës Prishtinë, 1971), 140-141; Mexhid Yvejsi, Ylematë e Gjakovës mburojë e Kosovës, (Gjakovë:
Urtësia, 2003), 17-19; Fejaz Drançolli, Xhamia e Hadumit, Çarshia e Gjakovës, (Prishtinë: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, 2007), 8.
14. AQSH, F. 482, V. 1944, D. 80, f. 16; Letër e Inspektorisë, Komunitetit Mysliman Shqiptarë, Tiranë 27. VI. 1944; Sheh Muhamed Shehu, Sheh Shefqeti dhe Teqeja e Madhe në shërbim të Zotit në shërbim të popullit, (Gjakovë, 1414/1998), 36-70; Sheh Adem Nuri Gjakova, Principe e Rregulla të Dervishizmit, (Gjakovë: Teqeja Asitane e Rrifaive për Kosovë e Shqipëri në Gjakovë, 2000), 116.
15. Ismail Rexhepi, Sadik Mehmeti, “Institucionet islame dhe nëpunësit fetarë në Gjakovë me rrethinë ndërmjet dy luftërave botërore (2)” , Dituria islame, 143, (2002), 50.
16. Mexhid Yvejsi, “Objektet material, kulturore dhe shpirtëror të trashëgimisë orientale-islame në Gjakovë” , Trashëgimia Orientale-Islame në Ballkan, Konferenca Shkencore Ndërkombëtare e mbajtur në Prishtinë më 15 qershor 2015. (Prishtinë: Instituti për Shkencat Humane “Ibni Sina”, 2015), 204.
17. Haki Kasumi, “Gjendja organizative e bashkësisë islame te shqiptarët nën okupimin jugosllav 1912-1941”, Feja, Kultura dhe Tradita Islame ndër Shqiptarët, Simpozium ndërkombëtar i mbajtur në Prishtinë më 15, 16, 17 tetor 1992, (Prishtinë: Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, 1995), 463.
18. Ali Hadri, “Gjakova prej themelimit deri më 1941”, Kosova, 1, (1972), 455.
19. Haki Kasumi, Bashkësitë fetare në Kosovë, (Prishtinë: Instituti i Historisë së Kosovës, 1988), 11.
20. Myderrizi, Hafiz Fahri Efendi Iljazi ishte njëri prej hoxhallarëve më të ditur në tërë Kosovën.
Lindi në vitin 1906, në Gjakovë. Shkollimi fillestar e kreu në Gjakovë, e mësoi Kur’anin përmendësh, ku në moshën 11-vjeçare dhe e fitoi titullin e Hafiz. I vijoi studimet në Medresenë “Mehmed Pasha” në Prizren. Që nga janari i vitit 1930 e deri në vitin 1948, kur e mbyllën komunistët, Hafiz Fahri Efendi Iljazi ka qenë Myderriz, udhëheqësi kryesor, në Medresenë e Madhe të Gjakovë. Ka shërbye si imam në disa xhami, dhe ka shërbye si kryeimam i Gjakovës, edhe i një pjese të Kosovës që quhet Dukagjin, duke përfshi Pejën, Istogun deri në Klinë. Ka qenë kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, gjithashtu, ka shërbye në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovë. Hafiz Fahriu ndërroi jetë më 19 nëntor 1985, në moshën 82-vjeçare. Shërbimet e fundit mortore, në këtë jetë të përkohshme tokësore, i kreu kushërini i tij, nxënësi i tij, Hafiz Selim Yvejsi: AQSH, F. 482, V. 1941, D. 12, f. 41; Mexhid Yvejsi, Hafizët e Gjakovës-krenaria e Kosovës, (Gjakovë: EPRO PRINT, 2013), 79-90; Mexhid Yvejsi, 101 personalitete fetare-atdhetare-kulturore-letrare, (Prishtinë: Instituti për shkencat humane “Ibni Sina”, 2013), 348-356; Mexhid Yvejsi, “Në përkujtim të 110-vjetorit të lindjes së dijetarit të famshëm - hoxhës së hoxhallarëve Myderriz, Hafiz Fahri Ef. Iljazi (103-1985)”, Edukata islame, 104, (2013), 251-264.
21. AQSH, F. 482, V. 1941, D. 12, f. 30: Letër e Sulejman Kryeziut, Kryesisë së Komunitetit Mysliman, Gjakovë, 26. VI. 1941.
22. Aliriza Selmani, ”BI e Gjilanit gjatë Luftës së Dytë Botërore”, Edukata islame, 82, (2007), 82.
23. AQSH, F. 482, V. 1941, D. 12, f. 2: Letër e Bahxhet Shapatit, Idriz Hajrullahut. Tiranë. 19.
XII. 1941.
24. AQSH, F. 482, V. 1941, D. 12, f. 75: Letër e Ismajl Alush Gashi, Kryesisë së Komunitetit Mysliman Shqiptar. Gjakovë. 26. XI. 1941.
25. AQSH, F. 482, V. 1942, D. 18, f. 1; Lista që përmban emrat e fetarëve në tokat e çliruara të Shqipërisë. Tiranë. Më dat. 21. X. 1942.
26. “Haxhi Shejh Danjoll Shehu”Rufai” Gjakovë”, Buletin”HU”, 3-4, (1981), 40.
27. Sadik Bega, “Reportazh mbi vizitën e kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar në Kosovë; Kryetar i Komunitetit Mysliman në Gjakovë” Kultura islame, 3-4, (1941), 80.
28. Po aty.
29. Po aty.
30. Resul Rexhepi& Sadik Mehmeti, “Myderrizi i Medresesë “Mehmet Pasha” të Prizrenit Hafiz Abdullah ef Hiziri-Telaku (Ld. 15.5.1895-vd. 04.04.1943)”, Takvim, 42, (2011), 207.
31. Ali M. Basha, Rrugëtimi i fesë islame në Prishtinë (1912-1967), (Tiranë: 2011), 330.
32. Naim Tërnava, “Hasan efendi Nahi personaliteti islam i shkeullit të njëzet”, Myderriz Hasan ef. Nahi Jeta dhe vepra (1905-1991, Konferecë shkencore mbajtur në Prishtinë, më 5 shkurt 2011, (Prishtinë: Kryesia e Bashkësia Islame të Kosovës, 2012), 9.
33. Resul Rexhepi, “Hasan ef. Nahi-përkthes i Kuranit fisnik”, Myderriz Hasan ef. Nahi Jeta dhe vepra (1905-1991, Konferecë shkencore mbajtur në Prishtinë, më 5 shkurt 2011, (Prishtinë: Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, 2012), 101.
34. Nehat Krasniqi, “Reflekse të traditës kulturore të vendlindjes në personalitetin e Hasan efendi Nahit” , Edukata islame, 89, (2012), 157-168.
35. Sadik Mehmeti, “Hasan ef. Nahi myderriz i Medresesë “Mehmet Pasha” në Prizren (1943-1948)”, Myderriz Hasan ef. Nahi, Jeta dhe vepra (1905-1991, Konferencë shkencore e mbajtur në Prishtinë më 5 shkurt 2011, (Prishtinë: Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës,
2012), 37.
36. Qemajl Morina, “Hasan ef. Nahi-student në Universitetin “AL-Azharit” në Kajro”, Myderriz Hasan ef. Nahi, Jeta dhe vepra (1905-1991, Konferencë shkencore e mbajtur në Prishtinë, më 5 shkurt 2011, (Prishtinë: Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, 2012), 33.
37. Sadik Bega, “Ç’vend zen Kurani në pikëpamje legjislacioni?”, Kultura islame, 1, (1939), 15-19.
38. Fjalor enciklopedik shqiptar 2, (Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2008), 1407.
39. Fahrush Rexhepi, Periodiku shqiptar islam; Gjysma e parë e shekullit XX, (Prishtinë: Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, 2013), 162; Ali Musa Basha, ”Tematika e revistës “Zani i Naltë”-1923-1939”, Zani i Naltë, 5(158), (2013), 6; Gentiana Skura, “Zani i Naltë”, dhe kontributi për vetëdijesimin kombëtar shqiptar”, Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar, Konferencë shkencore mbajtur në Tiranë më 28-29 shtator 2012, (Tiranë: Komuniteti Mysliman i Shqipërisë: Bashkësia Islame e Kosovës; Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë, 2013), 243; Mark Marku, “Zani i Naltë, jë model etik dhe përgjegjës i komunikimit fetar shqiptar”, Zani i Naltë, 13(166), (2015), 115; Resul Rexhepi, “Zani i Naltë” Revistë e mendimit dhe emancipimit fetar e kombëtar”, Zani i Naltë,15(168), (2016), 44-49.
40. Muharrem Dezhgiu, “Uniteti i luftës për atdhe e fe në revistën “Kultura islame”(1940-1944)”, Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët, Simpozium ndërkombëtar i mbajtur në Prishtinë më 15, 16, 17 tetor 1992, (Prishtinë: Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës,
1995), 427.
41. Robertao Moroco dela Roka, Kombi dhe feja në Shqipëri 1920-1944,(Tiranë:Elena Gjika), 203.
42. AQSH, F. 482, V. 1943, D.5, f. 37; Këshilli i Ylemave të Komunitetit Mysliman Shqiptar,
Vendim Nr. 7.,Tiranë. 5. I. 1944.
43. Basha, Rrugëtimi i Fesë Islame në Shqipëri…, 298.
44. Shyqyri Hysi, “Legjislacioni fetar në Shqipëri në vitet 1929-1949” , Studime historike, 1-2, (2006), 171.
45. “Reforma e Statutit së Komunitetit Mysliman Shqiptar”; “Pushteti i Këshillit t’Ulemasë” , Kultura islame, 10-11, (1942), 289-290.
46. Xhelal Gjeçovi, “Kleri Mysliman dhe Çështja Kombëtare në vitet e Luftës së Dytë Botërore”, Studime historike, 3-4, (2006), 171.
47. Basha, Rrugëtimi i Fesë Islame në Shqipëri…, 298.
48. AQSH, F. 482, V. 1944, D. 80, f. 16: Letër e Zav. Inspektori i Kryesisë së Këshillit t’Ylemave. Tiranë. 27. VI. 1944.
49. Po aty, f. 17.
50. Po aty, f. 18.
51. Po aty, f. 19.
52. AQSH, F. 482, V. 1944, D. 80, f. 35: Fahri Iljazit, Ramiz Riza, Mahmut Canhasi, Ahmet Korenica, Komuniteti Mysliman. Gjakovë. 15. 7. 1944.
53. Muharrem Cërrabregu, “Lashtësia e Gjakovës”, Rilindja, (E enjte, 6. XII. 1979), 13.
54. Ali Hadri, Gjakova në LNÇ, (Prishtinë: Enti i Historisë së Kosovës, 1974), 2; Jusuf Bajraktari, Gjakova me rrethinë (1878-1912), (Prishtinë: Instituti i Historisë-Prishtinë, 1998), 13; Nesim Vala, Kjo është Gjakova, (Gjakova: Ardi-Graphic, 2015), 22.
55. Hasan Kaleshi, Hans Jorgen, “Vilajeti i Prizrenit II”, Përparimi 3, (1967), 280-281; Skënder Rizaj, “Disa të dhëna mbi Gjakovën me rrethinë në kohën e sundimit osman”, Kosova 15, (1986), 348; Masar Rizvanolli, “Çarshia e Madhe - vatër e zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe kulturor të rajonit të Gjakovës”, Vjetar 39-40, (2008), 221-259; Nehat Krasniqi, “Roli i fisnikërisë shqiptare në zhvillimin e kulturës dhe civilizimit islam në trojet shqiptare gjatë periudhës osmane”, Vjetar, XXXV-XXXVI (2006), 216.
56. Pleurat Krasniqi, Aspekte kulturoro-historike të Gjakovës dhe ixhazetlinjtë 1870-1940, (Gjakovë: Litografia, 2002), 37-55; Fejaz Drançolli, Trashëgimia monumentale në Kosovë, (Prishtinë: 2011), 127-140.
57. Tefik Morina, ”Monumentet e kulturës islame në Kosovë dhe mbrojtja e tyre gjatë periudhës 1945-1992”, Feja, Kultura dhe Tradita Islame ndër Shqiptarët, Simpozium ndërkombëtar i mbajtur në Prishtinë më 15, 16, 17 tetor 1992, (Prishtinë: Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, 1995), 523.
58. Haki Kasumi, ”Shkollat fetare islame në Kosovë ndërmjet dy luftërave botërore”, Gjurmime albanologjike: seria e shkencave historike 12/1982, (1983), 160; Mexhid Yvejsi, Kështjellat e gjakut tonë, (Gjakovë, 2002), 11.
59. Ali Iljasi, “Medreseja e Madhe e Gjakovës”, Dituria islame, 100, (1998), 49-51; Feti Mehdiu, “Medreseja Alauddin”, Frymëzimi, 2, (2000), 28.
60. Feti Mehdiu, ”Kosova në “Kamus al “alam” të Sami Frashërit”, Kosova, 3, (1974), 477- 478; Skender Rizaj, ”Ekonomia dhe shoqëria e Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit XIX sipas burimeve osmane, angleze dhe shqiptare”, Kosova 5, (1976), 23-24; Zija Shkodra, Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, (Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, 1984), 139; Bedrush Shehu, ”Një raport i J. M?llerit për Kosovën në vitin 1838”, Kosova, 5, (1976), 68.
61. Krasniqi, Aspekte kulturoro-historike të Gjakovës..., 29.
62. Fahmi Pushkolli, Fronti Popullor-Lidhja Socialiste e Kosovës (1935-1975), (Prishtinë: 1983), 97.
63. Adem Zejnullahu, Aspekte të islamit te shqiptarët, (Prishtinë: Meshari, 2016), 29.
Dr. sc. Alban Dobruna
Edukata Islame 112