Begatia e kënaqësisë


Shejhu i nderuar, Muhamed Mutevelij esh-Sharavi (Allahu e mëshiroftë), tregon: “Në një ditë Ramazani, isha duke u kthyer në shtëpi, një orë para akshamit. Më ndaloi një njeri i varfër, i cili prezantonte në ligjëratat e mia në xhami, më përshëndeti me aq mallëngjim, sa që bëri që sytë e mi të lotojnë, e më tha: “Të betohem që për hatër të Allahut të vish sonte tek unë në iftar.”
Shejhu thotë: “Mu lidh gjuha nga mallëngjimi i tij dhe dëshirova që t’ia plotësoja dëshirën, mu ndriçua në zemrën time ajo për të Cilin u betua për nder të Tij, por i thashë: “O vëlla, familja ime më pret dhe rrethanat e mia nuk më lejojnë një gjë të tillë, por...” E gjeta veten time duk e pasuar atë deri te shtëpia e tij, por nuk e dija as vendin e as gjendjen e tij, në këtë kohë të ngushtë para iftarit.”
Arritëm te shtëpia e tij, ai kishte një dhomë dhe kuzhinë, si dhe një vend shumë të vogël dhe të hapur përjashta, të cilin e kishte blerë nga shokët e tij, kishte një hyrje me shkallë të vjetra nga druri, që nuk mund t’i bartnin dy veta, andaj duhej të ngjiteshim me kujdes në shkallët e vjetra të drurit dhe të dobëta, si pasojë e varfërisë. Lumturia e mbushte zemrën e këtij njeriu, shprehjet e falënderimit dhe kënaqësisë buronin nga buzët e tij, duke më thënë:
“Shiko o zotëria im, kjo shtëpi është prona ime (dhe e gjithë prona i takon Allahut), dhe askujt në botë nuk i kam borxh asnjë groshë. Shiko o zotëria im, dielli lind pranë dhomës sime në mëngjes dhe perëndon në anën tjetër. Këtu lexoj Kuran në mëngjes dhe para perëndimit të diellit, ndërsa bashkëshortja ime qëndron tek ajo dritarja dhe i lutet Zotit për mua. Pasha Allahun, o zotëria im, më duket sikur banoj në Xhenet.”
Shejhu vijon e thotë: “E gjithë kjo është duke i ndodhur dëgjimit tim, ndërsa unë isha duke u ngjitur në shkallët me kujdes, duke u frikësuar që të mos bie. Për disa çaste arritëm te dhoma dhe u ula, ndërsa njeriu shkoi te bashkëshortja e tij dhe me zë të ulët i tha: “Përgatite iftarin sepse sonte shejhu do të jetë mysafiri ynë”, ndërsa ajo ia ktheu: “Pasha Allahun, nuk kemi asgjë tjetër pos fasules, por edhe sikur të kishim, nuk kemi kohë, sepse iftari është për gjysmë ore.”
Shejhu thotë: “E dëgjova bisedën ndërmjet tyre dhe kur u kthye i zoti i shtëpisë i thashë: “O vëllai im, unë kam një kusht për ty. Unë bëj iftar me hurmat e mia dhe me ujë, pastaj nuk ha deri gjysmë ore pas ezanit, derisa të tretën hurmat dhe uji, e fali akshamin dhe pastaj nuk ha tjetër pos fasules dhe patateve të pjekura.”
Njeriu tha: “Si urdhëroni zotëria im!”
Shejhu tha: “Tani më lër mua të vetmohem me Zotin tim.” Shejhut iu plotësua ajo që e dëshironte, bëri iftar dhe shkoi.
Ai thotë: “I zgjodha patatet, sepse ato gjenden te të varfrit, duke llogaritur se ata i kanë ato. Dola dhe isha i tëri i kapluar me lumturi dhe gëzim. E desha botën nga gjuha e këtij njeriu, i cili nuk ndalej duke e falënderuar Allahun për mirësitë që ia ka dhuruar, për shtëpinë dhe për këtë jetë të bukur, me të cilën është duke u kënaqur.”
Shejhu vazhdon e thotë: “Pas disa ditësh mora një ftesë për një iftar me një grup njerëzish të dalluar, te një tregtar i pasur, ndërsa ai ishte prej atyre që Allahu e kishte begatuar me pasuri, prestigj, famë dhe familje. Vendi ku do të bënim iftar ishte një kopsht i madh, me të gjitha të mirat dhe gjërat e këndshme, në mes ishte një shtëpi që i ngjante një pallati, aty te kopshti kishte edhe disa kuaj të shtrenjtë. E bëmë ifarin te ky njeri. Pastaj gjatë daljes sonë, ky njeriu mu afrua mua dhe filloi të ankohej për ngushtësinë e jetës, problemet me tregtinë, problemet me fëmijët dhe bashkëshorten, për lakminë e të tjerëve ndaj tij, harxhimet e shumta për t’i kënaqur të gjithë njerëzit, mërzinë e tij nga kjo jetë dhe dëshirën e tij për të vdekur, që të lirohet nga këto vështirësi.”
Shejhu thotë: “Pasha Allahun, nga dera e të zotit të shtëpisë, e deri te dera e veturës sime, ky njeri ma nxiu botën para syve të mi, më mbylli gjoksin dhe frymëmarrjen time. Pastaj hipa në veturën time dhe e drejtova shikimin tim kah qielli dhe thashë: “Falënderimi i takon Allahut për begatinë e kënaqësisë”.
Kënaqësia nuk është në pasurinë e shumtë që e paguajmë çmimin e saj, por kënaqësia është në lidhjen e mirë me Allahun dhe me atë që Allahu e ka caktuar për ne.



Përktheu nga gjuha arabe: Muhamed Sadiki


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme