Vendi i poezisë në mësimin islam

Një numër i madh popujsh e trashëgimish kontribuuan në letrat myslimane në gjuhën arabe, që e njohim me emrin ‘letërsia klasike arabe’. Kjo letërsi bazat i ka në Kuran, edhe pse gjatë historisë ajo nuk u qëndroi gjithnjë konsekuente parimeve Kuranore dhe fesë islame në përgjithësi.

Hyrje

Një numër i madh popujsh e trashëgimish kontribuuan në letrat myslimane në gjuhën arabe, që e njohim me emrin ‘letërsia klasike arabe’. Kjo letërsi bazat i ka në Kuran, edhe pse gjatë historisë ajo nuk u qëndroi gjithnjë konsekuente parimeve kuranore dhe fesë islame në përgjithësi. Kjo ndodhi për arsye subjektive, sepse njeriu është i lirë dhe mund të prodhojë atë që dëshiron, duke ndjekur trendin e kohës kur jetoi, prirjet personale etj. Në këtë mënyrë, duke u larguar pak a shumë nga parimet e fesë, ata u larguan edhe nga parimet e poezisë islame, themelet e së cilës i vendosën poetët e parë Hasan ibn Thabiti, Ka’b ibn Zuhejri e emra të tjerë të mëdhenj.

Poezia, gjini e privilegjuar letrare

Te shumë popuj, dikur dhe sot, poezia konsiderohet apogje e të shprehurit, oratorisë, retorikës. Ndaj edhe Kurani u shpall pikërisht ta sfidojë poezinë e shkruar deri atëherë, e që kishte arritur nivele të larta. Zakonisht sfidohet diç cilësore, diç që ka futur rrënjë dhe paraqet identitetin e një populli, kulture, qytetërimi, e Kurani pikërisht këtë e bëri. Sepse, poezia është manifestim i ndjenjave më të larta njerëzore, i zjarrit të brendshëm. Ajo prezanton lloj të veçantë të letërsisë, e cila porosinë e poetit e shpreh nëpërmjet vargjeve dhe përmban një varg figurash stilistike, sikurse janë metafora, rima, krahasimi, hiperbola e të tjera. Sipas disave, poezia është lloji më i vjetër i letërsisë. Këtë fat poezia e ka edhe tek arabët para, gjatë dhe pas Shpalljes së Kuranit. Poezia islame në kohën e shpalljes së Kuranit dhe pas përfundimit të shpalljes së Kuranit është sajuar dhe është shkruar në gjuhën e Kuranit, pa marrë parasysh etninë arabe apo joarabe të autorit.
Poezia e vjetër arabe karakterizohet me këndimin që poetët i bënin fisit të vet dhe trimave të tyre. Ata i këndonin famës së paraardhësve, zotave të tyre, luftërave dhe ndihmës së hyjnive në luftëra. Me ardhjen e Kuranit dhe të Muhamedit a.s. gjërat do të ndryshojnë. Kurani nuk mbyllej brenda fiseve, as brenda një populli, por kishte platformë për mbarë botën. Nuk bazohej në një ngjyrë apo racë, në një territor apo gjuhë, por u jepte mundësi të të gjithë popujve dhe të gjitha vendeve, deri në Fundin e Botës. Koncepti kuranor mbi botën do të dallojë nga ai tribalist, andaj edhe poezia para fesë islame, për shkak të përmbajtjes idhujtare, nuk do të pranohet lehtë edhe në periudhën islame.(1) Në fillim poezia paraqiste një rrezik për myslimanët dhe u dashtë të kalojë një kohë për ta eliminuar këtë rrezik. Natyra e poezisë parakuranore, ku lavdëroheshin fiset dhe luftëtarët e tyre, ishte në kundërshtim të rreptë me frymën njësuese të Kuranit. Po ashtu, te të parët lavdërohej vera, femrat, amorali, bixhozi e shfrenime të tjera, ndërsa Kurani këto vese i lufton rigorozisht.(2) Njëkohësisht, poezia ishte vetvetiu një rivalitet karshi Kuranit. Kjo i zmbrapsi shumë myslimanë nga poezia dhe kultivimi i saj, kurse me qëllim të ruajtjes dhe mbrojtjes së pastërtisë së Kuranit.
Kjo gjendje jo e këndshme lidhur me poezinë ndër myslimanët e lindi idenë, përkatësisht e lindi poezinë ndryshe, poezinë pa krenari të skajshme individuale dhe fisnore, pa krenari të skajshme për shfrenim e arrogancë. Një lloj i tillë ishte edhe gazeli, gjini kjo që u kultivua me përkrahjen e drejtpërdrejtë të halifëve besimdrejtë, kurse e kultivuar nga rinia e qarqeve ensarite dhe muhaxhire.(3)
Në periudhën emevite gazeli gëzonte një simpati të ndjeshme, kështu që kjo gjini letrare filloi të zhvillohet në dy drejtime shprehimore dhe paralele:
1. Gazeli i lirë (el-ibahijje), të cilën e përfaqësonte Umer ibn Ebi Rabi’a (vd. 712), kurse u zhvillua sidomos në qytete dhe 2. Gazeli që u zhvillua nga idealizimi i dashurisë platonike të kultivuar në shkretëtirë. Ky lloj gazeli ishte një dashuri idealistike, e pabastarduar, e panjohur për frymën arabe para Islamit, e bazuar në tregimet popullarizuese të Mexhnunit dhe Lejlës etj.
Lloji tjetër i poezisë, kasidja, u zhvillua edhe në periudhën abasite, si në formë ashtu edhe në përmbajtje, strukturë, ritëm, me një lidhje fatlume të frymës dhe traditës arabe dhe persiane. Ajo do të begatohet edhe me poezi me përmbajtje morale, filozofike e mistike. Ky lloj i poezisë do të personifikohet në personalitetin e Ebu Nuvasit (vd. rreth 815), i cili e përqeshi poezinë e mual-lakateve, por edhe kasidet e mëhershme, duke thurur poezi ndryshe, hamrijjat (poezia e verës), tardijjat (poezia e gjahut), medih (panegjirikë) etj.(4)

Muhammedi a.s. nuk e refuzoi poezinë

Shqyrtimi i poezisë nga ana e myslimanëve krijoi kryesisht dy pole perceptimesh dhe interpretimesh:
1. Ata që refuzojnë poezinë si të ndaluar, armiqësore dhe e konsiderojnë madje rivale të Kuranit dhe; 2. Ata që e pranojnë, nuk shohin ndonjë të keqe në ekzistimin e saj, madje edhe vetë shkruajnë poezi në lavdi të Islamit, Kuranit dhe Muhamedit a.s. Të tillët filluan të shkruajnë poezi në mbrojtje të Islamit dhe shtyllave islame. I këtillë në fillim të Islamit ishte poeti Hasan ibn Thabiti, i cili ishte poet edhe para shpalljes kuranore, por i cili pas pranimit të Islamit angazhimin e tij e vuri në mbrojtje të Muhammedit a.s. dhe fesë islame, nëpërmjet poezisë, duke iu përgjigjur sulmeve të kundërshtarëve me vargje të fuqishme. Më vonë Hasani do të quhet edhe Shair’un-Nebij (Poeti i Pejgamberit). Edhe pse me vlerë modeste letrare, poezia e Hasanit është një dëshmi interesante për një kohë të rëndësishme.(5) Kishte edhe disa poetë të tjerë, si Lebid ibn Rebia, i cili e kishte pranuar Islamin, por nuk dihet a ka shkruar poezi edhe pas pranimit të Islamit. Në këtë rast meritojnë të theksohen edhe: Ka’b ibn Maliku, Ka’b ibn Zuhejri, Nexhib El-Xha’diu dhe Abdullah ibn Revahu.
Në vazhdim do ta recitojmë disa vargje të Abdullah ibn Revahut, në prani të Muhamedit a.s., të recituar në tavaf:
Largohuni nga rruga e tij o jobesimtarë,
Largohuni, e tërë mirësia është me Resulin tonë.
Allahu ynë i mëshirshëm, e zbriti me anë të Xhibrilit,
Në Kuran të cilin ia zbriti Resulit të Tij.
O Allahu im, në shpalljen Tënde unë besoj,
Të vërtetën tënde në Islamin tim unë e shoh.”
Omeri r.a. me të dëgjuar të këtyre vargjeve, reagoi duke thënë:
“O Ibn Revah, vallë para Pejgamberit të Zotit dhe në Haremin e Allahut i thua dhe i këndon vargjet?”
Në këtë çast Pejgamberi a.s. iu përgjigj Omerit r.a.: “Lëre o Omer, vargjet do të ndikojnë tek ata më shpejtë se sa shtizat e ngrehura.” (Tirmidhiu).(6)
Kemi raste të shumta kur Muhamedi a.s. ka qenë protagonist i drejtpërdrejtë në disa raste. Lëre që ai nuk e ndaloi poezinë, por madje, edhe vetë dinte shume vargje përmendsh dhe recitonte shumë sosh para miqve të tij. Edhe pse nga njerëz të painformuar mendohet se Muhamedi a.s. kishte qëndrim negativ ndaj poezisë, e vërteta është se ai me dëshirë i dëgjonte vargjet e poetëve të mirë, sikurse janë vargjet e Umeje ibn Ebi Saltit, Ka’b ibn Zuhejrit, e madje edhe i përkrahte ata.(7) Me fjalë të tjera, Islami nuk e ndaloi shkrimin e poezisë, por duhet pranuar se poezia as nuk ishte prioritet i myslimanëve, kundrejt shkencave që paraqisnin shtyllë të ekzistimit biologjik e shpirtëror, politik e ekonomik të vendit, fesë etj. Duhet shtuar edhe këtë se dijetarët myslimanë kishin qëndrim negativ ndaj poezisë e cila lavdëron dhe nxit haramin, shfrenimin, dhunën, grabitjen, mashtrimin, adhurimet e shtrembëruara e të ngjashme,(8) që nuk e cenon aspak poezinë si të tillë.

Poezia islame në trojet shqiptare

Edhe në vendin tonë poezia myslimane është kultivuar që në kohët e hershme. Madje, sipas studiuesit Hasan Kaleshi, poezia ka qenë gjinia letrare dhe disiplina shkencore më e kultivuar ndër shqiptarët. Ai vazhdon të pohojë se shqiptarët i kanë dhënë poezisë osmane islame qindra poetë, të cilët lanë gjurmë në epokën e vet, futën një rrymë të re në poezinë osmane-turke, treguan origjinalitet dhe hapën shtigje të reja.(9) Baballarët tanë dhanë emra të mëdhenj në fushën e poezisë, kurse qyteti i Prizrenit e mori nofkën “Gurra e poezisë”, për shkak të numrit të madh të poetëve që nxirrte ky qytet nga gjiri i vet.(10) Trojet tona ishin terren i përshtatshëm për poezi. Emrat e Suzi dhe Nehari Prizrenit, Mesih Prishtinasit, Jahja bej Dukagjinit, Axhize Baba Prizrenit, Nezim Frakullë Beratasit, Muhamed Kyçyk Çamit, Zenel Bastarit, Sulejman Naibit, Dervish Hasanit, Tahir Efendi Boshnjakut, Shaip Zurnaxhiut, Vejsel Gutës, Nesibeja e Gjirokastrës, Ymer Lutfi Paçarizit, Mulla Malës dhe emrat e shumë e shumë të tjerëve obligojnë të shtojmë dhe thellojmë hulumtimet në këtë krijimtari të rafinuar,(11) sepse poezia është tregues i qartë i gjendjes besimore, morale, sociale, kulturore të një populli, vendi, kohe. Mbase, me studime gjithëpërfshirëse do të mund të vërejmë gjurmët e Hasan ibn Thabitit, Ka’b ibn Zuhejrit e të tjerëve edhe te poetët tanë, fillimisht në poezinë gojore dhe pastaj edhe në poezinë e shkruar.
Shumica dërrmuese e poetëve kishte mësuar nëpër medrese, ku merrnin bazat e para për poezinë dhe me rritjen e ngritjen e tyre intelektuale shkruanin divane në gjuhën arabe, osmane apo persishte. Me kalimin e kohës filluan të shkruajnë edhe në gjuhën shqipe. Karakteristikë e poezisë së këtillë ishte sepse ajo ende nuk ishte bërë poezi popullore, por më tepër ishte poezi elitare, por që prekte edhe temat sociale të shtresës së ulët. Me kalimin e kohës, kjo poezi do të zbresë në popull, do të familjarizohet me shtresat e popullit, sikurse kemi Nezimin, Haxhi Et’hem beun(12) në Shqipëri, pastaj Mulla Malën, Vejsel Gutën e të tjerë në Kosovë e gjetiu.(13) Për fat të keq, sa janë të ndikuar këta poetë nga poezia klasike arabe dhe etapat e tjera mbetet të studiohet.(14)

A mund të përfundohet

Ligjërimi për poezinë si ‘gjini’ shpirtërore do të vazhdojë sepse gjeniu njerëzor do të këndojë e do të shkruajë, me gjithë ecejaket e vështira që populli i ka përjetuar në qindvjetëshin e fundit. Mbesim me besim se shkrimi ynë, edhe pse do të ofrojë vetëm copëza të tërësisë në poezinë myslimane, megjithatë do ta freskojë mendjen me ide e prova për letërsinë – poezinë e arealit islam dhe njëherazi do të na ofrojë një dije sado-kudo modeste për poetët e mëdhenj myslimanë të epokës së Muhamedit a.s., sidomos për Hasanin dhe Ka’bin.


____________________
1. Fillimet e poezisë arabe i kemi me këndimin lavdisë së fisit të vet apo me këndimin kundërlavdisë për fisin kundërshtar. Ata i këndonin armës, luftës, verës etj. Poetët gëzonin famë në mesin e fisit, sepse paraqisnin hallkë të rëndësishme në luftën e përgjithshme për dominim të fisit. Kishte disa vende ku shfaqeshin aftësitë poetike para Islamit, por më i njohuri ishte në Ukadh, një lloj panairi garues për poetët, kurse poezia që ata krijonin quhej Mual-laka (poezia e varur), sepse poezia fituese varej në muret e Qabesë përjetësisht. Në periudhën e hershme dalloheshin dy lloje poezish: hixha` (satira) dhe fahr (lartësimi i vetvetes). Formë të pavarur ka pasur edhe vargu nasib (vargu erotik), por meqë kishte rol dhe rëndësi individuale, megjithatë vinte pas vargut të kasides (odës). Kasida paraqiste formën më të kultivuar e të rafinuar të shprehjes poetike (Nerkez Smailagi?, Klasi?na kultura islama, II, Zagreb, 1976, fq. 96), e cila ishte nga periudha parakuranore, por formën përfundimtare dhe të përkryer e mori në shekullin VI (Kasida kishte tre pjesë kryesore: nasib, si hyrje, madih, si pjesa kryesore dhe hatim si epilog, me natyrë didaktike. Sipas: Nerkez Smailagi?, Leksikon islama, Sarajevë, 1990, fq. 334 -336). Poeti më i njohur i kësaj periudhe është Imru’l-Kajsi, pastaj Zuhejr ibn Ebi Sulma, Tarafa ibn’ul-Abdi, Antara ibn Sheddadi, Amr ibn Kulthumi, Lebid ibn Rebia dhe Harith ibn Hil-liza El-Jeshkuri (Për mual-lakatet shih: Jusuf Rami?, Obzorja arapsko-islamske književnosti, Sarajevë, 1999, fq. 9-35); Shih edhe: Arthur John Arberry, The Seven Odes (al-Mu’allaqat), London -New York, (pa datë botimi), në: https://www.scribd.com/doc/32127925/ Arthur-John-Arberry-The-Seven-Odesal-Mu-allaqat. (Qasja: 26.3.2019).
2. Disa nga poetët që silleshin si konkurrentë të Kuranit dhe fesë islame dhe të përbuzur nga masa besimtare ishin Ebu Azzau, Nadr b. El-Harithi dhe Ka’b ibn Eshrafi. Sipas: Nerkez Smailagi?, Leksikon, po aty, fq. 340.
3. Sipas: N. Smailagi?, Leksikon, fq. 342.
4. Marija Gjukanoviq & Rade Bozhoviq, Letërsia arabe, në: Grup autorësh, Historia e Letërsisë Botërore, Prishtinë, 1987, fq. 112- 113. Për shkak të hapësirës në këtë shkrim vetëm do t’ju ofrojmë literaturë për zgjerimin e njohurive: Nerkez Smailagi?, Leksikon, fq. 348 e tutje dhe: Sulejman Grozdani?, Stara arapska poezija, Sarajevë, 1971., fq. 20.
5. M. Gjukanoviq & R. Bozhoviq, po aty, fq. 108.
6. Citati sipas: Jusuf Rami?, po aty, fq. 65.
7. Sipas: Nerkez Smailagi?, Leksikon, fq. 341.
8. Lexo një studim të mirë për poezinë paraislame dhe islame: Esad Durakovi?, Prolegomena za historiju književnosti orijentalno-islamskoga kruga, Sarajevë, 2005, fq. 228, e sidomos fq. 223-275.
9. Këtë e pohon edhe orientalisti anglez E. J. W. Gibb, A History of Ottoman Poetry, London, 1902, fq. 16 e tutje, sipas: Hasan Kaleshi, Kontributi i shqiptarëve në dituritë islame, Prizreni, 1411/1991, fq. 19.
10. Shih: HasanKaleši, Prizren kao kulturni centar za vreme turskog perioda, Gjurmime albanologjike, 1/1, 1962, Prishtinë, fq. 101-113. Krhs.:FuadKoprulu, Op?i pogled na razvoj turskog jezika i književnosti u Anadoliji (XIII-XVI), revista Islamska Misao, IX/1987, nr. 107-108, Sarajevë, fq.28 etj. 11. Thuhet se bejtexhinjtë shekuj më parë organizonin edhe gara letrare në Teqenë e Bektashinjve në Tetovë, por për shkaqe historike emrat e poetëve dhe ‘prodhimet’ e tyre nuk kanë arritur deri te ne. Shih: Letërsia shqipe në Maqedoni, https://zeri.info/kultura/34886/prezanto het-ne-prishtine-letersia-shqipe-ne-maqedoni/.
12. Hasan Kaleshi, Kontributi, po aty, fq. 10.
13. Hasan Kaleshi, Kontributi, po aty, fq. 38-46.
14. Shih disa nga kontributet e autorëve shqiptarë për krijimtarinë shqiptare islame: Hajdar Salihu, Poezia e bejtexhinjve, Prishtinë, 1987; Mahmud Hysa, Alamiada shqiptare, I-II, Logos-A, Shkup, 2000; Abdullah Hamiti, Nezim Frakulla dhe Divani i tij shqip, Logos-A, Shkup, 2008 etj



Dituria Islame 346


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme