Një djalosh ishte lodhur e djersitur nga pesha që mbante në kraharorin e tij. Ai mbante një shkop dhe në njërin cep të tij një shportë me grurë dhe në cepin tjetër një shportë me rërë!
Një burrë skaj rrugës i habitur e pyeti djaloshin: Çfarë bën kështu o djalosh, a nuk e sheh se barra jote do ta thyej kurrizin tënd!
Djaloshi duke i fshirë djersët tha: po ç‘të bëj o i nderuar, pasi shporta me grurë ma dërrmoi njërën anë të krahut, mendova që barrën ta baraspeshoj dhe e mbusha tjetrën me rërë!
Burri i tha: më lejo të ndihmoj. Ai e mori shportën me rërë e zbrazi atë, pastaj e mori shportën me grurë dhe e hodhi gjysmën e saj në shportën e zbrazur, pastaj tha: tani mbaje djalosh!
Kur e pa djaloshi se sa lehtë tani ishte barra e tij pasi që ajo ishte përgjysmuar tha i gëzuar: „Sa i mençur që qenkeni zotrote! Të falënderoj nga zemra“ dhe vazhdoi rrugën e tij duke kënduar i hareshëm!
Përktheu: Dr. Rijad Imeri
Urtësi të shumta nxjerrim nga ky tregim:
1- Secili mundohet t´i zgjidh problemet e tij në mënyrën e tij, andaj mos e gjyko për metodën e zgjedhur, por ofroja një metodë më të mirë nëse e zotëron atë!
2- Para se t´i mbushësh gjërat, mendoj si do t´i bartësh ato, ngase lehtë gjërat mbushen, por vështirë barten.
3- Disa njerëz janë si ky djaloshi, nuk mund të zgjidhin një problem vetëmse duke ia shtuar një problem tjetër të parit!
4- Disa njerëz janë sikur ky burri i mençur, ata ose ta lehtësojnë dhimbjen ose ta largojnë të tërën!
5-Shpeshherë e rëndojmë kokën tonë me gjëra që nuk na hyjnë në punë, ashtu siç djaloshi e mbushi shportën me rërë! Nëse e zbrazim kokën nga to, do ta shohim se veten e kemi torturuar së koti!
6- Jeta jonë i ngjan këtyre dy shportave çdo herë njëra është e mbushur me gjëra që nuk kemi asnjë dobi prej tyre.