Sfondi historik ndaj shkollës hanefite

Hyrje

Në këtë punim do të hedhim dritë rreth origjinës së shkollës hanefite, dhe do të paraqesim një sfond historik rreth saj, e më pas do të flasim për Ebu Hanifen dhe katër nxënësit e tij të dalluar. Duke mos anashkaluar as disa nga veçoritë e kësaj shkolle, e që dallon nga shkollat tjera juridike. Këto dhe veçori tjera do të shpjegohen brenda këtij punimi.

Kufa, qendër e dijes dhe hilafetit

Shkolla juridike (medhhebi) hanefite u formua në Kufe të Irakut, që ishte vendlindja e Ebu Hanifes, prijatarit të kësaj shkolle të mirënjohur. Në qytetin e Kufës vuri bazat e saj dhe në kohërat e hershme, biseda kryesore që bëhej në atë qytet ishte Ebu Hanife, nxënësit e tij dhe shkolla e tyre. Më pas u përhap në Bagdad dhe në vendet tjera të Irakut, e pastaj edhe në vendet tjera të largëta.(1)
Kufa në atë kohë ishte nga qendrat më të mëdha të dijes, shkencës dhe përparimit. Aty lulëzonte dija dhe shkenca. Dijetarët e ndryshëm mbanin ligjërata, që pothuajse shquheshin dy lëmi kryesore: ajo e Fikhut dhe Hadithit.
Për këtë lulëzim të dijes dhe përparimit të madh në Kufe, rolin kryesor e kishin luajtur dy liderët e myslimanëve (kalifët); Ymeri dhe Osmani. Ndërsa më vonë edhe lideri tjetër, Aliu, që Kufën do ta bënte qendër të udhëheqjes së myslimanëve (hilafetit).
Në kohën e halifit Ymer, shteti Islam përjetoi një ekspansion të vërtetë dhe Islami depërtoi thellë në besimet dhe kulturat tjera gjersa u shembën edhe dy perandoritë e mëdha të asaj kohe. Ymeri dërgoi sahabë të shquar nëpër vendet ku kishte depërtuar Islami. Së këndejmi, edhe në Kufa dërgoi sahabë të dalluar e të përkushtuar. Osmani, për dallim nga Ymeri, u dha leje shokëve të Pejgamberit a.s. që të emigrojnë ku të duan, ndërsa Aliu, hilafetin e myslimanëve nga Medineja e zhvendosi në Kufe. Sigurisht se numri i shokëve të të Dërguarit të Allahut që udhëtuan për në Irak apo që u vendosën në Kufe qe mjaft i madh. E ajo që vlen të potencohet këtu është fakti se qindra prej tyre u vendosën në Kufe, kurse mijëra sahabë kaluan përmes Kufës. Madje, Ixhliu përmend se një mijë e pesëqind sahabë kaluan në Kufë, shtatëdhjetë prej tyre ishin pjesëmarrës të Bedrit.(2) Në Kufe pati sahabë të njohur, si Abdullah bin Mesudi, Sad bin Malik Ebi Vekas, Hudhejfe, Amari, Selmani, Ebi Musa dhe shumë të tjerë, nga të zgjedhurit e sahabëve.
Rëndësi të posaçme pati dërgimi i disa prej sahabëve të përzgjedhur, por lirisht mund të themi se më i veçanti i Kufës ishte Abdullah bin Mesudi, për të cilin do të flasim në vijim, pasi që opinionet e shkollës hanefite janë bazuar në opinionet e Abdullah bin Mesudit, Aliut dhe sahabëe tjerë që ishin mjaft të hershëm në Islam.

Abdullah bin Mesudi jurist i dalluar

Kur Muhamedi a.s. u dërgua Pejgamber, Abdullah bin Mesudi ishte shumë i ri. Në takimin e parë me të Dërguarin e Allahut dhe Ebu Bekrin përderisa po ruante bagëtinë, i Dërguari i Allahut i tha: “Ti je një fëmijë i mençur.” Ky njëherazi ishte fillimi i rrugëtimit të tij në Islam. Nuk vonoi shumë dhe ai u bë mysliman, ku nga një bari i thjeshtë do të shndërrohej në shërbëtor të denjë ndaj të Dërguarit të Allahut. Abdullah bin Mesudi ishte prej njerëzve të parë që pranoi Islamin. Ai ishte shprehur se jam i gjashti në renditje nga ata që pranuan Islamin, në kohën kur mbi shtresën e tokës nuk kishte myslimanë përveç nesh.(3)
E shoqëroi të Dërguarin e Allahut ashtu siç hija e shoqëron bartësin e saj, e nuk u nda prej tij as në vend e as jashtë vendit, në shtëpi e as jashtë shtëpisë. E zgjonte të Dërguarin kur ai flinte, e kur nisej ia mbathte të mbathurat, gjersa kur vinte ia hiqte ato. Shkopin dhe misvakun e të Dërguarit i barte ky njeri.(4) Hynte në shtëpi të Pejgamberit kur të dëshironte, sikur të ishte shtëpia e tij. I dinte sekretet dhe fshehtësitë e të Dërguarit, madje edhe njihej si shoqëruesi i fshehtësive të Pejgamberit. Ebu Musa Eshariu kishte thënë: “Së bashku me tim vëlla erdhëm nga Jemeni, e Abdullah bin Mesudin dhe nënën e tij nuk i llogarisnim ndryshe përveç prej familjes së Pejgamberit a.s., për shkak të hyrjes dhe daljes së shpeshtë të tyre nga ai.”(5) Ndërsa sipas një transmetimi tjetër ai kishte thënë: “Qëndrova kohë të gjatë e Abdullah bin Mesudin së bashku me nënën e tij nuk konsideroja ndryshe përpos prej familjes së Pejgamberit a.s., për shkak të hyrjes dhe daljes së shpeshtë nga familja e Pejgamberit a.s.”(6)
U edukua në shtëpinë e Pejgamberit a.s., u udhëzua sipas udhëzimit profetik, ndoqi dhe pasoi të gjitha veprimet dhe veçoritë e të Dërguarit gjersa për të u tha: “Njeriu më i afërt me Pejgamberin për nga udhëzimi dhe vlerat morale.” Ai u edukua në shkollën profetike, ndaj ishte njëri nga njohësit më të mëdhenj të Kuranit, më i dituri për kuptimet e tij dhe më i njohuri për ligjin e Zotit.(7) Ishte recitues i njohur i Kuranit, saqë i Dërguari i Allahut dëgjoi Kuran prej tij, gjë që ishte e pazakontë të dëgjonte Kuran nga të tjerët, madje përderisa dëgjonte Kuran prej tij, lotët e kishin përshkuar fytyrën e tij. I Dërguari i Allahut për të qe shprehur: “Ai që dëshiron të lexojë Kuran ashtu siç është zbritur le të lexojë sikur leximi i Abdullah bin Mesudit.”(8) Për dituritë e tij rreth Kuranit, protagonisti në fjalë qe shprehur: “Pasha Allahun që përveç Tij tjetër s’ka, nuk ka zbritur ndonjë ajet nga libri i Allahut e që unë mos ta dijë ku ka zbritur dhe për çfarë ka zbritur, e sikur ta dija se ndokush është më i ditur se unë rreth librit të Zotit, po të jetë e mundur arritja tek ai, do të shkoja.” Kjo tregon më së miri se Abdullah bin Mesudi ishte njohës i mirë i fesë. E si të mos ishte kur ai thuajse krejt rrugëtimin e kishte bërë pranë dhe me të Dërguarin e Allahut, gjegjësisht pranë shpalljes.
Imam Zerkeli, në librin e tij të mirënjohur “ElA’lam”, për Abdullah bin Mesudin, shprehet: “Abdullah bin Mesudi është sahabij, nga më të njohurit e tyre, në virtyte dhe mendjehollësi, sikurse edhe në afërsi ndaj të të Dërguarit të Allahut. Është nga mekasit dhe nga të parët që pranuan Islamin. I pari që haptazi para masës lexoi Kuran në Mekkë. Ishte shërbëtor besnik ndaj të të Dërguarit të Allahut dhe njeriu që dinte për fshehtësitë e të Dërguarit. Ishte shoqërues i tij në vend, udhëtim dhe beteja. Hynte tek ai në çdo kohë dhe gjithnjë ecte me të. Një ditë Ymeri po e shikonte atë nga vinte, dhe i tha: “Erdhi i stërmbushuri me dituri.”(9) Imam Aliu kur qe pyetur për Abdullah bin Mesudin, u përgjigj: “Njohësi i Kuranit dhe sunetit.”(10)
Në momentin kur Ymeri e dërgoi Abdullah bin Mesudin mësues (muallim) dhe ministër (vezir) dhe Amar bin Jasirin guvernator (emir), popullit të Kufës u shkroi: “Unë kam dërguar tek ju Amar bin Jasirin guvernator dhe Abdullah bin Mesudin mësues dhe ministër, e ata dy janë nga elita e zgjedhur e shokëve të të Dërguarit të Allahut dhe nga ata që dëshmuan në Bedër, andaj pasoni ata, binduni atyre dhe dëgjoni fjalët e tyre...”(11)
Abdullah bin Mesudi me të shkuar në Kufe, ia filloi misionit të tij në kultivimin e shkencës së mirëfilltë Islame dhe përreth tij tuboheshin grupe të shumta nxënësish që merrnin dituritë nga njëri prej shokëve më të shquar të të Dërguarit të Allahut, i cili ishte thuajse gjithnjë pranë të Dërguarit. Abdullah bin Mesudi konsiderohet njëri ndër personalitetet më të mëdha në edukim dhe njëri prej atyre që ka lënë gjurmë të pashlyera në edukimin e brezave të rinj dhe në përhapjen e traditës profetike. Ai qëndroi një kohë aty para se të kthehej përsëri në Medine. Por, para se të largohet nga Kufeja, ai la pas vete plejadë dijetarësh që u edukuan prej tij, të cilët morën mësime të rëndësishme nga libri i Allahut, suneti i Resulullahut dhe thellimi në fe. Këta morën flamurin e dijes, fikhut dhe fetvave në Kufe.(12)
Banorët e Kufës në veçanti dhe ata të Irakut në përgjithësi, patën fatin që të jenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në tubimet e dijes nga Abdullah bin Mesudi. Numri i atyre që prezantonin në tubimet e tij të dijes ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe sipas disa transmetimeve ai numër kalon shifrën prej 4000 nxënës.
Nga nxënësit më të shquar dhe më të dalluar të Abdullah bin Mesudit ishte Alkame bin Kajs Nehaiu, Harithi, Mesruk ibn Exhda’, Amër bin Shurahbil El Hemdanij (Ebu Mejsere), El Esved, Abideh, Harith bin Kajs, Shurejh El Kadi dhe shumë të tjerë, por, i pari prej tyre ishte më i njohuri dhe mori dituri të shumta në Fikh dhe Hadith, e nga ai dolën shumë juristë.(13)

Alkameh ishte në nivel të Ibën Mesudit

Alkame bin Kajs bin Abdullah Nehaiu, nga Kufeja, njëri nga tabiinët, i cili kishte lindur gjatë jetës së Resulullahit. E shoqëroi pandërprerë Abdullah bin Mesudin dhe prej tij mori dijen. Vdiq mes viteve 6173.(14) Ishte axha i Esved Nehaiut dhe daja i Ibrahim Nehaiut.
Alkameh ishte vërtet jurist i madh, e këtë e dëshmon edhe fakti se njerëzit e pyesnin atë ndonëse në prezencë të tij kishte edhe sahabë.(15) I përngjante shumë Abdullah bin Mesudit dhe e pasonte atë në çdo detaj nga udhëzimi i të Dërguarit të Allahut. Kishte reputacion dhe ishte i besueshëm tek njerëzit. Abdullah bin Mesudi kishte folur fjalë të mira për të, në lidhje me diturinë dhe thellimin e tij në fe. Ai transmetonte nga Ymer bin Hatabi, Osman bin Afani, Ali bin Ebi Talibi dhe nga shumë sahabë tjerë, ndonëse në afërsi e kishte sahabiun e shquar Abdullah bin Mesudin.(16) Abdullah bin Mesudi për Alkamen ishte shprehur: “Nuk di ndonjë gjë, e që të mos ketë njohuri Alkamja.” Transmeton Xheriri nga Kabusi, i cili thotë: “E pyeta babain tim: “Si po shkon te Alkamja e po lë anash shokët e të Dërguarit të Allahut?!” Ai më tha: “O djali im, edhe shokët e të Dërguarit të Allahut e pyetnin atë, e ai kishte udhëtuar (në Sham) tek Ebu Derdaja, tek Ymeri, Zejdi, tek Aisheja (në Medine), e kështu ai mblodhi dijen nga vendet e ndryshme.”(17)
Nga dija e tij e shumtë përfituan dashamirët e dijës, ata që për synim kishin pajisjen me dije të mirëfilltë islame, e më i shquari prej nxënësve të tij ishte imam Mesudi, që ndryshe quhet edhe si “Lisanu fukahail Kufeh”(18) I ngjante shumë Alkames dhe e pasonte atë në udhëzimin e të Dërguarit të
Allahut. Është thënë se: “Nuk kemi parë asnjëherë njeri që është i ngjashëm në udhëzim me Alkamen sikurse Nehaiu; asnjëherë nuk kemi parë njeri që është i ngjashëm në udhëzim me Ibën Mesudin sikurse Alkamja; e as që kemi parë ndonjëherë njeri që është i ngjashëm në udhëzimin e të Dërguarit të Allahut sikurse Ibën Mesudi.”(19)

Ibrahim Nehaiu ndoqi rrugën e Abdullah bin Mesudit

Ibrahim bin Jezid bin Kajs Nehaiu, nga Kufeja. Ishte nga dijetarët eminentë të Kufes. Mësimet në Jursprudencë (fikh) i mori nga axha i tij Alkamja dhe nga shumë nxënës të Abdullah bin Mesudit. Vdiq në vitin 95 apo 96.(20)
Ishte nga gjenerata e artë e tabiinëve dhe njëri nga juristët dhe personalitetet më të njohura të mbarë Irakut. I dinte mirë mendimet e Abdullah bin Mesudi t dhe ishte myfti për banorët e Kufës. Njohës i mirë i jurisprudencës dhe hadithit, ku në lëminë e hadithit takohej me Sha’biun, i cili konsiderohet njëri nga dijetarët më të mëdhenj në atë fushë. Ishte në mesin e dijetarëve si dielli në mesin e yjeve, ndaj edhe Mugire kishte thënë: “E prisnim Ibrahimin sikur pritja e sunduesit (me frikë e respekt). Kur Seid bin Xhubejrin e pyesin banorët e Irakut rreth fesë, ai u drejtohej atyre: “Po më pyesni mua e në mesin tuaj është Ibrahim Nehaiu.”(21) Dihet fare mirë kush ishte Seid bin Xhubejri, megjithatë ai e vlerësonte tej mase fekihun e madh, Nehaiun.
Kishte shkuar tek Aisheja kur ishte i vogël, në shoqëri me Esvedin dhe Alkamen, të cilët kishte lidhje familjare, ndërsa Aisheja i donte dhe i nderonte, gjersa kishte dëgjuar e transmetuar nga sahabë të ndryshëm, si Zejd bin Erkam, Mugire bin Shube, Enes bin Maliku dhe nga të tjerët.
Ndonëse nuk kishte jetuar gjatë, sipas një transmetimi kishte jetuar 49 vjet, e sipas një tjetri 58, sidoqoftë, ai kishte lënë gjurmë të pashlyera dhe në kohën e tij vështirë të gjindej dikush që mund të krahasohej me të. Në këtë kontekst imami i madh Shabiu ishte shprehur: “Ai nuk la pas vete dikë më të dijshëm se ai.” Dikush i tha: “As Hasen El Basriu dhe Ibën Sirini?” Ai tha: “Po (as ata).” As nga banorët e Basrës, e as nga Kufja, e as nga Hixhazi. E sipas një transmetimi tjetër: “E as nga banorët e Shamit.”(22)
Kishte reputacion dhe dije të madhe, e kjo dëshmohet edhe nga numri i madh i nxënësve që vinin tek ai nga të gjitha anët. Hamad bin Ebi Sulejmani ishte vetëm njëri prej nxënësve të tij që ndoqën rrugën e tij.

Hamadi dallohej si jurist

Hamadi, juristi më i dalluar i Nehaiut, llogaritet njëri ndër dijetarët më eminentë dhe më të mençur, i cili ka transmetuar shumë nga Enes bin Maliku, Seid bin El Musejjeb, Hasen El Basriu dhe nga shumë të tjerë. Mësimet në lëmin e Fikhut i mori nga Ibrahim Nehaiu, ku tek ai ishte më i zgjedhuri i nxënësve të tij, më i dituri, më i mençuri dhe më largpamësi në polemika dhe në mendime të lira.(23)
Ishte i zgjedhur dhe posedonte dhunti të shumta. Ishte i pajisur me njohuri të shumta dhe shquhej për inteligjencë. Ai në të gjallë të tij porositi dhe tha: “Po ju porosis ta pasoni Hamadin, ngase ai i vetëm më ka pyetur për të gjitha ato që tërë njerëzit më kanë pyetur.”(24) Ndërsa kur u pyet se pas teje kë ta pasojmë, ai tha: “Hamadin!” Ai e shihte Hamadin të përshtatshëm dhe inteligjent për dhënien e fetvave, ndonëse Hamadi ende kërkonte dituri.
Hamad bin Selemeh për Hamadin shprehet: “Myfti i Kufës dhe person kompetent në Fikh pas vdekjes së Ibrahim Nehaiut, ishte Hamad bin Ebi Sulejman, e njerëzit me të ishin të pasur.”(25)

Ebu Hanife fekihu i miletit

Nxënësi kryesor i Hamadit është Ebu Hanife, i cili u lind në qytetin e Kufës, në vitin 80 të hixhretit, sipas versionit më të saktë(26), gjatë hilafetit të Abdul Melik bin Mervanit. Me origjinë perse, ndonëse ka edhe mendime tjera. Gjyshi i tij ishte nga Kabuli, ndërsa babai i tij Thabiti ishte takuar me Aliun, ku ky i fundit kishte bërë dualutje për të dhe për pasardhësit e tij. Nipi i Ebu Hanifes, ishte shprehur: “Unë jam Ismail bin Hamad bin Numan bin Thabit...nga bijtë e lirë persianë. Për Zotin kurrë s’kemi qenë robër, e gjyshi im u lind në vitin 80, ndërsa Thabiti (babai i Ebu Hanifes) kur ishte i vogël shkoi te Aliu dhe ky i fundit u lut për bekimin e tij dhe të pasardhësve të tij.”(27)
S’ka dyshim në faktin se Ebu Hanife e arriti kohën e sahabëve, dhe me këtë ai është një hap para tre imamëve tjerë, të cilët asnjëri prej tyre nuk e arriti kohën e sahabëve dhe nuk takuan sahabij. Ka ende divergjenca në atë se a takoi Ebu Hanife ndonjërin nga shokët e të Dërguarit të Allahut apo vetëm arriti kohën e tyre. Ka mendime se ai takoi më tepër se një nga shokët e të Dërguarit të Allahut, mirëpo në bazë të hulumtimeve dhe shkrimeve që janë bërë në këtë kontekst, del se Ebu Hanife takoi sahabiun e shquar Enes bin Malik,(28) me çka edhe përfundimisht i takon gjeneratës së tabiinëve.(29)
Ebu Jusufi përcjell fjalët e Ebu Hanifes, ku thotë: “Kam dëgjuar Enes bin Malikun duke thënë: “Treguesi për mirësi është sikurse vepruesi i saj.” Thuhet se Ebu Hanife me Enes bin Malikun ishte takuar në vitin 95 dhe kishte dëgjuar prej tij.(30)
Shabiu kur pa zgjuarsinë dhe mençurinë e rrallë të Ebu Hanifes, e këshilloi dhe e nxiti atë që të merret me dije dhe t’i ndjekë dijetarët e kohës. Ebu Hanife pranoi këshillën e tij dhe iu përkushtua dijes, gjersa i tejkaloi gjithë bashkëmoshatarët e tij.(31)
Kufja në atë kohë ishte qendër e dijes dhe vendtubim i dijetarëve. Xhamitë ishin të mbushura me tubimet e dijes, ku në to mbanin ligjërata sahabët dhe tabiinët. Ambienti ishte i favorshëm për dije, sepse të gjitha fushat e dijes, lulëzonin aty. Kjo e bënte Ebu Hanifen që të mos ketë nevojë të largohet nga vendlindja në kërkim të dijes, megjithatë transmetohet se ai kishte vizituar edhe Basrën dhe Hixhazin. Hixhazinapo vendet e shenjta i kishte vizituar shpeshherë, si për haxh, umre, në kërkim të dijes si nxënës dhe si një mësues i dijes. Kur është pyetur Ebu Hanife se nga i arriti atij jurisprudencafikhu, u përgjigj: “Unë isha në vendin e dijes dhe jurisprudencës (fikhut), u ula pranë dijetarëve dhe e shoqërova pandërprerë njërin nga juristët e shumtë të Kufës që quhet Hamad, prej tij përfitova shumë.”(32)
Ebu Hanife e shoqëroi pandërprerë mësuesin e tij, Hamadin. E shoqëroi për tetëmbëdhjetë vjet deri kur vdiq Hamadi.(33) Në këtë kontekst Ebu Hanife është shprehur: “E kam shoqëruar Hamadin me një shoqërim saqë nuk di që ndokush ta ketë shoqëruar ndokënd sikur shoqërimi im. Isha ai që bëja shumë pyetje...”(34)
Është interesant të përmendet edhe ky fakt, ku Ebu Hanifja një herë për shoqërimin e tij ndaj Hamadit, qe shprehur: “E kam shoqëruar, e tek ai gjeta tërë atë që e ndieja nevojë, gjersa një ditë ai më tha mua: “O Ebu Hanife, arrite të marrësh nga unë, tërë atë që gjendej tek unë nga dituria.”(35)
Ebu Hanife përveç Hamadit, për mësues kishte shumë dijetarë të tjerë dhe të dalluar, si Ata bin Ebi Rebah,(36) Shabiu, Amr bin Dinar, Katadeh, Nafi, Hisham bin Urvetu dhe shumë të tjerë.(37) Dijetarët e njohur që kanë shkruar për jetën e Ebu Hanifes, kur tregojnë për mësuesit e tij, japin shifra të mëdha, madje shumica e tyre përmendin faktin se Ebu Hanife kishte 4000 mësues dhe tregojnë me emra se kush janë ata mësues e dijetarë të njohur.(38)
Përveç Hamadit, Ebu Hanife, siç cituam sipër, kishte mësuar edhe tek Atau në Meke. Për këtë Ebu Hanife qe shprehur: “Nuk kam parë jurist më të njohur sikurse Hamad bin Ebi Sulejmani dhe nuk kam parë njeri që ka tubuar të gjitha shkencat sikurse Ata bin Ebi Rebahu.
Disa që kanë mësuar tek Atau kanë thënë: “Ishim tek Atau duke mësuar, disa ishin pas të tjerëve, e kur vinte Ebu Hanife, ia lironte vendin dhe e ulte në fillim.”(39)
Pas vdekjes së Hamadit, vendin e tij e zuri nxënësi i tij, Ebu Hanife, dhe zbrazëtirën e tij e plotësoi ky. Thuajse të gjitha transmetimet tregojnë se ai asnjëherë nuk u veçua të ketë tubime të dijes të udhëhequra nga ai, në të gjallë të Hamadit. Vetëm pas vdekjes së Hamadit ai mori udhëheqjen e tubimeve të dijes. Pas vdekjes së Hamadit, djali i tij tentoi ta zë vendin e të atit, por nuk ishte juristfekih sikur i ati i tij, prandaj edhe njerëzit filluan të pakësohen, mirëpo me inkuadrimin e Ebu Hanifes, njerëzit veç u shtuan. Tubimet e tij të dijes, tashmë si mësues e dijetar, filluan pikërisht në vendin ku mësuesi i tij dikur mbante ligjërata. Ebu Hanife kur mori drejtimin e tubimeve të dijes si mësues, pas vdekjes së Hamadit, ishte dyzet vjeçar, moshë në të cilën njeriu arrin pjekurinë e madhe dhe është maksimalisht i përgatitur.(40)
Hamadi është njëri nga mësuesit kryesor të Ebu Hanifes dhe ky është zinxhiri që Ebu Hanife, përmes Hamadit, Nehaiut, Alkames, ndërlidhet me Ibën Mesudin, e ky me Pejgamberin a.s., gjeneratë e artë e këtyre personaliteteve të rralla e të dëshmuara nga mbarë umeti, gjersa me zinxhirët tjerë ndërlidhet me Ymerin dhe Abdullah bin Abasin, përmes Ata bin Ebi Rebahut, sepse Ebu Hanife kishte mësuar tek ai në Meke, e Atau kishte marrë dituri nga Abdullah bin Abasi dhe të tjerët, dhe ndërlidhet me Ymerin përmes Nafiut, personalitet tjetër shumë i rëndësishëm. Ky është sfondi historik i shkollës juridike hanefite dhe këto janë rrënjët e kësaj shkolle.

Nxënësit e tij ishin në nivel të lartë të dijes

Tubimet e dijes së Ebu Hanifes ishin tubime shkencore ku prezantonin numër jashtëzakonisht i madh i nxënësve të dijes. Ata dëgjonin me kujdes të madh mësuesin e tyre, që dallohej nga mësuesit tjerë. Kishte aq shumë nxënës saqë nuk mund të numërohen, madje thuhet se nxënës të njohur sikur të tij nuk ka pasur asnjë dijetar apo imam i madh.(41) Nga ai numër i madh i nxënësve të tij, u shquan katër prej tyre që hyn në histori dhe prej tyre shkolla hanefite i vuri themelet dhe bazat kryesore, e ata janë: Zuferi, Ebu Jusufi, Muhamedi dhe Hasen bin Zijadi. Zuferi e zëvendësonte Ebu Hanifen kur ky i fundit vdiq, e pas tij e zëvendësoi Ebu Jusufi, e më pas Muhamed ibën El Haseni.(42)

Zufer bin Hudhejf

Emri i tij është Ebul Hudhejl Zufer bin El Hudhejl Ibën Kajs El Anberij, i cili lindi në vitin 110. Kishte zgjuarsi të rrallë dhe fetarizëm të lartë. Në fikhjurisprudencë ishte deti. Dallohej në dituri e adhurim, sikurse në fikh e hadith.(43)
E kishte shoqëruar Ebu Hanifen për kohë të gjatë, madje vet ishte shprehur: “E kam shoqëruar Ebu Hanifen më tepër se njëzet vite, nuk kam parë njeri më këshillues se ai, e as më mëshirues se ai.” Ai është cilësuar si shtylla e nxënësve të Ebu Hanifes dhe si njëri ndër më të përpikët (më precizi) në mendime.” Madje, vet imami i madh, Ebu Hanife, e vlerësonte atë shumë dhe kishte respekt të madh për të. Ai e cilësonte Zuferin si trashëgimtarin e tij. Në një rast Ebu Hanife për Zuferin qe shprehur: “Nuk më kanë bërë dobi takimet me askë më shumë sa takimet me Zuferin.” Në një rast tjetër është shprehur: “Ky është Zufer bin El Hudhejl, imam nga imamët e myslimanëve dhe personalitet nga personalitetet e myslimanëve në nder e dituri.”(44)
Zuferi ishte gjykatës në Basra dhe aty edhe vdiq në vitin 158, gjegjësisht tetë vite pas Ebu Hanifes. I cilësuar si pasardhësi kryesor i Ebu Hanifes, por vdekja e tij në moshë të re, pamundëson shfaqjen e vërtetë të dijes së tij, kur dihet se sa ishte gjallë Ebu Hanife, ishte e pamundur të dallohej për shkak se ishte ende nxënës i Ebu Hanifes. Sidoqoftë, vdekja e tij i hap më tepër rrugë nxënësve tjerë të Ebu Hanifes.

Ebu Jusufi

Ebu Jusuf Jakub bin Ibrahim bin Habib El Ensarij. Lindi në vitin 113(45) dhe llogaritet si njëri ndër fekihët më të mëdhenj jo vetëm brenda shkollës hanefite, por edhe jashtë saj. Prijësi i besimtarëve, Harun Reshidi, e vlerësonte shumë dhe e nderonte për shkak të dijes që zotëronte. Madje, që në kohën e tij, Ebu Jusufi do të bëhej gjykatës suprem i shtetit të myslimanëve. Ebu Jusufi kishte mësuar për një kohë të gjatë te Ibën Ebi Lejla, më pas ndoqi mësimet te Ebu Hanife dhe e shoqëroi Ebu Hanifen deri në vdekje. Ebu Jusufi kishte reputacion edhe si nxënës, si tek Ibën Ebi Lejla, ashtu edhe tek Ebu Hanife. Ai në të njëjtën kohë kishte ndjekur dy fekihët e mëdhenj, Ibën Ebi Lejla dhe Ebu Hanifen, gjersa një ditë një mesele e shqyrtuar nga Ibën Ebi Lejla, do ta bënte Ebu Jufusin të pakënaqur me përgjigjen e mësuesit, andaj, do t’i drejtohej Ebu Hanifes dhe aty vendosi që më mos të ndahej nga Ebu Hanife.
Ebu Jusufi e kishte shoqëruar shumë Ebu Hanifen, madje më së shumti nga nxënësit e tij. Ai thotë: “E kam shoqëruar Ebu Hanifen për shtatëmbëdhjetë vite të plota, gjersa nuk iu ndava as në ditët e bajramit të fitrit e as të kurbanit, përveç atëherë kur më pengoi sëmundja.”(46) Në këtë kontekst Ebu Hanife qe shprehur: “Askush nuk më shoqëroi më tepër sesa Ebu Jusufi.”
Madje, vet Ebu Hanife e kishte konsideruar atë si njërin ndër personalitetet kryesore dhe atë e kishte konsideruar si “Koleksionuesin më të madh të nxënësve të tij të dijes.”(47)
Prej Ebu Jusufit morën dije shumë nxënës, madje edhe nxënësi tjetër i njohur i Ebu Hanifes, Muhamedi. Gjithashtu nuk duhet harruar faktin se themeluesi i medhhebit hanbelit, Ahmed bin Hanbeli, ishte nxënës i Ebu Jusufit. Vet Ahmed bin Hanbeli ishte shprehur: “Së pari kur fillova në kërkimin e hadithit, shkova tek gjykatësi Ebu Jusufi, e më pas kërkuam edhe tek të tjerët.”(48)
Vdiq në Bagdad në vitin 182 dhe llogaritet si shtylla kryesore e medhhebit hanefit dhe ky ishte personi që i shënonte meselet në divane, duke përfshirë përgjigjet, polemikat dhe argumentet. Nga gjurmët që la janë librat e tij si libri “elAthar”, “Ihitilaf Ebu Hanife vebni Ebi Lejlja”, “elHaraxh”, dhe “errRreddu ala Sijeril Evzai’”.

Muhamed ibën elHasen Shejbani

Ebu Abdullah Muhamed bin El Hasen bin Furkad Shejbani lindi në qytetin e Vasitit (qytet mes Basrës dhe Kufës), u rrit në qytetin e Kufës, jetoi në Bagdad dhe vdiq në qytetin e Rrejit në vitin 189.(49)
Ishte shumë inteligjent dhe zotëronte dije të madhe në fusha të ndryshme, por mbi të gjitha shquhej në fikh dhe në gramatikën arabe. Ai thotë: “Kur më vdiq babai më la pasuri 30 mijë dërhemë; 15 mijë prej tyre i shpenzova për dije të gramatikës dhe poezisë, gjersa 15 mijë dërhem tjerë i shpenzova në Fikh e Hadith.”
E shoqëroi Ebu Hanifen për kohë të gjatë, e pas vdekjes së Ebu Hanifes, e shoqëroi Ebu Jusufin. Kishte mësuar edhe nga imam Maliku, gjersa Shafiu ishte nxënës i Shejbanit. Madje Shafiu e kishte lavdëruar shumë Shejbanin dhe kishte treguar për dijen që zotëronte. Shafiu për të tha: “Prej njerëzve më të besueshëm në Fikh është Muhamed ibën elHaseni.” Një rast tjetër tha: “Nuk jam ulur me ndonjë fekih më të dijshëm se ai...unë nuk kam parë njeri më të dijshëm se atë. Nuk kam parë njeri më të dijshëm se atë për librin e Zotit, e as në sferat e derogimit, të hallallit e as të haramit. Ai ta plotësonte zemrën dhe syrin...”(50)
Kur e pyetën Ahmed bin Hanbelin: “Nga po i sjell këto mesele precize?” U përgjigj: “Nga librat e Muhamed bin El Hasenit!”(51)
E mblodhi dhe sistemoi fikhun hanefij nëpër librat e tij të njohura, si “elMebsut”, i njohur si “El Asl”, “El Xhamius Sagir”, “El Xhamiul Kebir”, “elHuxhetu ala ehlil Medineh”, “Ez Zijadat”, “Es Sijer”, dhe libra tjerë.

El Hasen bin Zijadi

Ebu Alij El Hasen bin Zijad El Lului lindi në Kufa dhe ishte një dijetar i madh. I dinte mirë transmetimet e Ebu Hanifes. E donte Sunetin dhe e praktikonte atë.
Nuk ka dyshim se edhe ky ishte thuajse i të njëjtës kategori me pararendësit e tij. Për kohë të gjatë kishte vijuar mësimet tek Ebu Hanife, e më pas tek Ebu Jusufi dhe Muhamedi.
Gjithashtu edhe ky ka punime në shkollën hanefite. Vdiq në vitin 204.(52)

Shkolla më e hershme në Islam

Nga të katër shkollat juridike, që janë të pranuara në umetin Islam, shkolla hanefite është shkolla e parë. Themeluesi –të themi kështu Ebu Hanife ishte takuar me shokët e të Dërguarit të Allahut, që e bën këtë shkollë akoma më krenare. Ndonëse pati edhe shkolla tjera para tij, por ato thuajse nuk mbijetuan, për shkak se themeluesit e tyre nuk kishin nxënës të shumtë që i bartnin mësimet e tyre. Por, kjo nuk ngjau me Ebu Hanifen dhe nxënësit e tij. Përkundër faktit që Ebu Hanife nuk i barti personalisht mësimet e tij, të shkruara në libra e të sistemuara, ato u barten me pasion të jashtëzakonshëm nga nxënësit e tij të dalluar, me theks të veçantë nga ata katër që i kemi përmendur këtu ndonëse shkurtimisht.

Konsultimi dhe toleranca në mendime

Nga veçoritë e ndritshme të shkollës së Ebu Hanifes është konsultimi, që e veçon këtë shkollë nga tjerat, sepse shkollat tjera janë të përbëra nga mendimet e themeluesve të tyre.
Për konsultimin në shkollën hanefite tregon Esed bin Furati, i cili thotë: “Më ka thënë Esed bin Amri: “Ata (nxënësit e Ebu Hanifes) nuk pajtoheshin me të në përgjigjen rreth ndonjë çështjeje, ku secili vinte me ndonjë përgjigje, e pastaj ato ngriheshin tek imami dhe ata e pyesnin atë, e përgjigja nuk mungonte prej tij. Shpeshherë rreth një çështje diskutonin tre ditë, e më pas e shënonin në divan.”(53)
Ebu Hanife nuk i detyronte nxënësit e tij ta pranojnë vetëm mendimin e tij, përkundrazi ai i nxiste ata që të japin mendimet e tyre personale dhe ta kuptojnë çështjen. I nxiste ata që të mendojnë, hulumtojnë dhe ta japin mendimin e tyre se si e shohin çështjen në fjalë. Vetëm në fund, pas një diskutimi të gjatë, vinte përgjigja vendimtare. Madje, Ebu Jusufi në disa raste e kishte përshkruar klimën e konsultimit, debatit dhe mendimit ndryshe, saqë nganjëherë ata polemizonin një muaj për një çështje të caktuar.
Mësimet e Ebu Hanifes ishin të kësaj natyre. Ato nuk ishin të formës së diktatit, ku njëri dikton e tjetri shkruan, por ishin tubime konsultative, mësime ku debatonin për çështje të caktuara, ku secilit i vinte rendi dhe kontribuonte në çështjen e ngritur. Ebu Hanife në këtë kontekst ishte prijatari dhe ndër të paktit që organizonin mësime të tilla, prandaj edhe i gjen shokët dhe nxënësit e tij që nuk mungonin asnjëherë nga tubimet e dijes së tij. Ebu Jusufit kur i kishte vdekur një anëtar i familjes së ngushtë të tij, ai caktoi dikë që të merret me qefinosjen dhe varrimin e tij, e ky mos ti humbte tubimet e dijes së Ebu Hanifes.
Konsulta dhe mendimet ndryshe patën një rol kyç në shqyrtimin e meseleve dhe në ixhtihadin rreth tyre. Ebu Hanife i jepte rëndësi të madhe konsultës, saqë raportohet se kur nuk prezantonte Afijeh, dhe shqyrtoheshin meselet e caktuara, Ebu Hanife vetëm shqyrtonte meselet me nxënësit tjerë, por nuk pranonte t’i shënonte si mesele e përfunduar, para se Afijeh ibën Jezidi ta jepte edhe mendimin e tij personal.(54)
Nganjeherë ngriteshin zërat e tyre duke shqyrtuar mesele të caktuara, por imami nuk ndërhynte në qetësimin e tyre. Ai i linte në atë mënyrë të debatonin. I linte të lirë, pa ua imponuar mendimin. Por, kur ai fillonte të fliste, situata qetësohej dhe sikur në atë mes më nuk ekzistonte askush.55 Kur Sufjan bin Ujejne kaloi pranë tubimeve të tij dhe pa situatën, iu drejtua Ebu Hanifes në formë të qortimit: “A nuk po i ndal ata nga ngritja e zërit të tyre në xhami?” Por, përgjigja e Ebu Hanifes ishte tjetër nga ajo që priste imami: “Lëri ata, sepse ata fikhun e mësojnë në këtë mënyrë.”(56)

Përfundim

Shkolla hanefite përveç se është shkolla e parë nga katër shkollat e njohura juridike, ajo edhe për nga përfaqësimi, përfaqësohet më së shumti nga myslimanët, në të katër anët e botës. Shumica e myslimanëve të botës i përkasin kësaj shkolle dhe ajo si e tillë, brenda një periudhe të shkurtër kohore, tejkaloi Kufën dhe Irakun dhe mësimet e saj u përhapën në të katër anët. Në këtë kontekst Abdullah bin Zubejr El Humejdi thotë: “E kam dëgjuar Sufjan bin Ujejnen të ketë thënë: “Dy gjëra nuk kam menduar se do të kalojnë jashtë Kufës, ndonëse ato dyja kaluan horizontet; leximi i Hamzës dhe opinionet (mendimet) e Ebu Hanifes.”(57)


________________________
1. Mustafa Ahmed Zerka, ElFikhul Islamij ve Medarisuhu, bot. Irë, 1416 h1995 m, DamaskSiri, f. 89.
2. Muhamed Zahid Kevtherij, Fikhu Ehlul Iraki ve Hadithuhum, me recenzurë të AbdulFetah Ebu Gude, elMektebetu Ezherijetu litturath, KairoEgjipt, pa vit botimi, f. 42.
3. Dhehebiu, Sijer A’lamun Nubela, bot.IIItë, Muessesetu Rrisaletu,1985,v. I, f. 464.
4. Dhebebiu, Te’rihul Islam, bot. Irë, 1990, dar elkutub elarebij, BejrutLiban, v. III, f. 382.
5. Buhariu në Sahih, nr. 2460, 3763 dhe 4384.
6. Buhariu në Fedail, nr.3763.
7. Abdurrahman Rafet elBasha, Suver min Hajatis Sahabeh, bot.Irë, Dar eledebul Islamij, 1997, f. 101102.
8. Taberaniu në Mu’xhemul Kebir, nr. 8338; Ibën Huzejme në Sahih, nr. 1156; Tahaviu në Mushkilul Athar, nr. 5593.
9. Zerkelij, ElA’lam, daru lilm lil melajine, bot.XVtë, 2002, v.IV, f. 137138.
10. Ibnil Xhevzi, SifetusSafvetu, v.I, f. 401.
11. Ibn Sa’d në Tabekat, 6/78; Hakimi në Mustedrek, v. III, f. 438, nr. 5663, i cili thotë se është autentik, e që është pajtuar plotësisht edhe Dhehebiu.
12. Hatib, Te’rihu Bagdad, v. XII, f. 299; Dhehebiu, Sijer A’lamun Nubela, v. IV, f. 56.
13. Ibn Haxher, Tehdhibut Tehdhib, v. IV, f. 168; Dhehebiu, Sijer A’lamun Nubela, v. IV, f. 6457.
14. Ibnil Xhevzi, Sifetus Safvetu, v. III, f. 2728.
15. Nga Kabus bin Ebi Dhabjan transmetohet të ketë thënë: “I thashë babait tim: “Për çfarë arsye shkonit tek Alkamja dhe i linit shokët e Pejgamberit a.s.? Ai m’u përgjigj: “Unë arrita shokët e Pejgamberit a.s. që e pyesnin Alkamen dhe kërkonin fetva prej tij.” Dhehebiu, Sijer A’lamun Nubela, v. IV, f. .59.
16. Dhebebiu, Te’rihul Islam, bot. Irë, 1990, dar elkutub elarebij, BejrutLiban, v. V, f. 190; Hatib, Te’rihu Bagdad, v. XII, f. 296.
17. Muhamed Zahid Kevtherij, Fikhu Ehlul Iraki ve Hadithuhum, f. 44.
18. Dehlevi, ElInsaf, f. 33; Tehanevij, Kavaid fi Ulumil Hadith, f. 132.
19. Sajmerij, Ahbar Ebi Hanife ve Ashabuhu, f. 7; Mekij, Menakib Ebi Hanife, f. 64; Salihij, Ukudul Xheman, f. 168.
20. Dhehebiu, Te’rihul Islam, v. VI, f. 279281.
21. Dhehebiu, Sijer A’lamun Nubela, Muessesetu Rrisaletu, 2001, v. IV, f. 523.
22. Po aty, v.IV, f. 527.
23. Dhehebiu, Sijer A’lamun Nubela, v. V, f. 231; Ixhlij, Te’rihuth Thikat, vëll. I, fq. 131.
24. Dhehebiu, Sijer A’lamun Nubela, v. V, f. 232.
25. Sajmerij, Ahbar Ebi Hanife ve Ashabuhu, f. 7; Mekij, Menakib Ebi Hanife, f. 64; Salihij, Ukudul Xheman, f. 168.
26. Ka edhe mendime se ai është lindur në vitin 61 hixhrij, por shumica e historianëve këtë gjë e shohin si të pamundshme, për faktin se ai ka vdekur në vitin 150, gjegjësisht në sprovën e Mensurit për ta pranuar ofertën që të jetë gjykatës, e që sipas atij versioni i bie të kete 89 apo 90 vite, e që është e pamundshme në atë moshë t’i paraqitet një kërkesë e tillë.
27. Mekkij, Menakib Ebi Hanife, bot.Irë, pa vit dhe vend botimi, v.I, f. 45; Kerderij, Menakib Ebi Hanife, Mexhlis Dairetul Mearif, 1903, fq.46; Sajmerij, Ahbar Ebi Hanife ve Ashabuhu, bot.IIItë, 1985, Alemul Kutub, BejrutLiban, f. 1516; Ebu Zehre, Ebu Hanife hajatuhu ve asruhu, arauhu ve fikhuhu, bot.IItë, Dar elFikr elArebij, BejrutLiban, f. 1415; Ahmed ibën Haxher elHejtemi elMekij, elhajratul Hisan..., Matbeatus Seadeh, KairoEgjipt, pa vit botimi, f. 22.
28. Sujutiu, Mekkiu dhe Kerderiu të cilët konsiderohen si njohës të mirë për jetën e Ebu Hanifes, me ç’rast kanë shkruar edhe libra për të, kanë përmendur transmetime se ai ka takuar më tepër se një sahab. Ata kanë përmendur edhe emra të sahabëve të cilët i ka takuar Ebu Hanife, si p.sh.: Enes bin Malik, Abdullah ibën elHarith ibën Xhez’i Ezzubejdi, Vathileh ibën elEska’, Aisheh bintu Ixhred, Abdullah ibën ebi Evfa, Amër ibën Harith, Ebut Tufejl Amir ibën Vathileh, Sehl ibën Sa’d. Ahmed Seid Havva, ElMedhal ila Medhhebil imam Ebi Hanifeh EnNuman, bot.Irë, XhideArabia Saudite, 2002, f. 35.
29. Tabiij sipas muhadithologëve është ai person që takoi ndonjërin prej sahabve, pa marrë parasysh a e shoqëroi atë dhe a dëgjoi (transmetoi) prej tij. Sujuti, TedriburrRravi, v.II, f. 206.
30. Sajmerij, Ahbar Ebi Hanife ve Ashabuhu, f. 18.
31. Mekkij, Menakib Ebi Hanife, f. 54; Kerderij, Menakib Ebi Hanife, f. 137. Shabiu i kishte thënë Ebu Hanifes: “Unë shoh tek ti zgjuarsi të rrallë dhe lëvizje, prandaj merru me dije dhe shoqëroi dijetarët.” Hamze Neshreti, ElImamul A’dham Ebu Hanife EnNu’man, f. 26.
32. Mekij, Menakib Ebi Hanife, f. 52.
33. Ixhlij, Te’rihuth Thikat, v. I, f. 132; Mekij, Menakib Ebi Hanife, f. 4852; Kerderij, Menakib Ebi Hanife, f. 97.
34. Mekij, Menakib Ebi Hanife, f. 53.
35. Mekij, Menakib Ebi Hanife, f. 58.
36. Ebu Muhamed, Ata ibn ebi Rebah, nga tabiinët më të zgjedhur dhe njëri nga fekihët më të njohur. Fetvat e tij merreshin për bazë në Meke pas Ibni Abasit. Ishte i besueshëm (thikah), jurist, muhadith dhe dijetar me njohuri të shumta. Vdiq në vitin 114 apo 115. Ibnul Xhevzi, Sifetus Safvetu, v. II, f. 211214.
37. Hatib, Te’rihu Bagdad, v. XIII, f. 324; Dhehebiu, Sijer A’lamun Nubela, v. VI, f. 391392.
38. Hatib, Terihu Bagdad, v.XIII, f. 324;Mekij, Menakib Ebi Hanife, f. 37; Kerderij, Menakib Ebi Hanife, f. 76; Salihij, Ukudul Xheman, f. 64.
39. Sajmerij, Ahbar Ebi Hanife ve Ashabuhu, f. 83; Ahmed ibën Muhamed Nesijiridin Ennekib, ElMedhhebul Hanefij, Mektebetu Rrushd, RijadArabia Saudite, f. 52
40. Ebu Zehre, Ebu Hanife –hajatuhu ve asruhu, arauhu ve fikhuhu, f. 2931.
41. Mekij, Menakib Ebi Hanife, f. 389; Kerderij, Menakib Ebi Hanife, f. 497; Hejtemi, ElHajratul Hisan, f. 37.
42. Ibën Abdulberr, elIntika, f. 174; Ebu Zehre, Ebu Hanife..., f. 193.
43. Ibën Halekan, vefejatul a’jan, v.II, f. 318; Dhehebiu, Sijer A’lamun nubela, v.vIII, f. 35.
44. Sajmerij, Ahbar Ebi Hanife ve Ashabuhu, f. 103.
45. Sajmerij, Ahbar Ebi Hanife ve ashabuhu, f. 465; Hatib, Terihu Bagdad, v.XIV, f. 243.
46. Sajmerij, Ahbar Ebi Hanife ve ashabuhu, f. 93.
47. Kerderij, Menakib Ebi Hanife, f. 397.
48. Hatib, Terihu Bagdad, v.XIV, f. 255; Dhehebiu, Sijer A’lamun Nubela, v.VIII, f. 471.
49. Sajmerij, Ahbar Ebi Hanife ve ashabuhu, f. 120; Hatib, Terihu Bagdad, v.II, f. 172; Dhehebiu, Sijer A’lamun Nubela, v.IX, f. 136.
50. Sajmerij, Ahbar Ebi Hanife ve ashabuhu, f. 123124; Dhehebiu, Menakib Ebi Hanife ve sahibejhi, f. 8081.
51. Sajmerij, Ahbar Ebi Hanife ve ashabuhu, f. 125.
52. Sajmerij, Ahbar Ebi Hanife ve ashabuhu, f. 133.
53. Muhamed Zahid Kevtherij, Fikhu Ehlul Iraki ve Hadithuhum, f. 55.
54. Sajmerij, Ahbar Ebi Hanife ve ashabuhu, f. 149.
55. Mekij, Menakib Ebi Hanife, f. 418419.
56. Dhehebiu, Menakib Ebi Hanife ve sahibejhi, f. 35: Iben Abdulberr, Xhami’ Bejanul ilmi ve fadlihi. V.I, f. 6869; Kerderij, Menakib Ebi Hanife, f. 346.
57. Ebu Bekër Hatib elBagdadi, Te’rihu Bagdad, v.XV, f. 475. Senedi i këtij transmetimi është i vërtetë dhe nuk ka ndonjë vërejtje.



Takvim - 2017