Sekreti i suksesit të vezirit


Një ditë Sulltan Javuz Selimi mblodhi të gjithë vezirët e tij me qëllim që të përcaktonte si “kryevezir” atë që do të përmbushte dëshirën e tij duke u kërkuar:

“Më sillni një unazë të tillë që kur ta shohë një njeri i trishtuar të lumturohet. Po ashtu kur ta shohë një njeri i lumtur, ta humbasë lumturinë.”
Pasi dëgjuan kërkesën e Sulltanit, të gjithë vezirët iu vunë punës. Dolën në tregje e pazare, pyetën e kërkuan rreth e rrotull. Koha kaloi dhe erdhi vakti për t’u përgjigjur para sulltanit. Kështu vezirët dolën para tij me unazat e përgatitura dhe nisën t’i përshkruajnë.
Gëzimi i Sulltan Javuz Selimit lexohej lehtë në fytyrë... Unazën e përgatitur nga çdo vezir, Sulltani fillimisht e vendosi në dorën e një të varfri, i cili u lumturua nga ky vlerësim. Më pas të njëjtat unaza Sulltani i vendosi edhe në dorën e tij, por nuk u pa ndonjë ndryshim në gjendjen e tij emocionale. Koha kaloi dhe teksa një nga vezirët vendosi në dorën e tij një tjetër unazë, papritmas lumturia në fytyrën e Sullat Selimit u zhduk. Provuan t“ia vinin të njëjtën unazë një të varfri, por gjendja e tij nuk ndryshoi, ishte përsëri i qeshur dhe lumturia e tij lexohej lehtësisht.
Pas kësaj, Sulltan Selimi pa humbur kohë e shpalli atë kryevezir. Të habitur nga kjo gjendje, vezirët e tjerë vrapuan ta pyesnin kryevezirin si e arriti këtë sukses: “Ç’ishte ajo unazë që papritmas rrëmbeu lumturinë e Sulltanit? Si është e mundur që e njëjta unazë e lumturoi pafundësisht të varfrin e gjorë?”
Kryeveziri u përgjigj me delikatesë: “Krejt e thjeshtë! Një ditë teksa po shëtisja i lumtur në treg një njeri asket ma preu rrugën dhe më vështroi me një shikim të mprehtë. Më pas me një ton qortues më tha:
“Edhe kjo shkon e vjen!”
Kur i dëgjova këto fjalë papritmas u mërzita, u trishtova. Ndërsa një lypsar që po qëndronte diku në qoshe të rrugës, pasi na dëgjoi, i qeshi fytyra, u gëzua, u lumturua... Aty e kuptova që ishte kjo ajo që po kërkoja, prandaj menjëherë e shkrova këtë shprehje në unazën që i dhashë sulltanit. Kështu, sapo e vendosi në dorë, lexoi shkrimin: “Edhe kjo shkon e vjen!” dhe gëzimi u venit në çast. Sepse të gjithë ne e dimë se çdo gjë është e përkohshme, kalimtare...!”
Konsideroje veten në këtë botë, një mysafir i ftuar për gosti në një saraj mbretëror. Mos ia ngul sytë bukurive të sarajit sepse asgjë prej tyre nuk mund të jetë e jotja. Mos mendo se do qëndrosh pafundësisht në saraje sepse ti nuk je tjetër vetëm se një mysafir i ftuar. Herët a vonë do largohesh. Nëse mendon kështu nuk do mërzitesh kur të ikësh. Por, nëse harron se je një mysafir i përkohshëm, kur të ndahesh do mërzitesh, dëfrimet e kohës do kthehen në dhimbje...



Përktheu dhe përshtati: Elona Sytari


Artikulli i kaluar
Plaku dhe macja
Artikulli radhës
Litari i elefantit