Shitblerja në jurisprudencën islame



Hyrje

Feja islame nuk është fe askete që privon besimtarët nga të shijuarit e të mirave të kësaj dynjaje, përkundrazi thërret besimtarët që t’i shijojnë të mirat, që Zoti u ka dhënë atyre.
Njeriu është krijuar dhe është udhëzuar nga Krijuesi, se si duhet të jetojë në këtë jetë dhe çfarë ai duhet të bëjë. Ai është qenie shoqërore që s’mund të jetojë i vetëm, i ndarë, i izoluar dhe i braktisur, por duhet të jetojë me shoqërinë dhe për shoqërinë. Ai duhet t’u përgjigjet kërkesave të jetës, në mënyrë që ta jetojë jetën ashtu siç duhet.
Islami, i lejoi njeriut shitblerjen, sipas konceptit dhe frymës që ka paraparë Krijuesi dhe i Dërguari, ngase për shitblerjen ka rregulla, norma dhe dispozita të caktuara. Shitblerja është një gjë e domosdoshme për njeriun, pa të cilën njeriu do të jetë i privuar, ngase ajo promovon dhe ndihmon mirëqenien njerëzore. Nga ana tjetër, Islami ka ndaluar kërkimin e lëmoshës, pasi që ajo si një dukuri është në kundërshtim me parimet hyjnore. Së këndejmi, njerëzit duhet të punojnë e të angazhohen për këtë jetë, ngase Islami nuk na porosit që t’i largohemi tërësisht kësaj jete e t’i përkushtohemi tjetrës. Përmes kësaj jete, fitohet bota tjetër, jo duke iu shmangur kësaj, por duke e kuptuar realitetin e kësaj jete dhe të botës tjetër.
Secili njeri duhet të përpiqet, të angazhohet dhe të punojë për të pasur një mirëqenie të mirë, ku s’do të ketë nevojë për ndihmën e tjetrit, madje formën e të jetuarit si parazit në kurriz të të tjerëve, islami e ka ndaluar, me përjashtim të disa rasteve, si gjatë sëmundjes e të ngjashme.
Njëra nga format e lejuara që arrihet mirëqenia dhe një jetë e rehatshme, është shitblerja, por ajo duhet të jetë sipas konceptit të lejuar, ngase jo çdo shitblerje është e lejuar, e për të cilën do të flasim në vijim.

Përkufizimi i shitblerjes

Sa i përket përkufizimit të shitblerjes, juristët myslimanë kanë dhënë definicione dhe përkufizime të ndryshme, por që nuk kanë ndonjë dallim të theksuar mes tyre, andaj një përkufizim do të mjaftonte për të, e ne do ta cekim atë përkufizim që pothuajse është më i pranuari dhe më i përhapuri.
Shitblerje nënkupton: “Këmbimi i mallit me mall.” Në këtë kontekst ka ardhur në Kur’an:
“Dhe e shitën atë (Jusufin) për një çmim të vogël, për disa dirhemë (masë argjendi) të numëruar...”(1)
Pra, nënkupton transferimin, gjegjësisht ndërrimin e mallit nga një person te tjetri, me mirëkuptim.(2)
Në kuptim të përgjithshëm, shitblerja nënkupton ndërrimin (këmbimin) e mallit me mall, në bazë të pëlqimit të dyanshëm, apo bartja e pronës (pasurisë) me kompensim në mënyrë të lejuar.(3)

Dispozita e shitblerjes

Shitblerja në parim është e lejuar. Njeriu në këtë jetë do të obligohet domosdoshmërish të ushqehet, e për këtë i nevojitet atij shitblerja(4) për të ruajtur veten në rend të parë, e më pas edhe ata që janë përreth tij. Në Kur’anin Famëlartë dhe në Sunetin e të Dërguarit të Allahut ekzistojnë shumë argumente që tregojnë se shitblerja është e lejuar brenda suazave që Krijuesi e lejoi atë. I Madhërishmi thotë:
“...Allahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën...”(5)
“...Por, kur bëni shitblerje, dëshmojeni...”(6)
“O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete...”(7)
Në këto ajete kuranore qartazi precizohet lejimi i pakontestueshëm i shitblerjes, ndërsa në shumë hadithe i jepet edhe rëndësi e posaçme shitblerjes, dhe i ndalohet njeriut që të pret furnizimin nga lartë duke e braktisur punën apo duke pritur mëshirën e ndokujt. Në lidhje me këtë i Dërguari i Allahut thotë: “Nga Ebu Hurejre transmetohet se i Dërguari i Allahut kishte thënë: “Pasha Atë që shpirti im është në dorën e Tij, më mirë është që ndonjëri nga ju të marrë litarin e të bartë mbi shpinën e tij dru sesa të vijë e të kërkojë (lëmoshë) nga ndokush, i jep apo jo.”(8)
Pra, shumë më mirë dhe më ndershëm do të ishte sikur njeriu ta merrte litarin e tij e të tërhiqte me të drunj, sesa t’ua shtrijë dorën njerëzve, për të pritur mëshirën e tyre.

Ligjshmëria e saj

Shitblerja është e lejuar me porosi kuranore, profetike dhe me konsensus (ixhma) të dijetarëve. Nga Kur’ani Allahu i Madhërishëm në Kur’an thotë:
“...Allahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën...”(9)
“...Por, kur bëni shitblerje, dëshmojeni...”(10)
“Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni tregti gjatë haxhit)...”(11)

Nga Sunneti

I Dërguari i Allahut është pyetur se cili fitim është më i miri? Fitimi më i mirë është ai që arrihet nga puna e dorës së tij, si dhe çdo shitblerje e drejtë (e mirë)(12)-ishte përgjigja e tij. Në një hadith tjetër thuhet:
“I Dërguari i Allahut ka thënë: “Shitblerësit(13) mund të zgjedhin përderisa nuk janë ndarë nga njëri-tjetri, nëse e thonë të vërtetën dhe e shfaqin atë, do t’iu jepet atyre begati (bereqet) në shitblerjen e tyre, e nëse e fshehin të vërtetën dhe gënjejnë, atëherë s’do të ketë begati në shitblerjen e tyre.”(14)
Muhamedi (paqja e Allahut qoftë mbi të) u dërgua Profet e njerëzit shitnin e blinin, ai nuk e mohoi veprimin e tyre, përkundrazi e miratoi atë(15), ndaj miratimi i tij konsiderohet vepër legjitime.

Ixhmai-Konsensusi

Dijetarët me konsensus të plotë (pa përjashtime), thonë se shitblerja është e lejuar,(16) dhe që nga i Dërguari i Allahut deri në kohën tonë nuk njihet askush që ta ketë kundërshtuar shitblerjen.(17)

Vlera e shitblerjes

Shitblerja e lejuar ka vlerë të madhe dhe të rëndësishme. Allahu e ka lejuar atë për interesa të njerëzve. Ajo është domosdoshmëri e secilës gjeneratë dhe në secilën kohë. Myslimanit nuk i lejohet të presë ndihmë apo mëshirë nga ndokush tjetër, e vetë të mos punojë e të mos angazhohet, kur ka mundësi për një gjë të tillë. Fitimi më i mirë është ai që fitohet me djersë, mund dhe angazhim personal. E në këtë kontekst i Dërguari i Allahut thoshte:
“Nuk do të hajë ushqim më të mirë askush sesa ai i cili fiton me dorën e vet, Pejgamberi i Zotit, Davudi a.s., ka ngrënë vetëm nga ajo që ka fituar me dorën e vet.”(18)
Njeriu nuk duhet bërë jetë parazite, të presë gjithnjë nga të tjerët, por ai duhet shfrytëzuar metoda të ndryshme të përfitimit. Më i vlefshëm është fitimi që e bën njeriu vetë sesa kur kërkon lëmoshën nga të tjerët:
Nga Ebu Hurejre transmetohet se i Dërguari i Allahut kishte thënë: “Pasha Atë që shpirti im është në dorën e Tij, më mirë është që ndo njëri nga ju të marrë litarin e të bartë mbi shpinën e tij dru sesa të vijë e të kërkojë (lëmoshë) nga ndokush, i jep apo jo.”(19)
E rëndësishme është që fitimi të jetë në suaza të hallallit, e të mos jetë fitim haram, ngase nuk lejohet një gjë e tillë. Nga Ebu Hurejre përcillet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Njerëzve do t’ju vijë një kohë që nuk do të kenë kujdes (nuk do të mërziten) se a është marrë fitimi prej hallallit (formës së lejuar) apo prej haramit (formës së ndaluar).”(20)

Urtësia e shitblerjes

Urtësia nga lejimi i shitblerjes qëndron në faktin se njeriu për t’i kryer nevojat e tij të domosdoshme, si ushqimi, pirjet, barnat dhe gjërat tjera, duhet të blejë dhe të shesë gjërat që ai ka nevojë për to, me fjalë tjera duhet ta praktikojë shitblerjen.(21)
Prej qëllimeve të pastra të Islamit është edhe plotësimi i nevojave të individit dhe lehtësimi për ta jetuar jetën në formën më të mirë si dhe për ta realizuar qëllimin primar e sublim, atë të adhurimit ndaj Krijuesit të tij.
Njeriu në këtë jetë nuk do të jetë në gjendje që të mbjellë e prodhojë gjithë atë që i duhet gjatë jetës së tij, andaj është e detyrueshme që të shkëmbejë raporte me të tjerët, e si rrjedhojë nga shkëmbimet rrjedh edhe blerja dhe shitja, këto dy komponentë tepër të rëndësishëm për njeriun dhe jetën e tij, mirëpo për të arritur një shitblerje të suksesshme duhet të arrihet pajtimi-pëlqimi mes shitësit dhe blerësit, e kur të arrihet pëlqimi, atëherë kemi të bëjmë me akd-ul-bej’ kontratën e shitblerjes.
Përveç kësaj, prej natyrës së njeriut është vrapimi pas fitimit, e blerja dhe shitja janë rrugët e shëndosha për realizimin e fitimit.

Edukata në shitblerje

Është mirë që të zbatohen disa masa edukative gjatë shitblerjes, prej tyre veçojmë:
1. Të mos tentohet fitim i tepërt në shitblerje: Prej edukatës në shitblerje është edhe fakti që të mendohen dy palët kontraktuese, e të mos mendojë vetëm te çmimi i tij, duke tentuar në një fitim të tepërt. Disa dijetarë mendojnë se fitimi duhet të jetë brenda kufijve të së tretës së pasurisë (1/3),(22) por megjithatë Ligjvënësi nuk ka caktuar limite për fitim.
2. Trajtimi i sinqertë: Kur përshkruan mallin me një paraqitje dhe përshkrim të drejtë e të sinqertë,(23) duke mos gënjyer e as fshehur gjë. I Dërguari i Allahut thoshte:
“Me të vërtetë, tregtarët do të ringjallen në ditën e Gjykimit mëkatarë (keqbërës) përpos kush iu frikësua Zotit, pati trajtim të mirë dhe e thoshte të vërtetën.”(24)
3. Toleranca: Kur shitësi nuk ngul këmbë vetëm në çmimin e parë, por toleron dhe zbret pak nga çmimi i tij. Preferohet që edhe blerësi të mos ngutet, mirëpo të mundohet t’ia zbresë çmimin shitësit, e në lidhje me këtë i Dërguari i Allahut kishte thënë:
“Allahu e mëshiroftë atë njeri tolerant kur shet dhe blen...”(25)
4. Largimi nga betimi, edhe nëse tregtari është i sinqertë: Në parim është i preferuar largimi nga betimi në shitblerje, madje edhe atëherë kur personi është i drejtë dhe i sinqertë. Megjithatë, personi mund të betohet nëse këtë e kërkon nevoja.
I Dërguari i Allahut thotë:
“Ebu Hurejre transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Betimi e shet mallin, por e zhduk bereqetin-mirësinë.”(26)
5. Të shpeshtojë lëmoshën (sadakanë): Preferohet për tregtarin që të japë lëmoshë sa më tepër, ngase ajo ia fshin mëkatet e tij në betim, mashtrim, fshehje të ndonjë të mete, ngritje në çmim, e të ngjashme me të.(27)
I Dërguari i Allahut kishte potencuar:
“Me të vërtetë djalli dhe mëkati prezantojnë gjatë shitblerjes, andaj përzieni shitblerjen tuaj me lëmoshë.”(28)
6. Shkrimi i borxhit dhe dëshmitarët: Preferohet shkrimi i kontratës, sasia e çmimit dhe dëshmitarët në shitblerje.(29) Në lidhje me këtë i Madhërishmi thotë:
“O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë...Kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj...”(30)

Përcaktimi i çmimit

Përcaktimi i çmimit në treg është e drejtë tregtare, ngase shitblerja duhet të kryhet me pëlqim të dyanshëm mes shitësit dhe blerësit, ashtu siç e ka potencuar i Madhërishmi:
“O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të pale juar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete...”(31)
Ndërsa, ndërhyrja në përcaktimin e çmimit e kundërshton lirinë tregtare, ndaj Islami e ka trajtuar këtë çështje me kujdes të madh. Kjo çështje është lënë në kompetencat e tregut dhe tregtarëve, ata kanë ekskluzivitetin e përcaktimit të çmimit, gjithnjë sipas vlerës së llojit, sasisë dhe cilësisë.
Në kohën e të Dërguarit të Allahut u ngritën çmimet, e disa njerëz kërkuan nga i Dërguari i Allahut që të ndërhynte në këtë çështje, duke përcaktuar çmimet sipas vlerës së mallit, por ai kundërshtoi dhe i ndaloi nga një gjë e tillë.(32)
Nga Enesi transmetohet të ketë thënë: “U ngritën çmimet në kohën e të Dërguarit të Allahut, e njerëzit thanë: “O i Dërguar i Allahut, çmimet u ngritën, ndaj përcakto çmimet për ne.” I Dërguari i Allahut u tha: “Allahu është Ai që gjykon në çështjen e çmimeve, Ai është Shtrënguesi, Dhënësi, Furnizuesi, e unë shpresoj ta takoj Zotin tim e askush prej jush të mos kërkojë nga unë ndonjë padrejtësi (që ka të bëjë me) në gjak (jetë) e as në pasuri.”(33)
Juristët myslimanë nga ky hadith kanë nxjerrë konkluza se nuk lejohet ndërhyrja e autoriteteve përgjegjëse në përcaktimin e çmimit të mallrave të ndryshme, ngase vetë fjala e të Dërguarit të Allahut “askush prej jush të kërkojë nga unë për ndonjë padrejtësi”, nënkupton se kjo vepër është padrejtësi, e që nuk duhet të aplikohet nga askush, ngase njerëzit janë të lirë në shkëmbimet e tyre financiare, e ndërhyrja e cenon lirinë dhe të drejtën e tyre. Por mund të ndodhë që ndërhyrja në çmim të ndikojë në fshehjen e artikullit në treg, e më pas në ngritjen e çmimeve, e kjo për shtresën e varfër do të ishte një barrë shumë e rëndë.

Përcaktimi i çmimit gjatë nevojës është obligim (vaxhib)

Më herët elaboruam se ndërhyrja në përcaktimin e çmimit është padrejtësi dhe se ky është rregull i përgjithshëm, por në rast se tregtarët pa të drejtë luajnë me çmimet e tregut, duke i tejkaluar edhe normat dhe kufijtë e drejtësisë dhe mirësisë, të prirë nga lakmia e cila i kaplon shpirtrat e dobët dhe u shkaktojnë të tjerëve padrejtësi, atëherë për udhëheqësin apo gjykatësin është e domosdoshme të ndërhyjë dhe t’i përcaktojë çmimet, në këtë mënyrë do të ruheshin të drejtat e njerëzve dhe do të evitoheshin padrejtësitë.
Në këtë mënyrë do të vendosej një rregull për ata që i tejkalojnë kufijtë, ndërsa përcaktimi i çmimit nuk bëhet ndryshe vetëm se pas një konsultimi të gjatë me personat kompetentë, me ekspertët e fushave përkatëse, të cilët i njohin rrethanat dhe gjendjen e njerëzve më së miri, e të cilët do të jenë të paanshëm dhe të drejtë, duke mos i bërë padrejtësi askujt. Kur ata japin mendimin e tyre të bazuar në fakte dhe argumente, atëherë gjykatësi sjell verdiktin përfundimtar për përcaktimet e çmimit, e kur ky verdikt të publikohet, atëherë askujt nuk i lejohet ta ndryshojë apo kundërshtojë vendimin për çmimin që ka paraparë gjykatësi.(34)

Pjesët përbërëse në shitblerje

Te hanefitë në shitblerje ekziston vetëm një rukn/shtyllë, kurse te medhhebet tjera ekzistojnë katër rukne:

Oferta dhe pranimi(35)
- Oferta dhe pranimi që ndryshe quhet Formula e kontratës - janë shprehjet që tregojnë për këmbim (ndërrim) në bazë të pëlqimit të dyanshëm.(36)
Kontrata lidhet me pajtimin e vullnetshëm të palëve kontraktuese lidhur me elementet thelbësorë të kontratës. Oferta mund të jetë edhe nga shitësi por edhe nga blerësi, varësisht se cili fillon së pari. Oferta mund të jetë nga shitësi, si p.sh.: Po ta shes këtë gjë për dhjetë euro, në këtë rast shitësi është ofertues, e nga blerësi pritet pranimi me fjalët: po e blej, pranova, apo të ngjashme me të. Por ndodh që oferta të vijë nga blerësi, si p.sh.: Po e blej këtë gjë për dhjetë euro, e në këtë rast blerësi është vetë ofertues, e nga shitësi pritet pranimi me fjalët: po e shes, pranova, apo të ngjashme me të.(37)
Por ndodh që shitblerja të kryhet edhe pa formulën e kontratës (ofertën dhe pranimin), siç është e njohur shitblerja në fikh-jurisprudencë me emrin el-bej’u bil-muatat që nënkupton marrjen e sendit nga blerësi dhe parasë nga shitësi, duke mos shprehur asnjë fjalë të vetme, e që është mjaft e përhapur. Te hanefitë, malikitë dhe hanbelitë, lejohet kjo shitblerje, kurdo që veprimet e dy kontraktuesve tregojnë për pëlqimin e tyre, e dihet se shitblerja është e vlefshme përderisa kryhet në bazë të pëlqimit të dyanshëm.(38)
Njerëzit blejnë e shesin, sidomos në treg, vendosin çmimin pranë sendit, konsumatorët marrin sendin e nevojitur dhe i japin paratë, pa ofertë e pa pranim, mirëpo akti i tyre konsiderohet i vlefshëm, ngase është bërë në bazë të pajtimit dhe pëlqimit. Tradita dhe zakoni tregojnë se ky lloj është mjaft i përhapur dhe i popullarizuar sidomos në kohën tonë moderne, ku në dyqane e super markete dhe vende tjera, pothuajse në krejt mallrat janë të vendosura çmimet, konsumatori merr mallin dhe bën pagesën, pa ofertë dhe pa pranim. Ndërsa te shafitë, ky lloj i shitblerjes nuk është i vlefshëm, qoftë në gjëra të vlefshme apo të thjeshta, por patjetër në shitblerje duhet të ketë ofertë dhe pranim, ngase i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Shitblerja duhet të jetë nga pëlqimi i dyanshëm.”(39)
Mirëpo, disa dijetarë të mëvonshëm nga medhhebi shafi’i, e lejoj në këtë lloj shitblerje, prej tyre është imam Neveviu, Begaviu, etj.(40) në sendet-gjërat që janë të imta e jo të shtrenjta, siç është buka, orizi, gjërat e vogla e të thjeshta, kurse kur në pyetje është diçka tjetër (p.sh. blerja e shtëpisë, tokës, etj.), e ndalojnë.(41)
Kontrata e shitblerjes lidhet me kërkesën (ofertën-ixhabin) dhe pranimin (kabulin). Nga kjo përjashtohet malli i pavlerë, në të cilin këto dy elemente s’janë të domosdoshëm, por mjafton të jepet dorë më dorë e të njihet vetëm çmimi. Kjo gjë i lihet në dorë traditës dhe adeteve të njerëzve.(42) Në kërkesë dhe pranim nuk detyrohen shprehje të caktuara, sepse në konsideratë te kontratat merren qëllimet dhe kuptimet e jo fjalët dhe ndërtimet e tyre.(43)

Shitësi dhe blerësi
– Si shitësi ashtu edhe blerësi duhet të jenë të shëndoshë mendërisht, të mos jenë të trashë nga mendja-budalla (sefih),(44) as të çmendur,(45) ngase i çmenduri mund ta shesë edhe shtëpinë për gjëra të vogla e të thjeshta,(46) e as të dehur gjatë procesit të shitblerjes.(47) Të kenë maturi e pjekuri në shitblerje.(48) Shitësi të jetë zotërues i asaj që e shet, apo eventualisht i autorizuar nga dikush për shitjen e asaj gjëje. Të jenë në moshën madhore, me përjashtim të hanefive, të cilët nuk e kushtëzojnë moshën madhore në shitblerje, por sipas tyre lejohen veprimet e fëmijëve të mençur, që ende s’e kanë arritur moshën e pjekurisë, e të cilët kanë mbushur shtatë vjet.(49)
Dijetarët e lejojnë edhe shitblerjen e memecit, nëse ajo kryhet me gjeste (isharete) të kuptueshme, ngase gjestet e tij janë sikurse të folurit me gjuhë, ashtu sikurse lejohet për të që kontratën e shitblerjes ta bëjë me shkrim, në vend të gjesteve. Nëse lejohet bej’u bi-l-Muatat, ku merret malli dhe paguhet çmimi, që është i lejuar sipas xhumhurit (pjesës dërrmuese të dijetarëve), lejohet edhe shitblerja e memecit po në të njëjtën mënyrë, ngase del në pah elementi i pajtimit reciprok.(50)
Shitblerësi që është i imponuar (bej’ul-mukrehi), nëse bën shitblerje në atë gjendje imponuese, shitblerja e tij konsiderohet e pavlefshme, ngase imponimi e zhduk elementin e pëlqimit, e që është kusht për vlefshmërinë në kontratë.(51) Në lidhje me këtë Kur’ani thotë:
“O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete...”(52)
Edhe shitja (blerja) e detyruar (bej’ul-mudtarri) kur detyrohet shitësi të shet diçka nga malli i tij, si p.sh. gjykatësi detyron një person ta shesë mallin e tij në mënyrë që t’i shlyejë borxhin atij. Te hanefitë konsiderohet shitblerje e pavlefshme, kurse te disa të tjerë lejohet në rast nevoje.(53)
Duhet theksuar se në kontrata të tilla, duhet të ketë frymë lirie, e jo imponim, ngase njerëzit janë krijuar të lirë e këtë liri nuk mund t’ua heqë askush, s’ka të drejtë askush që t’ia imponojë tjetrit. Nuk është e kushtëzuar sipas hanefive, malikive dhe shtatë dijetarëve të Medinës,(54) që blerësi dhe shitësi të jenë në një vend, ngase ata mund të jenë larg njëri-tjetrit, dhe lejohet shitblerja e tyre edhe me shkrim, dërgesa, apo me ndonjë mjet tjetër, me kusht që të arrihet pëlqimi (pajtueshmëria) mes tyre.(55) P.sh. blerësi qëndron në një qytet të largët nga shitësi, i pari dërgon ndokënd apo ndonjë shkresë tek ai, nëse pajtohen arrihet edhe shitblerja. Por, mund të ndodh shitblerja edhe nëpërmjet telefonit, faksit dhe internetit në kohën tonë me përparimin e teknologjisë, e nuk kushtëzohet prezenca e blerësit në vendin e shitësit.(56)

Sendi që shitet -
Sendi që shitet duhet të jetë prezent, ngase shitja e një sendi mosekzistent (inekzistent) konsiderohet shitblerje e pavlerë, sikurse shitja e frutave në kopsht gjersa ende s’janë shfaqur frutat e tij.(57) Shitblerja e gjërave mosekzistente mund të jetë shkak në grindje dhe konflikte.(58)
Nga Hakim ibn Hizami transmetohet të ketë thënë: “O i Dërguar i Allahut, më vjen ndonjë njeri dhe dëshiron nga unë t’i shes atë që nuk është në pronësinë time. A ta blej unë në treg dhe t’ia shes atij?(59) I Dërguari i Allahut i tha: “Mos shit atë që nuk është në pronësinë tënde.”(60)
Në një hadith tjetër thuhet:
“Nga Ibni Omeri transmetohet se i Dërguari i Allahut ka ndaluar shitjen e frutave para se të shihet pjekuria e tyre, e ka ndaluar shitësin dhe blerësin.”(61)
Sendi që shitet duhet të jetë i gatshëm për dorëzim,(62) e nuk lejohet shitja e zogjve në ajër, peshqve në ujë, e të ngjashme me të.(63) Gjithashtu sendi që shitet duhet të jetë i ditur nga sasia, e nuk lejohet ta shesë askush hisen (pjesën) e tij trashëguese, e cila ende nuk është ndarë nga trashëgimtarët, mirëpo duhet të jetë e njohur sasia.(64)
Duhet të jetë i pastër(65) dhe brenda kornizave të lejuara në pikëpamje fetare, e të mos jetë prej atyre gjërave që i Madhërishmi i ka ndaluar, siç janë shitja e alkoolit, mishi i derrit, apo të ngjashme. I Dërguari i Allahut thotë:
“Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë ndaluar shitjen e alkoolit, ngordhësirës, derrit dhe idhujve...”(66) Të jetë prej gjërave që ka dobi në to, e të mos jetë prej atyre që s’ka dobi, siç është shitja e insekteve, gjarprit(67), miut, etj.(68) Lejohet shitja e maces, bletëve, luanit, tigrit, çka nevojitet për gjueti, apo në përdorim të lëkurës, lejohet shitja e elefantit. Shitja apo blerja e qenit nuk lejohet(69), me përjashtim të qenit të mësuar, ruajtës dhe për gjueti.(70)
Gjithashtu duhet të jetë sendi i njohur për nga përshkrimi. (71)

Pëlqimi i dyanshëm:
– Nuk lejohet shitblerja pa pëlqimin e të dy kontraktuesve, bazuar në thënien e të Dërguarit të Allahut i cili thotë(72):
“Shitblerja duhet të jetë me pëlqimin e dyanshëm.”(73) Pëlqimi i dyanshëm në shitblerje e bën atë valide, si dhe përjashton shitblerjet tjera që nuk kryhen nën elementin e pajtueshmërisë, si shitblerja e imponuar apo e detyruar.

Llojet e shitblerjes

Janë katër lloje kryesore të shitblerjes: Bej’u-l-Mukajedah – Shitblerja e mallit me mall Bej’u-l-mal bil mal (Es-Sarf) – Shitblerja e valutës me valutë El-Bej’u bin-nukudi ved-derahimi – Shitblerja e gjërave me valuta Bej’us-Selem – Blerja e gjërave më vonë me çmim të menjëhershëm (paradhënia).

Bej’u-l-Mukajedah

Bej’u-l-Mukajedah – është shitblerja e mallit me mall(74), apo këmbimi i një lloji të mallit me një lloj tjetër, si shitja e grurit për rrush, hurmave për elb, vajit për gjalpë, shitja e kalit (veturës) për shtëpi, rrobës për dele, gjalpës për mjaltë, e të ngjashme me të.(75)
Në të kaluarën ky lloj i shitblerjes ka dominuar në shitblerjet e tyre, për shkak se paratë (dërhemi dhe dinari) në atë kohë kanë qenë të pakta në përdorim, ndaj ka dominuar ndërrimi i mallit me një mall tjetër. Është quajtur bej’ul mukajedah për shkak të këmbimit (ndërrimit) mallit me mall, e që nuk përdoren paratë, por përdoret vetëm malli.(76) Ky lloj i shitblerjes lejohet në Islam, bazuar në hadithin që transmeton Ebu Katadeh, në të cilin thuhet:
“Dolëm me të Dërguarin e Allahut në vitin e Hunejnit dhe i dha një parzmore. Unë e shita parzmoren time e me të bleva një vend-kopsht (prej hurmeve) në (fisin) Benu Selemeh, e ky ishte malli i parë që mora në Islam.”(77)

Bej’u-l-mal bil mal (Es-Sarf)

– Bej’u-l-mal bil mal është shitblerja e çmimit me çmim, valutës me valutë, e që te juristët islamë ndryshe quhet Bej’us-Sarf-ndërrim parash, si shitja e monedhës së argjendit me të arit(78), dërhemit me dinarit, sterlinave me dollar,(79) eurove në funta, dhe të ngjashme me to. Në këtë shitblerje si te blerësi ashtu edhe te shitësi, ka vetëm çmim apo vlerë, e jo mall, si në grupin e parë. Edhe ky lloj i shitblerjes është i lejuar me konsensus të dijetarëve, për shkak të nevojave të mëdha të njerëzve gjatë shitblerjes dhe shkëmbimit, e sidomos në kohën tonë, saqë nëse shkon në ndonjë vend ku nuk këmbehet me valutën tënde, atëherë të duhet shkëmbimi i valutës sate në valutën e atij vendi, e kjo është një domosdoshmëri e kohës.

El-Bej’u bin-nukudi ved-derahimi

- El-Bej’u bin-nukudi ved-derahimi është lloji i tretë që nënkupton shitblerjen e gjërave me valuta(80), e që është më i përhapuri mes njerëzve, sidomos në kohën tonë, ku pothuajse të gjitha gjërat blihen me para-valuta, si blerja e gjërave ushqimore, shtëpisë, veturës, tokës, e gjërave tjera. Edhe ky lloj i shitblerjes është i lejuar, me kusht që të jetë kryer shitblerja me pajtueshmëri e jo me imponim dhe detyrim.(81) Në lidhje me këtë i Madhërishmi thotë:
“O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete...”(82)

Bej’us-Selem

Bej’us-Selem është lloji i katërt që nënkupton marrjen e sendit të blerë më vonë me çmim të menjëhershëm -paradhënie (avancë)-, si kurse ndokush blen nga bujku grurë, rrush, perime, apo diçka tjetër, e çmimin (vlerën) ia jep menjëherë, e mallin e merr pas një kohe, pas korrjes apo vjeljes, ku që të dytë pajtohen për këtë gjë.(83)
Në parim duket se ky lloj i shitblerjes ndalohet për shkak se blerja nuk është prezente, e i Dërguari i Allahut ka thënë: “Mos shit atë që nuk është në pronësinë tënde.”(84) Mirëpo Ligjvënësi e lejoi edhe këtë lloj për shkak se është për nevojën e njerëzve, sidomos bujqve dhe fermerëve. Prandaj praktikimi i bej’us-selem është i legalizuar si një rast përjashtues dhe në kundërshtim me analogjinë (e rregullit të përgjithshëm), që në fakt do të thotë se kjo ligjshmëri nuk mund të bëhet shembull për analogji të mëtutjeshme.(85)
Islami i kushton vëmendje të posaçme interesave të njerëzve, ndaj ai edhe erdhi për t’i realizuar të mirat dhe interesat e tyre, e në këtë rast ndihmon bujqit dhe fermerët duke ua plotësuar kërkesat e tyre financiare, me shuma paraprake për një periudhë nga një vit deri në tre, ashtu siç do të aludojë hadithi në vijim. Ndaj, në një farë forme, avanci (paradhënia) në këtë rast është edhe produktiv dhe se ato para mund të plotësojnë kërkesat e kultivuesve.
Edhe pse analogjia e ndalon këtë shitblerje, për faktin se malli nuk është prezent gjatë shitjes, mirëpo është i lejuar për nevojën e njerëzve.(86) Imam Kuduriu thotë: “...ky lloj i shitblerjes është bërë legjitim në kundërshtim me analogjinë, për faktin se po bëhet blerja që nuk është prezente gjatë kontratës së shitblerjes, mirëpo në këtë rast e lëmë analogjinë duke vepruar me Kur’an, sunet dhe konsensus të dijetarëve.

Nga Kur’ani

Argument për lejimin e kësaj shitblerje është ajeti kuranor:
“O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë...”(87)
Ibni Abbasi ka thënë: “Dëshmoj se Allahu i Madhëruar e ka lejuar bej’us-Selem, e zbriti në të ajetin më të gjatë në Kur’an, më pas e lexoi ajetin e lartpërmendur.

Nga suneti

Nga suneti veçojmë thënien e të Dërguarit të Allahut:
“Nga Ibni Abbasi transmetohet të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut erdhi në Medine, e njerëzit praktikonin bej’us-selem me hurma për dy vite apo tri, atëherë ai tha: “Kush bën bej’us-selem (jep të hollat avancë dhe pret mallin për më vonë) le ta bëjë atë në peshë të caktuar, masë të caktuar dhe në kohë të caktuar.”(88)

Konsensusi i dijetarëve

Dijetarët janë unanimë sa i përket lejimit të këtij lloji. Ibni Mundhiri ka thënë: “Të gjithë dijetarët janë unanimë sa i përket lejimit të bej’us-selem, ngase njerëzit kanë nevojë për këtë shitblerje, sidomos pronarët e bimëve, frutave dhe tregtarët e ndryshëm që kanë nevojë për furnizim dhe fonde që në fillim të të mbjellurave të tyre.(89)
Dijetarët kanë mendime të ndryshme sa i përket bej’us-selem në gjëra tjera si në shtazë, mish, rroba, etj. Sa i përket bej’us-selem në shtazë, dijetarët e medhhebit hanefi nuk e lejojnë(90), e që bazohen në atë që transmetohet nga Ibni Abbasi, se i Dërguari i Allahut ndaloi bej’us-selem në shtazë. Përderisa tre medhhebet tjera e lejojnë, bazuar në analogji që lejohet huaja në shtazë. Sa i përket mishit, Ebu Hanifja e ndalon, ndërsa Ebu Jusufi, Imam Muhamedi dhe tre medhhebet tjera e lejojnë atë. Gjithashtu këtë lloj të shitblerjes Ebu Hanifja e ndalon edhe në rroba(91), gjersa medhhebet tjera e lejojnë.(92)
Polemikat mes shkollave juridike qëndron në faktin se disa gjëra nuk mund të jenë në masë dhe peshë të caktuar e të prerë, që Ebu Hanifja e konsideron kusht parësor në këtë lloj shitblerje.
Prandaj, në bej’us selem mund të shiten vetëm ata artikuj që mund të përkufizohen në mënyrë precize në kuptim të cilësisë dhe të sasisë.
Ata të cilët e lejojnë këtë lloj shitblerje në kafshë dhe në mish, nisin nga parimi se është e mundshme që t’i definojnë kafshët dhe mishin e tyre në mënyrë cilësore dhe sasiore, gjithashtu edhe ata të cilët e lejojnë bej’us selem në vezë, nisin nga parimi i peshës e jo nga numërimi, për shkak se po të pajtohen me numërimin, mund të krijohen polemika për masën e vezës në kohën e dorëzimit.
Sidoqoftë, ky është lloji i vetëm që lejohet kur malli nuk është prezent,(93) por malli duhet të jetë në dispozicion në treg apo të jetë i gatshëm në kohën për të cilën ka marrëveshje për dorëzim, e mallrat që janë objekt i këtij lloji duhet të përcaktohen në kuptim të cilësisë dhe të sasisë.

Dallimi mes shitjes selem dhe shitjes së zakonshme

Ekzistojnë disa pika ndryshimi ndërmjet shitjes së zakonshme dhe bej’us selem:
a. Në shitjen selem është e domosdoshme të caktohet një periudhë fikse për dorëzimin e mallit; në shitjen e zakonshme nuk është e domosdoshme:
b. Në shitjen selem, një artikull që nuk është në posedim të shitësit mund të shitet; në shitjen e zakonshme nuk mund të shitet;
c. Në shitjen selem, ata artikuj të cilët mund të përcaktohen në mënyrë precize në kuptim të cilësisë dhe të sasisë mund të shiten; në shitjen e zakonshme çdo gjë që mund të zotërohet mund të shitet, vetëm nëse Kur’ani dhe Hadithi e ndalojnë atë:
d. Një shitje selem nuk mund të ndodhë ndërmjet mallrave identike, për shembull gruri për grurë, ose patatja për patate; në shitjet e zakonshme kjo është e lejuar;
e. Në shitjen selem pagesa duhet të bëhet para kohës së dorëzimit të mallrave dhe në kohën e kontratës; në shitjet e zakonshme pagesa mund të shtyhet ose të bëhet në kohën e dorëzimit të mallrave.(94)

Përfundim

Ndonëse tematika e shitblerjes është mjaft e gjerë dhe assesi ajo nuk mund të shpjegohet brenda një punimi të tillë, për shkak se shumë gjëra mbesin jashtë shpjegimit, madje edhe jashtë referimit, siç janë edhe shitblerjet e ndaluara, për të cilat ne nuk kemi shpjeguar, me shpresë se ndonjëherë tjetër, do ta trajtojmë temë të veçantë, për shkak të rëndësisë së madhe që ka ajo tematikë.
Sidoqoftë, në këtë punim modest u munduam ta pasqyrojmë tematikën e shitblerjes sipas konceptit të përgjithshëm, ku janë përmendur
elementet kryesore të shitblerjes, pa të cilat nuk mund të kuptohet e as të aplikohet shitblerja. Shpresoj se këto informacione janë të dobishme për lexuesit.


________________________
1. Kur’an, Jusuf: 20.
2. Muhamed Ali Sabuni, Fikhul Muamelat. El-Mektebetul Asrijetu, bot. I-rë, 1422h2002m, Sajda-Bejrut, vëll. I, fq. 14.
3. Es-Sejid Sabik, Fikhu-s-Sunneti, bot.i II-të, 1419h-1999m, dare l-fet’h, Kairo-Egjipt, vëll. IV, fq. 26.
4. Abdurrahman el-Xhuzejri, El-Fikhu Alel Medhahibi-l Erbeati, El-Mektebu-th-Thekafij, el-Ez’her-Kajro, vëll. II, fq. 119.
5. Kur’an, Bekare: 275.
6. Kur’an, Bekare: 282.
7. Kur’an, Nisa: 29
8. Sahihul Buhari, nr. i hadithit 1377, El-Muvetta, nr. i hadithit 1588.
9. Kur’an, Bekare: 275.
10. Kur’an, Bekare: 282
11. Kur’an, Bekare: 198.
12. Ahmedi në Musnedin e tij, nr. i hadithit 16628.
13 Bejjiani, është për qëllim shitësi dhe blerësi, gjegjësisht dy kontraktuesit.
14. Taberaniu në el-Mu’xhemul Kebir, nr. i hadithit 3045.
15. Vehebeh Zuhejli, El-Fikhul Islami ve Edil-letuhu, bot.i IV-të, 1422h-2002m, dar elfikr, Damask-Siri, vëll. V, fq. 3306.
16. AbdulAdhim Bedevij, El-Vexhiz, bot.I-rë, 1421h-2001m, dar ibn Rexheb, El-Mensura, Kajro, fq. 335.
17. Muhamed Ali Sabuni, Fikhul Muamelat. El-Mektebetul Asrijetu, bot. I-rë, 1422h-2002m, Sajda-Bejrut, vëll. I, fq. 15; Es-Sejid Sabik, Fikhu-s-Sunneti, vëll. IV, fq. 26.
18. Buhariu në Sahihun e tij, nr. 2072
19. Sahihul Buhari, nr. i hadithit 1377, El-Muvetta, nr. i hadithit 1588.
20. Buhariu në Sahihun e tij, nr. 2070.
21. Op, cit: vëll. I, fq. 16.
22. Të këtij mendimi janë Malikitë, të cilët mendojnë se duhet të caktohet një e treta në fitim.
23. Vehebeh Ez-Zuhejli, El-Fikhul Islamij ve Edil-letuhu, vëll. V, fq. 3308.
24. Ibnu Maxheh në Sunenin e tij, nr. i hadithit 2137.
25. Buhariu në Sahihun e tij, nr. i hadithit 1934.
26. Buhariu në Sahihun e tij, nr. i hadithit 1945; Ebu Davudi në Sunenin e tij, nr. i hadithit 2897.
27. Vehebeh Ez-Zuhejli, El-Fikhul Islamij ve Edil-letuhu, vëll. V, fq. 3308.
28. Transmeton Tirmidhiu në Sunenin e tij, nr. i hadithit 1129.
29. Vehebeh Ez-Zuhejli, El-Fikhul Islamij ve Edil-letuhu, vëll. V, fq. 3308.
30. Kur’an, Bekare: 282.
31. Kur’an, Nisa: 29.
32. Muhamed Ali Sabuni, Fikhul Muamelat. vëll. III, fq. 146.
33. Tirmidhiu në Sunenin e tij, nr. i hadithit 1235; Ibni Maxheh në Sunenin e tij, nr. 2191; Ebu Davudi në Sunenin e tij, nr. 2994. Tirmidhiu thotë se hadithi është hasen-sahih.
34. Muhamed Ali Sabuni, Fikhul Muamelat. vëll. III, fq. 149-150.
35. Kjo është rukni i vetëm tek hanefitë.
36. Abdurrahman el-Xhuzejri, El-Fikhu Alel Medhahibi-l Erbeati, vëll. II, fq. 120.
37. Abdurrahman el-Xhuzejri, El-Fikhu Alel Medhahibi-l Erbeati, vëll. II, fq. 121.
38. El-Kasani, El-Bedai’i, bot.i I-rë, pa vit botimi, vëll.V, fq. 134; Kemaludin Muhamed ibn AbdulVahid, Fet’hul Kadir, matbeatu Mustafa Muhamed, Kajro-Egjipt, vëll. V, fq. 77; Ibnu Rushd, Bidajetul Muxhtehid ve Nihajetul Muktesid, matbeatul Istikameti, Kajro-Egjipt, vëll. II, fq. 161; Ibni Kudame, El-Mugni, bot. i III-të, dar el-menareh, Kajro Egjipt, vëll. III, fq. 561.
39. Ibni Maxheh në Sunenin e tij, nr. i hadithit 2176. Hadithi transmetohet nga Ebu Seid el-Hudrij.
40. Sherbini, Mugni el-Muhtaxh, matbeatul babi el-halebij, Kajro-Egjipt, vëll. II. Fq. 3.
41. Shih më tepër: Zekerija ibn Muhamed ibn Ahmed ibn Zekerija el-Ensari, Esna-l Metalib fi Sherhi Revdi-t-Talibi, vëll. VII, fq. 372.
42. Sejid Sabik, Legjislacioni i traditës së Profetit, Mileniumi i Ri, Tiranë, 2007, vëll. III, fq. 197.
43. Op, cit: vëll. II, fq. 197.
44. Ebu Beker el-Xhezairi, Minhaxhul Muslim, el-Mektebetu et-Tevfikijetu, bot.i IV-të, fq. 281.
45. Ahmed Isa Ashur, el-Fikhul Mujesser, dar-ul hajr, bot.i III-të, 1423h-2003m, fq, 241.
46. Muhamed Ali Sabuni, Fikhul Muamelat. vëll. I, fq. 29.
47. Es-Sejid Sabik, Fikhu-s-Sunneti, vëll. IV, fq. 28.
48. Ebu Beker el-Xhezairi, Minhaxhul Muslim, fq. 280
49. Vehebeh Zuhejli, el-Fikhul Islamij ve Edil-letuhu, vëll. V, fq. 3317.
50. Muhamed Ali Sabuni, Fikhul Muamelat. vëll. I, fq. 37.
51. Vehebeh Zuhejli, el-Fikhul Islamij ve Edil-letuhu, vëll. V, fq. 3323.
52. Kur’an, Nisa: 29.
53. Ibn Kudame, El-Mugni, vëll. IV, fq. 214; Hashijetu ibni Abidin, vëll. IV, fq. 111
54. Shtatë juristët (dijetarët) e Medinës janë: Seid ibn Musejjeb, Urvetu ibn Zubejr, El-Kasim ibn Muhamed, Ebu Bekr ibn Abdurrahman ibnul Harith ibn Hisham, Ubejdullah ibn Utbetu ibn Mes’ud, Sulejman ibn Jesar dhe Harixheh ibn Zejd ibn Thabit.
55. Shih më tepër: Kasani, El-Beda’i, vëll. V, fq. 134; Fet’hul Kadir, vëll. V, fq. 78.
56. Muhamed Ali Sabuni, Fikhul Muamelat. vëll. I, fq. 37.
57. Muhamed Ali Sabuni, Fikhul Muamelat. vëll. I, fq. 33.
58. Abdurrahman el-Xhuzejri, El-Fikhu Alel Medhahibi-l Erbeati, vëll. II, fq. 128.
59. Sipas shpjeguesve të hadithit, është për qëllim kur shitësi shet atë që nuk është pranë tij, pastaj atë e blen në treg dhe ia ofron blerësit. Shih: Tuhfetul Ahvedhij Sherh Sunen Tirmidhi, vëll. III, fq. 331.
60. Tirmidhiu në Sunenin e tij, nr. i hadithit 1153
61. Maliku në Muvetta, nr. i hadithit 1127.
62. Abdurrahman el-Xhuzejri, El-Fikhu Alel Medhahibi-l Erbeati, vëll. II, fq. 126.
63. Vehebeh Zuhejli, el-Fikhul Islamij ve Edil-letuhu, vëll. V, fq. 3322.
64. Muhamed Ali Sabuni, Fikhul Muamelat. vëll. I, fq. 33.
65. Es-Sejid Sabik, Fikhu-s-Sunneti, vëll. IV, fq. 29.
66. Ibni Maxheh në Sunenin e tij, nr. i hadithit 2158. Tirmidhiu në Sunenin e tij, nr. i hadithit 1218.
67. Tek disa nga hanefitë lejohet shitja e gjarprit.
68. Es-Sejid Sabik, Fikhu-s-Sunneti, vëll. IV, fq. 31.
69. Ebu Hanife mendon se shitja e qenit është e lejuar, ndërsa imam Jusufi e thotë të kundërtën.
70. Op. cit: vëll. IV, fq.31.
71. Ebu Beker el-Xhezairi, Minhaxhul Muslim, fq. 281.
72. Ebu Beker el-Xhezairi, Minhaxhul Muslim, fq. 281.
73. Ibni Maxheh në Sunenin e tij, nr. i hadithit 2176. Hadithi transmetohet nga Ebu Seid el-Hudrij.
74. Vehebeh Zuhejli, el-Fikhul Islamij ve Edil-letuhu, vëll. V, fq. 3600.
75. Muhamed Ali Sabuni, Fikhul Muamelat. vëll. I, fq. 18.
76. Op. cit: vëll. I, fq. 18.
77. Buhariu në Sahihun e tij, nr. i hadithit 1958,
78. Monedha të dikurshme që ishin në përdorim
79. Muhamed Ali Sabuni, Fikhul Muamelat. vëll. I, fq. 19.
80. Vehebeh Zuhejli, el-Fikhul Islamij ve Edil-letuhu, vëll. V, fq. 3600.
81. Muhamed Ali Sabuni, Fikhul Muamelat. vëll. I, fq. 20.
82. Kur’an, Nisa: 29.
83. Muhamed Ali Sabuni, Fikhul Muamelat. vëll. I, fq. 21.
84. Tirmidhiu në Sunenin e tij, nr. i hadithit 1153.
85. Grup autorësh, Hyrje në ekonominë dhe financat islame. Boton Fjala e Bukur, Prishtinë, 2008, fq. 257.
86. Vizaretul Evkaf vesh-Shuun el-Islamijeh, el-Mevsuat-ul-Fikhijetu el-Kuvejtijetu, bot. I parë, 1427, matba’ darus-Safvetu, Kajro-Egjipt, vëll. XXXI, fq. 158
87. Kur’an, Bekare: 282.
88. Buhariu në Sahihun e tij, nr. i hadithit 2086.
89. Vehebeh Zuhejli, el-Fikhul Islamij ve Edil-letuhu, vëll. V, fq. 3603.
90. Shih më tepër: Serhasiu, El-Mebsut, vëll. XII, fq. 131; Fet’hu-l Kadir, vëll. V, fq. 327.
91. Nuk lejohet për shkak të dallimit të madh në mes rrobave, e kjo mund të shpie deri tek grindjet, kurse disa prej medhhebit hanefij e lejojnë nëse përshkruhen në detaje rrobat; ngjyra, materiali dhe përshkrimet tjera.
92. Sherbini, Mugni el-Muhtaxh, vëll. II, fq. 107.
93. Ibni Rushd, Bidajetul Muxhtehid, vëll. II, fq. 199; Sherbini, Mugni el-Muhtaxh, vëll. II, fq. 102; Ibn Hemmam, Fet’hul Kadir, vëll. V, fq. 323
94. Grup autorësh, Hyrje në ekonominë dhe financat islame. fq. 258.


____________________
Literatura e konsultuar:

- Kur’ani i Madhërishëm.
- El-Kasani, Bedaius-Sanaiu fi Tertibish Sherai’, bot.i I-rë, pa vit dhe vend botimi.
- Kemaludin Muhamed ibn AbdulVahid ibn Hemmam, Fet’hul Kadir, matbeatu Mustafa Muhamed, Kajro-Egjipt.
- Ibn Rushd, Bidajetul Muxhtehid ve Nihajetul Muktesid, matbeatul Istikameti, Kajro-Egjipt.
- Ibni Kudame, El-Mugni, bot. i III-të, dar el-menareh, Kajro-Egjipt.
- Sherbini, Mugni el-Muhtaxh, matbeatul babi el-halebij, Kajro-Egjipt.
- Zekerija ibn Muhamed ibn Ahmed ibn Zekerija el-Ensari, Esna-l Metalib fi Sherhi Revdi-t-Talibi.
- Ebu Beker el-Xhezairi, Minhaxhul Muslim, el-Mektebetu et-Tevfikijetu.
- Ahmed Isa Ashur, el-Fikhul Mujesser, dar-ul hajr, bot.i III-të.
- Muhamed Ali Sabuni, Fikhul Muamelat. El-Mektebetul Asrijetu, bot. I-rë, 1422h-2002m, Sajda-Bejrut.
- Es-Sejid Sabik, Fikhu-s-Sunneti, bot.i II-të, 1419h-1999m, dare l-fet’h, KajroEgjipt.
- Abdurrahman el-Xhuzejri, El-Fikhu Alel Medhahibi-l Erbeati, El-Mektebu-th-Thekafij, el-Ez’her-Kajro.
- Vehebeh Zuhejli, El-Fikhul Islami ve Edil-letuhu, bot.i IV-të, 1422h-2002m, dar el-fikr, Damask-Siri.
- Vizaretul Evkaf vesh-Shuun el-Islamijeh, el-Mevsuat-ul-Fikhijetu el-Kuvejtijetu, bot. I-rë, 1427, matba’ darus-Safvetu, Kajro-Egjipt.
- AbdulAdhim Bedevij, El-Vexhiz, bot.I-rë, 1421h-2001m, dar ibn Rexheb, El-Mensura, Kajro.
- Sejid Sabik, Legjislacioni i traditës së Profetit, Mileniumi i Ri, Tiranë, 2007.
- Grup autorësh, Hyrje në ekonominë dhe financat islame. Boton Fjala e Bukur, Prishtinë, 2008


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme