Ramazani, muaji i garave më të mëdha që përjeton bota islame


“Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kurani,që është udhërrëfyes për njerëzit,plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)”.(1)

Nuk ka dyshim se muaji i Ramazanit është ndër muajt më të mëdhenj dhe më të dobishëm për besimtarët islamë. Ky muaj është më i frytshmi dhe më shpërblyesi për ata besimtarë të cilët maksimalisht mobilizohen në kryerjen e obligimeve dhe veprave të mira që dalin nga ky muaj.Muajin e Ramazanit, Allahu xh.sh.e ka shpallur për Botën Islame muaj të garave të mëdha maratonike, muaj të konkurencës dhe të garimit në vepra të mira, që fillojnë nga nata e parë e Ramazanit dhe përfundojnë në ditën e fundit të këtij muaji. Allahu xh.sh. në Kuranin famëlartë thotë: “Prandaj rrekuni me njëri-tjetrin,duke kërkuar falje prej Zotit tuaj dhe një kopsht të gjerë sa qielli dhe toka, që është e përgatitur për ata që i kanë besuar Allahut dhe të dërguarve të tij”.(2)
Përfundimi me sukses i këtyre garave, për të cilat si fushë mejdani, Allahu xh.sh.e ka caktuar muajin e Ramazanit, pa dyshim se shpërblim në botën tjetër ka Xhennetin,aty ku njerëzit mund të gjejnë qetësi shpirtërore dhe fizike të përherëshme, që nuk e ka parë syri i njeriut dhe që nuk e kanë dëgjuar veshët. Allahu xh.sh. e shpalli muajin e bekuar të Ramazanit qendër të garave maratonike në Islam, sepse në këtë muaj hapen të gjitha dyert e Xhenetit. Muhamedi a.s. në një hadith thotë: “Gjatë Ramazanit mbyllen dyert e ferrit, hapen dyert e parajsës dhe shejtanët lidhen me zinxhirë. Një engjëll thërret: O ju që doni të bëni mirë! Gëzohuni! O ju që doni të bëni keq! Pushoni deri në fund të Ramazanit!(3)
Muaji i Ramazanit është një stinë e mëshirës hyjnore, që i pajis besimtarët me virtyte të larta, muaj të cilin All xh.sh. e dalloi me zbritjen e Kuranit, li bër i përkryer dhe përplot dritë, udhëzues i qartë për të gjithë njerëzit, dhuratë dhe ligj qiellor për mbarë botën.Vlera e këtij muaji të madhërishëm është shumë e madhe, kurse dobitë e agjërimit të tij janë të panumërta. E themi këtë duke u bazuar në një numër të madh hadithesh të transmetuara, që flasin lidhur me agjërimin e këtij muaji dhe të mirat që sjell me vete Ramazani.
Agjërimi i këtij muaji mundëson pastrimin shpirtëror dhe faljen e gabimeve të vogla duke marrë parasysh fjalët e Resulallahut a.s.: “Koha ndërmjet 5 namazeve të ditës, koha midis dy namazeve të xhumasë dhe ajo në mes dy Ramazaneve, - janë falje për gjithçka që ka ndodhur gjatë kësaj kohe, nëse shmangen gabimet e mëdha”(4) .
Në një hadith tjetër, të cilin e transmeton Ebu Hurejre, Profeti a.s. ka thënë: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit me besim tek Allahu dhe duke kërkuar kënaqësinë dhe shpërblimin e Tij, do t’i falen të gjitha gabimet e mëparshme”(5).
Pra, duke pasur parasysh vlerën, rëndësinë dhe shpërblimin që mund të arrijmë gjatë muajit të Ramazanit, sidomos me agjërimin e këtij muaji, secili besimtar mysliman, në garën-betejën e Ramazanit duhet të hyjë duke agjëruar ditët e këtij muaji, duke braktisur marrjen e çdo lloj ushqimi, po duke qenë edhe i kujdesshëm edhe për gjuhën e vet,që ajo të mos thotë të pavërtetën;për syrin e vet që ai të mos shohë të ndaluarën; për duart, këmbët dhe veshët e vet, që këto gjymtyrë të jenë larg veprimeve të liga dhe të këqija.
Ai që hyn në Ramazan me gjuhën e tij përplot me përgojime, me syrin të drejtuar nga harami, me veshin që dëgjon haramë; ai që nuk i respekton prindërit, nuk i përfill raportet familjare, nuk u flet vëllezërve të vet, - ai e ka shumë vështirë të përfitojë begatitë e muajit të bekuar të Ramazanit.
Përpos agjërimit, besimtarët e ndershëm në muajin e Ramazanit angazhohen dhe e respektojnë Allahun xh.sh., duke i falur namazet me xhemat, duke e falur namazin e teravisë me imam, duke lexuar Kuran me meditim, duke shtuar bamirësinë ndaj prindërve, duke u sjellë mirë me gruan, fëmijët e familjen dhe mbarë farefisin, duke i udhëzuar ata me fjalë të mira, duke u dhënë sadaka nevojtarëve, qofshin ata të afërt, fqinjë apo të largët, sepse kështu kanë vepruar gjithherë myslimanët e mirë gjatë këtij muaji.
Namazi është një ndër shtyllat bazë të fesë islame, pa të cilën nuk mund të qëndrojë feja islame dhe as që mund të imagjinohet Islami. Allahu xh.sh. e ka bërë namazin themel të fesë islame dhe i ka ngarkuar të gjithë pejgamberët për ta kryer këtë obligim derisa të jenë gjallë. Kurani famëlartë na përcjell fjalët - lutjen e Ibrahimit a.s. i cili ka thënë: “O Zoti im! Më bëj nga ata që falin namazin,e edhe prej pasardhësve të mi, dhe pranoje lutjen time, o Zoti ynë!”.(6)
Kurani Kerim përmend se edhe Ismailin a.s.. dhe më pas edhe Isain a.s., Allahu xh.sh. i pati urdhëruar për namaz. Allahu i Lartmadhëruar tregon në Kuran se edhe Muhamedin a.s. e pati urdhëruar të falte namaz: “Fale namazin kur zbret (nga Zeniti)dielli, e deri në errësirën e natës”.(7)
Allahu xh.sh. e urdhëron Muhamedin a.s.që edhe familjen e tij ta urdhërojë për të falur namazin, po dhe vetë ta kryejë: “Urdhëroje familjen tënde të falë namazin, e edhe ti vetë zbatoje atë…”(8)
Se sa rëndësi ka falja e namazeve si detyrim islam, e shohim edhe nga hadithi i Muhamedi a.s: “E para gjë për të cilën do të merret në pyetje njeriu Ditën e Gjykimit, është namazi. Nese është në rregull (namazi), të gjitha punët e tjera do t’i ketë në rregull, por nëse namazin nuk do ta ketë në rregull, të gjitha punët e tjera nuk do t’i ketë në rregull”.
Pjesëmarrja dhe angazhimi edhe më i madh i besimtarëve myslimanë në namaz, në muajin e Ramazanit, ka vlerën dhe rëndësinë e veçantë, sepse në muajin e Ramazanit për çdo vepër a lutje shumëfishohen shpërblimet. Në lidhje me këtë, Pejgamberi a.s. në një hadith ka thënë: “Allahu ju ka urdhëruar që të agjëroni ramazanin (ditën), ndërsa netët e Ramazanit t’i kaloni në ibadet (adhurim) vullnetar.Kush fal nafile gjatë Ramazanit, i njihet sikur të ketë kryer farzin në ndonjë muaj tjetër, e kush e kryen farzin në Ramazan, i njihet sikur të ketë kryer shtatëdhjetë farze jashtë Ramazanit. Ramazani është muaj i durimit, e shpërblimi për durimin është Xhenneti”. Sipas këtij hadithi kuptojmë se në muajin e Ramazanit Allahu xh.sh. shumëfishon shpërblimet për veprat e kryera dhe se muaji i Ramazanit për myslimanët sjell shpresë për fitore të reja dhe shton imanin tek besimtarët e forcon lidhjet ndërmjet tyre.
Si kusht tjetër për të qenë pjesëmarrës aktiv në garat maratonike në muajin e Ramazanit, është edhe leximi e mësimi i Kuranit si dhe organizimi i kurseve të ndryshme me të rinjtë për mësimbesim. Pejgamberi a.s.në muajin e Ramazanit mobilizohej me tërë familjen e tij për të bërë ibadet gjatë ditëve dhe netëve të Ramazanit. Ndërsa në dhjetë ditët e fundit bënte ibadet më shumë se ditëve të tjera. Muhamedi a.s. e dallonte muajin e Ramazanit duke lexuar Kuran më shumë se në muajt e tjerë. Siç transmetojnë Buhariu dhe Muslimi: “Vërtet Xhibrili, alejhis-selam, në çdo natë të Ramazanit kishte takim me Muhamedin a.s., dhe ia mësonte Kuranin”.(9)
Duke pasur parasysh se muaji i Ramazanit është muaj i Kuranit dhe muaj i vendosjes së kontakteve në mes qiellit dhe Tokës, - Ramazani është pra, edhe muaj i leximit, diturisë dhe i qytetërimit. Nga Kurani kemi shpërblim nëse e lexojmë, nëse e mësojmë përmendsh, nëse e dëgjojmë dhe nëse veprojmë e punojmë sipas udhëzimeve të tij. Për vlerën e leximit dhe mësimit të Kuranit, Muhamedi a.s. në një hadith ka thënë: “Më i miri i njerëzve është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve”. Ndërsa në hadithin tjetër, të cilin e transmeton Termidhiu, Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush flet me Kuran, e flet të vërtetën. Kush punon sipas tij, do të jetë i shpërblyer. Kush gjykon sipas tij, gjykon drejt. Kush thërret për të besuar, ai është i udhëzuar në rrugën e drejtë”.
Muaji i Ramazanit është edhe muaj i garave të vëllazërimit,unitetit, pajtimit dhe afrimit në mes myslimanëve, si dhe muaj i solidaritetit me skamnorët e të varfrit, duke u dhënë atyre zekatin, zekatul-fitrin dhe lëmosha të tjera. Siç dihet, njëri nga kushtet e fesë islame është edhe dhënia e zekatit (një pjesë e pasurisë). Ky kusht i Islamit vërtetohet me Kuran e hadith të Pejgamberit a.s.. Ne po i përmendim vetëm disa ajete të Kuranit, të cilat flasin për këtë kusht të Islamit: “O ju që besuat, jepni nga më e mira e asaj që fituat dhe nga ajo që ju dhamë prej tokës, e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, e që ju nuk do ta pranonit për vete vetëm symbyllur. E dini që All-llahu s’ka nevojë për ju, Ai është i Madhëruar”.(10)
Në ajetin tjetër, në lidhje me zekatin, All-llahu xh.sh. në Kuran thotë: “O ju që keni besuar! A t’ju tregoj për një tregti të bujshme që ju shpëton prej një dënimi të dhembshëm: t’i besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij, të luftoni në rrugën e All-llahut me pasurinë tuaj dhe me veten tuaj, e kjo është shumë e dobishme për ju, nëse jeni që e dini”.(11)
Se zekati është prej obligimeve dhe adhurimeve të hershme, e shohim nga ajeti kuranor: “Kujtoni në këtë libër Ismailin! Ai ka qenë shumë besnik në premtimin (premtoi të bëhej kurban) dhe i dërguar, pejgamber.Ai urdhëronte familjen e vet për faljen e namazit e dhënien e zekatit dhe ishte shumë i pranishëm tek Zoti i tij”.(12)
Për rëndësinë e zekatit flasin edhe shumë hadithe të Pejgamberit a.s. Ai në një hadith na porosit duke thënë: “Paguaj zekatin nga pasuria jote, se me të vërtetë ai është një pastrues që të pastron, bëhu i sjellshëm me të afërmit e tu, dhe prano të drejtat e të varfërve, fqinjëve dhe lypësve”.(13)
Përveç ajeteve dhe haditheve të përmendura që flasin për rëndësinë e dhënies së zeqatit, kemi edhe shumë ajete kuranore dhe hadithe profetike që flasin edhe për ndëshkimet që mund t’i pësojnë besimtarët që nuk e kryejnë këtë obligim, si një prej shtyllave themelore të fesë islame.
Një nga detyrat që myslimani duhet të kryejë dhe të japë kontributin e tij gjatë muajit të Ramazanit, është edhe dhënia e sadakatul-fitrit. Kjo detyrë islame është vërtetuar në Kuran dhe hadith, siç do ta shohim në vazhdim. Transmetohet nga Kethir bin Abdil-laln r.a., nga babai i tij, se gjyshi i tij ka thënë: “Është pyetur Muhamedi a.s. për ajetet: “Ka shpëtuar ai që është pastruar,që e kujton Madhërinë e Zotit të vet dhe falet”. (A’la,14,15). E Muhamedi a.s. ka thënë se ka zbritur në lidhje me sadekatul-fitrin.
Në një hadith që transmeton Ibni Abbasi, thuhet: “I dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka caktuar sadakatul- fitrin për agjëruesit, që të pastrohen nga fjalët e kota dhe të pahijshme si dhe për të furnizuar të varfrit. Kush e jep atë para faljes së namazit të Bajramit, ajo i pranohet si sadekatul-fitër, e kush e jep atë pas faljes së namazit të Bajramit, sadekatulfitri nuk i pranohet, po i pranohet vetëm si sadaka e rëndomtë”.
Në një transmetim tjetër tregohet se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush jep sa dekatul-fitrin, ka dhjetë gjëra: E para, e pastron trupin e tij nga gjynahet. E dyta, lirohet nga zjarri i Xhehennemit. E treta, bën që agjërimi i tij të pranohet. E katërta, i obligohet Xhennetit. E pesta, do të largohet nga sherri i sigurt. E gjashta, i pranohen punët e mira të atij viti. E shtata, Ditën e Kiametit i obligohet shef’ati im. E teta, do ta kalojë urën e Siratit si drita e vetëtimës. E nënta, do t’i rëndojë peshorja në anën e punëve të mira. E dhjeta, Allahu xh.sh. do t’i shlyejë emrin nga libri i emrave të njerëzve të pafat”.
Lidhur me sadakatul-fitrin Hasan el Basriu thotë: “Sadakatul-fitri është sikur “sehvi” sexhdja për namazin, që ndreq çdo lëshim në namaz, po ashtu sadakatul-fitri ndreq çdo gjë që ndodh gjatë agjërimit dhe me teravinë, ngase: “Me të vërtetë të mirat shlyejnë të këqijat”.
Zekati dhe sadekatul-fitri, si taksa fetare, mund të jepen në disa fonde, por duke pasur parasysh rrethanat e përgjithshme në të cilat ndodhen Islami dhe institucionet tona fetare në vend, mund të themi se destinimi më i qëlluar për dhënien e zekatit dhe ndihmave të tjera fetare islame, është Bashkësia Islame e Kosovës me institucionet tjera të saj, si Fakulteti i Studimeve Islame dhe medreseja e mesme “Alauddin” e Prishtinës, me paralelet e ndara fizike në Gjilan dhe Prizren.
Nga veprimet e tjera që besimtari islam duhet t’i praktikojë gjatë garës maratonike në muajin e Ramazanit, janë edhe shtimi i duave (lutjeve) si dhe kërkimi i faljes sidomos në kohën e syfyrit dhe iftarit të çdo dite e nate të Ramazanit. Duaja-lutja është ibadet. Për këtë Allahu xh.sh.në Kuran thotë: “Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në Xhehennem”.(14)
Përveç këtij ajeti kuranor, edhe hadithi i Pejgamberit a.s. na tregon se muaji i Ramazanit është muaj i duasë-lutjes. Në hadithin vijues Muhamedi a.s. ka thënë: “Tre personave nuk u refuzohet lutja: agjëruesit derisa të hyjë koha e iftarit, imamit të drejtë dhe atij që i është bërë padrejtësi”. Ndërsa në hadithin tjetër që e transmeton Abdullahu ibn Mes’- udi, Muhamedi a.s. ka thënë: “Në natën e parë të muajit të Ramazanit hapen dyert e Xhennetit…Për çdo natë deri në agim thërret një zë: A ka ndonjë që kërkon falje? Do t’ia falim. A ka ndonjë që pendohet? Do t’i pranohet pendimi. A ka ndonjë që lutet? Do t’i pranohet lutja. A ka ndonjë që kërkon diçka? Do t’ia japim atë që kërkon”. Pra, shtrohet pyetja: A ka gjë më të rëndësishme për agjëruesin sesa këto fjalë?
Në mënyrë të veçantë besimtarët islamë lutjet dhe pendimin e tyre duhet t’i shtojnë në dhjetëditëshin e fundit të muajit të Ramazanit, veçanërisht në natën e Kadrit. Për vlerën e kësaj nate dhe për lutjet në këtë natë, Pejgamberi a.s. në një hadith ka thënë: “Kush falet Natën e Kadrit, duke qenë i bindur dhe i përkushtuar dhe ka qëllim të sinqertë, atij do t’i falen gabimet e mëparshme”.(15)
Se çfarë lutjeje është mirë të bëjmë në Natën e Kadrit, këtë më së miri e shohim nga transmetimi i Ajshes r.a., e cila tregon: “E kam pyetur Pejgamberin a.s.: “O i dërguar i All-llahut, çfarë mendon, sikur unë të dija për një natë që është Nata e Kadrit, çfarë duhet të lutem atë natë?- Pejgamberi a.s. tha: Thuaj: “O Allah, Ti je falës i madh, e do faljen, prandaj na fal ne”.
Edhe për nga aspekti historik, nëse u bëjmë vështrim rëndësisë dhe vlerave të muajit të Ramazanit, shohim se Ramazani gjatë tërë historisë islame ka qenë një muaj i përkushtimit dhe i mobilizimit të përgjithshëm në shumë sfera të jetës. Nisur nga kjo, ky muaj jo rastësisht quhet muaj i fitoreve më të mëdha që kanë shënuar myslimanët. Ne do t’i përmendim shkurtimisht vetëm disa nga datat dhe ngjarjet e rëndësishme që kanë ndodhur në këtë muaj: Në këtë muaj filloi zbritja e Kuranit, në vitin 610; në këtë muaj është zhvilluar beteja vendimtare për Islamin, e njohur në histori si Lufta e Madhe e Bedrit; në këtë muaj të vitit 92h, myslimanët çliruan Andaluzinë (Spanjën), pastaj në muajin e Ramazanit të vitit 8h. është bërë çlirimi i Mekës, ngjarje që konsiderohet si fitorja më e madhe në të cilën Allahu xh.sh. e ka ngritur fenë e Vet, Pejgamberin e Vet dhe ushtrinë e Vet. Çlirimit të Mekës i janë gëzuar edhe banorët e qiellit dhe pas kësaj ngjarjeje njerëzit turma-turma e kanë pranuar Islamin.
Nga ky përshkrim që i bëmë muajit të Ramazanit, shohim se Ramazani së pari është muaj i largimit nga të këqijat dhe veprat e liga, e pastaj muaj i agjërimit, muaj i leximit të Kuranit, i diturisë dhe i qytetërimit, është muaj i namazit,është muaj i lutjeve dhe muaj i sakrificës dhe solidaritetit, si dhe muaj i fitoreve të mëdha për myslimanët.
Zoti na ndihmoftë që të kryejmë agjërimin me përkushtim të plotë dhe na bëftë prej atyre që të kenë dobi nga këshillat dhe mësimet e larta të Kuranit dhe Ramazanit fisnik.


_____________________
Fusnotat:
1. El-Bekare:185.
2. El-Hadid:21.
3. Hadisin e transmeton Ahmedi dhe Nesaiu.
4. Transmeton Muslimi (Fikhus Sunneh).
5. Transmetohet nga Ahmedi (Fikhus Sunneh).
6. Ibrahim:40.
7. Isra:78.
8. Ta-Ha:132.
9. E transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
10. El-Bekare: 267.
11. Es-Safa: 10-11.
12. Merjem: 54-55.
13. Transmetohet nga Ahmedi.
14. El-Gafir: 60.
15. Sahihul-Buhari.



Dituria Islame / 216-217


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme