Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit

 


Sot është ditë feste, ditë gëzimi, ditë mëshire e shpërblimi, ngase të gjitha adhurimet dhe lutjet, të cilat i kemi kryer gjatë këtij muaji të bekuar Ramazan ishin rrugë drejt këtij gëzimi e vëllazërimi, andaj me të drejtë i gëzohemi kësaj dite kaq madhështore dhe kaq të gëzueshme, ngase vjen pas një adhurimi e përkushtimi njëmujor. 
Në shenjë të kësaj, Zoti xh.sh., thotë:
“Vetëm mirësisë së Zotit dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata.” (Junus, 58).
Le t’i gëzohemi edhe ne kësaj dite, duke uruar e vizituar njëri-tjetrin për këtë festë, të lutemi për shëndet e mirëqenie, solidaritet e vëllazëri, humanitet e siguri, duke u lutur që Zoti të mos na ndaj nga mëshira e Tij.
Të nderuar vëllezër e motra,
Botërisht është i njohur qëndrimi human i Islamit rreth ruajtjes dhe shumimit të llojit njerëzor. Feja jonë islame vërteton se njeriu është krijesa më e privilegjuar, e pajisur me veçori e cilësi të veçanta, për dallim nga krijesat e tjera, të cilat jetojnë mbi sipërfaqen e Tokës. Zoti xh.sh., krijoi Ademin dhe Havanë, babanë dhe nënën e njerëzimit, prej tyre pastaj mundësoi shumimin e krijimin e familjeve, fiseve e popujve të ndryshëm. Ai në shenjë rikujtimi për këtë mirësi e begati tha: 
“Me të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun nga një farë e përzier-zigota, për ta sprovuar dhe e bëmë atë që të dëgjojë e të shoh.” (El Insan, 2). 
Edhe Muhamedi a.s., porositi duke thënë: “Martohuni, shumojuni.”
Familja është elementi kyç dhe i parë ndërtues, është bërthama bazë e formimit të një shoqërie, është baza e forcës dhe kohezionit të një shoqërie, mirëqenia e saj nënkupton mirëqenien e gjithë shoqërisë. Feja jonë islame i ka kushtuar vëmendje të madhe familjes, themeleve të formimit të saj në vazhdimësi, në mënyrë që ajo të mbetet e lartë e me harmoni mbizotëruese të tej mbushur me dashuri prindërore e familjare. Familja kërkon lumturinë dhe stabilitetin, ajo ndërton jetën e saj mbi themele të forta. Familja konsiderohet si një shtyllë themelore e strukturës shoqërore, për shkak të lidhjeve të saja shpirtërore, fetare, psikologjike, materiale etj.. Ajo është një burim force për individin, veçanërisht nëse është një familje kohezive, që siguron një atmosferë stabiliteti psikologjik dhe emocional.
Familja është themeli i shoqërisë, është elementi themeltar në formimin e shoqërisë, e cila ndërtohet mbi bazën e marrëdhënies ndërmjet një mashkulli dhe një femre, përmes një akti ligjor të kurorëzimit mes tyre. Dhe si e tillë, kësaj familje edhe i është besuar e drejta dhe përgjegjësia për të rritur fëmijë, për t’i drejtuar dhe edukuar ata drejt asaj që është në interesin e tyre më të mirë dhe për t’i përgatitur ata sa më mirë që t’i marrin detyrat që u takojnë në të ardhmen, brenda një shoqërie ku ata jetojnë. Sigurimi i edukimit të duhur, kujdestaria dhe përkujdesja ndaj fëmijëve bëhet duke iu ofruar edukim dhe vlera të çmuara familjare, ngase kjo fazë është edhe gurthemeli nga i cili formohet personaliteti i fëmijës, andaj duhet pasur kujdes, sepse e kemi amanet nga Zoti, i Cili thotë:
“O ju që keni besuar, ruani veten dhe familjen tuaj nga zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.”
Siç po shihet, familja në fenë dhe traditën tonë është njësia bazë shoqërore mbi të cilën bazohet struktura e shoqërisë, dhe është elementi i parë ndërtues mbi të cilën ndërtohet edhe kombi dhe kalitet atdhedashuria. Me të drejtë feja islame e ka vënë familjen në qendër të shqetësimeve të saj, pasi që e konsideron bazë për stabilitetin dhe mirëqenien e shoqërisë.
Kushdo prej nesh që përcjell diskutimet, por edhe debatet e shumta që po zhvillohen kohëve të fundit në vendin tonë për aprovimin e disa ligjeve rreth familjes, sheh se këto përpjekje bien ndesh me identitetin, fenë dhe vlerat morale që posedon shoqëria jonë. Përpjekjet në këtë drejtim janë për shkatërrimin e familjes, zhdukjen apo dobësimin e moralit të lartë që bartë ky popull, ngase synohet një shoqëri që jeton pa ndjenja të lidhjes emocionale me familjen, të afërmit, traditën, zakonet, dhe fisin, dhe ndikimin që këto elemente kanë në ruajtjen e kohezionit social dhe përkushtimin moral brenda shoqërisë sonë. Duhet ditur se është urdhër hyjnor që familja duhet të jetë e kompletuar, ta dijë se kë e ka babë e nënë, gjysh e gjyshe, vëlla e motër.
Në Islam, familja konsiderohet si njësi bazë për rritjen e brezave të rinj. Ajo siguron një mjedis të sigurt e të qëndrueshëm. Sa më shumë që të jetë struktura e familjes e shëndoshë, e mirë, e vetëdijshme dhe e përkushtuar, aq më shumë do të kemi një shoqëri homogjene, të integruar dhe solidare, një shoqëri që plotëson njëra-tjetrën. 
Të nderuar e shumë të respektuar motra e vëllezër,
Edhe në këtë ditë feste, e para këtij xhemati të mrekullueshëm, e nga ky vend i bekuar, bëj thirrje për të gjithë që të kemi kujdes shumë të madh për të ardhmen e fëmijëve tanë, të familjes sonë. Simptomat e dobësimit të trungut familjar tashmë i kemi para vetes. Nëse para luftës rrallëherë kemi dëgjuar për vetëvrasje, pas luftës pothuajse vetëvrasja është bërë një dukuri shqetësuese, kur shohim e dëgjojmë se një numër i konsiderueshëm i vëllezërve e motrave tona si mjet zgjidhjeje të problemeve të natyrave të ndryshme po e zgjedhin vrasjen apo vetëvrasjen, të cilat sipas normave të Islamit janë rreptësishtë të ndaluara. Problemet me të cilat ballafaqohemi gjatë jetës sonë në këtë botë janë të shumta e të shpeshta, si probleme psikologjike, depresioni i rëndë, ngatërresa të ndryshme, skizofrenia, gjendja ekonomike, përvoja të dhimbshme, bullizmi, papunësia, izolimi social, vetmia etj.. 
Megjithatë, përkundër këtyre sfidave e të ngjashme me të cilat mund të ballafaqohet individi gjatë kësaj jete, duhet ditur se çdo problem, çdo sfidë ka shumë mënyra të zgjedhjes para se njeriu ta marrë vendimin për t’ia shuar jetën vetes apo tjetrit. 
Zoti xh.sh., thotë:
“...dhe mos e vritni veten (dhe njëri-tjetrin) vërtet Zoti është i mëshirshëm me ju.” (En Nisa, 29).
Islami kujdeset dhe nderon jetën, ndalon njeriun për çdo të keqe që mund t’ia bëjë vetes apo ta dëmtojë atë, apo t’i bëjë keq tjetrit. Ndër mëkatet më të mëdha e më të shëmtuara në Islam konsiderohet vrasja e tjetrit dhe vetëvrasja, pa marrë parasysh mënyrën apo shkakun. Vrasja e dikujt, apo vetëvrasja e qëllimtë në fenë islame konsiderohet mëkat i madh, ngase e drejta për dhënien apo marrjen e jetës nuk mund të cenohet nga askush, është e drejtë absolute që i takon vetëm Zotit xh.sh..
Zoti xh.sh., thotë: “...kush vret dikë, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit dhe nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e tërë njerëzve.” (El Maide, 32).
Vërtet ne si Bashkësi Islame jemi të shqetësuar me numrin e madh të vetëvrasjeve, që sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, ky fenomen është në rritje. Nga viti 2002 deri më 2023, fatkeqësisht kemi 1230 vetëvrasje në Kosovë, kemi 1051 vëllavrasje, 2933 raste humbje jete në komunikacion, vërtet shifra rrëqethëse. Andaj kërkohet nga ne si shoqëri të mobilizohemi duke përfshirë të gjithë mekanizmat për të marrë masat e duhura në parandalimin e kësaj dukurie, ngase nëse qëndrojmë pasivë, atëherë vetëvrasjet, por edhe vrasjet mes vete do të jenë fatale për ardhmërinë tonë.
Vëllezër e motra,
Kanë kaluar trembëdhjetë vjet nga regjistrimi i fundit i popullatës në vendin tonë. Ky proces i regjistrimit këtë vit ka nisur me datën 5 prill dhe zgjat deri më 17 maj, andaj ftojmë të gjithë qytetarët që të japin kontributin e tyre, të mos hezitojnë që të regjistrohen dhe të japin të dhëna bazuar në formularët që përfshinë regjistrimi i popullatës dhe ekonomive familjare etj., të përgatitur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Ky është një shërbim qytetar që duhet t’i bëhet vendit. 
Në fund edhe njëherë urime festa e Fitër Bajramit!



Myftiu Naim Tërnava
Prishtinë, më 10.04.2024


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme