Një plak i moshuar i cili ishte në prag të vdekjes, i drejtohet të birit me këto fjalë:
“Biri im, merri këto 100 monedha ari dhe jepja njeriut më budalla që do ta takosh!”
Pasi plaku ndërroi jetë, djali niset në rrugë për t’ia përmbushur dëshirën e fundit të babait, edhe pse i dukej e çuditshme.
Sa herë që shihte dikë që vepronte ndonjë vepër të marrë afrohej të shikoj nëse është personi që e kërkon…
Duke bredhur, një ditë arriti në pallatin mbretëror. E vërejti një grup të madh njerëzish dhe i pyeti të pranishmit përse janë tubuar këta njerëz. Njëri prej tyre i tha: “Nëpunësi i madh e ka zemëruar udhëheqësin! Tani presim ta shikojmë ekzekutimin e tij. Së shpejti xhelati do t’ia presë kokën dhe udhëheqësi do ta emërojë nëpunësin tjetër të madh. Pas ekzekutimit, sipas traditës, nëpunësi i ri para se ta pranojë detyrën duhet të kalojë mbi trupin e të ekzekutuarit.”
Mandej e sollën një njeri me pranga, e detyruan të gjunjëzohet dhe ia prenë kokën. Nëpunësi i ri gjithë ngjarjen e shikoi me qetësi. Pastaj, kaloi mbi trupin e tij dhe iu caktua detyra, nëpunësi më i madh në mbretëri.
Njerëzit filluan një nga një t’ia urojnë detyrën e re.
I riu hyri në radhë për t’ia urojnë detyrën dhe kur doli para tij, ia dorëzoi qesen me 100 monedha ari.
Nëpunësi e hapi qesen, i pa monedhat e arit dhe e pyeti me habi: “O djalosh, pse po ma jep gjithë këtë thesar?!”
“Ju lutem, merrini”, ia ktheu djaloshi, “Kjo ishte dëshira e fundit e babait tim. Më lejo t’ia plotësojë dëshirën e tij”.
Nëpunësi e pyet: “Dëshira e tij ka qenë t’ia japësh këto monedha nëpunësit të madh shtetëror?”
“Jo”, u përgjigj djaloshi, “As nëpunësit të madh e as ndonjë ministri. Babai më la amanet t’ia japë këto monedha të arit njeriut më budalla që do ta takojë. Pasi e kalova gjysmën e botës në kërkim të tij, më falë për fjalët, por njeri më idiot dhe më budalla se ti nuk gjeta.”
“Çfarë thua o idiot, unë qenkam budallai më i madh” – uluriti veziri.
Djaloshi iu përgjigj: “E vërejta me sytë e mi atë që ndodhi. Paraardhësi yt sapo mbeti pa kokë, ndërsa ti kalove mbi trupin e tij që t’ia marrësh pozitën. A nuk je në dije se kjo shumë shpejtë mund të ndodh edhe ty? Ai i cili nuk merr mësim nga vuajtjet dhe gabimet e të tjerëve nuk është budalla i thjeshtë, por mbreti i tyre. Falënderimi i takon Zotit, që ia plotësova dëshirën babait tim.”