Nga vlera, urtësia dhe mirësia e Haxhit

 


Është pyetur i Dërguari i Allahut se cila vepër është më e mira? Ka thënë (a.s.): “Besimi në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij.” E kanë pyetur: Po pastaj? Ka thënë: “Sakrifica (xhihadi) në rrugën e Allahut.” E kanë pyetur: Po pastaj? Ka thënë: “Haxhi i pranuar.”.(1)
Haxhi i pranuar, në arabisht: “Haxh mebrur”: “Dmth., i pranuar... Ose: Haxh mebrur është ai që nuk përzihet me asnjë gjynah, siç kanë thënë të tjerë.”(2) Allahu i Madhëruar e legjitimoi Haxhin, që të mblidhen të gjithë në një vend të vetëm, me gjithë diversitetin e racave, medhhebeve dhe largësisë së vendeve dhe qyteteve të tyre. Allahu i Madhëruar në Kuranin Famëlartë urdhëron: “Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta.”.(3) E, nëse ata mblidhen, duke ardhur nga vende të ndryshme, do të ndodhë njohja dhe afrimiteti në mes tyre. …Krahas afrimit të zemrave dhe bashkimit të fjalës nëpërmjet këtij tubimi, të cilat përbëjnë dobi jashtëzakonisht të madhe për myslimanët, njëkohësisht ka edhe të tjera çështje që realizohen, duke arritur sistemimin e gjendjes së tyre materiale.”.(4) 
Në kryeveprën e tij me titull: “Ihjau ulumiddin”, Imam Ebu Hamid El-Gazali, ka një kapitull që ua kushton argumenteve që lidhen me vlerën e Haxhit, Mekës, Medinës, etj. Në hyrje të këtij kapitulli ai thotë dy fjalë, që peshojnë sa krejt fjalët që mund të thuhen në hak të vlerës dhe madhështisë së Haxhit si adhurim, në mesin e adhurimeve: [Haxhi, në mesin e shtyllave të Islamit dhe ndërtesave të tij, është adhurimi i jetës, vula e krejt punëve, përsosmëria e Islamit, plotësimi i fesë. Për të, Allahu i Madhëruar ka shpallur: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fé”.(5).(6) 
Ndërkohë, teksa përshkruan urtësinë e Haxhit, si adhurim që përfshin edukimin praktik të individit, dijetari i shquar bashkëkohor, dr. Abdulkerim Zejdan, shënon: “Rruga e edukimit praktik që Islami i bën individit shfaqet qartas në adhurimin e Haxhit. Krejt ritualet e Haxhit janë edukim praktik në rrugën e nënshtrimit të plotë ndaj Allahut të Madhëruar, sinqeritetit të plotë në adhurim për Të, korrektësinë para urdhrit të Tij. Pra, krejt ritualet e Haxhit, siç pohon edhe Imam Gazaliu, rahmet pastë: “Nuk i lënë shteg nefsit, as rehati natyrës personale”.(7) Me ritualet e Haxhit, nefsi përjeton ushtrime praktike dhe edukim konkret në sinqeritetin ndaj adhurimit të Allahut, Zotit të botëve.”.(8) 
Distancimi nga parfumet dhe veshja e ihramit në periudhën e Haxhit; të gjitha këto e të tjera si këto, i kujtojnë njeriut bardhësinë e shpirtit e të zemrës, pastrimin e qëllimeve në jetë, pastrimin e mendimit dhe të fjalës, paramendimin e veprës dhe të sjelljes, distancimin nga e keqja dhe çdo gjë që sjell dëm për jetën, njeriun, natyrën; drejt lartësimit në shkallët më fisnike të dëshmimit si mëkëmbës i Zotit në tokë; ndërtues dhe përhapës i mirësisë, mirësjelljes, moralit dhe dashamirësisë për tjetrin; mbrojtës i jetës, respektues i të drejtave të natyrshme me të cilat është begatuar jeta e njeriut!
Në një farë mënyre, kjo me sjell ndër mend ajetin kuranor, nëpërmjet të cilit njihemi me një dialog të zhvilluar në mes Zotit të gjithësisë dhe melekëve të Tij, para se raca njerëzore të krijohej: (Kur Zoti yt u tha melekëve: “Unë po krijoj në tokë një zëvendës (mëkëmbës)!” Ata thanë: “A do të vendosësh në te atë që bën çrregullime dhe që derdh gjaqet, ndërkohë që ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini!”(9) 
Nëpërmjet këtij ajeti kuptojmë që Zoti i gjithësisë e krijoi njeriun dhe e lartësoi në gradën e zëvendësit, a mëkëmbësit, që të ndërtojë jetën, që të ruajë rendin, që të parandalojë të keqen, anarshinë, derdhjen e gjakut të pafajshëm, që të ruajë harmoninë e marrëdhënies së shëndoshë të njeriut me veten, jetën, natyrën, tjetrin! 
Nga këtu, me rrobat e bardha të ihramit, lind pyetja: A jemi ne, myslimanët e kësaj kohe, të denjë për të mbartur mbi supe këtë përgjegjësi të shenjtë hyjnore, që ka shoqëruar dhe do të shoqërojë në çdo kohë njerëzit e devotshëm, si dhe për ta përhapur atë me dashuri dhe përkushtim në mesin e njerëzve? E bardha e ihrameve, më thotë se po! Ne e kemi mundësinë më të mirë dhe fatmirësinë për ta dëshmuar këtë! “Pastaj, qëndrimi në Arefat; i tejmbushur me njerëz që i luten Allahut të Madhëruar në gjuhë e dialekte të ndryshme, i kujtojnë njeriut tubimin e ditës së Kijametit, kur njerëzia do të dalin të barabartë para Zotit të botëve! 
Kështu, të gjitha dispozitat e Haxhit dhe lutjet e tij janë edukim shpirtëror dhe praktik, për ta njohur njeriun me përmasat e vetes së tij, vërtetësinë e pozitës që ka në jetë dhe qëllimin për të cilin është krijuar. Në këtë mënyrë, faktorët dhe shtysat e mendjemadhështisë dhe tundimit vdesin në sytë e tij…”.(10)
Imam Gazaliu sjell në vëmendjen tonë edhe një mirësi të padukshme të Haxhit, që lidhet me anën shpirtërore dhe gëzimin e madh që kanë toka dhe qielli me rastin e këtij adhurimi të madh. Shkruan: [Ka thënë Muxhahidi dhe të tjerë dijetarë: “Kur haxhilerët mbërrijnë në Mekë, ata i rrethojnë melekët, duke u dhënë selam, duke u shtrënguar duart e duke i përqafuar!”(11) 
Përtej metaforës së kësaj dëshmie, një gjë është krejt e qartë: Nuk ka haxhi, që të mos mbushet me një emocion të papërshkrueshëm, që në momentin e parë që thith ajrin e tokës së shenjtë e derisa të largohet nga ky vend adhurimi. Secili ndien diçka të mrekullueshme, që ia ndriçon fytyrën, që ia zbukuron dritën e syve, që ia hijeshon fjalët, që e transformon në një qenie plot mirësi, pa e ditur as ai vetë se çfarë po ndodh me të! 
Në një mënyrë a në një tjetër, ky udhëtim dhe kjo ndërmarrje e jashtëzakonshme besimi dhe adhurimesh të pastra e të sinqerta, të ripërtërijnë e të bëjnë të kuptosh gjëra që, para se të visheshe me ihram dhe me nijetin e Haxhit a të Umres, as që të kishin ardhur ndër mend..! 
Në fjalët e të Dërguarit të Allahut lexojmë: “Ai që e bën Haxhin për hir të Allahut, pa bërë shkelje dhe devijime, do të kthehet si ditën që e ka lindur e ëma!”.(12) 
Sa mirësi e madhe, çfarë bekimi..! Ndërsa sot, teksa shfletoj në tefsirin e Imam Maturidiut, kuptoj qartë madhështinë e Haxhit edhe si një periudhë e begatë kohore, që rrethon me mirësitë e Zotit të gjithë pa përjashtim, edhe të privuarit nga mundësia e kryerjes fizike të këtij adhurimi të mrekullueshëm e plot vlera! 
Në komentimin e ajeteve të para të sures së agimit, El-Fexhr, ndër të tjera Imam Maturidiu thotë: “Ka qenë prej zakonit të arabëve që, kur e pëlqenin diçka e madhëronin dhe, kur e madhëronin, betoheshin për të. Allahu i Madhëruar vendosi në periudhën e Haxhit dhe kohët e tij mirësi nga urtësia, si dhe çudira nga përcaktimi i punëve. Në këtë kontekst hyn edhe fakti se Allahu i Madhëruar e bëri vendin, në të cilin kryhet Haxhi, vend të sigurt për njerëzit, nga një këndvështrim që njerëzit nuk e dijnë kuptimin e realizimit të sigurisë dhe afrimitetit në mesin e tyre; saqë të gjithë dëshiruan që të tubohen atje përtej ndasive e dallimeve…”.(13) 
Në Kuranin Famëlartë thuhet: “Allahu e bëri Qabenë, shtëpinë e shenjtë, vend jetësimi (çështje të fesë e të jetës) për njerëz, dhe muajin e shenjtë, edhe Kurbanin edhe (ato kafshë të shënuara për Kurban) atë me qafore. Këtë (përcaktim nga Zoti) që ta dini se Allahu e di çka ka në qiej dhe çka ka në tokë dhe se Allahu ka përfshirë me urtësinë e dijen e Vet çdo send (përcaktimi i Zotit për këto është me qëllim të caktuar e për të mirën e njerëzve).”(14) 
Kur e mendon, periudha e Haxhit, me krejt elementet e saj përbërëse është pa dyshim një ndër mundësitë e mëdha që i jepet njeriut për të kuptuar madhështinë e besimit dhe adhurimit, kohës dhe shpirtit, domethënies reale të shkrirjes në rrugëtimet e sinqerta në kërkim të asaj Dashnie, që njeriun e lartëson në shkallën e mëkëmbësit dhe jetës i jep kuptimet e një tavafi të pandërprerë në kërkim të vazhdueshëm të pëlqimit të Krijuesit të gjithësisë..! 


____________________
1. Transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a.). 
2. Imam Bedruddin El-Ajni, në Umde-në e tij, botimi i dytë, Bejrut, 2009, DarulKutubil-Ilmijje, vëll. 9, f. 191. 
3. Kur’ani, El-Haxh: 27. 
4. Shejkh Ali Ahmed El-Xherxhavi, Hikmetut-teshria ve felsefetuhu, Bejrut, 1997, Darul-Fikr, vëll. 1, f. 162. 
5. Kur’ani, El-Maide: 3. 
6. Ebu Hamid El-Gazali(450 h. – 505 h.), Ihjau ulummid din, botimi i dytë, Bejrut, 2000, Dar Sadir, vëll.1, f. 321. 
7. Ebu Hamid El-Gazali, vep. e cit.,vëll. 1, f. 240. 
8. Dr. Abdulkerim Zejdan, El-Mufessal fi ahkamil-mer’ativel-bejtil-muslim, botimi i dytë, Bejrut, 1994, Muessesetur-Risale, vëll.2, f. 153. 
9. Kur’ani, El-Bekare: 30. 
10. Dr. Abdulkerim Zejdan, vep. e cit., vëll. 2, f. 153. 
11. Ebu Hamid El-Gazali, vep. e cit., vëll. 1, f. 323. 
12. Transmetuar nga Buhariu, nga Ebu Hurejra (r.a.). 
13. Imam Ebu Mensur El-Maturidi, Te’vilatu Ehlis-Sunneh, Darul-kutubil-ilmijje, Bejrut, botimi i parë, 2005, vëll.i 10-të, f. 515. 
14. El-Maide: 97


 


Dituria Islame 356 


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme