Falënderimet, madhërimet, adhurimet më të sinqerta janë për Zotin e Madhërishëm, sunduesin e gjithë botërave, salavatetet dhe selamet më të bukura ia dërgojmë më të dashurit të Allahut, të dërguarit të fundit, Muhamedit s.a.v.s., mbi familjen e tij të nderuar, shokët e tij besnik dhe të gjithë besimtarëve deri në Ditën e Gjykimit, amin, ja Rabbe-l -alemin.
Të dashur vëllezër besimtarë, Hutbeja e sodit i kushtohet Muhamedit, a.s. me rastin e muajit Rebiul-Evvel.
Gjendemi në muajin Rebiu-l-evvel. Gëzohemi sepse në këtë muaj ka lindur krijesa më e zgjedhur dhe më i mirë e Allahut, njeriu më i mirë, Muhamed alejhis-selam. Në të njëjtin muaj, pas 63 vitesh jetë të bekuar, ai u shpërngul, kështu që mësojmë se çdo njeri që lind do ta shijojë edhe vdekjen dhe se vetëm Allahu i Madhëruar është i Gjallë dhe i Përjetshëm që nuk vdes kurrë!
Gëzohemi sepse në këtë muaj ka lindur i dashuri i Allahut xh.sh., i cili është shkaku i udhëzimit tonë, me lejen dhe mëshirën e Allahut. Prandaj është obligim ta duam më shumë se prindërit, fëmijët dhe gjithë familja, madje edhe vetja jonë, sepse nëse nuk është kështu, atëherë kjo është shenja e parë e dobësisë së imanit - besimit tonë.
Në një rast, një sahab erdhi te Resulullahu a.s. dhe duke qarë tha:
“Vetëm kur të mendoj se nuk do të jemi bashkë në Xhenet, sepse ti je i zgjedhuri i Allahut dhe do të jesh në hapësirat më të larta të Xhenetit, e unë edhe sikur të hyj në Xhenet do të jem larg teje." Pastaj i Plotfuqishmi zbriti ajetin 69 të sures En-Nisa:
“Ata që janë të bindur ndaj Allahut dhe të Dërguarit, do të jenë në shoqërinë e pejgamberëve, të drejtëve, dëshmorëve dhe njerëzve të mirë, të cilëve Allahu u ka dhënë mëshirën e Tij. Dhe sa shokë të mrekullueshëm do të jenë ata!”
Dhe Pejgamberi a.s., mjeku i zemrës, atëherë shqiptoi fjalët madhështore, për të cilat ia vlen të flijohet: "Njeriu do të jetë (në Xhenet) me atë që e do..."
Vëllezër të nderur, ta pyesim një here veten tonë: sa e duam Pejgamberin a.s.!?
A mjafton vetëm të themi se e duam, nëse nuk e ndjekim sunetin e tij!? A mjafton që në këtë muaj të ringjallet kujtesa e tij dhe të anashkalohen qindra sunete dhe këshilla të tij çdo ditë!?
A është islame të qajmë për Sirinë, Irakun, Libinë, Gazën, të rrënuara e të shkatërruara dhe miliona, miliona që po vriten në mbarë botën, kurse lidhjet tona farefisnore janë te prishura, marrëdhëniet tona të ndërsjella janë të pandershme, familjet tona myslimane janë në rrëmujë për shkak të imoralitetit, alkoolit, bixhozit, drogës etj. .!?
Ne i vajtojmë myslimanët e varfër dhe të uritur anembanë botës, e shpirtrat tanë janë të uritur dhe të etur për besim të sinqertë, mall për vlerat e vërteta morale dhe luftën për drejtësi!
Allahu i Lartësuari thotë:
“Thuaj: “Nëse e doni Allahun, më ndiqni mua, dhe Allahu do t'ju dojë dhe do t'jua falë mëkatet tuaja - Allahu është Falës dhe Mëshirues! (Ali-Imran, 31)
Resulullahu a.s. na mëson dhe thotë:
“Vërtet Allahu nuk shikon pamjen dhe bukurinë tuaj, por shikon zemrat dhe veprat tuaja”.
Gjenerata e pare e myslimaneve të mirë, më shumë preferonin të ndihmonin një vëlla mysliman sesa të kalonin një muaj në Itikaf, në xhaminë e Pejgamberit a.s.. Ne kemi mall për Mekën dhe Medinën, jemi krenarë për pamjen tonë, gjatësinë e mjekrës apo pantallonave, kurse zemrat tona janë plot keqdashje, mendjemadhësi, urrejtje dhe zili ndaj vëllezërve tanë myslimanë, me të cilët nuk pajtohemi në mendime, për çështje të zakonshme. Ne nuk jemi gati të falim njëri-tjetrin dhe shpresojmë dhe presim falje nga Allahu i Madhëruar dhe njerëzit për të gjitha mëkatet që bëjmë. Ne nuk gjejmë ndonjë arsyetim për këtë në Sunet. Përkundrazi, Pejgamberi a.s. nuk urrente, falte, ishte i mëshirshëm, në zemër nuk kishte ligësi e zili ndaj bashkëbesimtarëve apo ndonjë njeriu, vetëm i përçmonte mëkatet që bënin dhe i donte njerëzit dhe i lutej Allahut që t'i udhëzonte, dhe korrigjonte ata.
T’ia bëjmë një test vetes, thjeshte dhe lehtë. T’i Mbyllim sytë për një moment dhe të imagjinojmë se Pejgamberi a.s., po vjen të na vizitoj. A do të ishim të gatshëm ta prisnim atë pa u turpëruar për veprimet apo sjelljet tona dhe të familjes tonë!?
Pas betejës së Uhudit, një grua u njoftua se babai, burri dhe vëllai i saj ishin vrarë. Megjithatë, ajo qëndroi e palëkundur në anë të rrugës dhe priste me padurim të shihte të Dashurin – Resulullahin a.s., kur e pa, ajo thirri: "Vërtet, me ty çdo sprove është e lehtë për t'u përballuar!"
Omer ibn Hattabi r.a. argumentoi me shpirtin e tij, pse duhet ta dojë Pejgamberin a.s. më shumë se vetja, andaj tha: "Ky njeri është udhërrëfyesi im, e unë dhe shpirti im nuk do ta dinim rrugën e drejtë, prandaj duhet ta dua më shumë se veten time!" Nëse hyj në Xhenet, do të jem në një kat më të ulët, por nëse e dua, do të jem me të në Xhenneti Firdeus, prandaj e dua më shumë se veten time” – ka përfunduar me mençuri Omeri r.a.
Vëllezër të dashur, mos lejoni që në dashuria jonë ndaj Pejgamberit, a.s., ta jetë më e dobët se e trungut i pallmës që qante sepse Pejgamberi a.s. nuk do të mbante hytbe më mbi të!
Mos lejoni që në dashuria jonë ndaj Pejgamberit, a.s., ta jetë më e dobët se e gurit të Medines, i cili i ka dhënë Selam Resulullahu!
Mos lejoni që në Ditën e Gjykimit, kur të shkojmë te kroi Keëser, ku Pejgemberi a.s. me duart e tij, do t’i jep ujë umetit të tij, t’ju largojnë melaqet prej duarve të tij, e Pejgamberi a.s. t’ju përcjell me sytë e tij ndërsa ata të largojnë, e dëgjohet një zë: "Ti nuk e di, o Muhamed! çka ka bërë ky pas vdekjes tende!"
Ai ka mall për ne dhe na quan të dashur, por ne nuk kujdesemi për të dhe zhytemi në mëkat.
Vjen një Shokë te Pejgamberi a.s.. dhe e pyet: “Sa kohë duhet të ndajë që të dërgoj salavat. Një të tretën, gjysmën apo gjitha lutjet dhe nevojat t’i shndërroje në salavate.” Ndërsa Pejgamberi, a.s., u përgjigj: "Nëse vepron kështu, Allahu do t’i përgjigjet lutjeve tuaja".
Allahu i Madhëruar thotë:
“Është e vërtetë se All-llahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam” (El-Ahzab, 56)
Pejgamberi a.s. ka thënë:
"Kush më dërgon një selam, Allahu do t'i dërgojë dhjetë selame, do t'i shkruajë dhjetë vepra të mira dhe do t'i zvogëlojë dhjetë mëkate."
Ibn Omeri transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Zbukuroni tubimet tuaja duke më dërguar salavat”. Vërtet, salavati i juaj i dërguar tek unë, do të jetë për ju nurë (dritë) në Ditën e Gjykimit!"
Salavatet tona për të dashurin e Allahut sjellin dobi të shumta:
- Ne zbatojmë urdhrin e Allahut,
- Ato sjellin afrim me Pejgamberin a.s. në Ditën e Gjykimit,
- Na shtohen veprat e mira dhe na pakësohen mëkatet,
- Na largojnë koprracinë nga zemrat tona,
- Na sjellin bereqetin dhe mëshirën e Allahut.
- Na afrojnë me Xhenetin,
- Na sjellin dashurinë e Pejgamberit a.s. ndaj nesh dhe shefaatit të tij në Ditën e Gjykimit dhe shumë të mira tjera të kësaj bote dhe të botës tjetër.
- Në Ditën e Gjykimit, të gjithë pejgamberët do të luten (neffsi -nefsi) për shpëtimin e tyre, e vetëm i dashuri ynë Muhamedi a.s., do të thotë: "Ummetii, ummetii (pasuesit e mi, pasuesit e mi)!"
Lusim Allahun që të na shtojë dashurinë për Pejgamberin, a.s., lusim Allahun që të na ndihmojë të ngjajmë me të dhe të jemi të sinqertë në ndjekjen e Sunetit të tij, lusim të Lartësuarin që të na shpëtojë ne dhe familjet tona nga sprovat që nuk mund t'i durojmë dhe të jetë i mëshirshëm me ne në Ditën e Gjykimit! Amin!
Përktheu nga boshnjakishtja: Esat ef. Rexha