Muhamedi a.s. dhe absurditeti i "kuranistëve"

 


Nuk imagjinohet Islami dhe myslimanët pa personalitetin e Muhamedit a.s., të cilit i zbriti Kurani, por edhe interpretimi, përkufizimi dhe detajimi i asaj që përmbante Kurani famëlartë, e që ne e quajmë hadith. Interpretimet dhe veprimet e Muhamedit a.s., janë hyjnore, nga Zoti xh.sh.. Për këtë Allahu xh.sh. thotë: "Dhe ai (Muhamedi) nuk flet nga mendja e tij. Çdo gjë që thotë ai është shpallje që i shpallet" (En Nexhm. 2-3). Muhamedi a.s., pavarësisht a ishte i gëzuar apo i mërzitur, ai ishte besnik, i drejtë, korrekt, jetonte ashtu siç ishte i kënaqur Allahu xh.sh. me të. Kjo është rruga apo jetesa më e mirë që mund ta bëjë dikush. Kush e pranon dhe pason atë, fiton në të dy botët.
Zoti është i mirë, e donë të mirën dhe vetëm me të është i kënaqur. Ai ishte i kënaqur me Muhamedin a.s., dhe me ata që e pasojnë atë. Në Kuran për këtë thuhet: "Thuaju (o Muhamed): "Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, ashtu që të ju dojë Ai ju dhe t'ua falë mëkatet...!" (Ali Imran, 31). Dashuria, nënshtrimi, respekti dhe pasimi i Muhamedit a.s., është dashuri, nënshtrim dhe pasim i Allahut xh.sh.. E kundërta, është mohim apo largim nga dashuria dhe mëshira e pakufishme e Allahut xh.sh..(1) Ndërsa, kur Zoti xh.sh. na porositë të largohemi nga të këqijat, rrjedhimisht kuptojmë se Ai nuk është i kënaqur me veprat tona të këqija.
Nevoja jonë për njohjen e Muhamedit a.s., është në dy rrafshe: Në aspektin hyjnor, pasi që, nuk mund të jemi besimtarë myslimanë, pa besuar dhe pasuar Muhamedin a.s. për pejgamber të fundit të Zotit xh.sh.. Dhe, në rrafshin njerëzor, njeriu nuk mund të jetojë i lumtur, me parime edukative e kulturore, të ndiejë vlerën e tij reale dhe njerëzore po që se nuk jeton konform parimeve të jetës së Muhamedit a.s.. Realisht nuk gjeni fe me parime hyjnore e njerëzore që i ngjajnë atyre me të cilat ka ardhur dhe thërret Muhamedi a.s.. Nuk mundemi të kemi raporte të mira me Zotin pa e dashur dhe pasuar Muhamedin a.s., andaj, më i rëndësishëm është Muhamedi a.s., sesa vetë jeta jonë, pasi që pa besimin dhe pasimin e tij nuk do të jemi të dashur të Zotit. Ai që e donë dashamirin e Zotit, është i dashur i Zotit xh.sh.. Ata të cilët refuzojnë hadithin, refuzojnë Muhamedin a.s. dhe Kuranin. Nëse dikush konteston një kauzë apo koncept, duhet ta dimë shkakun e këtij refuzimi, përmes së cilit bëhet vlerësimi, pranimi apo refuzimi i pretendimit përkatës. Për këtë, do të sjellim disa nga dyshimet që qarkullojnë nga të ashtuquajturit "gardianët e fesë”, në emër të mbrojtjes autentike dhe të pastërtisë së saj me një fjalë kuranistët, dhe sigurisht edhe përgjigjet e këtyre dyshimeve sipas parimeve shkencore.
Sipas tyre, Muhamedi a.s., nuk është shëmbëlltyra më e mirë e një të dërguari të Zotit?
Të qenët e Muhamedit a.s. njeriu më i dashur dhe natyrshëm edhe më me ndikim në gjithë historinë, respektivisht, shëmbëlltyra më e përsosur njerëzore, është fakt i pranuar dhe i konfirmuar nga studiues myslimanë dhe shumë jomyslimanë. Natyrshëm, myslimanëve duhet t'ju mjaftojë dëshmia e Zotit xh.sh., i Cili thotë: "Ju keni shëmbëlltyrën më të lartë në të dërguarin e Allahut..." (El Ahzab, 21). Përderisa Muhamedi a.s., është modeli më ideal, i dashur për Zotin dhe krijesat e Tij, ti çfarë dëshiron më shumë?! Kush është më i avancuar se ai, që të lakmosh për zëvendësimin e dashurisë dhe pasimit të tij?! Zoti xh.sh. thotë: "Vërtet, ti (Muhamed), pa dyshim ti je mbi moralin e lartë!" (El Kalem, 4). Allahu xh.sh. ka thënë: "mbi" e nuk ka thënë: "në" moralin e lartë, nëse ishte përdorur shprehjen "në" do të thoshte je i përzgjedhur në mesin e të mirëve, mirëpo, me shprehjen "mbi" do të thotë: morali dhe edukata jote është më e larta, e pakrahasueshme. Nuk ka model që i bënë konkurrencë moralit dhe shëmbëlltyrës së Muhamedit a.s.. Rruga, dashuria dhe pasimi i tij janë suksese të garantuara për dy botët. Ata që ofrojnë apo propozojnë ndryshimin e kësaj figure hyjnore, duhet ta dinë që, nëse nuk e zëvendësojnë me një tjetër figurë më ideale nuk do të kenë sukses. Kush është ajo figurë më ideale që e zëvendëson Muhamedin a.s.?! Askush! Muhamedi a.s., është më i përzgjedhuri i të përzgjedhurve, pejgamberëve të Zotit, gjithsesi edhe i përzgjedhuri i njerëzve.
Sipas tyre, Muhamedi a.s., ishte i përzgjedhur i Zotit për transmetimin e Kuranit, andaj, na mjaftojnë vetëm mësimet e Kuranit.
Çdo pretendim duhet të vërtetohet. Argumentet për ato pretendime duhet të jenë konform shkencës në të cilën aludon. Prova apo testi i pretendimit është treguesi më i mirë i saktësisë së atyre mendimeve. Pretendimi se nuk kemi nevojë për hadith, respektivisht për mësimet e Muhamedit a.s., me pretekstin se feja është e plotësuar vetëm me Kuranin, duke ju referuar fjalës së Zotit xh.sh.: "...Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe...” (El Maideh, 3), nuk përjashton atë që transmetohet nga Muhamedi a.s., përkundrazi, ai përfshinë edhe Sunetin. Dhuntia më madhështore hyjnore është përzgjedhja dhe dërgimi i Muhamedit a.s., për pejgamber. Zoti xh.sh. thotë: "Dhe shfaqi mirësitë me të cilat të bekojë Zoti yt!" (Ed Duha, 11). Nuk ka mirësi më të madhe sesa ta pasosh përfaqësuesin e mëshirës së Zotit xh.sh., i Cili thotë: "Ne të dërguam ty (Muhamed) mëshirë për të gjitha krijesat." (El Enbija, 107). Ata që i besuan dhe pasuan rrugën e Muhamedit a.s., bekimi dhe mirësitë ndaj tyre do të vazhdojnë edhe në botën tjetër. Veprat shpërblehen në proporcion me normat e tyre, përderisa pasimi i Muhamedit a.s., është obligim edhe shpërblimi është i nivelit të pa imagjinuar. Zoti xh.sh. thotë: "... Çfarëdo që t'ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t'ju ndalojë, hiqni dorë prej saj...!" (El Hashër, 7). Përmes këtij ajeti, Zoti xh.sh. në formë urdhërore e të përgjithshme, pa përjashtim, obligon pasimin e tërë asaj që buron nga Muhamedit a.s..(2) Gjithashtu, Allahu xh.sh. thotë: “Kush i bindet të Dërguarit, në të vërtetë i është bindur Allahut..." (En Nisa, 80). Bindja dhe nënshtrimi absolut ndaj Allahut, xh.sh. është i kushtëzuar me bindjen dhe pasimin e Sunetit të Muhamedit a.s., pavarësisht kategorisë së urdhrit apo ndalesës.(3) Kjo është forma e vetme e drejtë e kuptimit të ajetit, përndryshe do të ishte i pakuptimtë ky ajet i Kuranit. Në Kuran nuk ekziston asnjë fjalë apo fjali, shkronjë, e madje as edhe një vokal i panevojshëm dhe i paqëllimshëm.(4) Ky ajet obligon të besojmë dhe të praktikojmë tërë atë thesar të fjalëve, veprave, cilësive dhe vetive të Muhamedit a.s..(5) Për shkak të hapësirës, do të mjaftohemi me këto ajete. Mjafton të vërtetohet, qoftë edhe përmes një teksti të vetëm se është obligim pasimi i Muhamedit a.s.. Megjithëse ky urdhër vije nga më shumë se tridhjetë (30) herë në Kuran, ndërsa për urdhrin e pasimit të Muhamedit a.s., në hadithe nuk do të flasim fare, pasi që "gardianet e fesë, kuranistët” kanë dëshirë që të argumentohen vetëm me Kuran. Prova e dytë për saktësinë apo mos saktësinë e pretendimit se a mjafton vetëm Kurani, më së miri i kishin organizuar orientalistët, në kurthin e të cilëve po bien edhe disa myslimanë. Argumentet logjike për obligueshmërinë e pasimit të Sunetit janë të shumta, e verifikimi i kësaj, ndërlidhet me përgjigjet:
Si do të thirrej ezani po që se nuk do të ishte Suneti? Si do të falej namazi pa hadithe, ndërsa ai është prej shtyllave bazë të fesë, nga sa rekate namaz do t'i falnin besimtarët?
Ndërsa për zekatin, si do t'i dinim kushtet për obligueshmërinë e zekatit, sa do të jetë përqindja vjetore që duhet t'u dhurohet?! Nga sa lopë dhe dele duhet të fillojë dhënia e zekatit?! Në kulturat bujqësore, sa duhet të jetë vlera e rendimentit dhe zekatit?
Detajet e rregullave të agjërimit si do t'i dinim, kur fillon dhe mbaron (agjërimi), kur prishet dhe kur nuk prishet, kur dhe si të kompensohet etj.?
Haxhi si do të praktikohej vetëm përmes Kuranit, cilat janë kushtet e tij, vendet e caktuara për qëndrim, nga ku fillon dhe ku përfundon tavafi, saji etj.?!
Këto dhe shumë përgjigje për kushtet parimore të Islamit nuk i gjejmë në Kuran. Ato i gjejmë në hadithe, te Pejgamberi Muhamed a.s.. Kjo fe pa hadithe nuk mund të ishte e kompletuar. Nëse një obligim nuk mund të realizohej pa ndonjë gjë, ajo bëhet obligim, sikurse që është pasimi i Muhamedit a.s.. Pra, si do të ishte feja e kompletuar nëse nuk do ta dinim se si ta praktikonim atë?! Përsosmëria e fesë është me besimin dhe zbatimin në praktikë të Kuranit, fjalëve dhe veprave të Muhamedit a.s..
Sipas tyre, "kuranistëve" transmetimi i mësimeve të Muhamedit a.s., nuk është i sigurt, në fe nuk ka dyshime, prandaj refuzohen mësimet e tij, hadithi.
Pretendimi se nuk është shkencore dhe është e papranuar të punohet me tekste hyjnore nëse përmbajnë edhe një përqindje të pa konsiderueshme të pasaktësisë, është pretendim i gabuar, dhe si i tillë edhe i demantuar nga Kurani famëlartë. Zoti xh.sh., thotë: Më pas, nëse burri e ndan sërish gruan (për të tretën herë) nuk mund të martohet me të pa u martuar ajo me një burrë tjetër. Mirëpo, nëse gruaja ndahet nga burri i dytë, atëherë nuk kanë gjynah as ajo e as burri i parë që të martohen sërish me njëri-tjetrin, nëse mendojnë se do t'i respektojnë kufijtë e Allahut..." (El Bekareh, 230). Nga fjala “nëse mendojnë se do t'i respektojnë kufijtë ligjet e Allahut, Zoti xh.sh., e ka pranuar martesën e tyre, nëse mes tyre dominon vullneti dhe bindja për një martesë të re sipas ligjeve të Zotit xh.sh..(6) Saktësia dhe siguria e haditheve është shumë më e lartë sesa pretendimi i dy bashkëshortëve se do ta respektojnë ligjin e Zotit xh.sh., në bazë të së cilit premtim, i cili është tepër relativ, Allahu xh.sh., ua lejoi rimartesën edhe pas një të kaluare të tyre të hidhur. Përmes këtij ajeti, hidhet poshtë pretendimi se ndalohet argumentimi me argumente jo të prera. Po, me argumente jo të prera nuk lejohet të ndërtojmë parime apo baza shkencore, por obligohemi që me argumente, saktësia e të cilave dominon të argumentohemi për ekzekutimin e atyre parimeve apo bazave, veçanërisht nëse niveli i saktësisë së tyre është shumë i lartë. Megjithatë, hadithet e sakta të transmetuara përmes transmetuesve besnikë, të cilët duhet të jenë: të drejtë, myslimanë,(7) moshërritur dhe të mençur,(8) larg elementeve të shthurjes apo degjenerimit, duke mos vepruar mëkate të mëdha dhe gabimet e vogla të mos jenë të vazhdueshme,(9) të pajisur me edukatë, moral dhe parime të mira,(10) të jenë të përpiktë dhe të vëmendshëm kur e dëgjon dhe e plason hadithin. Këta transmetues me këto virtyte që i lakmon secili i mençur dhe korrekt, duhet që përcjelljen e transmetimeve ta bëjnë njëri pas tjetrit, pa ndonjë iluzion apo lëshim.
Po të njëjtit transmetues, transmetojnë edhe Kuranin, atëherë, pse i refuzojnë vetëm transmetimet e haditheve, apo përmes hadithit dëshirojnë të defunksionalizojnë edhe Kuranin? Megjithatë, për t'u siguruar nga gabimet, këta transmetues i nënshtrohen edhe filtrave të kritikës së hadithit, perqendrimi i së cilës fushë eshte te transmetuesit dhe hadithet e sakta, në mënyrë që edhe hipotetikisht të pamundësohet depërtimi i ndonjë gabimi eventual në hadith, pasi që nga natyra njerëzore, mund të depërtojë ndonjë gabim eventual. Krejt kjo procedurë është në fushën e transmetimit. Ndërsa, kur kalohet te fusha e kuptimit,(11) hadithi i nënshtrohet filtrave apo rregullave të tjera, si: komentimi i hadithit nën harmonizim dhe dritën e Kuranit dhe Sunetit, grumbullimi të gjitha haditheve rreth një teme të caktuar, kuptimi i haditheve nën dritën e shkaqeve, rrethanave dhe objektivave të hadithit, dallimi mes kuptimit tekstual dhe atij figurativ të hadithit, etj.. Këto rregulla pamundësojnë që objektivi i hadithit të jetë jashtë kontekstit dhe qëllimit të thënies së tij. Pra, mendimi se për shkak të mundësisë së gabimit eventual gjatë transmetimit të haditheve, gjegjësisht të jetës së Muhamedit a.s., nuk lejohet apo nuk obligohemi të praktikojmë mësimet e Muhamedit është mendim i pasaktë, tendencioz, synon dëmtimin e Sunetit, dhe kështu të arrijë të paraqes dyshime edhe në Kuran. Shkrimi i haditheve apo jetës së Muhamedit a.s., është realizuar në proporcion me nevojën e shkrimit të tij, saktësisht sikurse u paraqit nevoja e tubimit të Kuranit pas betejës së Jemames, ku u vranë shumë hafëzë të Kuranit. Kjo vonesë e tubimit nuk ndikoi që të ketë gabime në Kuran, vendimi për tubimin e tij i ngjante vendimit për tubimin e Kuranit.
Gjithashtu, vlen të theksohet se në Kuran pak prej fjalëve kanë një konotacion të vetëm argumentues,(12) dhe se askush nuk pretendon se ndalohet të punohet me ato fjalë kuranore shumëdimensionale, edhe pse kuptimi i tyre nuk është i prerë, sigurisht nëse njëri nga ato kuptime është i argumentuar, i harmonizuar me ajete dhe hadithe të tjera, të cilat së bashku realizojnë objektivat hyjnore. Saktësinë e haditheve e dëshmojnë edhe format e tjera të transmetimit të hadithit, sikurse që është transmetimi i haditheve, përmes bartjes së juristëve: gjeneratë pas gjenerate, që i ngjanë formës së transmetimit të Kuranit. Në literaturën juridike, gjejmë thuajse të gjitha hadithet të cilat janë referencë argumentuese në temat përkatëse. Kështu kanë vepruar komentuesit e Kuranit, gjatë shpjegimit të tij kanë sjellë hadithet që ndërlidhen apo komentojnë temat që trajtojnë ajetet përkatëse. Njashtu, vepruan historianët, gjatë shkrimit të historisë së Muhamedit a.s., sollën hadithet në konotacionin historik. Të gjitha fushat islame kanë transmetuar hadithet sipas formës apo natyrës së shkencës përkatëse, duke i respektuar kriteret e atyre shkencave. Këto janë argumente që garantojnë saktësinë e haditheve të transmetuara sipas shkencës së hadithit. Mundësia e gabimit në mësimet e Muhamedit a.s., është zvogëluar aq shumë sa që në asnjë formë, përfundimisht, nuk mund të ndodhë që të punohet me hadithe jo të sakta, kështu që hadithet që nuk kalojnë filtrat e saktësisë mbeten të refuzuara. Pra, hadithet e dobëta, të cilat nuk janë vërtetuar që burim e kanë shpalljen hyjnore, nga Muhamedi a.s., refuzohen, përveçse në orbitën e preferimeve apo mos pëlqimeve në masë të caktuar dhe me kujdes të veçantë. E rëndësishme është pasimi i Muhamedit a.s., pavarësisht se a i referohemi jetës së tij përmes shkencës së hadithit apo të juristëve, dy nga rrugët më të konsoliduara për transmetimin e jetës së Muhamedit a.s.. Rruga e transmetimit është mjet që në mënyrë të sigurt duhet të na dërgojë te qëllimi, e ai është pasimi i Muhamedit a.s.. 
Muhamedi a.s., është shëmbëlltyra më e mirë, e dëshmuar dhe pranuar nga myslimanët dhe jomyslimanët transparentë, ai paraqet mesazhin hyjnor. Besimi apo Islami nuk është i plotë pa besimin dhe pasimin e tij, mesazhet e të cilit janë transmetuar me saktësi të pashembullt, të pa parë më herët dhe të pakrahasueshme më pas. Nevoja e njerëzimit, jo vetëm e myslimanëve për Muhamedin a.s., është e jashtëzakonshme. Promovimi i kësaj figure gjenerale, të lartë morale dhe kulturore, të drejtë, promovon dashuri, paqe e lumturi në botën tonë dhe përtej saj. Pa dyshim, se ky personalitet është Pejgamberi Muhamed a.s., i dashuri i Krijuesit dhe krijesave, familjari dhe prijësi shembullor. Botës bashkëkohore, më shumë se kurrë i duhet ta jetësojë këtë shëmbëlltyrë të papërsëritur, të cilës nuk i gjejmë konkurrencë, e assesi ngjashmëri. Askush nuk mund të pretendojë besimin dhe edukatën e Muhamedit a.s..
__________________________
1. Imam Abdurrahman bin Naser es Sadij, Tejsir el Kerim err Rrahman fi Tefsir Kelam el Menam. 1/128,0002.
2. Abdulmelik el Kushejri, Tefsiru-l Kushejri - Letaifu-l isharat, (Kajro- Egjipt, 2014) 3/560.
3. Imam Ebu Mensur el Maturidiju, Tefsir el Maturidij, (Bejrut-Liban, 2005) 3/66.
4. Mustafa Sadik er Rafiiju, Ixhaz el Kuran ve el Belagatu en Nebevijetu, (Bejrut, 5002) 1/157.
5. Imam Ibën Rexheb el Hambelit 795 h, Fethu el Bari, (Arabia Saudite, Medine, 6991) 1/61.
6. Dr. Abdu el Adhim Ibrahim el Mutaiji, Esh Shubuhat eth Thelethune el Mutheratu Linkar es Sunetu en Nebevijetu, Ard ve Tefnid ve Nakdun, 1999, f. 122.
7. El Gazali, Muhamed bin Muhamed, El Mustesfa fi Ilm el Usul, (Bejrut, Dar el Kutum el Ilmije, 3141h.) 124.
8. Ibën Es Salah, Uthamn bin Abdu err Rrahman, Marifetu Enva Elum el Hadith, (Siri, Dar el Fikr, Bejrut, Dar el Fiker el Muasir 1998), f.104.
9. El Menevi, Zejnudin Muhamed, El Jevekit ve ed Durar fi sherh Nuhbeti ibën Haxher, (Rijad, Mektebetu err Rruzhd, 1999) 2/351.
10. El Fejumi, Ahmed, El Misbah el Munir fi Garib esh Sherh el Kebir, (Bejrut, El Mektebu el Ilmijeh) 2/569.
11. El Kardavi, dr. Jusuf, Kejfe Neteamel Mea es Sune en Nebevijeh, në kapitullin Mealim ve Davabit Lihusni Fehm es Suneh en Nebevije, (Kajro, 2013) f. 111- 200.
12. Ebu el Hasen el Mevurdit, Tefsir el Mevurdij en Nuket el Ujun, (Bejrut-Liban, 2008) 1/35.


 


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme