Kurani, burimi kryesor i dispozitave islame, e ka bërë të qartë dhe e ka vizatuar pastër dhe drejt mënyrën e jetës islame, për secilin mysliman, i cili ka besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij a.s., në mënyrë që të praktikojë saktë Islamin. Duke u nisur nga kjo, themi se shoqëria islame ngrihet mbi bazën e akides (besimit), prej ku i merr edhe tërë dispozitat dhe ligjet e saj, etikën, rregullin, moralin dhe kjo akide është Islami. Një shoqëri e tillë, e ngritur mbi bazat islame, quhet shoqëri islame.
Humanizmi dhe toleranca janë dy karakteristika prej karakteristikave të tjera të plota dhe të përsosura të Islamit, me të cilat Allahu i Madhëruar i ka urdhëruar robërit e Tij myslimanë të stolisën me to dhe të punojnë sipas tyre kudo që të ndodhen, duke formuar kështu një shoqëri të denjë njerëzore, e cila përgjatë historisë së saj, ka treguar me fakte dhe me vepra, se është shoqëri që nderon jetën dhe respekton të drejtat njerëzore, ndaj kujtdo, pa marrë parasysh se çfarë besimi ka, apo cilës racë i përket.
Humanizmi
Në Kuran, fjala njeri përmendet plot 63 herë, ndërsa fjala njerëz përsëritet plot 240 herë. Madje, një sure e tërë ka emrin “Njeriu” (El Insan). Allahu i Madhëruar në Kuranin famëlartë thotë: “O ju njerëz, Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni. Me të vërtetë, më i nderuari nga ju tek Allahu është më i devotshmi. Me të vërtetë Allahu është i Ditur, i Gjithënjohur!” (El Huxhurat, 13).
Përsëri, Allahu i Madhëruar në Kuranin famëlartë thotë: “O ju njerëz, kijeni frikë Zotin tuaj, i Cili ju krijoi prej një vete të vetme dhe prej saj krijoi bashkëshorten e saj, e prej të dyve krijoi burra shumë e gra. Kijeni frikë Allahun, me të Cilin luteni (përbetoheni) dhe farefisin. Me të vërtetë Allahu është Mbikëqyrës mbi ju!” (En Nisa, 1).
Duke treguar për cilësitë e robërve të Tij të bindur dhe të denjë, Allahu i Madhëruar i përshkruan ata se e nderojnë njeriun, kushdo qoftë ai, pa marrë parasysh se çfarë besimi ka, madje edhe nëse është armik dhe ka dalë për t’i vrarë. Myslimani është person, i cili e vlerëson jetën dhe beson se atë e ka dhënë Zoti, Krijuesi i botëve, dhe se vetëm Ai ka të drejtë ta marrë. Myslimani, në çfarëdo gjendje qoftë, i bindet Zotit dhe zbaton parimet islame me përpikëri dhe se asnjëherë nuk del jashtë këtyre parimeve, dhe se çdo gjë e bën për hir të Zotit dhe për të fituar kënaqësinë e Tij dhe jo për falënderim apo kënaqësi të dikujt tjetër. Në Kuranin famëlartë, Allahu i Madhëruar, duke treguar për humanizmin e besimtarit, thotë: “Ushqejnë me ushqim, nga dashuria e Tij, të varfrin, jetimin dhe robin e luftës. Me të vërtetë ne ju ushqejmë për hir të Allahut, nuk kërkojmë nga ju shpërblim e as falënderim!” (El Insan, 8-9).
Ndërsa, Pejgamberi a.s., në Haxhin e Lamtumirës, iu drejtua haxhilerëve të pranishëm dhe të gjithë myslimanëve e mbarë njerëzimit deri në Ditën e Kiametit, me një porosi të pavdekshme në fushën e humanizmit, e cila duhet të shkruhet me shkronja të arta dhe të promovohet te të gjithë brezat, duke u thënë: “O ju njerëz, Zoti juaj është Një; babai jua është një! Nuk ka dallim një arab nga një jo arab, dhe as një jo arab nga një arab; as një i kuq nga një i zi, dhe as një i zi nga një i kuq, vetëm në devotshmëri. Më i nderuari nga ju tek Allahu është më i devotshmi. A jua kumtova?” I thanë: “Po, o i Dërguar i Allahut”. Tha: “Le t’ia kumtojë i pranishmi atij, që nuk është i pranishëm!”(1)
Me këtë porosi të artë, Pejgamberi a.s. vendosi bazat e shoqërisë njerëzore mbi të cilat duhet të ndërtohet marrëdhënia ndërnjerëzore. Të gjithë jemi krijesat e Allahut dhe të tillë duhet të jetojmë dhe duhet të sillemi me njëri-tjetrin.
Toleranca
Sado që dikush mundohet ta mbulojë dhe ta deformojë këtë karakteristikë të myslimanëve përgjatë tërë historisë së tyre, që nga koha e Pejgamberit a.s. dhe deri më sot, është e pamundur. Është e pamundur, sepse myslimani ka për kushtetutë fjalën e Allahut, Kuranin famëlartë dhe traditën profetike dhe asnjëherë nuk ka dalë dhe as nuk do të dalë jashtë kësaj kushtetute hyjnore dhe parimeve qiellore. Nëse Allahu i Madhëruar, Krijuesi i gjithësisë ka toleruar në çështje besimi, që është edhe çështja më madhore e kësaj jete, atëherë për gjëra të tjera as nuk diskutohet dhe as që merren parasysh përpara besimit. Janë disa ajete, në sure të ndryshme, ku Allahu i Madhëruar e bën të qartë se njerëzit i ka lënë të lirë dhe nuk i ka detyruar të besojnë, pra i ka toleruar duke i lënë të lirë të zgjedhin. Ai thotë: “Nuk ka imponim në fe!” (El Bekare, 256); “Nëse ndonjë prej idhujtarëve të kërkon mbrojtje, atëherë mbroje derisa të dëgjojë fjalën e Allahut, pastaj dërgoje në vendin e sigurt të tij. Kjo, sepse ata janë njerëz, që nuk e dinë!” (Et Tevbe, 6); “Sikur të kishte dashur Zoti yt, patjetër që do të kishin besuar të gjithë mbarë sa janë në tokë. A ti, do t’i detyrosh njerëzit, që të jenë besimtarë?!” (Junus, 99).
Duke u nisur nga këto ajete, myslimanët që nga koha e Pejgamberi a.s. dhe përgjatë gjithë historisë së tyre, e deri më sot, dhe deri sa ta ketë shkruar Zoti, do të shpalosin virtytet e besimit të tyre të mishëruara në jetën e përditshme. Për të mos mbetur vetëm te teoria, le të paraqesim disa shembuj ilustrues, se si myslimanët arritën t’i praktikojnë parimet e tolerancës përgjatë rrjedhës së tyre në histori.
Fillimisht, kam dëshirë të filloj me parimin që njihet në shkencën e historisë, ku thotë se, dëshmitë e kundërshtarit (të armikut), që janë pozitive, pranohen dhe merren për bazë, sepse parimisht kundërshtari mohon të vërtetën dhe të drejtën e armikut. Kështu që nëse pala konfliktuese flet pozitivisht, atëherë dëshmia e tyre merret për bazë.
Çfarë kanë thënë jomyslimanët për tolerancën e myslimanëve?
Laura Vecci Vaglieri,(2) orientaliste italiane, duke folur për marrëveshjet që myslimanët kanë nënshkruar, ka thënë: “Këtyre popujve iu dha e drejta t’i ruajnë e t’i posedojnë fetë, traditat dhe zakonet e tyre të vjetra, me kusht që ata, të cilët nuk e përqafojnë Islamin, t’i paguajnë një taksë të drejtë shtetit islam, që quhet xhizje. Kjo taksë ishte shumë më e lehtë sesa taksa që myslimanët ishin të detyruar t’i paguanin vetë shtetit të tyre. Në shkëmbim të kësaj takse, jomyslimanëve u siguroheshin të drejta dhe mbrojtje, të cilat nuk ndryshonin aspak nga të drejtat dhe mbrojta që gëzonin vetë myslimanët. Kështu, vepra e Pejgamberit a.s. dhe e kalifëve rashidinë të drejtë, u bë ligj, që myslimanët ishin të detyruar ta ndiqnin. Nuk është aspak teprim të këmbëngulim duke thënë se, Islami nuk mjaftoi vetëm me thirrjen për tolerancë fetare, por e tejkaloi këtë duke e bërë tolerancën pjesë të ligjit të tij fetar.”(3) Gjithashtu, Laura Vecci Vaglieri ka thënë: “Paguani një xhizje fare të lehtë dhe gëzoni mbrojtje të plotë, ose përqafoni fenë islame, hyni në ymetin tonë dhe gëzoni të drejta të njëjta me të drejtat tona.”(4)
Gustav Le Bon(5) shprehet kështu rreth kësaj çështje: “Xhizje e papërfillshme, shumë më e paktë sesa taksa që paguhej ndaj padronëve të tyre të mëparshëm.”(6)
Lui Massignon(7) e ka quajtur Islamin në këndvështrimin shoqëror: “Qeveria e barazisë hyjnore, ose Teokratizmi që do barazinë”.
Orientalisti gjerman, Olrish Herman ka shkruar: “Ajo që më ka tërhequr vëmendjen gjatë studimeve të mia për periudhën e mesjetës, është shkalla e lartë e tolerancës që myslimanët gëzojnë, veçanërisht Salahudin Ejubi. Ai ishte shumë tolerant ndaj të krishterëve, madje ai ishte më shumë tolerant sesa vetë të krishterët me veten e tyre. Të krishterët nuk u sollën në të njëjtën mënyrë ndaj Islamit. Islami është fe tërheqëse, kjo ndoshta ka të bëjë me qartësinë e mesazhit islam dhe për shkaqe të tjera, të cilat nuk i di. Në qoftë se shikojmë Afrikën, aty ku grupet islame dhe të krishtera qëndrojnë përballë njëri-tjetrit, (natyrisht përpjekjet janë për pastrimin e popullsisë nga idhujtaria), do të gjejmë se fitorja i takon Islamit. Kjo, siç thashë më sipër, ndoshta vjen si rezultat i qartësisë së mesazhit islam dhe gjithashtu nga forca tërheqëse e mesazhit moral islam.”(8)
Robertson shkruan(9) “Pasuesit e Muhamedit a.s. janë populli i vetëm, që janë bashkuar mes përkushtimit fetar dhe tolerancës së tij. Pra, njerëzit së bashku me kapjen e tyre të fortë për fe, nuk kanë detyruar me forcë askënd të pranojë fenë e tyre.”(10)
Prej shembujve praktik të parimeve islame të tolerancës është edhe qëndrimi i shejhul islam, Ibën Tejmije, në kohën kur tartarët sulmuan Shamin. Shejh Ibën Tejmije shkoi te Katlushah për t’i kërkuar të lironte robërit. Komandanti i tartarëve e lejoi shejh Ibën Tejmijen të lironte robërit myslimanë dhe refuzoi t’i lironte njerëzit e ‘dhimmes’ (mbrojtjes). Ibën Tejmije i vendosur i tha: “Jo, nuk pranojmë ndryshe, veçse t’i lirosh të gjithë robërit, jahudi dhe të krishterë, sepse ata janë nën mbrojtjen tonë dhe nuk lëmë asnjë rob, as prej ‘dhimmes’ (mbrojtjes) e as prej fesë sonë.” Kur ai pa këmbënguljen e tij, ia liroi të gjithë robërit!”(11)
Porosia e Ebu Bekrit r.a. për ushtrinë e Usame ibën Zejdit: “O njerëz, qëndroni pak t’ju jap 10 këshilla, të cilat t’i mësoni përmendsh:
Mos tradhtoni dhe mos plaçkitni;
Mos u tregoni të pabesë dhe mos masakroni;
Mos vrisni fëmijë;
Mos vrisni gra dhe pleq;
Mos prisni dhe mos digjni pemë;
Mos shkatërroni të mbjellat;
Mos mbysni kafshë, përveç nëse detyroheni për të ngrënë;
Rrugës ngado të kaloni, do të gjeni njerëz, të cilët janë mbyllur dhe janë përkushtuar nëpër manastire dhe sinagoga. Lërini në punën e tyre dhe në atë që janë përkushtuar;
Gjatë rrugës, njerëzit mund t’ju ofrojnë ushqime dhe në qoftë se hani prej tyre përmendni emrin e Zotit, bëni Bismilah;
Ndërsa, kur të takoheni me armikun, me ushtarët që kanë dalë për t’ju luftuar, ata vritini.
Tani vazhdoni rrugën me emrin e Allahut, Bismilah.”(12)
“Marrëveshja Umerite”
Bismilahi Rrahmani Rrahim
Të drejtat që robi i Allahut, Umeri, prijësi i besimtarëve, ua dha banorëve të Iljes(13)
“U jep atyre siguri për veten, pasurinë, kishat dhe kryqet e tyre. Për njerëzit e sëmurë, të shëndoshë dhe kushdo qofshin ata. Kishat do të qëndrojnë ashtu siç janë, nuk do të shkatërrohen dhe as nuk do të ndryshohen. Nuk do të konfiskohet asgjë prej pasurisë së kishave dhe as prej pasurisë së tyre. Njerëzit do të jenë të lirë dhe nuk do të detyrohen dhe as nuk do të ushtrohet presion mbi ta për të ndryshuar fenë.”
Për çdo gjë që është shkruar në këtë marrëveshje, ka besën e Allahut, garancinë e të Dërguarit të tij, të kalifëve dhe të gjithë myslimanëve.
Dëshmitarë për këtë marrëveshje janë: Halid ibën Velid, Amër ibën Asi, Abdurrahman ibën Aufi dhe Muavije ibën Ebu Sufjani. Marrëveshja u nënshkrua në vitin 15 h-637.(14)
________________________
1. Hadith me zinxhir të saktë nga Xhabir ibën Abdilah r.a..
2. Laura Vecci Vaglieri, profesoreshë e gjuhës arabe në Universitetin e Napolit. Ka një libër të përkthyer arabisht që titullohet “Difaun anil Islam” (Në mbrojtje të Islamit).
3. Difaun anil Islam, Laura Vecci Vaglieri, fq. 34-35.
4. Po aty, fq. 32.
5. Gustave Le Bon (1842-1931), filozof dhe sociolog francez. Prej librave të tij të shtrenjtë është “Hadaretul arab” (Qytetërimi arab).
6. “Hadaretul arab” (Qytetërimi arab), Gustave Le Bon, fq. 134.
7. Lui Massignon (1883-1962), orientalist francez, i cili i ka kushtuar rëndësi përhapjes së botimeve Halaxh.
8. Alem, nr. 290, e shtunë, më 2 shtator 1989.
9. William Robertson Smith (1846-1894), orientalist skocez.
10. Hadir alemil islamij, 1/104.
11. Mexhmul-Fetava, Shejhul islam Ibën Tejmije; mblodhi dhe renditi, Abdurrahman ibën Muhamed ibën Kasim en Nexhdi dhe djali i tij, Muhamedi, v. 28, f. 617-618, me shkurtime, botim Darul Ihja el Kutub el Arabije.
12. El Kamil fit Tarih, 2/227, Tabariu, 3/226.
13. Ilja: emri i qytetit të shenjtë Bejtul Makdis, kuptimi i saj: Shtëpia e Allahut. Shih: Mu’xhemul Buldan, 1/293.
14. Tabariu, 3/609, Jakubij, 2/167.
Lavdrim Hamja
Dituria Islame 409