Personaliteti i të riut mysliman duhet të jetë simbol i sinqeritetit dhe besnikërisë, ndërsa tradhtia duhet të jetë fjalë e panjohur për fjalorin e tij. Tradhtia është tipar i shëmtuar për çdo person, në veçanti për të riun, dhe kjo në asnjë mënyrë nuk përputhet me besimin, që është themel i personalitetit të shëndoshë dhe karakterit të fortë të të riut mysliman.
Çfarë i nevojitet më së shumti një të riu në këtë moment? Një edukim i mirë? Një punë e mirë? Një karrierë? Paratë? Çdo individ përcakton qëllimet që janë të rëndësishme për të, disa prej të cilave janë afatshkurtra, kurse disa të tjera kanë karakter më afatgjatë. Megjithatë, asnjë nga këto nevoja nuk është aq e rëndësishme sa mirësia me të cilën jemi të bekuar në çdo moment, e ajo është frymëmarrja. Kanë kaluar afërsisht 40 sekonda që prej se ti lexues i dashur ke filluar të lexosh këtë artikull dhe, nëse ju nuk do të ishit në gjendje të merrnit frymë për këto 40 sekonda, me siguri do të kishit dhënë gjithçka që zotëroni nga pasuria juaj, që edhe një herë të ishit në gjendje për të marrë frymë, po të vazhdonte kjo gjendje dhe për 1 minutë të vetme do të humbnit vetëdijen, kurse vdekja e trurit tuaj do të pasonte në vetëm 2 ose 3 minutat e ardhshme. Deri tani keni marrë frymë afërsisht rreth 16 herë e derisa të përfundoni leximin tuaj, do të merrni frymë edhe 200 herë të tjera, e nga kjo pa dyshim që vërehet mrekullia e Allahut xh.sh. që të ka dhuruar ty, o i ri, një trup të shëndoshë me frymëmarrje të fortë. Prandaj shtrohet pyetja: A nuk meriton falënderim kjo dhuratë e çmueshme? Dhe, më trego, lexues i dashur, ku ka falënderim më të mirë se kryerja e obligimeve të tua fetare dhe ibadeteve ndaj dhuruesit të pakufishëm të të gjitha atyre që ti posedon. E një nga format me të cilat ne falënderojmë Krijuesin për të mirat që na ka dhuruar, pa dyshim është edhe agjërimi i muajit të Ramazanit, ku gërshetohet falënderimi me përfitimin që merr individi. Çdo sjellje tjetër, e kundërt me këtë, do të konsiderohej si tradhti ndaj atij që të pajisi me këto të mira.
Personaliteti i të riut mysliman duhet të jetë simbol i sinqeritetit dhe besnikërisë, ndërsa tradhtia duhet të jetë fjalë e panjohur për fjalorin e tij. Tradhtia është tipar i shëmtuar për çdo person, në veçanti për të riun, dhe kjo në asnjë mënyrë nuk përputhet me besimin, që është themel i personalitetit të shëndoshë dhe karakterit të fortë të të riut mysliman. Allahu xh.sh. në Kur‘anin famëlartë na rrëfen për shumë shembuj të të rinjve besnikë, të cilët nuk e kanë njollosur karakterin e vet me njollat e tradhtisë, e ne do ta veçonim rastin e Jusufit a.s., i cili i qëndroi besnik Zotit dhe fesë dhe nuk i tradhtoi idealet fetare duke iu dhënë amoralitetit.
Objektiva duhet të çojnë në ndryshime pozitive në jetën e myslimanit
Me fjalë të tjera, Kur’ani famëlartë rrëfen se Jusufi a.s. në moshën e rinisë u gjend para një sprove të madhe të moralit, gjegjësisht iu krijuan të gjitha kushtet materiale të bënte zina - prostitucion, bile femra që e thërriste për këtë vepër të shëmtuar, iu vërsul atij për ta detyruar të kryente këtë vepër të turpshme, por ai, nën mbrojtjen e Zotit, në asnjë mënyrë nuk pranoi të tradhtonte besimin dhe karakterin e pastër e të fortë që posedonte. Po ashtu, me këtë qëndrim ai dha shembull se si nuk duhet të tradhtohet as personi që të bën një të mirë, sepse gruaja që e thërriste për atë vepër, ishte gruaja e ministrit të atëhershëm egjiptas, i cili edhe e kishte nderuar Jusufin duke e marrë në shtëpi të vet, dhe kjo nuk i jepte atij të drejtë as në këtë aspekt që ta tradhtonte moralisht zotërinë që e kishte nderuar. Pa dyshim që agjërimi është forcim i moralit të të riut në këtë aspekt, si dhe është falënderim për të mirat që të ka dhuruar Allahu ty. Ramazani është muaji i ndryshimit, ngase me agjërim myslimani ndryshon rutinën e përditshme të ushqimit ditor. Njeriu ha dy a tri herë në ditë, kurse në muajin e Ramazanit agjëron, gjegjësisht këtë rutinë të ushqimit e ndryshon me syfyrin dhe iftarin. Ky ndryshim i rutinës ditore është prolog për gatishmërinë e ndryshimeve të mëdha që duhet t’i bëjë myslimani i ri në jetën e tij. Normalisht, ndryshimi duhet bërë në emër të Allahut, në përputhje me udhëzimet e Tij dhe duke synuar kënaqësinë e Tij. Kjo, sepse në hadith kudsij qëndron se Allahu i Madhërishëm, për agjëruesit e sinqertë, thotë: ”E lë hajen dhe pijen për hir Timin”. Kjo qasje ndaj agjërimit konsiston në faktin se myslimani duhet të ketë objektiva madhorë në jetën e tij, dhe këta objektiva duhet të çojnë në ndryshime pozitive në jetën e myslimanit, që të jetë një personalitet vërtet i respektuar dhe me peshë në shoqëri. Ndryshimi për të cilin bën thirrje muaji i Ramazanit, nuk ndalet vetëm në nivel individual, por shkon përtej tij dhe përfshin edhe shoqërinë dhe mbarë gjininë njerëzore. Kjo, sepse Ramazani e kthen njeriun të mendojë seriozisht rreth sjelljes së tij në këtë botë, siç e paraqet këtë vetë Kur’ani, kur Allahu i Madhërishëm ua shpalosi meleqëve këtë qenie të dalluar dhe rolin e tij, duke thënë:”Unë po krijoj (po përcaktoj) në Tokë një zëvendës”! Ata thanë: “A do të vësh në të atë që bën çrregullime dhe që derdh gjakrat, e ne Të adhurojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë”! Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini”! (El-Bekare,30). Të qenët zëvendës në tokë, nënkupton veprimin e përhershëm për ndryshime drejt së mirës në gjithë botën, e këtu demonstrohet karakteri universal i mesazhit islam dhe i mesazhit të Ramazanit - për ndryshime. Vëlla i dashur, nuk kam për qëllim që këshilla ime të jetë akuzë për ty, kur them se duhet ta fillosh këtë muaj të shenjtë nga pendimi, pasi pendimi është fillimi dhe mbarimi i rrugës. Pendimi është një gradë e lartë, për të cilën ka nevojë çdo njeri që është nisur në rrugën drejt Allahut. Pendimi, pra, nuk qenka vetëm për ata që bëjnë mëkate, siç mendojnë shumica e njerëzve. I Dërguari i Allahut, që është zotëria i adhuruesve, thotë: “O ju njerëz, pendohuni tek Allahu, sepse unë pendohem tek Allahu në ditë më shumë se 100 herë”. (Muslimi)
Pendimi është ndalesë, vendosmëri, pengim nga mëkatet dhe gabimet
Kur Allahu i thirri robërit e Tij që të pendoheshin, i thirri me emrin e imanit dhe tha: “Pendohuni të gjithë tek Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim”. (Nur, 31) Ne të gjithë jemi me mëkate dhe gabime; kush prej nesh nuk gabon, kush prej nesh nuk bën mëkat, kush prej nesh nuk bën gjynah ndaj Allahut?
Allahu është Ai Që i fal mëkatet, shtrin dorën e Tij natën - që t’ia pranojë pendimin mëkatarit ditën dhe shtrin dorën e Tij ditën - që t’ia pranojë pendimin mëkatarit natën, gëzohet për pendimin e tyre dhe gëzohet që njerëzit pendohen për veprat e tyre të këqija. Për këtë qëllim, Allahu ka hapur derën e pendimit për mëkatarët dhe nuk e mbyll, gjersa të lindë dielli nga perëndimi, siç thuhet në hadithet e të Dërguarit të Allahut. Vëlla i dashur! Pendimi është një çështje e lehtë, nuk është diçka e vështirë dhe nuk ka lodhje në të. Pendimi është ndalesë, vendosmëri, pengim nga mëkatet dhe gabimet, pendim për mëkatet që ke vepruar më herët, vendosmëri që të mos kthehesh në atë mëkat në të ardhmen. rëndësia e kohës dhe e shfrytëzimit të saj ka një domethënie të madhe gjatë këtij muaji. Nëse bëhesh pishman për atë që ka kaluar, i lë gabimet dhe mëkatet në të ardhmen, je i obliguar të kujdesesh për moshën tënde, që të rregullosh kohën që ke para vetes. Nëse ti e humb moshën tënde, ke humbur lumturinë tënde dhe shpëtimin tënd, mirëpo, nëse kujdesesh për të me ato që cekëm më herët, ke shpëtuar dhe ke fituar një kënaqësi dhe një begati. Imam Ibnu El-Xhevziu ka thënë: “Shumica e njerëzve, nëse nata është e gjatë, e kalojnë atë me biseda të padobishme, ose në leximin e librave që nuk sjellin dobi. Nëse dita është e gjatë, e kalojnë atë me gjumë, nëpër bregdete apo nëpër tregje. Të paktë janë ata që e kanë kuptuar ekzistimin e tyre. Ata që e kanë kuptuar këtë, janë në një përgatitje të madhe për udhëtim. Shpejtoni në sezonet e punës para se të kalojnë”!
Kështu, pra, edhe ne, në vend që ta presim syfyrin duke luajtur lojëra të ndryshme apo në gjumë, ta shfrytëzojmë këtë kohë maksimalisht në adhurimin e Allahut dhe meditim për të ardhmen tonë. Gjithashtu ai ka thënë: “Duhet që njeriu ta dijë vlerën e kohës së tij, që të mos humbë asnjë moment në diçka që nuk të afron tek Allahu, t’i japë përparësi asaj që është më e vlefshme dhe fjalëve e veprave të mira. Nijeti i tij le të jetë gjithmonë i pranishëm në ato vepra të cilat ka mundësi t’i kryejë trupi. Shumë prej myslimanëve shfrytëzonin edhe momentet më të vogla. Është transmetuar nga Amir b. Abdu Kajsi, se një njeri i kishte thënë atij: “Ndalu pak të bisedojmë diçka”. Ai i tha: “Ndale diellin, ndalem edhe unë”. Kishin shkuar tek njëri prej të parëve tanë të mirë në momentet e vdekjes, ndërsa ai falej. E qortuan për këtë. Atëherë u tha: “Tani do të mbyllet faqja ime”. Nëse njeriu e kupton seriozisht se me të vërtetë vdekja e ndërpret nga puna, punon aso veprash nga të cilat pason shpërblimi pas vdekjes së tij”.
Vëlla i nderuar, këta janë disa shembuj të ndritshëm, të cilët na tregojnë për përpjekjet në adhurimin e Allahut, Këto mund t’i marrim si shembuj gjatë këtij muaji të bekuar dhe t’i praktikojmë në jetën tonë të përditshme. Nëse i shikon, ndoshta do të shtohet ambicia jote për adhurimin e Allahut. I Dërguari i Allahut falej, derisa i ënjteshin këmbët. E pyetën për këtë dhe ai tha: “A të mos jem rob falënderues”? (Muttefekun alejhi)
Ebu Bekri ishte prej atyre që qanin shumë, e në veçanti gjatë namazit dhe leximit të Kuranit.Në fytyrën e Omerit gjendeshin dy vija të zeza nga të qarët e shumtë. Aliu qante në mihrabin e tij, gjersa i lagej mjekra nga lotët, dhe thoshte: “Ti, oj dynja, mashtro dikë tjetër, sepse unë të kam shkurorëzuar tri herë”. Katadeja e përfundonte Kur’anin çdo javë, ndërsa në Ramazan e përfundonte çdo tri ditë, ndërsa në dhjetë netët e fundit e përfundonte së lexuari Kur’anin çdo natë.Tregtarët e kësaj bote nuk lënë pa bërë asnjë përpjekje dhe nuk lënë pa ndjekur asnjë rrugë e formë që i çon në fitim dhe, gjithashtu, nuk lënë t’u ikë asnjë shans për të f ituar. Ti, vëlla i dashur, përse nuk bën tregti me Allahun, përse nuk garon me vepra të mira, që të fitosh një shpërblim të madh prej Allahut, të fitosh një çmim të lartë nga ana e Allahut? Vëlla i nderuar, Ramazani është një prej shanseve më të mëdha, në të cilin të devotshmit duhet të përgatiten dhe nuk duhet të jenë të pakujdesshëm në gjuetinë e këtij shansi. Ky është muaj i faljes, muaji i fitimit të Xhenetit, muaji i lirimit nga zjarri për atë që ka zemër të shëndosh dhe i drejton gjymtyrët e tij, për atë që nuk e humb kohën e tij me atë që i bën dëm apo me atë që nuk i sjell dobi.
Fejsal Spahiu
Dituria Islame 276