Nevoja për ndihmë financiare lindi për shkak të dallimeve në pasuri dhe aftësi udhëheqjeje të ndonjë investimi.
Për shembull, skema e investimit në mudarabah dhe musharakah (partneritet në investim, partneritet pasiv apo aktiv) është e nevojshme për shkak se jo çdokush që ka pasuri, ka edhe aftësi tregtie, dhe jo secili që ka aftësi tregtie, posedon para të mjaftueshme dhe ka mundësi financimi. Prandaj, dallimet në resurse ekonomike, së bashku me nevojën e bashkimit të pasurive financiare me ekspertizë apo aftësi menaxhimi dhe investime, mund të jetë arsyeja kryesore për të zhvilluar skemat apo produktet financiare. Shekuj me radhë, myslimanët ishin në gjendje të udhëhiqnin aktivitete ekonomike ndërkombëtare dhe rajonale, në agrikulturë, industri dhe tregti, pa përdorur kontrata të bazuara në kamatë, pa marrë parasysh se sa i madh ishte investimi. Në atë kohë, tregtia pati arritur edhe në vendet skandinave dhe Rusinë, ku janë gjetur dinarë ari në Finlandë, Suedi, Norvegji dhe Britani, që datojnë që nga koha e Abdul Melik Ibn Mervan-it, kur ishin shtypur për herë të parë.(1)
Ndalimi i kamatës nuk e kishte privuar shoqërinë myslimane nga tregtia dhe investimet, gjithnjë duke gjetur mënyra të lejuara dhe profitabile. Pasi tregtia ishte i vetmi aktivitet ekonomik i arabëve, dhe sidomos i kurejshitëve, një numër i madh i karvanëve tregtarë financoheshin nga persona që kishin arritur të bënin pasuri duke dhënë para hua me kamatë dhe në të njëjtën mënyrë i financonin edhe karvanët që udhëtonin për çështje tregtie. Kurejshitët financonin edhe aktivitete të tjera në të njëjtën mënyrë, për t’u përgatitur për betejën e Uhudit. Për t’i luftuar myslimanët, ata i përdorën fondet që kishin akumuluar nga kamata.(2)
Ky është vetëm një shembull për të treguar se sa shumë përdorej kamata në Arabinë para Islamit. Mirëpo, pas ardhjes së Islamit, këto aktivitete u anuluan dhe kamata u zëvendësua me tregti dhe me bashkinvestime, dhe kështu në vend filloi të aplikohej një formë e re kreditimi dhe financimi.
Kreditimet (huadhëniet) për çështje komerciale
Shteti Islam vazhdoi të zgjerohej me një shpejtësi të madhe, dhe brenda kufijve të shtetit jetonin edhe të krishterët dhe çifutë, në mënyrë paqësore me mundësinë që secili të jetonte me normat dhe vlerat e veta duke iu mundësuar secilit të bëjë punën e vet në përputhshmëri me vlerat e veta. Aty kishte grupe të njerëzve që punë të vetme kishin t’u jepnin hua tregtarëve më të varfër me një përqindje të caktuar interesi. Huadhënësi nuk bartte përgjegjësi për mënyrën e përfundimit të investimit nga ana e tregtarit; ai merrte përqindjen e vet sipas kohës, pa marrë parasysh se si përfundonte projekti. Ky lloj biznesi zbatohej shumë
dhe ishte i popullarizuar para ardhjes së Muhamedit a.s., sikurse e përmend Kurani:“O ju që keni besuar, mos e hani kamatën të dyfishuar dhe të ridyfishuar”.
Kamata në ditët para-islame ishte një biznes shumë shtypës nga ana e kredidhënësve. Njerëzit jepnin kredi, të cilën mund ta dyfishonin dhe ridyfishonin, nëse kredimarrësit nuk ishin në gjendje ta paguanin në kohë. Për shembull, nëse dikush kishte huazuar një shumë prej 1000 eurosh që duhej ta paguante pas një muaji, ai do ta paguante vetëm shumën që kishte marrë, pa paguar ndonjë kamatë. Por, nëse ai nuk kishte arritur ta paguante në kohë dhe kërkonte ta zgjaste kohën e pagesës edhe për një muaj tjetër, borxhi i ri për atë person ishte 2000 euro. Nëse ai kërkonte ta zgjaste sërish kohën e pagesës, sepse nuk ishte në gjendje ta paguante, borxhi i tij do të rritej në 4000, dhe kështu do të dyfishohej sa herë që kërkonte zgjatje të kohës.(3)
Praktika e huadhënies së bazuar në kamatë, u ndalua për myslimanët dhe filluan të zhvilloheshin metoda e investimeve dhe bashkinvestimeve për të bashkuar paranë me ekspertizën. Pas një kohe shumë të shkurtër, për shkak të kërkesës, u paraqitën grupe të specializuara për huadhënie, që u jepnin hua kryesisht tregtarëve, por edhe qeverisë. Ata gjithashtu mbanin depozita dhe jepnin shuma të mëdha për projekte industriale e komerciale, ata në realitet ishin si institucione bankare të një karakteri primitiv, që i shërbente shumë mirë kohës kur funksiononin. Ato grupe të huadhënies bënin të gjitha llojet e biznesit monetar të asaj kohe, ishin në gjendje të jepnin dhe të merrnin letra me vlerë, garanci për shuma të mëdha, shërbimin e hapjes së llogarive, dhe filluan të jepnin edhe çeqe për të zëvendësuar përdorimin e parave të gatshme. Filloi të praktikohej edhe transferimi i parave prej një province në tjetrën, pa lëvizur fizikisht paranë e gatshme. Kjo praktikë u zhvillua shumë shpejt, dhe gati në të gjitha qendrat e vendit u hapën degë të këtyre grupeve të huadhënies, për të lehtësuar transferimin e parave dhe konvertimin e çeqeve në para.
Huazimet private dhe publike
Financimi është shumë i rëndësishëm për gjendjen ekonomike të njerëzve, financimi është që i mundëson dikujt të prodhojë atë për se parashikon se tjerët do të kenë nevojë dhe do ta blejnë, që domethënë se u mundëson njerëzve të fitojnë për të jetuar.
Me një specializim më të madh, për periudha më të gjata të prodhimit dhe për tregje më të mëdha, rëndësia e financave gjithmonë është në rritje. Financat mundësojnë që paratë e një pronari të jenë në dispozicion për një person tjetër, për t’i kërkuar produktet dhe shërbimet e nevojshme për konsumim apo prodhim. Financimi inkorporon gjithmonë dy gjëra: ripagimin dhe kthimin e parave të dhëna a të investuara në kohën e paraparë.(4)
Financat kanë qenë shumë të ndërlidhura me tregtinë, ato në të vërtetë kanë lindur nga tregtia, ashtu siç janë evidencuar fakte më herët se furnizimi i produkteve në kredi duke premtuar se do të paguheshin më vonë në një kohë të caktuar. Për shkak të kërkesave të këtij lloji, u themeluan institucione financiare dhe u krijuan produkte investuese e ndërmjetësuese.(5)
Huazimet apo borxhet publike, si një pjesë për të krijuar mundësi për financim, është treguar se është shumë i rëndësishëm dhe luan një rol të madh, në vitet e fundit me fenomenin e rritjes së borxheve të brendshme dhe të jashtme të vendeve të ndryshme (të zhvilluara dhe në zhvillim) përfshirë edhe vendin tonë. Është shumë e qartë se borxhet apo huat me kamatë, nuk kanë vend në aktivitetet ekonomike të myslimanëve; vëmendje këtu i jepet faktit se ky fenomen ka ekzistuar edhe në ditët e hershme të Islamit, sidomos në kohën e Muhamedit a.s. dhe të Katër halifëve të drejtë dhe kishte kushte të caktuara të huadhënies. Në këtë kontekst, kriteri më i rëndësishëm që jep legjitimitet për huazime a borxhe publike, si një akt që nuk vjen në kundërshtim me rregullat e Sheriatit, sepse ka evidencë të drejtpërdrejtë se kjo ishte përdorur edhe nga vetë Pejgamberi a.s., për punë private apo edhe si udhëheqës shteti. Ekzistojnë shënime autentike se vetë Pejgamberi a.s. merrte shpesh para hua sidomos në ditët e para pas hixhretit. Huazimet ishin për arsye private, po edhe për gjëra shtetërore, si një udhëheqës shteti dhe udhëheqës i të gjithë myslimanëve.(6)
Sipas shënimeve, Pejgamberi a.s. merrte hua para të gatshme, po edhe në mallra, në shuma të vogla po edhe të mëdha, nga myslimanët, por edhe nga jomyslimanët. Qëllimi i huazimit ishte për të mbuluar nevojat e përditshme ose për mbrojtje, sikur kishte ndodhur për t’u përgatitur për luftën e Hunajnit në vitin 8 hixhri, kur Pejgamberit a.s. i ishte dashtë të merrte hua 40,000 dinarë. Ai kishte huazuar paratë pa pasur alternativë tjetër për të arritur qëllimin e caktuar. Ai zakonisht huazonte duke llogaritur dhe duke parashikuar edhe prej nga do të bëhej pagesa e borxhit, por nganjëherë edhe pa e ditur me siguri prej çfarë burimi do të bëhej pagesa.
Në fillimet e Shtetit Islam, në Medinë kishte shumë nevojë për të huazuar nga njëri-tjetri, por edhe për shtetin, sepse shteti i porsaformuar nuk kishte burime të mjaftueshme, sikur u krijuan më vonë, me formimin dhe zhvillimin e politikës fiskale.
_________________________
1. M. Atiqul Hoque, “Interest Free Islamic Banking” ne, Readings In Islamic Banking (edituar nga) Ataul Hoque, (Dhaka: Islamic Foundation Bangladesh, 1987), f. 66.
2. Monzer Kahf & Tariqullah Khan, Principles of Islamic Finance, (Jeddah: Islamic Research and Training Institute, 1992), f.11.
3. Saiful Azhar Rosly, Critical Issues on Islamic Banking and Financial Markets: Islamic Economics, Banking and Finance, Investments, Takaful and Financial Planning, (Kuala Lumpur: Dinamas, 2005), f.34.
4. Nayla Comair-Obeid, The Law of Business Contracts in the Arab Middle East: A Theoretical and Practical Comparative Analyses with Particular Reference to Modern Legislation, (London: Kluwer Law International, 1996) f. 171-173.
5. Abdulkader Thomas, Stella Cox and Bryan Kraty (editor), Structuring Islamic Finance Transactions, (London: Euromoney Books, 2005), f. 1-3.
6. Muhammad Nejatullah Siddiqi, “Public Borrowings in Early Islamic History: A Review of Some Records”, Financing Development in Islam, edituar nga M.A. Mannan, (Jeddah: IDB & IRTI, 1996) f. 346-347.
DituriaIslame 243