Ta ruajmë martesën – jetesën bashkëshortore

Falënderimet, madhërimet dhe adhurimet i takojnë Allahut të Plotfuqishëm - Atij që bashkon zemrat e besimtarëve, Burimi i dashurisë, mëshirës dhe faljes.
Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë më të zgjedhurit të njerëzimit, të dashurit të Allahut dhe vulës së të gjithë pejgamberëve, Muhamedit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), familjes së tij të ndershme, shokëve besnikë dhe të gjithë atyre që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.


Të nderuar vëllezër xhematlinj, hytbeja e sotme titullohet: "Ta ruajmë martesën - jetesën bashkëshortore."
Njeriu, martohet për të pasur në jetën e tij një shok besnik, me të cilin do ta ndajë të mirën dhe të keqen. Gruaja, e cila martohet, duhet të jetë e vetëdijshme dhe njëkohësisht duhet ta dijë se burri është i zoti shtëpisë, pa dijen dhe pëlqimin e të cilit nuk duhet të bëjë asgjë që mund të shkaktojë pakënaqësinë e tij. Para së gjithash, nuk duhet, pa arsye, të japë shkas që burri i saj të hidhërohet në të. Ç'është e vërteta, as burri nuk duhet të kërkojë nga gruaja e tij, ta bëjë atë, që ajo nuk është e obliguar ose që nuk është në gjendje ta zbatojë. Vetëm në atë martesë, ku mbretëron mirëkuptimi dhe harmonia mund të ketë lumturi. Frytet e një jete të tillë bashkëshortore janë: dashuria, mëshira, njerëzshmëria dhe të gjitha virtytet tjera njerëzore.
Martesa është një lidhje e fortë me të cilën Allahu, i bashkoi një burrë dhe një grua. Duke u martuar, një burrë dhe një grua bëhen çift, një çift që e kupton se hidhërimi dhe gëzimi i njërit bëhet hidhërim dhe gëzim i tjetrit. Kur'ani e përshkruan forcën e lidhjes martesore me një gjuhë shumë të bukur dhe të gjallë: "Dhe martoni të pamartuarat (të pamartuarit). Nëse jeni të varfër, Allahu ju begaton nga mirësia e Tij, Allahu është bujar i madh, i gjithëdijshëm". (Nur:32)
Pejgamberi a.s. thotë: "Zoti e ka e marr përsipër, se do t'ju ndihmojë tre personave: "të martuarin që dëshiron ta mbroj - ta ruaj martesën, robin që ia mundëson zotëria i vet të paguajë e të fitojë lirinë dhe muxhahidin - luftëtarin që lufton në rrugën e Zotit ". Allahu xh.sh. thotë: "... ato janë veshja juaj, dhe ju jeni veshja e tyre..." (El-Bekare, 187.)
Kjo është një deklaratë frymëzuese që do të thotë se bashkëshortët janë mbrojtja, mbulesa, ndihma, mbështetja dhe zbukurimi i njëri-tjetrit.
Që kjo lidhje e fortë të mbijetojë dhe që një shoqëri e shëndetshme të zhvillohet prej saj, si qelizat bazë të çdo shoqërie, është e nevojshme që bashkëshortët të respektojnë, të mbrojnë dhe të mbështesin njëri-tjetrin. Gjithashtu, një nga cilësitë, mbi të cilat bashkëshortët duhet të punojnë është sabri - durimi. Një besimtar, si çdo qenie njerëzore, është një person që ka anët pozitive dhe negative. Askush prej nesh nuk është perfekt - nuk është i përsosur. Kjo është mirë të mbahet mend, veçanërisht kur njerëzit zhvillojnë një alergji - neveri ndaj disa gjërave të caktuara tek bashkëshorti apo bashkëshortja e tyre.
Pejgamberi, (a.s.), ka thene: "Besimtari nuk lejohet të ndahet - nuk lejohet te shmanget nga gruaja besimtare. E Nëse nuk i pëlqen diçka tek ajo, ka diçka tjetër që do t'i pëlqejë."
E Allahu i Lartësuari thotë: "Çoni jetë të mirë me to. Nëse i urreni ato, bëni durim pse ndodh që Allahu të japë shumë të mira në një send që ju e urreni". (En-Nisa; 19.)
Mendimet e ndryshme, mosmarrëveshjet e madje edhe debatet janë pjesë e jetës së kësaj bote. Ato janë një sprovë që i nënshtrohet çdo çifti të martuar. Besimtarët duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë dhe të përpiqen t'i zgjidhin ato me marrëveshje dhe vepra të mira. Në këto situata, kokëfortësia, mendjemadhësia - krenaria janë dy armiqtë më të mëdhenj. Nëse atyre u shtohet edhe padurimi, atëherë problemet janë të pashmangshme.
Megjithatë, duhet ta dimë se si besimtarë nuk kemi të drejtë të marrim vendime të ngutshme - te nxituara duke u dorëzuar para këtyre gjërave. Nëse ka ndonjë problem në martesë, besimtarët meshkuj dhe besimtaret femra e dinë se nuk mund ta lënë thjesht folenë e tyre, sikur po ndodhë sot te gjeneratat e reja: "nuk të dua më, po ndahemi…." Një fjale e urtë thotë: "Një burrë që nuk e mban një grua të keqe nuk është burrë dhe anasjelltas, një grua që nuk e mban një burrë të keq, nuk është grua" ( kjo i bie: "jo i keq ose e keqe me u pa, por … ) nuk bën t'i humbim 100 të mira për një të keqe - ose për një gabim.
Mendoj, rasti i Omeri r.a., i cili ishte i ashpër, por i njohur për drejtësi, mund t'i shërbejë si shembull çdo burri, se si duhet çmuar në kuptimin e vërtetë, mundin e bashkëshortes, duke ia falur për këtë shkak shumë gabime. Përkatësisht, tregohet se një njeri ishte nisur për të shkuar të Omeri r.a., me qëllim që të ankohet në gruan e vet, e cila ishte për nga natyra e vështirë (nervozë) dhe si të tillë mezi e duronte. Kur arriti te shtëpia e Omeri r.a., e dëgjoji gruan e tij duke bërë zhurmë dhe britmë ndërsa, Omeri r.a., vetëm heshtte. Me këtë rast ai mendoi në veti: unë erdha për t'u ankuar në gruan time te Omeri r.a., por ky koka më në zor se unë me gruan e vet, andaj u kthye mbrapa. Kur e pa Omeri r.a., duke u kthyer, e thirri dhe e pyeti pse kishte ardhur. Me këtë rast ai i tregoi rastin e vet dhe njëkohësisht i shprehu çudinë e tij, qysh ai si halife, lejon që gruaja t'i bërtas aq shumë, e ai heshtë. Në këtë Omeri r.a., i tha: "Po, e vërtetë është se edhe gruaja e ime është e ashpër, por unë atë e kaloj në heshtje, ngase i kam parasysh borxhet e mia ndaj saj për shërbimet e saj si bashkëshorte:
- Ajo më shoqëron, andaj nuk jam i vetmuar,
- Ajo më mbron nga zjarri (xhehnemit), sepse zemra gjen qetësi me të, dhe nuk anon në haram (prostitucion),
- Kur shkoj diku ma ruan pasurinë, ma përgatit ushqimin, më lanë e më pastron, kujdeset për fëmijët i edukon etj. dhe këto të gjitha pa pagesë.
- Andaj, kur të gjitha këto i kam parasysh, tha Omeri r.a., e përveç kësaj edhe atë se gratë më shpejt nervozohen dhe atë shpeshherë pikërisht për shkak të punëve shtëpiake dhe edukimit të fëmijëve, atëherë duhet ta kursej që të mos zemërohet edhe më tepër, nëse i kundërvihem.
Në realitet, edhe gruaja duhet të jetë e kuptueshme, kështu që kur ndonjëherë burri "nxehet" nga hidhërimi dhe fillon të bërtas - pat të drejtë ose nuk pat - ajo duhet të heshtë, ngase nuk guxon të lejojë që vërejtja e thjeshtë të shkaktojë grindje, e cila mund të ketë pasoja të papritura. Prandaj edhe burri, edhe gruaja duhet ta dinë se prej vetë atyre varet, a do të jetë bashkësia e tyre martesore "xhennet" apo ''xhehennem".
Pasi marrëdhëniet bashkëshortore të acaruara, nuk mund te riparohen-përmirësohen me një fjalë të bukur, atëherë siç thotë Allahu i Plotfuqishëm, "...ndajeni shtratin me to..." Ndarja e shtratit nuk do të thotë largim, ikje nga shtëpia. Kjo tashmë do të thotë një jetë së bashku, d.m.th nën një kulm, por veç e veç, në të cilën do të bëhet një përpjekje, duke mohuar marrëdhëniet intime, për t'i bërë të ditur si burrit ashtu edhe gruas se sa shumë domethënës janë për njëri-tjetrin. Nëse as kjo nuk funksionon, atëherë do të merret një anëtar nga secila familje e tij dhe e saj. Allahu i Plotfuqishëm i quan këta anëtarë-këshilli i pajtimit. Prandaj, duhen emëruar dy persona që do të përpiqen të rregullojnë marrëdhëniet e trazuara martesore me mençurinë, njohuritë dhe aftësitë e tyre. Familjet, si meshkujt ashtu edhe femrat, të afërmit dhe miqtë duhet të punojnë për të parandaluar divorcin.
Fatkeqësisht, në vendin tonë, janë pikërisht ata ("këshilli pajtimit") që shumë shpesh kontribuojnë në prishjen e një martese. Shumë shpesh, familjet mbajnë anën e të afërmve të tyre me çdo kusht.
Marrëdhëniet e trazuara në një martesë, më shpesh, nuk ndodhën brenda natës. Shpesh është një periudhë e gjatë kohore me "probleme të vogla" që u mbuluan, u gëlltitën, nuk u diskutuan dhe nuk u zgjidhën me kohë. Pastaj, në një moment, erdhi pika e fundit-prishja.
Ajo gotë problemesh nuk u mbush vetëm nga njëra anë dhe nga një person. Shumë shpesh, nuk merrnin pjesë vetëm çifti i martuar, por edhe të afërmit dhe miqtë e tyre... Kjo është arsyeja pse, kur dikush merr pjesë ne pajtimin e bashkëshortëve, është e rëndësishme të mos ia mbaje anën asnjërës palë, por të jetë në anën e ruajtjes se martesës së tyre. Madje, për ruajtjen e martesës, Pejgamberi, a.s., ka lejuar përdorimin e ndonjë mashtrimi.
Nëse asnjë nga këto nuk funksionon, vetëm atëherë lejohet divorci. Divorci pa një domosdoshmëri bindëse dhe pa një përpjekje për të përmirësuar situatën është i ndaluar dhe i palejueshëm në Islam. Myslimanit nuk lejohet të divorcohet kështu, thjeshte për qejf. Pejgamneri s.a.v.s.,thotë: "Shkurorëzimi është hallalli më i urrejtur tek Allahu i Madhëruar".
Aliu r.a. tregon se Muhammedi a.s. me një rast ka thënë:
"Martohuni, e mos u shkurorëzoni, se vërtet nga shkurorëzimi tronditet Arshi - Froni (i Zotit)".
Muhammedi a.s., me një rast ka thënë: "Çdo grua që kërkon shkurorëzim prej burrit të saj pa arsye, për të është e ndaluar era e xhennetit".
Abdullah ibn Abbasi tha: "Divorci është i mundur vetëm nëse ka qëllimin e vet. Nëse, pavarësisht të gjitha përpjekjeve, martesa dështon të shpëtohet, atëherë besimtari dhe besimtarja duhet ta dinë se, pavarësisht të gjitha problemeve dhe mosmarrëveshjeve që ndodhën midis tyre në martesë, ata janë vëlla e motër në besim.
Pejgamberi a.s., thotë: "Mos i bëj dëm vetes ose të tjerëve" (Ibn Maxhe)
Prandaj, një besimtar dhe një besimtare nuk do të bëhen armiq të njëri-tjetrit për shkak të divorcit, as nuk do t'ia bëjnë jetën njëri-tjetrit të mjerueshme. Nëse munden, do të ishte mirë nëse do të komplimentonin - të flasin mirë për njëri-tjetrin.
Pejgamberi a.s., tha: "Allahu vetëm sa ia rrit reputacionin atij që i fal të tjerët." (Musliman)
E lusim Allahun e Plotfuqishëm të na ndihmojë të ruajmë martesat tona, të forcojmë durimin dhe mirëkuptimin mes bashkëshortëve, të shmangim ndarjet, dhunën, fjalët e pamenduara dhe veprat e pakujdeshme që çojnë në shkatërrim të familjes. Allahu na dhëntë familje të qëndrueshme, me iman të fortë dhe dashuri të sinqertë! Amin!



Amel ef. Muminoviç
Përshtati: Esat ef. Rexha


Nuk ka artikull pas ketij.