Lutje për lumturinë – Prindër, mësoni këto lutje për mbrojtjen dhe suksesin e fëmijëve tuaj

 


Një nga përgjegjësitë e mëdha të prindërve është edukimi i fëmijëve dhe udhëzimi i tyre në vazhdimësi drejt së mirës, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër.


Në Kur'an, fëmijët përshkruhen si stoli e kësaj bote.


Allahu i Madhëruar thotë: "Pasuria dhe fëmijët janë zbukurim i jetës së kësaj bote." (Sure El-Kehf, ajeti 46)


Më poshtë do të sjellim disa lutje në gjuhën shqipe që çdo prind mund t'i mësojë për fëmijët e tij. Këto lutje bazohen në Kur'an dhe në mësimet e Pejgamberit Muhammed (paqja qoftë mbi të).


Në këto lutje i kërkohet Allahut që t'i ndihmojë prindërit në edukim, t'i furnizojë me urtësi, forcë dhe durim, ndërsa fëmijëve t'u japë jetë të mirë, udhëzim, lumturi dhe sukses në të dyja botët.




Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.
Falënderimi dhe lavdia i takojnë vetëm Allahut. Paqja dhe bekimi qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhammedin a.s., mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij fisnikë.


O Allah, na fal mëkatet dhe gabimet tona.
E dimë se edukimi i fëmijëve është një detyrë e vështirë, prandaj me përulësi kthehemi tek Ti dhe kërkojmë ndihmën Tënde. Na pajis me urtësi dhe durim.


O Allah, fëmijët janë amanet prej Teje, për t'i ruajtur dhe për t'i edukuar ashtu siç je i kënaqur Ti.
Të lutemi, na ndihmo ta përmbushim këtë detyrë në mënyrën më të mirë.


Na ndihmo atje ku kemi nevojë për ndihmë, përmirëso gjendjen tonë, na furnizo me mençuri dhe qëndrueshmëri, dhe pastro nijetin ton që çdo vepër jona të jetë vetëm për Ty.


O Allah, na ndihmo të jemi shembull i mirë për fëmijët tanë, shembull në fe dhe në jetën e përditshme.
Bëj që ne dhe pasardhësit tanë të jemi besimtarë të devotshëm, të falim namazin, të lexojmë Kur'anin, të agjërojmë, të japim zekatin dhe të ndihmojmë të varfrit e të sëmurët.


O Allah, Ti e di se çfarë kanë nevojë fëmijët tanë.
Na ndihmo të bëjmë lutje për ta dhe mbroji nga çdo e keqe.
Ruaji trupat, zemrat, mendjet dhe ndjenjat e tyre nga çdo dëm dhe rrezik.


O Allah, të lutemi që t'i mbrosh fëmijët tanë nga fatkeqësitë, lëndimet, sëmundjet e rënda dhe çdo dëm tjetër.


O Allah, të lutemi që fëmijëve tanë t'u japësh shoqëri të mirë - shokë që do t'i ndihmojnë të duan Ty, të adhurojnë Ty dhe të binden Ty.


O Allah, udhëzoji fëmijët tanë dhe u jep zemra që të përmendin me dashuri.
Largo prej tyre krenarinë, mendjemadhësinë, hipokrizinë, lakminë, koprracinë dhe mëkatet.


O Allah, jepju fëmijëve tanë aftësinë për të marrë vendime të mira dhe bëj që zemrat e tyre të priren gjithmonë drejt të mirës dhe dobisë.


O Allah, të lutem, mos lejo që fëmijët tanë të shmangen nga Rruga e Drejtë dhe dhuroju një të ardhme të ndritur.


O Allah, mbroji fëmijët tanë nga gjuhët dhe sytë e këqij, nga e keqja e shejtanit dhe e xhindeve.


O Allah, udhëzoji fëmijët tanë që të falin namazin dhe të jenë të përulur para Teje, të ndjekin shembullin e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të) dhe të na respektojnë ne si prindër.


O Allah, të lutemi që fëmijët tanë të duan, të respektojnë, të vlerësojnë dhe të sillen mirë me njerëzit dhe me njëri-tjetrin.


O Allah, të lutemi që të jetojmë së bashku momente të bukura sa të jemi në këtë botë, dhe na bashko sërish në kopshte të Xhenetit.
Amin!


 


Nuk ka artikull pas ketij.