Jetimi që e priste Allahun

 


Në një ditë të zakonshme, teksa po kalonte pranë një rruge të shkretë dhe të heshtur, një burrë ndaloi i habitur nga një pamje që nuk mund ta shpërfillte. Aty, në hijen e një ndërtese të vjetër, qëndronte një djalosh i vogël - i dobët në trup, por me sy të ndritshëm, në dukje inteligjent dhe mendjemprehtë.
Burri iu afrua, nxori disa para dhe me dhembshuri e pyeti:
- Përse je këtu i vetëm, bir?
Djaloshi ngriti kokën, buzëqeshi lehtë dhe u përgjigj:
- Jam duke pritur Allahun, zotëri, të vijë dhe të kujdeset për mua.
Burri u shtang. Pyeti me habi:
- Po prit, ti po thua se po e pret Allahun?
Djaloshi tund kokën dhe tha me bindje të thellë:
- Po, zotëri. Allahu më dërgoi nënën që të kujdesej për mua, por pastaj e mori. Para saj, më kishte marrë edhe babanë dhe vëllezërit e mi. Nëna më kishte thënë: "Bir, kur unë të mos jem më, do të vijë Allahu të përkujdeset për ty." Që atëherë, unë e pres Atë, çdo ditë, këtu...
Pastaj, djaloshi e shikoi drejt e në sy burrin dhe e pyeti me ëmbëlsi fëmijërore:
- A nuk beson ti se Allahu do të vijë? Nëna ime asnjëherë nuk ka gënjyer. Nëse më tha se Allahu do të vijë, unë e di se Ai do të vijë.
Sytë e burrit u mbushën me lot. Zemra iu drodh nga dhembshuria. Iu afrua djaloshit, i preku supin dhe tha me zë të dridhur:
- Nëna jote nuk ka gënjyer, bir. Allahu më ka dërguar mua, për ty.
Në atë moment, fytyra e djaloshit u ndriçua, sytë i shkëlqyen nga gëzimi. Me një buzëqeshje të ëmbël shtoi:
- Por, zotëri… ke ardhur pak me vonesë në këtë rrugë drejt meje… kam pritur gjatë, por gjithsesi, e dija se Allahu nuk harron asnjë."


 


Ka thënë i Dërguari i Allahut, Muhammedi ﷺ:
"A dëshiron që të zbutet zemra jote dhe të arrish atë që dëshiron? Bëhu i mëshirshëm ndaj jetimit, lëmoje në kokë dhe ushqeje me atë që ushqehesh vetë. Zemra jote do të zbutet dhe dëshirat do të përmbushen.(Bejhekiu)
"Për Allahun, më e dashur është ajo familje që kujdeset për jetimin." (Ebu Umame, r.a.)


O Allah! Të lutemi për falje, përkujdesje dhe mëshirë për jetimët anembanë botës!


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Rikthimi te rrënjët, vakëfi dhe historia që u ringjall në konferencë