Pasi Allahu dalloi mëkatet e mëdha, prej të cilave janë të pastër robërit e Tij të sinqertë, sqaroi se rënia në mëkate të tilla, jo vetëm që tërheq pas dënime të mëdha, si në këtë, po ashtu edhe në botën tjetër, porse janë prej mëkateve që, pa pendim të sinqertë, nuk falen. Allahu i Madhëruar thotë: "Edhe ata që përveç Allahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin". "Atij i dyfishohet dënimi ditën e Kiametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë". "Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues, prandaj Ai fal shumë". (Shih: El-Furkan, 68-71). Këto ajete kuranore nuk përshkruajnë vetëm qëndrimet e besimtarëve të devotshëm, ato reflektojnë edhe mbi mëshirën e pakufishme të Allahut, ngase Allahu, megjithëqë këto vepra të sipërpërmendura i cilësoi ndër mëkatet më të mëdha (idhujtarinë, vrasjen, prostitucionin), prapë derën e pendimit, madje me premtimin për të zëvendësuar të këqijat me të mira, e la të hapur. Për të përshkuar rrugën deri te kjo derë dhe për t'u ndarë një herë e përgjithmonë nga bota monstruoze e neveritëse e mëkateve, ju ftoj të jetojmë ca çaste bashkërisht nën hijen e pendimit.
Njeriu, realisht, është krijesa më e privilegjuar e Allahut në këtë botë. Atë e favorizoi dhe e ngriti mbi të gjithë, madje duke i dhënë edhe rolin e udhëheqësit në Tokë. E pajisi me intelekt e të menduar dhe e krijoi në formën fizike më të mirë. Megjithëkëtë, nuk e bëri të përsosur. Nuk ka njeri të pamëkate; të gjithë njerëzit, në një formë a në një tjetër, gabojnë, qoftë nga harresa, qoftë nga lakmia, qoftë nga indikatorë të tjerë. Kjo gjë është mishëruar me personalitetin e tyre dhe kurrë nuk ndahet, ani pse mund të mos ketë ndikim. Kjo natyrë e njeriut (prej mëkatari) dhe elementi që zbeh ndikimin e saj, janë të përshkruara në këtë thënie profetike, të shënuar nga Tirmidhiu dhe të verifikuar si autentike nga Albani: "Të gjithë njerëzit bëjnë mëkate, ndërsa mëkatarët më të mirë janë të penduarit".


Ç'ëShtë pendimi?


Pendim d.t.th. të largohesh nga gjërat që i urren Allahu, të dukshme apo të fshehta qofshin ato, dhe të kthehesh te gjërat që Allahu i do dhe E kënaqin Atë. Pendimi është udhëzimi që të ruan nga pesimizmi, është burim i çdo të mire dhe lumturisë në këtë botë dhe në Botën tjetër. Është gjallëria shpirtërore dhe vetë shpëtimi...Është ndjenja e keqardhjes për atë që ka ndodhur, vendosmëria për t'u drejtuar nga Allahu për pjesën e jetës që ka mbetur, dhe largimi nga mëkati. Po, përse pendohemi, cilat janë motivet e pendimit
- Besimtari pendohet, para së gjithash, për arsye se Allahu ka urdhëruar kështu (Shih: Et-Tahrim, 8).
- Besimtari pendimin e ka në programin e jetës, ngase aty gjen edhe shpëtimin. (Shih: En-Nur, 31).
- Pendimi është mënyrë e qëlluar e arritjes së kënaqësisë së Allahut.(Shih: El-Bekare, 222).
- Pendimi, shkak për mirëqenie dhe begati në jetën e kësaj bote. Allahu, duke përshkruar efektin që ka në këtë aspekt pendimi, (Shih: Nuh, 10-12).
- Pendimi nuk arrin vetëm të shlyejë mëkatet, porse ai ka edhe një funksion tjetër; ato i shndërron në të mira. (Shih: El-Furkan, 70).
- Pendimi, madje edhe problemet psikike, arrin t'i shërojë. Studimet psikologjike moderne(1) vërtetojnë se pendimi, sipas parimeve islame, është ilaç shumë efektiv, ngase personalitetit me karakter të trazuar ia rikthen besimin në vete, në Zotin dhe në njerëzit. Pikërisht bazuar në këtë, shumë psikologë, për të arritur rehatinë shpirtërore, ndoqën rrugën e pendimit. Është sqaruar se pendimi ndihmon shkarkimin nga barrët e rënda, largimin e frikës, ankthit dhe shqetësimit, zhdukjen e brengës dhe ndjenjës së fajit.


Si të pendohem?


Këto fjalë, ani pse janë vetëm një përmbledhje, megjithatë motivojnë shpirtin për pendim dhe e bindin atë se lumturia nuk është në epshe e mëkate, por në nënshtrimin para Allahut. Po megjithatë, mbetet disi problem çështja se si të pendohem, si dhe nga t'ia filloj? Çfarë më ndihmon në rrugën e pendimit?
Pendimi realizohet me sukses atëherë kur ne ndërmarrim këta hapa:
- Dëlirësia shpirtërore dhe sinqeriteti në pendim, ngase Allahu nuk lë pa ndihmuar ata që i kthehen Atij sinqerisht.
- Llogaritja sistematike e vetes.
- Përkujtimi, këshillimi, qortimi dhe frikësimi i vetvetes dhe kjo duke sjellë para sysh (duke menduar) pasojat e mëkateve dhe largimit nga pendimi.
- Izolimi nga vendet e mëkateve. Pejgamberi, alejhi's selam, për njeriun që kishte mbytur 100 veta, rrëfeu se zgjidhja që i qe bërë, ishte largimi nga vendi i tij, sepse ishte vend mëkatarësh. (Muslimi)
- Braktisja e shoqërisë së keqe, ngase njeriu ka moralin e atyre që i shoqëron. Pejgamberi, alejhi's selam, ka thënë: "Njeriu vlerësohet sipas moralit të shokut, prandaj kini kujdes me kë shoqëroheni!"


Pendimi i vërtetë


Për të realizuar pendimin e vërtetë, paraprakisht duhen realizuar disa kushte, përmbledhja e të cilave figuron si më poshtë:
- Sinqeritet për Allahun, ngase veprat që nuk i përkushtohen Atij, nuk pranohen. Allahu thotë: Shih: En-Nisa, 146.
- Heqja dorë nga mëkati menjëherë.
- Pranimi i fajit (kryerjes së mëkatit).
- Keqardhja për mëkatin e bërë.
- Vendosmëria për të mos iu kthyer më kurrë mëkateve.
- Kthimi i të drejtave të njerëzve. Nëse mëkati ka të bëjë me njeriun, atëherë duhet t'ia kompensosh dëmin që i ke shkaktuar.
Të bëhet në kohën e pranimit, sepse ka kohë kur pendimi më nuk vlen. Pejgamberi, alejhi's selam, ka thënë: "vërtet, Allahu i madhëruar pranon pendimin derisa robit të mos i vijë shpirti në gropën e fytit (gargara)."; "Vërtet, Allahu shtrin dorën e Tij natën që të falë mëkatarin e ditës dhe shtrin dorën ditën për të falur mëkatarin e natës, dhe kjo derisa të lindë dielli nga perëndimi." (Muslimi).
Si të shpresoj se më është pranuar pendimi?
Pendimi ka shenja që tregojnë pranimin, prej të cilave do të veçonim:
- Që besimtari, pas pendimit, të jetë më i mirë sesa ka qenë para se të pendohej.
- Që çdoherë të ketë frikën e kthimit tek mëkatet, ngase besimdrejti çdoherë ka frikë se si po mbaron puna e tij. Qetësinë e ndien vetëm atëherë kur të ndiejë fjalët e melaikeve: Shih:Fussilet, 30.
- Që mëkatet që bën, qofshin ato edhe të vogla, t'i shohë si shumë të mëdha, ngase besimtari, siç sqaron sahabiu i nderuar Ibni Mes'udi, i sheh mëkatet sikur të jetë ulur nën një kodër që ka frikë se për çdo çast mund t'i bjerë sipër, kurse imorali mëkatet i sheh si një mizë qe i kalon mbi hundë dhe që e largon me një lëvizje dore. Të parët thoshin: "Mos shiko sa i vogël është mëkati, po shiko sa madhështor dhe i fuqishëm është Ai të Cilit i bën mëkat!"
- Që pendimi të të bëjë modest dhe të përulur para Allahut të Madhëruar, ngase zemra e besimtarit gjallërohet pikërisht nga këto sjellje.
- Të ruajë gjymtyrët: të ketë kujdes nga gjuha, respektivisht gënjeshtra, përgojimi, bartja e fjalëve; të ketë kujdes nga barku i tij, gjegjësisht të mos hajë gjërat e ndaluara, t'i ikë kamatës dhe çdo lloj përfitimi të ndaluar; të ruajë sytë të mos shikojë gjëra të ndaluara; të mbikëqyrë duart dhe këmbët e tij nga gjërat e ndaluara; t'i kushtojë vëmendje zemrës së tij, në mënyrë që urrejtja, smira, zilia të mos kenë vend.
Një prej elementeve më të rëndësishme të pendimit, është nevoja imediate e kryerjes së tij menjëherë pas mëkatit. Kjo, ngase vdekja nuk i jep afat askujt dhe mundësia për kthim nuk ekziston më. Allahu i Madhëruar thotë: "Pendim i pranueshëm tek Allahu është vetëm ai i atyre që e bëjnë të keqen nga mosdija, dhe pendohen shpejt; të tillëve Allahu u pranon pendimin, se Allahu është më i dijshmi, më i urti. Nuk është pendim (i pranueshëm) i atyre që vazhdimisht bëjnë punë të këqija dhe vetëm atëherë kur ndonjërit prej tyre t'i vijë vdekja, (Shih: En-Nisa, 17-18). Prandaj, le të nxitojmë për t'u penduar për mëkatet e mëdha e të vogla, le të jetë prioritet i prioriteteve tona pendimi, le të shfrytëzojmë këto çaste të jetës që na kanë mbetur, për të arritur pendimin, përndryshe, nesër para Allahut të madhëruar nuk do të qortojmë askënd përveç vetes sonë. (Shih: El-A'raf, 143, El A'raf, 23 dhe El-Ahkaf, 15).



Dituria Islame 249


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip