Besimi dhe falënderimi

 


Besimi islam është esenca e çdo pune. Të gjitha veprat e tjera për të cilat na ka obliguar Allahu xh.sh., janë degë të besimit, e besimi është esenca e tyre.


S'ka dyshim se esenca është më e vlefshme sesa dega. Atëherë puna e mirë buron nga besimi - kthehet në esencë. Imani- Besimi jep frytin e punës, po puna nuk jep frytin e imanit. Andaj njeriu pa besim - iman në Allahun xh.sh., është jobesimtar-qafir, pa marrë parasysh se çfarë punon. Ç'do të thotë besimi? Besimi është të besuarit me zemër dhe të shprehurit me gojë se s'ka zot tjetër përveç Allahut xh.sh. dhe se Muhamedi a.s. është rob dhe i dërguar i Tij.


Përkufizimi i besimit (Imanit)


Besimi tek ne është: Besimi me zemër dhe shqiptimi me gojë-gjuhë në të njëjtën kohë. Kush beson me zemër dhe nuk e shpreh me gojë, ai është besimtar tek Allahu xh.sh., po tek njerëzit e kundërta. Shprehja vetëm me gojë do të thotë besimtar tek njerëzit në këtë botë, po personi që vepron kështu, në botën e ardhshme do të jetë prej të humburve. Besim i vërtetë është kur personi beson me zemër dhe shprehet me gojë. Imam Ebu Hanife r.a. thotë: (Imani-besimi nuk shtohet e as nuk pakësohet.) Ky është mendimi i Imam Ebu Hanifes, Imam Maturidiut dhe shokëve të tij. Imami r.a. thotë: „Për arsye se, nuk parafytyrohet pakësimi i (imanit) besimit, vetëm se me shtimin e mosbesimit (kufrit) dhe nuk parafytyrohet shtimi i besimit vetëm me pakësimin e mosbesimit, e si mund të jetë një person në të njëjtën kohë besimtar dhe mosbesimtar? Bashkimi i tyre në një vend dhe në të njëjtën gjendje është i pamundshëm, dhe kjo për arsye se mosbesimi është kundër besimit.(1) Imam Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij Fikh El-Ekber thotë: Besimi i banorëve të qiellit (engjëjve e xhinëve) dhe Tokës nuk shtohet e as nuk pakësohet. Dhe besimtarët janë të barabartë në shkallën e besimit dhe Njësisë. Por të ndryshëm në vepra.(2) Nëse thuhet fjala e Allahut xh.sh. (për ta shtuar ata bindjen në besimin....)(3) Duke u bazuar në këto dhe në versetetjera dhe në hadithe të Muhamedit a.s., do të përgjigjemi: Në të vërtetë, kjo është për shokët e Pejgamberit a.s. për arsye se Kurani zbriste në çdo kohë (Muhamedi a.s. inspirohej/ frymëzohej gradualisht) dhe ata besonin në të. (Duke u plotësuar Kurani, u shtohej edhe besimi shokëve të Muhamedit a.s., sepse me të zbritnin norma të reja). Kurse për ne nuk është kështu për arsye të ndërprerjes së Shpalljes. Kështu qëndron në Baht El-Kelam.(4) Esenca e imanit nuk ndryshon, besimi është një i pandryshueshëm me kushtet e tij. Mirëpo në varësi nga veprat, njeriu mund të jetë i devotshëm ose mëkatar. Allahu xh.sh. është i Vetëm dhe kërkon nga njeriu që të mos i bëj shok asgjë. Ai në Kuran thotë: " Dhe Zoti juaj është Një! S'ka Zot tjetër përveç Tij". (El-Bekare, 163) Atij nuk i përngjan asgjë nga krijesat. "Asnjë send nuk është si Ai; Ai është dëgjuesi, shikuesi". (Esh-Shura, 11) Në anën tjetër, ai njeri që beson Zotin Një, kurse në vepra është i mangët, nuk është pabesimtar, atij nuk i themi qafir, po i themi hipokrit, prandaj nga kjo përfundojmë se besimi është më i vlefshëm se puna. Nuk ka dyshim se imani është çështje e zemrës dhe atë nuk e di askush përveç Allahut,e kjo nuk do të thotë se veprat nuk kanë rëndësi, po veprat janë kusht për fitore të madhe në Botën e amshueshme dhe për grada të Xhenetit. Njeriu besimtar, beson edhe Urdhrat e Allahut, siç janë: Pas dëshmisë në Allahun dhe Pejgamberin a.s. Namazi, Agjërimi, Zekati dhe Haxhi. Po edhe më shumë - të gjitha obligimet që dalin nga Kurani dhe hadithet e Pejgamberit a.s.. Njeriu është krijuar në këtë botë për sprovë-për provim. Allahu xh.sh. thotë: "Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t'ju sprovuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është ngadhënjyesi, mëkatëfalësi". (El-Mulk,2) Të gjithë njerëzimin në rruzullin tokësor do t'i llogarisim se janë në një sallë të madhe provimi, e cila përfaqëson tërë gjithësinë dhe në të cilën gjenden mbikëqyrës të përpiktë, të cilët regjistrojnë çdo vepër, e mirë a e keqe qoftë. Allahu xh.sh. thotë: "Dhe se kur dy engjëjt qëndrojnë pranë tij në të djathtë dhe në të majtë. Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm".( Kaf: 17,18) Koha e këtij provimi fillon qysh nga momenti kur njeriu hyn në moshën madhore dhe përfundon me vdekjen e tij. Nëse një nxënës a një student e di sa kohë ka mbetur deri në fund të vitit shkollor, ne nuk mund ta dimë se sa kohë na ka mbetur deri në fund të jetës sonë, prandaj duhet të jemi të përgatitur në çdo kohë me besim dhe falënderim ndaj Zotit të Madhëruar. Nxënësi a studenti në provim përdor lapsin, mjet i tij pra është lapsi, kurse njeriu mjet për provimin e kësaj bote ka: trupin e tij, kohën, pasurinë, diturinë dhe çdo gjë që atij i është dhënë nga forca dhe mundësitë. Pasuritë që ia ka dhënë njeriut Allahu xh.sh., janë të shumta, as që ka mundësi të numërohen. allahu xh.sh. thotë: "Po edhe nëse përpiqeni t'i numëroni dhuntitë (të mirat) e Allahut, nuk do të mund të arrini t'i përcaktoni ato".(En-Nahl, 18). Krahas të mirave sikur janë: Besimi-imani, mendja, të dëgjuarit, të pamët, shëndeti, fëmijët, pasuria, - të mirat që Allahu ia ka dhënë njeriut janë më shumë se këto, në çdo pjesë të trupit ka të mira që s'kanë të numëruar. Në një rrëfim tregohet se një njeri i varfër ishte ankuar tek një dijetar për varfërinë e tij, që Allahu nuk i kishte dhënë atij asgjë tjetër përveç shëndeti. Dijetari, duke iu përgjigjur, i paska thënë: a po e shet të pamët tënd për qindra para? Thotë (i varfëri) jo. Vazhdon dijetari dhe e pyet: A po e shet të dëgjuarit për qindra para? A po e shet dorën tënde? A po e shet këmbën tënde? A po e shet mendjen tënde për qindra para? E ai (i varfri) thoshte: Jo. Atëherë dijetari kthehet e i thotë: Ankohesh për varfëri, kurse ti posedon qindra mijëra para!!!.(5) Nga kjo i varfri e kupton se pasuria e trupit të tij është më e madhe se pasuria në të holla (para). Kurse ne nga ky shembull duhet të kuptojmë se pasuritë që Allahu xh.sh. na i ka dhuruar, nuk kanë të numëruar dhe se shëndeti dhe gjymtyrët e trupit nuk shiten me para. Allahu xh.sh. në një verset të Kuranit thotë: "E njeriu, kur e sprovon Zoti i tij, e nderon dhe e begaton, ai thotë: "Zoti im më ka nderuar!" Por, kur, për ta sprovuar, ia pakëson furnizimin (e varfëron), ai thotë: "Zoti im më ka nënçmuar"!(El-Fexher, 15,16) Sikur të ishte pasuria nderim, pejgamberët e Zotit do të ishin më të pasurit e botës, dhe e gjithë pasuria do t'u takonte myslimanëve, kurse në dorën e pabesimtarëve nuk do të kishte asgjë. Për këtë do të sjellim një shembull: Një mësues-profesor i shpërndau secilit nxënës nga një libër; disa nga këta libra ishin të mëdhenj, disa të mesme e disa të vegjël. Ata që morën librat e mëdhenj u gëzuan, kurse ata që morën librat e mesëm dhe të vegjël u hidhëruan. Pasi i shpërndau librat, profesori iu drejtua nxënësve: Provimin do ta keni nga këta libra. Kur e dëgjuan, ata që kishin libra të vegjël u gëzuan, kurse ata që kishin libra të mëdhenj dëshiruan t'i ndërronin me ata që i kishin librat të vegjël. Nga ky shembull mund të kuptojmë se pasuria nuk është nderim, po sprovë për njeriun.(6) Prandaj pasanikët duhet ta dinë se ku dhe si ta përdorin pasurinë, se për atë pasuri do të japin llogari para Krijuesit të tyre. Kjo pasuri që posedon njeriu, nuk rrit grada te Zoti xh.sh., po janë besimi i vërtetë dhe falënderimi i sinqertë, punët e mira dhe shfrytëzimi i pasurisë në rrugën e Allahut xh.sh., që rrisin gradën tek Allahu xh.sh.. Në Kuran thotë: "e s'ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që është ruajtur më tepër". (El-Huxhurat, 13).
Thamë se pasuria është provim për njeriun, prandaj kalimi i këtij provimi është shfrytëzimi i saj në rrugë të drejtë dhe falënderimi. Falënderimi është trellojësh: falënderimi me zemër,falënderimi me gjuhë dhe falënderimi me vepra-punë.
1. Falënderimi me zemër: Bëhet me besim të sinqertë në Allahun xh.sh. dhe me plotësimin e kushteve të tjera të imanit, të cilat janë: të besuarit në melaiket, librat e shpallur, pejgamberët, në Ditën e Fundit (Ringjalljen) dhe Kadanë e Kaderin e Allahut. Besimi me zemër plotësisht se e gjithë pasuria nuk vjen nga askush tjetër përveçse nga Krijuesi i gjithësisë, i Cili nuk ka asnjë rival, është besim dhe falënderim. Allahu xh.sh. thotë: "Dhe çdo të mirë që keni, ajo është prej Allahut". ( En Nahl, 53) Pejgamberi a.s. në një hadith thotë: (Dije se, nëse i gjithë populli tubohen që të bëjnë dobi (të shpenzojnë) për ty në ndonjë çështje, nuk do të të bëjnë dobi (shpenzojnë) asgjë përveç asaj që Allahu të ka caktuar).(7)
2. Falënderimi me gjuhë: Ky lloj falënderimi bëhet duke përmendur Allahun shpesh dhe duke thënë: Elhamdulil-lah. Allahu xh.sh. thotë: "E me të mirat që të dha Zoti yt, trego (udhëzo njerëz)"! (Duha, 11 ). Dhe duke u ruajtur nga mendjemadhësia. Nga falënderimi me gjuhë është edhe leximi i kuranit, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, dhe të gjitha fjalët e mira prej të cilave kanë dobi njerëzit.
3. Falënderimi me punë-vepër: Në lidhje me këtë allahu xh.sh. thotë: "Punoni duke falënderuar, o familje e Davudit, e nga robët e Mi, pak janë falënderues (mirënjohës)". ( Sebeë,13) Falënderimi me punë është i llojllojshëm, atëherë ai që Allahu e furnizon me hidaje - rrugë të drejtë, duhet t'i thërrasë njerëzit për atë hidaje - në atë rrugë të drejtë. Ai që Allahu e furnizon me mendje - logjikë të shëndoshë, duhet ta shfrytëzojë atë aftësi mendore për zgjidhjen e problemeve të myslimanëve. E ai që Allahu e furnizon me pasuri, duhet ta shpenzojë atë për hir të Zotit dhe në rrugë të Tij, fshehtazi dhe haptazi. E ai që Allahu e furnizon me trup të shëndoshë, të zhvilluar dhe të fortë, duhet të luftojë për hir të Allahut xh.sh.. Të tri llojet e falënderimit i shtojnë të mirat e kësaj bote. Allahu xh.sh. në Kuran thotë: "Nëse falënderoni, do t'jua shtojë të mirat, e nëse përbuzni, s'ka dyshim, dënimi im është i vështirë!" (Ibrahim, 7), d.m.th. falënderimi që i bëhet Zotit xh.sh. për të mirat që na ka dhënë, i shton edhe më tepër ato dhe jemi nën mbrojtjen e Allahut dhe nën hijen e kënaqësisë së Tij, kurse në botën tjetër na gradon me Xhenet dhe shpërblime të veçanta:"Kurse mirënjohësit (ata që falënderojnë), Ne do t'i shpërblejmë". (Ali Imran, 145)
________________________
(1) Er-Resail es-sebah fi el-Akaid, Sherh Vesije El-Imam Ebi Hanifeh,autor i komentit: Mula Husejn Ibn Iskender El Hanefi, Bot.3, të Indi 1980 f.3.
(2) Sherh Kitab Fikh El-Ekber Imam Ebi Hanifeh,me koment të Mula Ali El-Kari El-Hanefi, f.126, Bejrut, 1984.
(3) Kaptina El-Fet'h 4.
(4) Er-Resail es sebah fi el-Akaid, Sherh VESIJEH El-Imam Ebi Hanifeh, autor i komentit: Mula Husejn Ibn Iskender El-Hanefi, Bot.3 Indi 1980 f.4.
(5) Dr.Sherf El-Kudah,El-Hedj En-Nebevi fi Er-rekaik, f.14-15, Dar el-Furkan bot.3. 1992.
(6) Dr. Sherf El-Kudah, El-Hedj En-Nebevi fi Er-rekaik, Ibid f.15-16.
(7) Xhamië Et Tirmidhi4/67, Kitab El-Kijameh Nr.Hadithit: 2635.


 


Kasim Gërguri
Dituria Islame 250