Allahun e Plotfuqishëm dhe të Gjithëmëshirshëm e falënderojmë, prej Tij kërkojmë ndihmë dhe falje. Dëshmojmë se nuk ka zot tjetër përveç Tij dhe se Muhamedi, s.a.v.s., është rob dhe i dërguar i Tij; mëshira, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij.
Allahu i Lartësuar e ka zgjedhur ditën e xhuma midis të gjitha ditëve të tjera. Ai e përmendi në Librin e Tij, ia dha emrin një sureje në Kuran dhe e bëri ditën më të vlefshme dhe më fisnike. Pejgamberi, a.s., ka thënë: "Dita më e mirë në të cilën ka lindur dielli është dita e xhuma. Është dita e stolisjes dhe e zbukurimit. Traditë e Pejgamberit, a.s., është të lahesh dhe të parfumosesh me lindjen e diellit çdo ditë xhuma. Është e dëshirueshme që muslimanët të garojnë për të shkuar herët në xhami për xhuma."
Pejgamberi, a.s., ka thënë gjithashtu:
"Kushdo që merr gusël (lahet) ditën e xhuma ashtu siç merr, lahet nga xhunubllëku pastaj shkon herët në xhami, kjo është për të, sikur të ketë bërë kurban (për Allahun) një deve. Kush shkon në orën e dytë, kjo është për të, sikur të ketë bërë bërë kurban një lopë. Kush shkon në orën e tretë, është sikur të ketë bërë kurban një dash me brirë. Kush shkon në orën e katërt, është njësoj sikur ka bërë kurban një pulë dhe kush shkon në orën e pestë, është njësoj sikur ka dhënë një kokërr vezë. Në kohën që del imami, engjëjt vijnë për të dëgjuar hutben." (Buhariu dhe Muslimi)
Ditën e xhuma ndodhi një ngjarje e madhe kozmike: Allahu, xh.sh., përfundoi krijimin e qiejve dhe të tokës. Në këtë ditë, sipas fjalëve të Pejgamberit, a.s., u krijua Ademi, u fut në Xhennet dhe po në këtë ditë u nxor nga Xhenneti. (Muslimi)
Vëllezër të dashur!
Xhumaja është dita në të cilën ngriten gradat e mirëbesimit dhe fshihen mëkatet. Allahu, xh.sh., hap derën e mirësisë së Tij dhe nuk refuzon asnjë lutje në njërën prej orëve të saj. Pejgamberi, a.s., ka thënë: "Në ditën e xhuma ka një orë që asnjë musliman nuk duhet ta humbasë, dhe kush kërkon të mirë nga Allahu në të, Ai do t'ia japë atë."
Mirësitë e kësaj dite nuk mbarojnë me këtë botë; ato shtrihen deri në Xhennet. Dhurata më e madhe për besimtarët në këtë ditë është të shohin Krijuesin Mëshirues. Pejgamberi, a.s., ka thënë: "Në Xhennet ka një treg ku banorët do të mblidhen çdo xhuma, ashtu siç janë mbledhur në këtë botë. Do të fryjë një erë e lehtë që do t'u mbulojë fytyrat dhe rrobat me rërën e Xhennetit, duke i bërë më të bukur. Pastaj do të kthehen te familjet e tyre, më të bukur dhe më elegantë, dhe do t'i thonë njëri-tjetrit: 'Pasha Allahun, bukuria juaj është shtuar.'"
Ibn Mesudi, r.a., ka thënë: "Nxitoni për në xhuma, sepse Allahu, xh.xh., do t'u shfaqet banorëve të Xhennetit çdo xhuma dhe ata do të afrohen Atij aq sa kanë nxituar për në xhuma në këtë botë."
Pas namazit të xhumasë, njerëzit kthehen në detyrat e tyre të zakonshme duke vazhduar të gëzojnë këtë ditë. Ibadetet dhe veprat e devotshme nuk mbarojnë me namazin e xhumasë; rekomandohet të kalohen pjesët e mbetura të ditës në dhikër dhe veprime që e afrojnë besimtarin te Zoti: "Kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë dhe kërkoni nga dhuntitë e Allahut, dhe përmendeni shumë Allahun që të jeni të shpëtuar." (El-Xhumua, 10)
Pejgamberi, a.s., ka thënë gjithashtu: "Gjurmët e veprave të mira të kryera ditën e xhuma ndihen edhe dhjetë ditë pas saj. Kush lahet ditën e xhuma dhe pastrohet sa të mundet, pastaj lyen flokët (me vaj, me erë të mirë), ose bëhet me erë të mirë me erën e shtëpisë së vet, pastaj del për të shkuar (për namazin e xhumasë) dhe nuk ndan dy vetë të ulur pranë njëri- tjetrit (në xhami), pastaj fal aq sa i ka bërë detyrim Allahu atij dhe dëgjon në heshtje të plotë kur imami mban fjalën e caktuar, atij, padyshim do t'i falen gjynahet (që ka bërë) nga e xhumaja e fundit deri atë të xhuma."
Vëllezër të dashur!
Dita e xhuma nuk është një ditë e zakonshme. Ajo duhet pritur me gëzim dhe përkushtim. Në këtë ditë duhet të përkushtohemi ndaj vetes, familjes dhe veprave të mira. Sot është veçanërisht e vështirë të kuptojmë vlerën e saj, sepse kalimi i shpejtë i kohës i merr ditëve aromën dhe specifikën shpirtërore. Shpesh të gjitha ditët i trajtojmë njësoj për shkak të harresës së vlerave që Allahu ua ka dhënë. Neglizhenca ndaj xhumasë reflektohet në mënyrën rutinore dhe jo serioze të përjetimit të saj.
Sa e justifikuar është nxitja jonë për të dalë sa më shpejt nga xhamia pas xhumasë? Çfarë bekimi - çfarë dhurate më të madhe po humbasim pas dyerve të xhamisë? A është xhumaja një barrë për shpirtin e shqetësuar, apo një lehtësim për shpirtin e disiplinuar dhe një dritë për zemrën e errësuar?
Kushdo që është i pakujdesshëm ndaj bekimeve dhe të mirave të kësaj dite, humb një të mirë të madhe. Kushdo që neglizhon namazin e xhumasë, Allahu do ta vulosë zemrën dhe ai do të mbetet midis të pakujdesshmëve.
Dita e xhuma është dhuratë e Allahut për umetin tonë, ditë freskimi shpirtëror dhe sfidë për të garuar në vepra të mira. Kushdo që e shfrytëzon siç duhet këtë ditë, do të ndihmohet edhe gjatë ditëve të tjera.
O Zot i Mëshirshëm, na frymëzo të gëzohemi në këtë ditë, të besojmë fuqishëm në bekimet e saj. Prano lutjet tona në këtë ditë të bekuar dhe na bëj të lumtur duke na lejuar të shohim Dritën Tënde në Xhennet, me të cilën do të nderosh robërit e Tu të sinqertë. Amin.
/islamskazajednica.ba/
Përktheu e përshtati: Esat ef. Rexha