Islami dhe aktivitetet ekonomike


Ajetet mekase japin sinjal për sistemin ekonomik, i cili do të vinte më vonë, duke shoqëruar sjelljet ekonomike me doktrinën e përgjegjësisë para Zotit në Ditën e Gjykimit. Kompletimi i sistemit ekonomik është bërë në Medinë me themelimin e shtetit nga i Dërguari i Zotit. Prandaj, në periudhën medinase zbritën ajetet që treguan parimet kryesore të sistemit të ri ekonomik, të cilat kërkohen nga feja Islame, siç janë: drejtësia dhe liria.


Të gjitha fetë diskutojnë për çështje ekonomike, por dallimi në mes tyre është në qëndrimet rreth sferës së aktiviteteve ekonomike dhe implementimit të tyre. jetën e kësaj bote Islami e konsideron si shumë të rëndësishme dhe si mjet të fitimit të Botës së përhershme. synon kënaqësi dhe përmirësim të jetës ekonomike si një shpërblim nga Zoti, përderisa kjo të mos bjerë në kundërshtim me Urdhrat e Tij duke cenuar të drejtat e njerëzve të tjerë. Ajetet kuranore që flasin në mënyrë eksplicite për pasuri, forcë ekonomike, siguri dhe të mira materiale, tregojnë se të gjitha këto janë shpërblime nga Zoti për robërit e Tij. Pastaj ka ajete të tjera, të cilat janë të natyrës përshkruese, që flasin për ndalimin e kamatës dhe pagesës së zekatit dhe për drejtësi ekonomike. Këto ajete përmbajnë rregulla udhëzuese për individët dhe shoqëritë, dhe janë baza e sistemit ekonomik, sipas Islamit. Kur bisedohet për një sistem ekonomik të bazuar në parime islame, duhen pasur parasysh mësimet e Pejgamberit a.s. dhe periudha mekase e medinase dhe mundi i vazhdueshëm i Pejgamberit Muhamed a.s., për t'ua shpjeguar besimtarëve dhe mbarë njerëzimit bazat e ekonomisë si një sistem të kompletuar. Ajetet kuranore që i takojnë periudhës mekase, e cila konsiderohet periudhë para se të zbatohej në praktikë sistemi ekonomik, flasin më shumë për sinqeritetin në biznes, ndalimin e kamatës dhe për detyrimin e dhënies së zekatit.
Ajetet mekase japin sinjal për sistemin ekonomik, i cili do të vinte më vonë, duke shoqëruar sjelljet ekonomike me doktrinën e përgjegjësisë para Zotit në Ditën e Gjykimit.
Kompletimi i sistemit ekonomik është bërë në Medinë me themelimin e shtetit nga i Dërguari i Zotit. Prandaj, në periudhën medinase zbritën ajetet që treguan parimet kryesore të sistemit të ri ekonomik, të cilat kërkohen nga feja Islame, siç janë: drejtësia dhe liria.
Shpalljet kuranore nganjëherë japin detaje shumë të sakta për disa aspekte dhe në disa raste tregojnë parimet themelore, të cilat kërkojnë edhe shpjegimin e Pejgamberit a.s., duke i vënë ato në praktikë gjatë jetës së tij në Medinë si udhëheqës shteti. ky sistem ekonomik, kalon gradualisht nga një ekonomi normative (teorike) në ekonomi pozitive (praktike).
Është e natyrshme që, me zhvillimin e shoqërisë dhe kulturave të ndryshme, parimet dhe udhëzimet të kenë aplikime të ndryshme. Një sistem dinamik duhet të ketë mekanizma të brendshëm zhvillimi, prandaj sistemi ekonomik, sipas islamit, në mesin e parimeve të veta ka edhe konceptin e besimit të mendjes së njeriut për t'i zhvilluar aplikimet e reja në bazë të koncepteve bazë. Kjo në gjuhën e Sheriatit quhet ixhtihad. Të drejtën për të dhënë mendimet e veta në lidhje me këto tema, e kanë dijetarët, të cilët e njohin mirë jurisprudencën islame dhe në të njëjtën kohë njohin mirë çështjet ekonomike. Sfera ekonomike, e cila ka pasur nevojë gjithnjë për zhvillime të këtij lloji, është ajo e financave, përfshirë transaksionet bashkëkohore, me të cilat ballafaqohet shoqëria.


Besimi në Udhëzimin hyjnor


Bindja fillestare rreth së cilës sillen të gjitha konceptet islame, është se të gjithë Universin e ka krijuar dhe e kontrollon Zoti Një, i Vetëm. Ai e ka krijuar njeriun dhe e ka caktuar si mëkëmbës të Vetin në Tokë, për t'i përmbushur disa qëllime, duke iu nënshtruar urdhëresave të Tij. Këto urdhëresa nuk kufizohen vetëm në mënyrën e kryerjes së adhurimeve ose të të ashtuquajturave rituale fetare. Përkundrazi, ato mbulojnë një fushë të gjerë thuajse të të gjitha aspekteve të jetës sonë. Këto urdhëresa nuk janë edhe aq shumë e të hollësishme, sa t'i mbyllnin në një rreth të ngushtë aktivitetet e njeriut, duke mos i lënë kurrfarë roli intelektit të njeriut, po as që janë pak ose të pacaktuara, sa të linin çdo sferë të jetës njerëzore në mëshirën e perceptimeve dhe tekave njerëzore. Larg këtyre dy ekstremeve, Islami ka një qasje balancuese ndaj rregullimit të jetës njerëzore. Nga njëra anë, ai, gjykimit personal racional të njeriut, i lë një fushë të gjerë aktivitetesh njerëzore, për të cilat ai mund të marrë vendime në bazë të arsyes së tij, të vlerësimit të fakteve dhe të përdorueshmërisë.(1) Nga ana tjetër, Islami, aktivitetet njerëzore i nënshtron ndaj një sërë parimesh që kanë zbatueshmëri të përhershme dhe që nuk mund të thyhen në bazë të deklaratës së lehtë për dobinë e tyre të vlerësuar nga ana e mendjes njerëzore.(2)
Fakti që qëndron pas kësaj qasjeje, është se arsyeja njerëzore, me gjithë aftësitë e jashtëzakonshme, nuk mund të pohojë se ka fuqi të pakufishme në njohjen e së vërtetës. Tekefundit, ajo ka disa kufij, pas të cilëve ajo nuk mund të nxjerrë përfundime të rregullta ose bëhet pre e gabimeve. Të gjitha teoritë nga e kaluara, që sot konsiderohen si të gabueshme, në kohën e vet konsideroheshin "racionale", dhe u desh të kalonin shekuj që të zbulohej gabueshmëria e tyre dhe të vërtetohej absurditeti i tyre. Pra, është e qartë se sfera e veprimit, të cilën ia ka lënë Krijuesi "arsyes" njerëzore, nuk është e pakufizuar. Ekzistojnë fusha ku arsyeja njerëzore nuk mund të ofrojë udhëzime të drejta ose ku, më së paku, u ekspozohet gabimeve. Në këto fusha, All-llahu i Plotfuqishëm, Krijuesi i gjithësisë, njeriut ia ka siguruar Udhëzimin me anë të shpalljeve që u ka dërguar pejgamberëve të Tij. Në bazë të kësaj qasjeje, secili mysliman beson fort se urdhëresat e ardhura me shpalljen dërguar Pejgamberit të fundit, - paqja dhe bekimi i Zotit qofshin për të, - duhen ndjekur edhe formalisht edhe shpirtërisht, dhe se nuk mund të braktisen ose të thyhen në bazë të argumenteve racionale ose të dëshirave të brendshme të dikujt. Sipas kësaj, të gjitha aktet njerëzore duhet t'u nënshtrohen këtyre urdhëresave dhe duhet të ushtrohen brenda kornizave që përcaktojnë ato. Islami nuk kufizohet vetëm në mësimet morale, në disa rituale ose ceremoni. Ai përmban udhëzime për secilën sferë të jetës njerëzore, përfshirë edhe atë ekonmiko-shoqërore. Krijesat e Allahut janë të detyruara t'i nënshtrohen Krijuesit të tyre jo vetëm duke i kryer lutjet, por edhe në të gjitha aktivitetet ekonomike, qofshin këto edhe kundër disa dobive të rreme, sepse ato dobi të rreme mund të jenë kundër interesave të shoqërisë si tërësi.(3)


Botëkuptimi i ekonomisë islame


Nëse dëshirojmë të bëjmë një krahasim ndërmjet botëkuptimit ekonomik islam dhe atij shekullar, do të shohim se në mes tyre ekziston një dallim rrënjësor. Dallimi kryesor në mes këtyre dy sistemeve ekonomike është: sipas botëkuptimit shekullar aspekti mundan (i jashtëm) dhe spiritual (i brendshëm) janë dy çështje të ndara. Sipas botëkuptimit islam, të dy këto çështje në ekzistencën e njeriut janë të pandashme, dhe çështjet materiale dhe morale, sikundër edhe kjo botë dhe Bota tjetër, janë të ndërlidhura dhe të varura nga njëra-tjetra dhe kompletojnë jetën e njeriut.(4)
Një dallim edhe më fondamental është se botëkuptimi shekullar është produkt i njeriut dhe mund të ndryshojë përgjithmonë sipas dëshirës dhe ndikimit të tij të jashtëm, kurse botëkuptimi islam bazohet në Kur'an (Fjalën e Zotit Fuqiplotë) dhe Synet (Traditën e Pejgamberit a.s.) - dy burimet kryesore të Sheriatit. Prandaj, botëkuptimi islam nuk është rezultat i mendjes së njeriut, i ardhur nga ndonjë zbulim shkencor, veçse është një drejtim hyjnor, i cili shpie në një mënyrë jete të veçantë. Edhe pse Sheriati ka një elasticitet, në disa çështje nuk mund të zëvendësohet dhe nuk mund të ndikohet nga mendja e njeriut dhe, në të njëjtën kohë, përkrah ndryshimet dhe synon influencimin e qëllimeve, sjelljeve dhe veprave të njeriut drejt një rruge të drejtë.
Sipas botëkuptimit islam, Zoti e ka krijuar Universin për të mirën e gjithë njerëzimit. Gjithashtu, Zoti i ka bërë të gjitha burimet në këtë botë të gatshme për njerëzit, të cilët kanë përgjegjësi për përdorimin dhe transformimin e tyre sipas nevojës së njerëzve. Zoti i ka dhënë njeriut shqisat e nevojshme për të shfrytëzuar mendjen e vet dhe për të kuptuar veten dhe natyrën, si dhe për t'i zhvilluar mjetet e nevojshme për ta ushqyer veten dhe për të plotësuar nevojat e veta. Mirëpo, për shfrytëzimin e kësaj lirie të dhuruar nga Zoti, njeriu duhet t'i ketë parasysh disa kufizime. Në mes të këtyre kufizimeve, është fakti se të gjitha veprat janë ibadet ndaj Zotit. Besimi dhe qëllimi për të kërkuar që Allahu të jetë i kënaqur me njeriun, e mbush atë me një entuziazëm që të vazhdojë të zbulojë, kuptojë, jetojë dhe të kënaqet në këtë botë, pa pasur ndonjë ndjenjë fajësie.(5)
Islami nga njeriu kërkon që të mbajë një baraspeshë në mes të dëshirës dhe urrejtjes për gjërat materiale. Këshilla për kujdes në kërkim të gjërave materiale, në mënyrën e fitimit dhe të shpenzimit, është në të vërtetë për mbarë njerëzimin, pa dallime. Në Islam të gjithë njerëzit trajtohen të barabartë, dhe Islami parasheh që të ketë shanse të barabarta për secilin njeri, duke luftuar krijimin e monopoleve dhe mbizotërimin e disave ndaj të tjerëve në mënyrë të padrejtë. Islami parasheh një shoqëri ku secili të jetë i vetëqëndrueshëm, dhe në nivelin e përgjithshëm pret që secili popull të jetojë një jetë të respektuar. Situata e tashme, ku shtetet e varfra janë futur në borxhe tek shtetet e pasura, nuk është në përputhshmëri me vizionin islam rreth botës. Sipas vizionit islam, drejtësia duhet t'i sigurohet secilit njeri dhe secilit popull, duke kundërshtuar çdo formë eksploatimi.(6)
Si një mëkëmbës i Zotit në Tokë, në Ditën e Gjykimit njeriu është përgjegjës para Tij për të gjitha punët e veta. Në Islam përshkruhet një sistem i fortë i përgjegjësive në të gjitha nivelet. Gjendja aktuale, kur disa nga vendet e fuqishme dhe korporatat globale nuk japin përgjegjësi para askujt, nuk është në përputhshmëri me botëkuptimin islam. Sipas mësimeve islame, secili është përgjegjës në kapacitetin dhe pozitën që posedon. Duhet te synohet themelimi i një rregulli ekonomik, në të cilin të gjitha vendet të kontribuojnë për të luftuar veprimet e papërgjegjshme nga popujt e ndryshëm. Burimet ekonomike duhet të mbrohen nga keqpërdorimi i tyre, nga shfrytëzimi i pakujdesshëm apo shkatërrimi i tyre për interesa të ngushta ekonomike.


__________________________________
(1) M. Fethullah Gylen, Rrugët e Udhëzimit në Ide dhe Jetë: Nën Hijen e Udhëzimit Hyjnor, përkthyer nga Sabri Bajgora , (Prishtinë: Dituria Islame, 2012) f. 25-26.
(2) Abbas Mirakhor, 'Towards a Meeting-Point Between Islamic Finance and Globalization', Islam and Civilizational Renewal, A journal Devoted to Contemporary Issues and Policy Research, (Kuala Lumpur: International Institute of Advanced Islamic Studies, 2009) Volume 1, Number 2, 2009. f. 247.
(3) A. Hussain, The Islamic Law of Succession, (Riyadh: Darussalam, 2005), f. 12-13.
(4) Waleed A.J. Addas, Methodology of Economics: Secular Versus Islamic, (Kuala-Lumpur: International Islamic University Malaysia, 2008), f.62.
(5) Ibid
(6) Ausaf Ahmad, 'Economic Development in Islamic Perspective Revisited', Review of Islamic Economics, No. 9, 2000. f. 84-86.


 



Dituria Islame 271


Nuk ka artikull pas ketij.