Është shumë e rëndësishme që të përmendim edhe rolin e tregtarëve myslimanë në përhapjen e Islamit. Tregtarët myslimanë, në kohët e mëhershme, ishin modeli më tipik dhe shëmbëlltyra më e qartë e moralit të mirë dhe e sinqeritetit në Islam. Këtë e vërenin vazhdimisht ata që kishin marrëdhënie tregtare me ta, dhe nga ndikimi i tyre shumë popuj u njohën me mirësitë e Islamit.
Çka nënkupton tregtia?
Edhe pse me tregti nënkuptojmë çdo shkëmbim të realizuar me marrëveshje të vullnetshme në mes dy palëve, kjo veprimtari në jurisprudencën islame duhet të përfillet nga një tërësi e rregullave dhe normave morale e fetare. Nuk ka dyshim se këto kritere derivojnë nga libri i Allahut të Madhërishëm (Kurani), Syneti i të Dërguarit, lavdërimi e paqja qofshin për të, por gjithashtu edhe nga jeta e as'habëve dhe myslimanëve të parë, të cilët, gjatë veprimtarisë tregtare të tyre, treguan modelin se si duhet të sillet tregtari me myshterinjtë e tij.(1)
Ebu Hamid Gazali ka thënë: "Allahu i Madhërishëm ka urdhëruar drejtësinë dhe mirësinë në çdo gjë; drejtësia është shkak i shpëtimit të njeriut, kurse kjo te tregtarët është sikurse kapitali (vlera materiale që investon tregtari). Ndërkaq, mirësia është shkak i shpëtimit dhe arritjes së lumturisë, dhe kjo te tregtari është sikurse fitimi që realizon..." Prandaj nuk lejohet që besimtari të kufizo het me drejtësi, pra të largohet nga zullumi, ndërkohë që në tjetrën anë t'i braktisë format e mirësisë. Allahu i Madhërishëm ka thënë: "Bëju mirë të tjerëve, ashtu si Allahu të ka bërë mirë ty" (El Kasas, 77), dhe ka thënë: "Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë..." (En-Nahl, 90) Ka thënë gjithashtu: "Vërtet, mëshira e Allahut është afër punëmirëve"(El Araf 56). Me mirësi kemi parasysh shërbimin që i bën shitësi myshteriut, për gjëra që nuk janë të obliguara ndaj tij, por janë veprime mbi këtë, pasi veprimet e obliguara futen në parimin e drejtësisë ndaj tij dhe të largimit nga zullumi".(2)
Gjithashtu, sinqeriteti, besnikëria dhe çiltëria, janë moralet më të larta me të cilat duhet të stolisen tregtarët. Ebu Seid Huderiu përcjell nga i Dërguari, lavdërimi e paqja qofshin për të, hadithin në të cilin thuhet: "Tregtari i çiltër e besnik (në Ditën e Gjykimit) do të jetë me pejgamberët, të sinqertët dhe shehidët (dëshmorët)". (Tirmidhiu, dhe ka thënë se hadithi është hasen sahih).
Tregtari i devotshëm
Tregohet se në të shkuarën një tregtar, nga të devotshmit, i porosiste punëtorët në dyqanin e tij që klientëve t'u tregonin të metat e mallit, nëse eventualisht kishte ndonjë të metë. Kështu, një ditë prej ditësh erdhi një njeri që nuk ishte mysliman, dhe bleu një rrobë me defekt, ndërkohë që pronari i lokalit nuk ishte aty. Punëtori tha me vete se, meqenëse ky është jo besimtar, nuk ka të keqe nëse ia jap mallin me defekt. Pas një kohe, kur erdhi pronari i lokalit, e pyeti për rrobën me defekt, e punëtori i tha: "Ia shita një jobesimtari për tre mijë dërhemë dhe nuk i tregova për defektin e mallit". Pronari pyeti: "Ku është ai?". U përgjigj: "Ai u kthye me karvanin". Pronari mori të hollat me vete dhe i shkoi pas.
Rufea përcjell se një ditë doli për në xhami me të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja qofshin për të, dhe i pa njerëzit duke shitur e blerë. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja qofshin për të, i thirri ata: "O tregtarë!". Tregtarët iu përgjigjën duke ngritur qafat dhe shikimin drejt tij. Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin për të, u tha: "Vërtet tregtarët Ditën e Gjykimit do të ringjallen mëkatarë të këqij, përveç atyre që patën frikë (Allahun), ishin bamirës (të mirësjellshëm) dhe të sinqertë". (Tirmidhiu dhe e cilëson të saktë.).
Mubarekfuri, gjatë komentit të këtij hadithi, ka thënë se me shprehjen: "përveç atyre që patën frikë (Allahun)", ka për qëllim ata që nuk futen në mëkate të mëdha e të vogla, sikur mashtrimi e tradhtia, pra janë korrektë në tregtitë e tyre, duke dëshmuar nënshtrimin ndaj Zotit dhe adhurimin e Tij. Kurse me fjalët: "ishin bamirës dhe të sinqertë", qëllimi është se janë të matur e të sinqertë në betimet e tyre gjatë shitblerjes.(3)
Tregtari duhet ta dijë vërtet se tregtia më e madhe e më fitimprurëse është ajo që realizohet në mes të Zotit dhe robit të Tij, duke bërë vepra të mira e duke u larguar nga ndalesat. Pasuria e kësaj bote, sado që të shumëfishohet, nuk ka kurrfarë vlere para Allahut, nëse nuk është fituar në përputhje me mësimet dhe kënaqësinë e Tij. Allahu i Madhëruar, në Kuran ka thënë: "Në të vërtetë Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit". (Et-Tevbe, 111)
Allahu i Madhërishëm në Kuran ka përmendur dy lloj tregtarësh: tregtarë të dynjasë dhe tregtarë të Ahiretit. Në të përmendet udhëheqësi i tregtarëve të Xhehenemit, Karuni, për të cilin thuhet: "Kur ai dilte para popull- it të vet me stolitë e tij, ata që lakmonin jetën e kësaj bote, thoshin: "Ah! Sikur të na ishte dhënë edhe neve si Karunit!" (El Kasas, 79), dhe Allahu tregon se çfarë u bë me të, kur thotë: "Ne bëmë që Karunin dhe shtëpinë e tij t'i gëlltiste toka, dhe askush nuk arriti ta mbronte nga dënimi i Allahut." (El Kasas, 81).
Krahaso këtë tregtar që ka përmendur Kurani dhe Ebu Bekrin, i cili ishte nga tregtarët më të njohur të Mekës, po me tregtitë e tij arriti gradat më të larta të Xhenetit. Ose Abdurrahman ibn Aufin, i cili, ashtu si vërtetohet nga hadithet e sakta, me tregtitë e tij arriti të bëhej nga banorët e Xhenetit. Kurse për Othmanin, Allahu qoftë i kënaqur me të, i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin për të, kishte thënë se Allahu ia fali mëkatet që ka bërë në të kaluarën dhe që do t'i bëjë në të ardhmen, (Taberani), tërë kjo si rezultat i tregtive dhe shpenzimit të pasurisë që bëri në rrugën e Allahut.
Kujdes si e arrin pasurinë!
Është shumë e rëndësishme që në këtë rast të përmendim edhe rolin e tregtarëve myslimanë në përhapjen e Islamit. Tregtarët myslimanë në kohët e mëhershme ishin modeli më tipik dhe shëmbëlltyra më e qartë e moralit të mirë dhe e sinqeritetit në Islam. Këtë e vërenin vazhdimisht ata që kishin marrëdhënie tregtare me ta, dhe nga ndikimi i tyre shumë popuj u njohën me mirësitë e Islamit. Prandaj ndikimi i tregtarëve myslimanë në thirrjen islame në vende të ndryshme të botës, në të cilat udhë- tonin ata, ishte shumë i vërejtur. Përdorimi i urtësisë, predikimit, sjelljes së mirë, çiltërisë gjatë tregtisë, largimit nga gënjeshtra e tradhtia, etj., i bënte ata të dashur për vendorët që bashkëpunonin me ta, dhe si rezultat shumë prej tyre e pranonin Islamin. Turkestani Lindor në Kinë ishte njohur me Islamin përmes tregtarëve myslimanë. Gjithashtu përmes tregtarëve myslimanë Islami arriti edhe në Azinë Juglindore, Indonezi, Malajzi, Filipine e vende të tjera. Pastaj tregtarët myslimanë kanë qenë shkaktarë të arritjes së Islamit në gadishujt Maldive, në Vietnam, Afrikën Veriore e të Mesme. Gjithashtu fillet e përhapjes së Islamit në territoret e Gadishullit Ballka- nik, te shqiptarët dhe popujt e tjerë, tregtarët myslimanë e kishin sjellë.(4)
Fatkeqësisht, sot është bërë diçka e rrallë që gjatë shitblerjeve të tyre te tregtarët të shohim sinqeritet e çiltëri. Kemi ardhur në pikën që tregtia të trajtohet si një fushë që ngërthen në vete shumë dredhi, veprime manipula tive, mashtrime, tradhti, korrupsion e gjëra të tilla, që tregtarët i konsiderojnë si pjesë të veprimtarisë tregtare, madje këto trajtohen edhe si zotësi e aftësi tregtare pa të cilat nuk ka mundësi të ketë sukses një tregtar!
Përderisa në të kaluarën tregtarët myslimanë ishin ata që bartnin mbi vete përgjegjësinë më të lartë të prezantimit të mirëfilltë të Islamit, tani ata shikohen si njerëzit që më së shumti janë larg vlerave të moralit dhe sinqeritetit. Prandaj, ky fakt është edhe një nga paradokset më të mëdha të kohës bashkëkohore.
Ky realitet i tregtarëve dëshmon edhe paralajmërimin e Muhamedita.s., në të cilin ai na ka informuar se do të vijë koha kur disa nga njerëzit nuk do të bëjnë dallim në mes fitimit hallall e haram. Gjithë ç'do t'u interesojë atyre, do të jetë arritja e pasurisë dhe harxhimi i saj ashtu si dëshirojnë vetë. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin për të, ka thënë: "Do t'u vijë njerëzve një kohë, kur njeriu nuk do ta çajë kokën për mënyrën si do të arrijë pasurinë, nga hallalli apo harami".(Buhariu). Ata harrojnë se do të pyeten edhe për pasurinë e tyre nga e fituan dhe si e harxhuan. Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin për të, ka thënë: "Nuk do të lëvizin dy këmbët e njeriut në Ditën e Gjykimit, derisa të mos pyetet për pesë gjëra,.. ndër to do të pyetet për pasurinë e tij, nga e fitoi dhe si e harxhoi". (Tirmidhiu)
Prandaj ti, o tregtar, kujdes si arrin pasurinë, sepse për të do të pyetesh gjithsesi dhe, varësisht prej kësaj, do të dihet edhe drejtimi yt në botën tjetër! Mos u mashtro nga mundësitë që ke në dispozicion, që të marrësh atë që nuk e meriton dhe nuk është jotja. Dëgjo çfarë thotë i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin për të: "Nuk do të futet në Xhenet mishi i cili rritet nga harami, dhe për çdo mish që rritet nga ushqimi haram, përparësi ka zjarri (që ta djegë)". (Ahmedi)
Alaudin Abazi
Dituria Islame 293