Ebu Dherri r.a. tregon: "Vërtet në mes meje dhe një personi nga vëllezërit e mi pati fjalosje. Nëna e tij ishte joarabe dhe unë e turpërova me nënën e tij. Pastaj ai ishte ankuar te Pejgamberi s.a.v.s., e kur e takova Pejgamberin s.a.v.s. ai më tha: "O Eba Dherr, ti je një njeri me cilësi të injorancës." Unë i thashë: "O i Dërguar i Allahut, kush i ofendon njerëzit, ata ia ofendojnë babanë dhe nënën e tij." Ai i tha: "O Eba Dherr, vërtet ti je njeri me cilësi të injorancës. Ata (robërit) janë vëllezërit tuaj në duart tuaja. Ushqejini ata nga ajo që ju hani, vishni nga ajo që ju vishni e mos i rëndoni me çka nuk mund ta përballojnë, e nëse i ngarkoni, atëherë ndihmojini."(1)
Fjalët e panjohura në hadith
Fjala ajjertuhu ka kuptimin e turpit, me i dhënë përkatësi turpi. Thuhet se i ka thënë "O djali i zezakes".(2) Në një version tjetër thuhet "e kam ofenduar një person, apo në mes meje dhe atij janë shkëmbyer ofendime, të shara".
Fjala raxhulun - burrë, person, thuhet ky person ka qenë muezini Bilali r.a., që ishte liruar nga robëria nga Ebu Bekri r.a..
Fjala e'axhemije (e huaja) d.m.th. secili person që nuk e flet pastër gjuhën arabe konsiderohet i huaj - e'axhemije, pavarësisht a është arab apo joarab.(3) Nëna e Bilalit ishte e huaj, me prejardhje nga Etiopia.
Thënia "fike xhahilijjetun" - "Ti ke cilësi të injorancës" apo ofendimi është moral dhe veti e injorancës.
Fjala havele është emër që i dedikohet robit dhe robëreshës. Njëjësi është hailun - rob. Ky emër përdoret edhe për çobanin, rojtarin. Thuhet se përdoret ky emër për pronësi - ettehvil , d.m.th. me qenë pronar apo të posedosh - ettemlik.
Fjala dhe mos i rëndoni, d.m.th. robërit mos i rëndoni fizikisht me barra dhe punë të rënda apo me ndonjë urdhër që është i vështirë për t'u kryer.
Shpjegimi i hadithit
Hadithi bazë tregon dhe udhëzon se nuk lejohet assesi që myslimani ta ofendojë vëllanë e tij, as t'i japë përkatësi turpi, as të kreno het me përkatësinë e prindërve e as të ndihet me i ngritur se të tjerët edhe nëse tjetri është shërbëtor, çoban apo rob.
Sahabët po qëndronin së bashku kur papritmas Ebu Dherri e kishte turpëruar Bilalin r.a. duke i thënë "O djalë i zezakes". Atëherë Bilali iu ankua Pejgamberit s.a.v.s. për këtë ofendim dhe Pejgamberi u hidhërua shumë dhe e qortoi Ebu Dherrin duke i thënë se ofendimi është cilësi dhe veti paraislame, ndërsa në Islam njerëzit janë të barabartë në të gjitha dispozitat e fesë dhe nuk ka vend për diskriminim për shkak të etnitetit, gjuhës apo ngjyrës.
Në kushtetutën islame ekziston vetëm një emër, ai është musliman. Nuk ka njerëz të zinj, ezmerë, të kuq apo të bardhë. Ne nuk njihemi përmes ngjyrave, as përmes përkatësive, as etniteteve, as gjuhëve dhe as vendeve. Ne njihemi vetëm me fjalën "La ilahe il-lall-llah" dhe në bazë të adhurimit.(4)
Përparësia matet me devotshmëri
Përparësia e vërtetë qëndron në devotshmëri. Ai që nuk ka devocion nuk ka pse të mbështetet në përkatësinë apo gjenealogjinë, ndërsa ai që është i shtresës së ulët, gjenezën e përfiton me devotshmëri. Allahu xh.sh. thotë:
"Vërtet se më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që është më i devotshmi." (El-Huxhuratë, 13)
Ebu Dherri r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. i ka thënë: "Shiko, ti nuk je më i mirë se njeriu i kuq e as i zi, përveçse përparësia është me devotshmëri."(5)
Pejgamberi a.s. që në fillim të thirrjes islame e kishte vendosur këtë parim, se nuk ka pasuri, as pozitë, as etni, as ngjyrë, por ka devotshmëri dhe adhurim. E kur në skenë u shfaq Ebu Dherri me këtë ofendim dhe e shkatërroi atë parim, atëherë ai s.a.v.s. iu përgjigj: "Vërtet ti je njeri me cilësi të injorancës paraislame", d.m.th. kërkoi nga ai që të distancohet menjëherë nga veset e së kaluarës dhe të ndi het i njëjtë me të ziun, me ezmer in dhe me të kuqin. Thuhet se kjo ngjarje kishte ndodhur ende pa e ditur ndalesën e saj dhe kjo cilësi kishte mbetur tek Ebu Dherri për shkak se për një kohë të gjatë ai kishte qenë larg nga Pejgamberi s.a.v.s..
Barazinë ndërmjet njerëzve Re sulullahu s.a.v.s. e kishte proklamuar edhe në hytben gjatë ditëve të haxhit në Mine:
"O ju njerëz, vërtet Zoti juaj është një dhe babai juaj është një (Ademi). Kini kujdes! Nuk ka përparësi arabi nga i huaji, as i huaji nga arabi, as i kuqi nga i ziu, as i ziu nga i kuqi, përveçse me devocion (devotshmëri)."(6)
Në rastin kur i Dërguari s.a.v.s. tuboi tre muslimanë nga tre vende të ndryshme, respektivisht Selmanin nga Persia (Irani), Suhejbin nga romakët e bardhë dhe Bilalin nga Etiopia, një arab i quajtur Kajs hyri brenda dhe i quajti këta të huaj el-e'axhemij. I zemëruar shumë, i Dërguari s.a.v.s. tha: "Edhe yt atë është i njëjtë, edhe feja e juaj është e njëjta, ndërkaq të qenët arab për të cilën, me sa po shihet, po krenohesh aq shumë, nuk i takon as babait tënd e as nënës sate (duke menduar se Ademi dhe Havaja janë prindërit e të gjithë njerëzve)." Pastaj deklaroi:
"Nuk është prej nesh (prej umetit islam) kush propagandon fanatizmin fisnor (etninë), kush lufton për të dhe kush e jep jetën për të."(7)
Eliminimi i robërisë përmes vëllazërisë
Thënia në hadith: "Ata (robërit) janë vëllezërit tuaj në duart tuaja." Në këtë pjesë të hadithit Pejgamberi s.a.v.s. robërve u jep epitetin e vëllazërisë. Me këtë barazi që shpreh eviton çdo diskriminim racor dhe strukturor në mes njerëzve në shoqëri. Ky deklarim i Pejgamberit a.s. ishte një hap i madh drejt eliminimit të robërisë në mënyrë graduale. Në këtë kohë i tërë sistemi shoqëror ishte i ndërtuar në kurriz të robërisë, ndërsa deklarata të tilla ishin të çuditshme për shoqërinë e asaj kohe. Sa për ilustrim, thuhet se qyteti i Romës në perandorinë romake kishte dy qind e katërmbëdhjetë mijë qytet arë të lirë, por më tepër se njëzet milionë robër apo skllevër. Ligji parashihte dënime të ndryshme sa u përket këtyre shtresave edhe pse vepra e bërë ishte e njëjtë. Robi që vidhte, vritej, kurse i liri mjafton te ta kthente sendin e vjedhur. Me një fjalë robërit as që trajtoheshin si njerëz, e lëre më si vëllezër.
Në këto momente kur po i shkruaj këto rreshta marr informacion nga lajmet e ditës se vetëm në Londër të Britanisë së Madhe në këtë kohë ekzistojnë afro trembëdhjetë mijë njerëz si skllevër modernë, nga trafikimi i qenieve të gjalla, nga prostitucioni dhe ushtrimi i punëve të dhunshme. Kjo është një shenjë e qartë se aty ku nuk ka Islam, njerëzit prapë do t'i kthehen të kaluarës së errët, shfrytëzimit të njëri-tjetrit me dhunë.
Në mënyrë të qartë Pejgamberi a.s. kërkoi që ushqimi dhe veshja të jetë e barabartë në mes qytet arëve të lirë dhe robërve apo edhe shërbëtorëve.
Thënia në hadith "mos i rëndoni" është urdhër i prerë që ngarkesa të mos jetë jashtë suazave njerëzore dhe se robi apo shërbëtori duhet të ngarkohet me atë që mund të bartë zotëria. Mos i ngarkoni fizikisht jashtë energjisë së tyre, edhe psiqikisht mos i ngarkoni me urdhra që janë të vështirë dhe mos u bëni presion që ata të ndihen të kategorisë së dytë apo edhe më të ulët. Mund t'i ngarkoni ata aq sa ju mund të përballoni, por nëse i ngarkoni më shumë, jini të kujdesshëm dhe ndihmojini në punët e tyre fizike dhe mendore.
Kush është Ebu Dherri
Emri i tij është Xhundeb, d.m.th. lloj zogu, djali i Sufjan el-Gafarij. Ai konsiderohet prej sahabëve të vjetër, ishte i pesti që përqafoi Islamin. Vinte nga fisi Gaffar, i cili ishte fis problematik dhe i njohur për plaçkitjen e udhëtarëve. Kur e pa Pejgamberi s.a.v.s. duke ardhur për të hyrë në Islam, buzëqeshi duke thënë: "Vërtet kë do, e udhëzon Allahu." Kjo ngjarje kishte ndodhur në Mekë. Pejgamberi a.s. e urdhëroi të kthehej te fisi i vet për t'i udhëzuar në rrugën e vërtetë. Ai ishte guximtar pasi e pranoi Islamin dhe në prezencë të politeistëve e ngriti zërin duke cituar dëshminë - shehadetin, edhe pse kjo i kushtoi me rrahje. Kishte qëndruar disa vite tek fisi i tij dhe kur Pejgamberi a.s. ishte shpërngulur në Medinë, ky kishte arritur që të merrte me vete edhe fisin e tij - Gaffar dhe të shkonte në Medinë. Kur i pa Pejgamberi a.s., u mahnit dhe përpiqej që të kujtonte emrin e tij dhe i tha Ebu Nemle.(8) Ai ia kujtoi se e kishte Ebu Dherr. Pejgamberi a.s. i tha: "Po, Ebu Dherr". Pastaj filloi duke u lutur:
"Ky është fisi Gaffar, Allahu e pastë falur, erdhën në Islam, Allahu i shpëtoftë!"(9)
Mandej u drejtua nga ky trim i madh me fjalët:
"Toka nuk ka bartur e as qielli nuk ka strehuar njeri më të sinqertë të fjalës sesa Ebu Dherri."(10)
Ai nuk kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit, Uhudit dhe Hen dekut për shkak se ishte te fisi i tij larg nga Pejgamberi a.s., por ishte shembull në luftën e Tebukut. Atë e kishte vonuar deveja e tij, e cila i kishte ngordhur rrugës, prandaj ky vazhdoi rrugën në këmbë në shkretëtirë dhe të nxehtë derisa ar riti Pejgamberin a.s. me shokët e luftës. Pejgamberi a.s. kur e pa i tha:
"Për sa hapa që ke bërë, Allahu për aq t'i shleftë mëkatet!"
Pejgamberi a.s. fliste fjalë të mira për të. Ebu Dherri shpesh e pyeste për këshilla. Njëherë i tha Pejgamberit a.s. që ta këshillojë për diçka dhe Pejgamberi a.s. e këshilloi duke i thënë: "Të këshilloj me lexim të Kur'anit, sepse ai në tokë është dritë për ty, e në qiell përkujtim për ty." Ebu Dherri i tha: "Më shto edhe diçka." Ai i tha: "Gjithnjë shiko atë që është më i varfër se ti, e mos shiko atë që është më i pasur se ti, se vërtet vetëm kjo është më e drejtë për të mos e përbuzur begatinë e Allahut për ty."(11)
Nganjëherë Pejgamberi s.a.v.s. i drejtonte pyetje Ebu Dherrit:
"Cili është qëndrimi yt, nëse has në udhëheqës (të korruptuar) që përvetësojnë pasuri?" Ai u përgjigj: "Me shpatë do t'i luftoj ata." Atëherë Pejgamberi a.s. buzëqeshi dhe i tha: "A do të të tregoj se cila është më mirë (të veprosh)? Përmbaju derisa të më takosh mua."
Pasi kaloi koha e Ebu Bekrit dhe Omerit r.a., pasuan njerëz të cilët përvetësuan paranë dhe pronën publike, kurse në anën tjetër kishte të atillë që nuk u jepnin të varfërve. Ebu Dherri duke ecur rrugës së tregut ngrinte zërin duke thënë: "Përgëzoj ata që depozitojnë pasurinë, arin dhe argjendin me ndëshkim në zjarr."
Kur Ebu Dherri pati rastin të shohë pallatin që kishte ndërtuar Muaviu, i tha:
"Nëse e ke bërë me paranë e muslimanëve, kjo është tradhti, e nëse e ke bërë me paranë tënde, kjo është e tepërt (israfë). O Muavi, vërtet ti të pasurin e ke pasuruar edhe më tepër, e të varfrin e ke varfëruar."
Ishte i njohur për asketizëm dhe thuhet se i përngjante Isait a.s. në tërheqjen prej kësaj bote. Ai e konsideronte haram depozitimin e pasurisë tek individi më tepër sesa ka nevojë. Ai thoshte: "Mua më mjafton kafshata ditore."
Ebu Dherri kishte refuzuar të jetë emir në Irak. Ai kishte thënë: "Për Allahun jo, ... assesi nuk mund të më anoni në dynjanë tuaj."
Kështu ai kishte zgjedhur të jetonte në shkretëtirë në Rrebdhe, i izoluar prej njerëzve, vetëm me gruan dhe djalin e tij të vogël. Pejgamberi a.s. në luftën e Tebukut, kur e pa të vetmuar duke ardhur në këmbë tha: "Allahu e mëshiroftë Ebu Dherrin, i vetëm po ecën, i vetëm do të vdesë dhe i vetëm do të ringjallet."(12)
Vërtet ai ishte i vetëm duke ecur për në luftën e Tebukut, ishte i vetëm kur vdiq në shkretëtirën Rrebdhe dhe i vetëm do të ringjallet inshaAllah, ngase mirësitë e tij ishin të shumta, kështu që afër tij nuk ka vend për të tjerët.
Ishte njeri me tipare të veçan ta, zhvilloi një jetë ndryshe nga të tjerët, ishte shumë guximtar, tërë jetën ia kushtoi Islamit, askujt nuk iu nënshtrua për çështje të kësaj bote, askënd nuk e imitoi në pa suri, veshje, dukje dhe qëndrime. Pejgamberi s.a.v.s. thotë:
"Askush të mos imitojë e të thotë nëse njerëzit bëjnë mirë, bëj edhe unë, e nëse bëjnë keq, bëj edhe unë. Edukoni veten të bëjë mirë kur ata bëjnë mirë, e kur bëjnë keq, atëherë ju të mos bëni padrejtësi."(13)
Ebu Dherri ka transmetuar nga Pejgamberi a.s. 281 hadithe. Ai vdiq në shkretëtirën Rrebdhe afër Medinës në vitin 32 h. Përgatitjet e var rimit dhe faljen e xhenazes ia kishte bërë Abdullah bin Mes'udi. Ky ishte një paralajmërim i Pejgamberit a.s.:
"Për Allahun, një njeri nga ju do të vdesë në shkretëtirë e në të do të prezantojnë një grup prej besimtarëve." Dhe vërtet kështu ndodhi, në xhenazen e tij ishin prezentë grupi i besimtarëve me në krye Ibn Mes'udin.
______________________________________
1. "Sahihul Buhari", Kitabul Iman, vëll. I, fq. 13, nr. 30; "Sahihu Muslim", vëll. III, fq. 1882, nr. 1661.
2. Ibn Haxher, "Fet'hul Barij", vëll. I, fq. 86.
3. El-Ajni, "Umdetul Karij", vëll. I, fq. 208.
4. Aid El-Karnij, "El-misku vel ainberu fi hutabil minber", fq. 70.
5. "Fet'hul Barij", vëll. X, fq. 468; "Musned Ahmed", vëll. V, fq. 158.
6. "Musned Ahmed", vëll. 47, fq. 478, nr. 22391.
7. "Sunen Ebi Davud", vëll. XIII, fq. 325, nr. 4456.
8. En Nemël është buburrec, kurse më të voglit të buburre cit i thuhet Dherr.
9. "Sahihul Buhari", vëll. IV, fq. 95, nr. 951; "Sahihu Muslim", vëll. III, fq. 446, nr. 1095.
10. "Sunen Ibn Maxhe", vëll. I, fq. 181, nr. 152.
11. "El-Mu'xhemul Kebir lit-Taberanij", vëll. II, fq. 214, nr. 1628.
12."El-Mustedrek ala -s-sa hihajni lil Hakim", vëll. III, fq. 52, nr. 4373. Ibn Haxher, "El-Isabe fi temjiz Es-Sahabe".
13. "Sunen Et-Tirmidhij", vëll. VII, fq. 290, nr. 1930.
Dituria Islame 336