Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava u prit në takim nga kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti.
Myftiu Tërnava e uroi kryeministrin Kurti për zgjedhjen e presidentes së re, znj. Justina Shiroka-Pula, për të cilën tha se zgjedhje e saj si presidente shmangu zgjedhjet e katërta parlamentare në më pak se dy vjet dhe mundësoi kthimin te stabiliteti institucional.
Në takim u diskutua për bashkëpunimin e mirë dhe ecurinë e projekteve të përbashkëta, solidaritetin e humanitetin qytetar dhe vlerat shoqërore e kombëtare, situatën e dinamikat politike në rajon e më gjerë, por edhe për aktgjykimin e padrejtë dhe të pasaktë në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara në Hagë, ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, si dhe për punën përpara për sukses në apel.
Kryeministri shprehu mirënjohje dhe falënderime për rolin konstruktiv dhe kontributin e çmuar të Bashkësisë Islame të Kosovës për popullin tonë, teksa tha se është përherë kënaqësi të takohet me Myftiun Tërnava.