Jetojmë në një kohë ku njerëzimi po ballafaqohet me ndryshime të mëdha e drastike. Zhvillimi teknologjik, inteligjenca artificiale dhe robotizimi po ndryshojnë jo vetëm sjelljen e njeriut, por edhe mënyrën e komunikimit dhe vetë jetën që bëjmë. Jemi të vetëdijshëm se çfarë mund të bëjë teknologjia, në çfarë niveli ka arritur dhe sa mund të avancojë tutje! Avancimi është i rëndësishëm, sepse njeriut ia lehtëson shumë gjëra dhe jetën ia bën më të lehtë. Përdorimi i teknologjisë, me theks të veçantë në inteligjencën artificiale, mund të lehtësojë shumë gjëra dhe të kryejë shumë punë, për çka meriton të përdoret në dobi dhe shërbim të njeriut. Mirëpo, krahas këtij zhvillimi e kësaj teknologjie të avancuar, çfarë po i ndodh njeriut? Përparimi teknologjik nuk nënkupton domosdoshmërisht përparim njerëzor e human. Nuk ka dyshim se, përmes avancimit teknologjik, njeriu bëhet më i fuqishëm në kontrollimin e botës, por ndoshta më i dobët në kontrollimin e vetvetes.
Rreziku nuk qëndron në faktin se inteligjenca dhe teknologjia janë të dëmshme për njeriun; përkundrazi, ato janë në dobi të njeriut, por rreziku qëndron pikërisht te mundësia që njeriu po ia delegon gjithnjë e më shumë aftësitë e veta teknologjisë. Ndërkaq, Islami e vendos njeriun në qendër të përgjegjësisë morale. Ai thotë: "Ne, vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit)..."(El Isra, 70). Ky ajet na mëson se vlera e njeriut nuk matet vetëm me anën materiale, por edhe me atë shpirtërore. Vlera e njeriut matet me mëshirë, moral, ndërgjegje, dashuri dhe përgjegjësi. Përderisa ndërtojmë inteligjencë artificiale, të mos humbim inteligjencën e zemrës; ndërsa krijojmë teknologji që mendon, të mos lejojmë që ne të harrojmë të ndiejmë; ndërsa teknologjia na afron me botën, të mos largohemi nga Krijuesi dhe nga njëri-tjetri.
Sfida e kohës aktuale është të mbetemi njerëz të mirë, ta ruajmë anën humane të njerëzimit. Përderisa gjërat po bëhen përherë më të shpejta e më të avancuara, të mos lejojmë që mëshira e humaniteti të bëhen më të rralla. Në kohën kur reklamat na kanë shkallmuar, është e nevojshme që solidariteti të mos mbetet në harresë. Në këto kushte jashtëzakonisht të mira, do të duhej që të jemi në ndihmë të nevojtarit e të mos e humbim aftësinë për të bashkëndier dhimbjen e tjetrit, sepse kur ndiejmë dhimbjen e tjetrit, jemi më humanë, e kur ndihmojmë dikë që ka nevojë, jemi të njerëzishëm, dhe ndihma e Allahut do të jetë me ne në momentet më të vështira për ne, ashtu siç tha i Dërguari i Allahut: "Allahu është në ndihmë ndaj robit të Tij përderisa robi është në ndihmë të vëllait të tij." (Muslimi, 2699). Kur njeriu ia lehtëson barrën dikujt, Allahu ia lehtëson atij rrugën; kur i gjendet pranë nevojtarit, edhe ai nuk mbetet pa përkrahje. Kur dora jonë ngrihet për ta ndihmuar dikë, ne përkrahim jo vetëm jetën e tij, por ngjallim edhe humanizmin e shoqërisë sonë.
Islami e ndërton shoqërinë mbi norma që nuk mund të zëvendësohen nga asnjë algoritëm: mëshirën, drejtësinë, besnikërinë, respektin, faljen, solidaritetin dhe përgjegjësinë ndaj tjetrit. I Dërguari i Allahut e përshkroi marrëdhënien ndërmjet besimtarëve me falët: "Besimtari për besimtarin është sikurse ndërtesa, pjesët e së cilës e forcojnë njëra-tjetrën."
Ruajtja e vlerave nuk do të thotë kthim prapa, refuzim i dijes apo frikë nga teknologjia. Teknologjia mund të përshpejtojë një proces, por nuk mund t'i japë atij kuptim moral. Zhvillimi duhet të ecë bashkë me edukimin e karakterit. Kurani e lidh suksesin njerëzor me pastrimin e shpirtit: "Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten." (Esh Shems, 9). Sa më shumë të rritet fuqia e njeriut, aq më e madhe duhet të bëhet edhe përgjegjësia e tij.
Islami nuk e vendos njeriun përballë zhvillimit si kundërshtar të tij, por i kërkon atij që dijen, fuqinë dhe mundësitë që i janë dhënë t'i përdorë me përgjegjësi të plotë. "...e mos le mangët atë që të takon nga kjo botë... dhe bën mirrë ashtu siç të ka bërë Allahu ty..." (El Kasas, 77). Kështu, zhvillimi material dhe përgjegjësia shpirtërore nuk duhet të jenë në konflikt. Njeriu mund të ndërtojë, të zbulojë, të shpikë dhe të përparojë, por duhet të kujtojë gjithmonë se dija pa devotshmëri, fuqia pa drejtësi dhe përparimi pa moral nuk e bëjnë domosdoshmërisht njeriun më të mirë.
Nëse teknologjia na jep mundësi dhe fuqi më të madhe, atëherë duhet të kemi edhe vetëpërmbajtje, por edhe përgjegjësi më të madhe; nëse na afron me botën, duhet të kujdesemi që të mos na largojë nga familja e të mos i harrojmë fqinjët, shoqërinë dhe as vetveten. Kjo është beteja e vërtetë e kohës sonë. Dhe kjo është arsyeja pse, në një botë që po ndryshon me shpejtësi, duhet t'i ruajmë vlerat tona - të ruajmë vetveten e familjen, të ruajmë mëshirën, moralin dhe të ruajmë lidhjen me Allahun.
Sepse teknologjia mund të na tregojë se si të jetojmë më lehtë; vetëm besimi dhe morali mund të na mësojnë pse duhet të jetojmë mirë.
Editorial
Dituria Islame 431