27-vjeçari Ebro Ahmed është vlerësuar për ndërhyrjen e tij të guximshme, pasi ndaloi një autobus shkollor që po lëvizte pa kontroll, me 19 nxënës në bord, në momentin kur shoferi pësoi një urgjencë shëndetësore.
Ngjarja ndodhi më 19 tetor 2026, në lagjen Dayton's Bluff, në qytetin Saint Paul të Minesotës, në SHBA. Sipas raportimit të CBS Minnesota, Ahmed ndodhej jashtë dyqanit të familjes kur vuri re autobusin që vazhdonte të lëvizte me dyert e hapura, pasi shoferi kishte pësuar një urgjencë shëndetësore.
Pa hezituar, 27-vjeçari vrapoi drejt automjetit dhe u ngjit në të për ta ndaluar. Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara nga mediat amerikane, tregojnë momentin kur ai ndjek autobusin dhe arrin të futet brenda tij.
Fillimisht, Ahmed u përpoq ta vendoste autobusin në pozicionin e parkimit, por gabimisht e kaloi në marshin e pasëm. Më pas arriti ta vendoste në neutral dhe të aktivizonte frenën e parkimit, duke ndaluar automjetin. Sipas raportimit të FOX 9, në autobus ndodheshin 19 nxënës të shkollës Battle Creek Middle School.
Asnjëri prej nxënësve nuk pësoi lëndime. Shoferi u transportua në spital për trajtim mjekësor dhe, sipas autoriteteve shkollore, më vonë u lirua dhe vazhdoi rikuperimin në shtëpi. Nxënësit u morën nga një autobus tjetër për të vazhduar rrugën drejt shtëpive, ndërsa ekipi i shëndetit mendor i shkollës u ofroi mbështetje pas ngjarjes.
Në një intervistë për MPR News, Ahmed tregoi se reagimi i tij lidhej edhe me bindjet fetare. Ai përmendi një mësim kuranor, sipas të cilit shpëtimi i një jete është sikur të shpëtosh gjithë njerëzimin.
"Në fenë time thuhet se një jetë është e barasvlershme me gjithë njerëzimin dhe, nëse shpëton një person, është sikur të kesh shpëtuar gjithë botën", tha Ahmed, duke shpjeguar se ky parim ishte një nga arsyet që e shtynë të ndërhynte.
Ai theksoi se nuk e konsideron veten hero dhe se beson që çdokush në një situatë të tillë do të duhej të ndihmonte njerëzit në rrezik. Ahmed, i cili ka prejardhje nga Eritrea dhe është rritur në Saint Paul, përmendi gjithashtu ndikimin e komunitetit dhe të besimit të tij në formimin e tij.
Ndërkohë, mirënjohja për ndërhyrjen e tij u shpreh edhe përmes një vlerësimi publik. Sipas MPR News, më 22 tetor, gazetarja dhe filantropistja lokale Sheletta Brundidge i dhuroi Ahmedit 1.000 dollarë në shenjë falënderimi për veprimin e tij. Ndërkaq, organizata Human Development Fund e nderoi me çmimin "Humanitarian Hero Award", duke vlerësuar guximin dhe gatishmërinë e tij për të ndihmuar të tjerët.
Ndërhyrja e Ebro Ahmedit u bë shembull i solidaritetit dhe përgjegjësisë njerëzore, duke treguar se reagimi i shpejtë dhe gatishmëria për të ndihmuar mund të bëjnë dallimin në një situatë emergjente.